
Dr. Ermira Ymeraj/
Për Edin, për njerëz të vetëdijshëm e me qytetari dhe me një rrugëtim të sigurte në fushën e studimeve, të ndërprerë tragjikisht është e denjë të mësojmë nga puna e tij dhe prej saj të nxjerrim besimin se Shkodra e kulturuar dhe rrethi i studiuesve ka përse ta kujtojë me krenari dhe mirënjohje emrin dhe kontributin studimor të Eduard Grishës.
Universiteti ynë dhe rrethi filologjik ku studioi Edi, humbi fizikisht djalin inteligjent dhe të kulturuar që shkencën e deshi deri në shtratin e një doktrine, kjo nisur nga efektiviteti dhe morali i studiuesit që ai përcolli ndër ne.
Shumica e studiuesve të grupit tonë fituan njohuri e aftësi dhe u kthyen në vendet e tyre të punës, pa shprehur energjitë e tyre. Ndërsa Edi, që nga 2010 ngjalli respekt për punën e tij studimore në rrethin e profesorëve dhe tonin, për seriozitetin e studimeve, për ngjalljen kulturore të qytetit, për avancimin në numër të studimeve në fletoret kulturore të studimeve letrare e historike. Atdhe i dytë për Edin ishte serioziteti në atë që studionte.
Mes mureve plot pengesa, dhe thepisjes nga kultura amatoreske, Edi dallohej, ai hyn tek ata studiues që ndërtonin skenën e tyre deri në një shfaqje të përkorë, ndryshe studimi i tij nuk merrte rrugën e botimit.
Besoj se këtë e mësova mirë se nga gjithë bashkëpunimet dhe rrugëtimi i përbashkët mbeti sot e kësaj dite te unë: Edi djali me zgjuarsinë e mendjes, qëndrueshmërinë dhe këmbënguljen ndaj përpjekjeve serioze dhe temperamentin e qetë.
E gjithë kjo e vendos Edin në atë rang njerëzish që të frymëzojnë e për të cilët respekti është vetëm një e dhënë, të dhënat e tjera janë se gjithçka çka Edi la dorëshkrim, do duhen t’i jepen lexuesit të çdokohshëm për vetë vlerat që ato mbartin, të cilat nuk mund të mungojnë, vetëm kështu gjurmët e tij, shijet e tija nuk do jenë dritëshkurtra, nuk do belbëzojnë sirtarëve se brenda atyre është ndjeshmëria e hollë, kujtesa e gjallë, bardhësia e një shpirti inteligjent dhe origjinaliteti artistik.
Ai zotëronte durimin për të përmbledhur e shënuar, atë e karakterizonte disiplina dhe reflektimi që ia forconte mprehtësinë dhe shijen për të zgjedhur se çfarë duhet të studionte.
Ja një fragment nga puna jonë e përbashkët:
Tema e kumtesës: Përpjekjet e Profesor Arshi Pipës për të ndërkombëtarizuar poemën e De Radës “Këngët e Milosaos”.
Struktura e temës:
1. Vepra e Prof. Pipës në fushën e studimeve kritike. Kontribute në mendimin letrar shqiptar dhe në mendimin letrar universal. Publikime, pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare dhe manuskripte (… Dante dhe Montale. Vico. Manzoni. Paradigma Gramshi.)
2. Arshi Pipa në funksion të promovimit të kulturës dhe letërsisë shqipe në perëndim. (Trilogjia Albanica; Përkthimi dhe botimi i Kronikë në gur të I. Kadaresë, Letërsia arbëreshe etj.)
3. Përpjekjet e Profesor Arshi Pipës për të ndërkombëtarizuar poemën e De Radës “Këngët e Milosaos”.
4. Konkluzione.
5. Bibliografia.
Ai shoshiste fjalët dhe frazat, refuzonte kompozimet e gjata ndjesore në studime, dhe kjo për shkencën është përparim e njëkohësisht luftë për të paqartët studiues. Në këtë mënyrë ishte i ndërtuar Edi dhe historia e tij si studiues, para së cilës guxova të marr mbi supe peshën e studimit të tij dhe t’ia sillja lexuesit me tërë përkujdesjen që ai kishte për studimin.
Orët e para nuk ishin të lehta për mu, ai ishte mjeshtri, këtë e kupton që në kapitullin e parë, lidhja ndërdisiplinore e studimit në fusha të ndryshme, prerja vertikale që i bën fenomenit të gjakmarrjes, idetë në lidhjen logjike të tyre deri në shprehjen e ndjenjave përmes letërsisë, më bënë të kuptoj peshën që kisha marrë përsipër. Përvoja e kultura e tij e gjerë që zotëronte më lajkatuan imagjinatën sa shpesh humbja në lexim dhe nuk kujdesesha për sistemimin e lëndës kur lexoja thirrjen e Edit dhe shpjegimin e tij:
Ku është gabuar? Pse ka dështuar shteti? Këto pyetje shtrohen me të drejtë, sepse është tepër e thjeshtë të konstatohet insuficienca shtetërore, por shumë e vështirë të kuptohet se ku fillon e ku mbaron gabimi. Deri më sot kemi kuptuar se kanuni rishfaqet sa herë që shteti është në krizë, ose kur ai nuk ekziston. Në këto periudha individi dhe bashkësia njerëzore ballafaqohen ose me shtetin depresiv, jofunksional ose me mos shtetin, ndërsa shoqëria njerëzore ka gjithnjë nevojë për organizim apo vetorganizim. Njerëzit kanë nevojë të qarkullojnë për nevoja nga më të ndryshmet vetjake, ekonomike, sociale. Përfytyroni për një çast vitin e mbrapshtë 1997, kur shteti nuk ruante dot as zyrat e veta, inventarin e vet, qytetarët qarkullonin mallrat, paratë, duke garantuar, shoqëruar e mbrojtur njeri-tjetrin.
Në fund mund të kuptosh se në brendësinë e një shpirti studios në rezistencë me sistemin, Edi është ai që nxjerr jo vetëm luhatjet e këtij sistemi, paragjykimet e prirjet e një populli po dhe karakterin e fizionominë e gjakmarrjes në letërsi përmes analizave të gjalla dhe gjykimeve origjinale të nxjerra nga këto analiza të pa diskutuara dhe të pa pranuara më parë.
Unë kisha një borxh shpirtëror ndaj Edit, ndaj që atje lart Ed më dëgjo: i përjetova vëzhgimet dhe opinionet e tuaja, të pashë të gjallë në gjeste përgjatë studimit, lutem të jesh i kënaqur nga përpjekja ime për të shkëlqyer siç e meriton edhe pas ikjes tënde.