
Arben PRENDI
Drejtor i departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
I riu me shpirt demokratik dhe interesa të gjera e të shumanshme kulturore
Me trishtim në zemër, përkujtuam para disa ditësh ndarjen aksidentale nga jeta, një viti më parë, të mikut tonë Eduard Grishaj, ish-studentit të degës Gjuhë-letërsi dhe më pas të Masterit Shkencor Etnokulturë dhe Letërsi Shqipe, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Eduardi krijoi me durim profilin e tij njerëzor dhe intelektual përgjatë gjithë jetës së tij; profilin e njeriut me pikëpamje të lira dhe shpirt kritik; profilin e studiuesit të letërsisë dhe specialistit të muzeut. Sigurisht këto profile shkriheshin harmonishëm në të njëjtin person. Si njeri me pikëpamje të lira dhe shpirt kritik, u përfshi që në moshë të re në lëvizjen demokratike të viteve 1990-1991 në qytetin e Shkodrës, ku së bashku me vëllain e tij Alfons Grishaj dhanë një kontribut të rëndësishëm për rrëzimin e regjimit komunist dhe themelimin e Partisë Demokratike, dega Shkodër. Pata fatin t’i njoh vëllezërit Grishaj që në këto vite dhe t’i admiroja për guximin e tyre për të kontribuar në lëvizjet demokratike që sollën rënien e regjimit komunist. Më bënte përshtypje atëherë guximi i tyre, por edhe kultura e gjerë e leximeve kur diskutonim për politikën, artin dhe letërsinë ndërsa ëndërronim një Shqipëri demokratike.
Alfonsi ishte poet dhe autor i mjaft artikujve në shtypin demokratik, ndërsa Edi më diskret, por kishte nisur të botonte shkrimet e përkthimet e para në revistat letrare që dilnin në Shkodër, veçanërisht qe ndër penat e para të shtypit katolik të pas viteve 1991. Për arsye politike vëllezërve Grishaj nuk u ishte dhënë mundësia të vijonin arsimin e lartë dhe kultura e tyre vinte nga pasioni dhe leximet për letërsinë, artin, filozofinë. Menjëherë pas rënies së regjimit ata e kapërcyen këtë pengesë menjëherë, Edi duke ndjekur e përfunduar studimet universitare me rezultate të shkëlqyera në degën “Gjuhë shqipe e letërsi” ndërsa Alfonsi studimet për Juridik. Edi vijoi më tej studimet në nivelin Master Shkencor në Etnokulturë dhe Letërsi shqipe, po në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ndërsa botonte artikuj të ndryshëm në revista shkencore e kulturore në Shkodër e gjetkë dhe punonte si specialist muzeu.
Si drejtues i departamentit të Letërsisë më duhet të theksoj se në aspektin akademik ai ishte ndër studentët e rrallë të kësaj dege, që përveç rezultateve të larta krijoi shumë shpejt profilin e një studiuesi të letërsisë duke fituar respektin dhe vlerësimin e shumë kolegëve, siç e ka shprehur akademiku Shaban Sinani në përcjelljen e botimit të punimit të Eduard Grishajt: “Diskutonim për çështje më së shumti jashtë programit të antropologjisë së miteve dhe të asaj etnojuridike; për statutet e kanunet dhe hierarkinë e raportet kronologjike dhe përmbajtësore mes tyre; për kurthin në të cilin kemi rënë ne shqiptarët, duke pranuar me kënaqësinë më të madhe si vetëvlerësimin më të lartë ekzotikën romantike dhe më vonë neokolonialiste të antropologëve evropianë e amerikanë, për krenarinë e pathemeltë që na jep të quajturit e të vetëquajturit popull kanuni; për lashtësinë homerike të kodeve tradicionale të së drejtës popullore, për besën dhe mikpritjen sigurisht. Për mua avokati më i mirë ishte At Gjergj Fishta. E shihja Edin si binte në mendime kur i kujtoja, jo pa njëfarë dinakërie, thënien e poetit të Lahutës së Malcispër ata shekuj kur Shqipëria kishte pasur statute dhe rregulla si Republika e Shën Markut;pas të cilëve erdhën shekujt e kanuneve (shekujt e Shqipërisë otomane, shtoja aty për aty);(Eduard Grishaj. Gjakmarrja në prozën shqipe, f. 11).
Motivi i gjakmarrjes në prozën shqipe
I interesuar për një thellim të mëtejshëm në fushën e studimeve etnokulturore Edi u regjistrua në studimet e doktoraturës pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, studime që u ndërprenë nga vdekja aksidentale një vit më parë. Nivelin e arritur gjatë kësaj periudhe e tregon dorëshkrimi i punimit “Gjakmarrja në prozën shqipe” që u botua me rastin e një vjetorit të vdekjes me kujdesin e bashkëshortes së tij, Mirela Grishaj dhe Fondacionit Kulturor “Fan Noli” në Tiranë. Në këtë punim është studiuar dhe pranëvënë motivi, por edhe dukuria zakonore e gjakmarrjes në letërsinë shqipe, përkatësisht në prozën shqipe; me ndikimin e kanunit në jetën e popullit tonë, në traditën e tij zakonore dhe në tregimin, novelën, romanin e dramën shqipe nga Rilindja kombëtare deri në bashkëkohësi.
Objekti i punimit është mjaft i gjerë dhe vështirë i rrokshëm për një studiues të letërsisë shqipe, për shkak të ndërthurjes së studimit etnologjik, antropologjik me studimin kritik, letrar dhe historik të letërsisë dhe kulturës së shkruar dhe të pashkruar të traditës zakonore, kanuneve shqiptare. Pra tema dhe objekti kanë qenë mjaft të vështira dhe të gjera por kjo vetëm sa e ka nxitur më shumë autorin për t’i hyrë këtij studimi.
Për ta studiuar këtë motiv dhe marrëdhënien me kanunin janë marrë në shqyrtim vepra dhe autorë të shumtë të letërsisë shqipe, nga romani “Bardha e Temalit” e Pashko Vasës deri tek romani “Lulet e ftohta të marsit” i Ismail Kadaresë. Mbasi i studion këto marrëdhënie në detaje, duke u dalluar për një njohje të mirë të traditës zakonore dhe të letërsisë shqipe, autori synon të vërë në dukje rolin e rëndësishëm që letërsia shqipe ka luajtur jo vetëm në rrafshin estetik, si krijim artistik, por edhe si një medium formues dhe emancipues i lexuesit dhe publikut tonë, për t’i integruar ata në jetën qytetare moderne, duke e lënë traditën zakonore negative në “shejtninë” e vet.
Siç vlerëson akademiku Shaban Sinani, libri i Eduard Grishajt është një gjykim i dhimbshëm për kanunet, po aq sa edhe një certifikim bindës i pamjeve kanunore në letërsi, ku ndërthuret momenti dhe monumenti, pushteti i traditës dhe arti i përdorimit të saj. (E.Grishaj. Gjakmarrja në prozën shqipe, f. 18.). Punimi në fjalë “Gjakmarrja në prozën shqipe” karakterizohet nga kultura e gjerë e autorit, nga njohja dhe studimi në detaje i temës ndaj edhe bëhet i dobishëm jo vetëm për sudiuesit letërsisë, por edhe për studentët dhe mësuesit e letërsisë si një mundësi për të shqyrtuar se si jeta dhe traditat zakonore ndërveprojnë me mjetet artistike, konceptet estetike dhe vizionet qytetëruese të shkrimtarëve shqiptarë. Botimi i këtij dorëshkrimi, edhe pse me disa rreshta, që me sa duket vdekja nuk e la t’i plotësojë i pasuron studimet tona letrare të kësaj fushe me një kontribut të çmueshëm.
Eduard Grishaj
Kanuni , ligji i pashkruar i maleve
Tradita etnojuridike shqiptare[1]. E drejta dokesore në karakterin e popullit shqiptar. Kanuni dhe Adriatiku i lartë kulturor.
Kanuni i Maleve, apo siç njihet ndryshe e drejta dokesore e shqiptarëve është, në radhë të parë, sigurisht një monument historik, dinamik i kulturës sonë etnike. Ai vlerësohet si Kodi, me parimet dhe normat e të cilit, rregullohej jeta e maleve, në kuptimin e njësive administrative dokesore, por në një kuptim më të gjerë, ai përfshinte të gjitha normat morale dhe etike të popullit shqiptar dhe i dha formë tipareve të dallueshme të shqiptarit përballë etnive të tjera. Krahas gjuhës amtare, së cilës rilindësit i njihnin rolin themeltar të njësisë kombëtare, ai ka ndikuar në ruajtjen e identitetit të shqiptarëve gjatë shekujve përballë kohërave pushtuese e asimiluese, veçanërisht gjatë sundimit gjysmë mijëvjeçar osman, kur errësira synonte të mbulonte çdo rreze drite të kulturës e përparimit të popullit tonë.
Gjakmarrja
Gjakmarrja është një sanksion ligjor në të drejtën dokesore shqiptare. Në një fazë historike të hershme të organizimit të bashkësive fisnore, ky fenomen duket se ka qenë universal, sepse gjendet tek pothuaj të gjitha etnitë e kontinentit në periudhën para shtetërore[2]. Por me veprim deri në ditët tona, në kombet e qytetëruara ndeshet rrallë. Në të drejtën tradicionale shqiptare, gjakmarrja përbën aspektin penal më kapital të saj, siç vërehet në kodin dokesor të maleve të njohur me emrin e Kanunit të Lekë Dukagjinit[3], një kod që ka ardhur i përcjellë gojë më gojë deri në fillim të shekullit njëzet, kohë kur kleriku patriot At Shtjefën Gjeçovi e mblodhi me interesim dhe kujdes shkencor, duke realizuar një përmbledhje thuajse të plotë, me çka ai tejkaloi një varg studiuesish vendas dhe të huaj, të cilët, gjer më atëherë kishin regjistruar vetëm në mënyrë të pjesshme lëndë kanunore. Vetë termi kanun na jep të kuptojmë që kemi të bëjmë me drejtësi, pra me ligj. Zanafillën termi e ka nga terminologjia bizantine, por studiuesit janë të mendimit se në gjuhën shqipe ka hyrë bashkë me okupimin osman. Fishta[4] qe ndër të parët që u mor me këtë çështje. Interpretimi i tij ishte vetëm në rrafshin etimologjik: Kanon – masë, rregull, vijë e drejtë. Por përcaktimi i saktë i burimit kërkonte të dhëna historiko-juridike të tjera. Siç pohon Valentini[5]: “Para shekullit të kaluem nuk pashë kund, se xehet në gojë ndër të shkrueme Kanuni i Lekës; due me thanë me këtë emën. Tash quhet fjesht Kanuni i Malevet, o Kanuni i Lekës ose Kanuni i Dukagjinit; a u quejt që ma parë edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, a po asht ky nji kontaminacjon burimi kulturor, nuk mund e vërtetova. Mua, as fjala Kanu nuk diej, a ka him në shqipet drejt për drejt nga byzantinja “Kanon” o “Nomokanon” a por me anë të turqishtes”. Me këtë çështje u mor edhe Hasluck në veprën e saj The unwritten law in Albania[6] . Ajo pohonse:“Botuesi (i kanunit të Lek Dukagjinit) me të drejtë e jep prejardhjen e termit nga greqishtja Kavωv (rregull), por nuk e jep burimin interesant të këtij termi. Fjala kanun nuk rrjedh drejtpërdrejt prej greqishtes, sepse Shqipëria e Veriut nuk ka pësuar kurrë ndikim nga greqishtja, por nga turqishtja dhe arabishtja. Sipas profesorit H. A. R Gibb, kjo fjalë nga greqishtja është futur shumë herët në arabisht si qânûn, shumsi qawânîn. Juristët islamikë e përshtatën për të emërtuar një rregullim administrativ, për ta dalluar nga Ligji i Shenjtë (Shari’a), ndërsa shumë shekuj më pas Sulltanët Otomanë e përshtatën këtë term si kornizë për dekretet e tyre legjislativë. Arsyeja e futjes në përdorim të këtij termi ishte të mos përzihej me Ligjin e Shenjt dhe të mos e modifikonte këtë të fundit. Pas pushtimit të Shqipërisë, zyrtarët turq të vendosur në këtë vend e quajtën kodin e Lekës në mënyrë të natyrshme si kanun.”[7]Një term tjetër i përdorur po aq shpesh, zakon, vjen nga sllavishtja që do të thotë ligj. Termi më i saktë e më kuptimplotë ngjan të jetë ai i përdorur nga Fishta ligje dokesore[8]. Edhe Martin Camaj mendon se termi i vjetër shqip ka qenë doke nga dukem, dhe se doket (në shumës) do të thotë një përmbledhje e ligjeve të cilat përcaktojnë mënyrën e sjelljes me të afërmit dhe të huajt[9]. Megjithatë askush nuk mund të thotë me saktësi nëse kodi i ligjeve dokesore shqiptare i atribuohet me të drejtë autorësisë së Lekë Dukagjinit të III, një prijës bashkëkohës i Skënderbeut. Mbi këtë pikë, Fishta vëren se “nji palë thonë se quhet i Lekë Dukagjinit, për arsye qi ky Leka e paska mbledhë e kodifikue i pari… nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ka kenë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ka kenë zbatue ndër «Lekë» e «Dukagjin»”[10], çka është në kundërshtim me këmbënguljen e traditës gojore që ndeshet shpesh në trajtë verdikti edhe në vetë kanun, siç e la Leka. Lambertz[11] parashtron një hipotezë që nuk mund të mos merret në konsideratë: “Unë mendoj se në qytetet bregdetare të Shqipërisë së Veriut në sh. XIII-XV e drejta e zakonshme është quajtur nga noterët venedikas dhe nga venedikasit e tjerë që kishin të bënin me punët e së drejtës “Lex Dukagjin”, d.m.th. e drejta e vendit e bashkësisë fisnore ose e krahinës së Dukagjinit, siç thuhet edhe për lex Salica, Lex Burgundium, Lex Visigothorum. Pasuesit e tyre që nuk e dinin latinishten e morën emëroren Lex të latinishtes si gjinore të emrit shqiptar aq të zakonshëm për ta Lekë-Leka, d.m.th. Lekës”[12]. Kjo hipotezë mbetet për t’u vërtetuar. Edhe pse ka të dhëna për ekzistencën e një të drejte jo urbane, në territoret jashtë qyteteve në hapësirën shqiptare ende nuk ka dokumente që mund të vërtetonin hipotezën e Lambertz. Por, çështja mbetet e ndërlikuar. Argumentet etnologjike e lidhin domosdoshmërisht hartimin e një kodi ligjor të pashkruar me një autoritet imponues, të jashtëzakonshëm, me një ndikim përtej bashkësisë, të cilin mund ta ketë vetëm një “plak” i shquar për urtësi, gjykim të shëndoshë, dhe me mundësi udhëtimi të sigurte, që siç thotë Hasluck “ky përjashtim është ligjvënësi antik Lek Dukagjini, i cili është kaq i shquar, saqë thëniet e tij janë kaq të shenjta sikur Bibla e Shenjtë për malësoret e Mirditës dhe të mbarë fiseve të veriut duke përfshirë këtu edhe territoret e fiseve që në vitet 1912-1913, iu trupëzuan padrejtësisht Jugosllavisë”[13]. Pa përjashtuar argumentin etnologjik të Hasluck, duke mbajtur gjithnjë të padiskutueshëm domosdoshmërinë e një autoriteti, mendoj se në anën tjetër qëndron më bindës argumenti politiko-juridik, dhe këtu gjej me vend të theksoj atë që Valentini shtroi rreth një dekadë më parë se të dilte Unwriten law se “thelbi i Kanunit të Malevet… asht pjesa kushtetuese ose statuore, rrajësisht e pandryshueshme republikane, përkundra sundimi i Dukagjinëve qe nji sundim autokratik”[14]. Rolin e autoritetit e luante kuvendi i maleve që me vendimet e veta ua kishte deleguar strukturave zbatuese pushtetin e administrimit ligjor të jetës së bashkësive. Në mbështetje të këtij pohimi, sipas Shuflaj, qëndrojnë prova të qarta[15] historike të kuvendeve shqiptare dhe të organizimit të bashkësive fisnore në njësi hierarkike shtetërore.
Sikundër dihet, kodi të cilit i referohemi nuk ka qenë i vetmi që ka funksionuar në hapësirën shqiptare. Në zona të ndryshme të vendit ka pasur edhe kode të tjera të cilat kanë vepruar deri në hyrjen e sheriatit në fuqi, ndërkohë që gjatë pushtimit otoman në disa zona të tjera kemi edhe kompromise mes sheriatit dhe së drejtës dokesore vendase siç është rasti i Kanunit të Skënderbeut që zbatohej deri vonë në Krujë, Mat e Kurbin e Dibër. Edhe ky kanun e ka njohur dritën e botimit, mbledhur dhe kodifikuar nga një tjetër klerik katolik, imzot Frano Ilia[16]. Variante krahinore të së drejtës dokesore[17], vazhdojnë të dalin në dritë nga studiues të tjerë. Gjithashtu njihet edhe ekzistenca e disa kodeve të tjera si Kanuni i Sulit, etj. që duhet të kenë pushuar së qeni në fuqi aty nga fundi i shekullit XVIII ose fillimi i XIX, dhe shkaku është pikërisht sheriati. Në përgjithësi, kur bie fjala për të drejtën dokesore, studiuesit, pohojnë se kanuni është një, Kanuni i Maleve, dhe se emërtimet kanë të bëjnë me variantet krahinore[18]. Gjithashtu, studiuesit i referohen Kodit të Lekë Dukagjinit, meqenëse influencat e ligjeve të huaja në të ngjajnë më të kufizuara se në kodet e tjera të vendit. Studiuesit mendojnë se disa nga doket e përshkruara në kanun mund të datohen nga periudha e hershme e antikitetit, se e drejta dokesore shqiptare burimin e ka në ligjet e vjetra të vendit dhe se në rrjedhën e historisë ka ardhur duke u modifikuar e evoluar. Kësisoj, ata kanë vënë re shtresa të ndryshme kohore, por edhe ndikime të kodeve të huaja, përkime me kodet e tjera, dhe padyshim, edhe ndikime të së drejtës pozitive. Në formën e trashëguar kanuni paraqitet si një gërshetim mes së drejtës agrare të fshatit mesjetar dhe elementeve të së drejtës së lashtë të katundit shëtitës baritor. Sipas Shuflajt, faza kur ka ndodhur kjo shkrirje daton “nga shek. XIV, kur filluan të prisheshin që nga themeli organizimet shoqërore të centralizuara të shtetit bizantin e serb; kur në shek. XV turqit fshinë dinastitë e vogla; kur qytetet shumë të vjetra vdiqën prej vdekjes filektike, – atëherë ra ora e fshatit të bariut, që kishte trashëgiminë e kohës së lashtë, i armatosur me hobe, me një shkop të trashë dhe me një shigjetë helmuese, i shtytur nga instinkti për vetëmbrojtje; me hakmarrje, me besë dhe me lidhje gjaku (vëllamë). Ai fshiu fshatrat e buta në fusha dhe së bashku me to, organizimet juridike bizantine e serbe”[19] “Kështu, duke përfshirë katundi fshatra të fuqishme të luginës, ai mori me vete dy elemente te reja, një element ushtarak dhe tjetrin ligjor.”[20] Kjo përkon me lindjen e brezit të tretë të fiseve shqiptare. Pra, janë rrethanat historike të pas pushtimit otoman të vendit që duke shkatërruar strukturën demografike të popullsisë, rendin dhe organizimin qytetar, rendin dhe organizimin e fshatit të kulturuar të fushës, diktuan një raport të ri në këtë strukturë. Duke gjetur ndër male kështjellat natyrore për qëndresën antiosmane, popullsia shqiptare u transformua në një popullsi më së shumti malësore. Pashko Vasa, tek “Bardha e Temalit”, shumë kohë më parë se Shuflaj të formulonte këtë tezë, duke përshkruar qëndresën antiosmane pas pushtimit të Shqipërisë shprehet në këtë mënyrë: “ Malësorët, numri i të cilëve ishte rritur prej fusharakëve që iknin nga sundimi turk, nuk deshën ta njihnin pazarllëkun e bërë midis Dogjit të Venedikut dhe sulltanit. Të nxjerrë jashtë ligjit, të bllokuar atje në shkrepat ku kishin zatetur, ata s’u përkulën kurrë, por qëndruan burrërisht; qëndresa e tyre qe këmbëngulëse, dhe ata e vazhduan luftën gjersa qeveria otomane u dha si shpërblim për pajtimin e tyre njëfarë vetqeverisje, e cila, duke ua njohur të gjithë të drejtat e njerëzve të lirë, i ruante nga ndjekjet dhe padrejtësitë e ngadhnjimtarëve dhe i shpëtonte nga poshtërimet që u bënin turqit, në ato kohë barbare…”[21]. Ky përshkrim i jep të drejtë përkufizimit të Pal Doçit se “mali ka qenë njisia themelore administrative dokesore e votrave të qëndresës antiosmane”[22]. Ajo që vihet re së pari nga vlerat e të drejtës dokesore në rrafshin historik, është të ushqyerit e pandërprerë të disa tipareve etnoidentitare shqiptare: ndjenjën e lirisë, guximin, nderin, besnikërinë dhe shpirtin e flijimit. Pa këto virtyte asnjë popull nuk mund t’u mbijetojë vërshimeve tragjike të historisë. Sado që mund të tingëllojë romantike, për fat, është e vërtetë.
Kanuni në duart e studiuesve të huaj
Kanuni ka tërhequr që herët dhe vazhdon të tërheqë vëmendjen e shumë studiuesve seriozë shqiptarë dhe të huaj. Hahn[23], Hecquard[24], Cozzi[25], Talloczy[26] Durham[27], Nopça[28], etj.[29] Këta ishin kryesisht Noca vrojtues, mbledhës dhe botues të lëndës dokesore në terren, por edhe interpretues të përpiktë që pasuruan mendimin shkencor albanologjik në fushën e studimeve të traditës etnojuridike shqiptare. Si studime me vlerë të rekomanduara për të gjithë të interesuarit në fushën kërkimore të së drejtës dokesore shqiptare veçohen tri vepra: Zef Valentini «La famiglia nel Diritto Tradizionale» in Annali Leteranensi, vol IX, 1945 fq. 9 – 212[30]; Zef Valentini «Il diritto delle comunita nelle tradizione giuridica albanese». Firence: Valecchi 1956[31]; Margaret Hasluk[32] “The Unwritten law in Albania”, Cambrige University press, 1954. Kahreman Ulqini sugjeron që në këtë rang të merren edhe “kërkimet shkencore të Ernesto Cozzi, misionar katolik me vëzhgime të përqendruara në krahinat e Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Postribës dhe Rranxave”[33]. Kohët e fundit ka tërhequr vëmendje vepra e studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto[34]. Konkluzionet e këtij studiuesi, rezultat i një analize të gjatë e të thellë krahasuese, përmblidhen në idenë se kanuni është shembull i aftësisë së një shoqërie për t’u organizuar në kushtet e mungesës së një rendi të mirëfilltë shtetëror. Përpjekje janë bërë edhe në drejtim të përkthimit të kanunit në gjuhë të huaj, një sipërmarrje shumë e vështirë, për shkak të gjuhës specifike që ka lënda dokesore. Megjithatë, edhe në këtë aspekt ka pasur suksese. Camaj[35] vlerëson dy përkthime të arrira: ai i vitit 1941, në gjuhën italiane, dhe tjetri nga studiuesi Leonard Fox, përkthyesi i kanunit në gjuhën angleze. Ky përkthyes e ka shoqëruar botimin e vet me shënime mjaft të vlefshme të përmbledhura në hyrjen (introduction) e librit. Së fundmi, Kanuni është përkthyer edhe në gjuhën japoneze. Ekziston edhe përkthimi i këtij kodi edhe në rusisht. Pal Doçi shprehet se “Megjithëse kanuni ynë paraqet vështirësi të madhe për t’u përkthye nga nji krahasim i shpejtë me tre të tjerët (është fjala për përkthimet në italisht, gjermanisht dhe anglisht), mund të thuhet se përkthimi në gjuhën ruse, asht në nivelin e përkthimeve në gjuhët e tjera të Europës”[36].
Sigurisht, jo gjithmonë, të huajt, udhëtarë, reporterë apo eksploratorë, të cilët, kanë pasur një kontakt me botën dokesore shqiptare në terrenin e gjallë, janë shprehur me objektivitet shkencor. Valentini, do të shkruante jo pa indinjatë: “Prandej tham, se gabohen në mënyrë të shëmtueme ca publiqista qi, mbas nji udhtimi të shkurtën e nji studimi sypërfaquer të botës karakteristike shqiptare, nyejnë pendën e i paraqesin Europës, Kanunin e Malevet si hiç gja tjetër, por vetëm si kodifikimi katil i gjakmarrjes”[37].
Po çka përmban kanuni dhe cila është pjesa që zë gjakmarrja në të? Kanuni përmban të gjitha rregullat dhe ligjet, mbi të cilat mbahej shoqëria tradicionale shqiptare, të përcaktuara në 1263 paragrafë të formuluara në trajtë nenesh që përcaktojnë normat e sjelljes e të marrëdhënieve njerëzore në bashkësi, të drejtat dhe detyrimet, çështjet e pronësisë dhe çështje të tjera civile, kryesisht ato që rregullojnë marrëdhëniet brenda familjes, ekonomike, trashëgiminë, martesën etj. Në kanun janë të përcaktuara edhe strukturat që gjykojnë mbarëvajtjen apo shkeljet në këto marrëdhënie, duke vendimuar sipas rastit edhe dënimet përkatëse të parashikuara sipas kanunit. Gjakmarrja bën pjesë në ndëshkimet që parashikon kanuni, që fillon me gjobën deri tek dëbimi apo djegia e shtëpisë. Studiuesit shqiptarë e kanë përkufizuar gjakmarrjen si penalitet, natyrisht si dënimi më i rëndë që parashikon kanuni, me funksion të qartë të kufizimit të vrasjeve, meqenëse jeta e njeriut është vlera më e çmuar në tokë. Ata janë përpjekur të bëjnë dallimin mes gjakmarrjes si penalitet dhe hakmarrjes si akt barbar. Gjakmarrja trajtohet kryesisht në kreun 22 të kanunit. Në të është përcaktuar se kur bie në gjak një familje dhe kur dënimi është më i lehtë. Në gjak një familje bie kur një pjesëtar i saj ka vrarë një individ jashtë gjakut (fisit). Megjithatë, në të vërtetë, është fyerja ajo që e shkakton ndezjen e dhunës shpaguese. Hecquard, pati vërejtur se “Rrëmbimi, përdhunimi, ose joshja e një vajze të re konsiderohen si një çnderim shumë i madh që familja nuk mund ta falë dhe ai që e ka kryer këtë duhet herët a vonë ta shlyejë me gjakun e tij”[38] Dënimet më të lehta jepen atëherë kur kemi të bëjmë vetëm me plagosje. Por gjoba është e parashikuar të paguhet edhe në rastet e vrasjeve. Në këtë kapitull është përcaktuar edhe besa, një institucion shumë i rëndësishëm, e cila u jepet për një afat të caktuar familjarëve të ngujuar të gjakësit (vrasësit), madje edhe vetë vrasësit nëse ai e ndjen të shkojë në funeralin e të vrarit. Kanuni në këtë kapitull, më saktë në paragrafët 969 – 972 ka përcaktuar mënyrat e pajtimit, ku rol luajnë dashamirët e familjeve në gjak, famullitari, krerët e fiseve, bajraktarët (flamurtarët). Pajtimi mbyllet me një drekë ku marrin pjesë burrat e familjeve në gjak dhe ndërmjetësuesit bashkë me garantët apo dorëzanët e pajtimit.
Interesant është se në ditët e sotme, megjithëse nuk ekzistojnë struktura të mirëfillta kanunore që garantojnë pajtimin apo marrëveshjet mes palëve në gjak, misionarët që merren me pajtim, nuk kanë raportuar raste të shkeljes së besës dhe të pajtimit, ndërsa rituali i ceremonisë zhvillohet me përpikëri. Ndoshta, duhet pranuar se e drejta dokesore ka gdhendur thellë psiken dhe karakterin e popullit tonë, saqë i ka të dukshme ende gjurmët e veta aty edhe tashmë kur ka kaluar një shekull nga anulimi i statusit ligjor të saj.
[1]Ky trajtim është shkëputur nga punimi E. Grishaj. “Gjakmarrja në prozën shqipe” f.23-38.
[2]Shih më gjerë: Cozzi, Ernesto.;Marrja e Gjakut në malet e Shqipërisë së Epërme. (La vendetta del sangue nelle Montagne dell Alta Albania, “Anthropos” revue, internationale d’ethnologie e de linguistique, Wien, tome V, fasc. 4, 1910, f. 655-687. Ky autor e sheh në radhë të parë gjakmarrjen tek të gjitha fiset dyndëse: gjermanët, keltët, sllavët etj. Ai thotë se gjakmarrja në romanë i përket burimit gjerman. Nisur nga ky fakt, meqë Iliria nga pikëpamja ligjore ishte e romanizuar, nuk përjashtohet që gjakmarrja të jetë rifutur për shkak të këtyre dyndjeve, në formë retrograde.
[3]Siç dihet Kanuni i Lekë Dukagjinit, mbledhë e kodifikue nga At Shtjefën Gjeçov, u botua si vepër postume nga etërit françeskanë në Shkodër 1993, por fillimisht nisi të botohej në faqet e Hyllit të Dritës.
[4]Fishta, Gjergj. Parathanie. Në: Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933, f. XXVI.
[5]Valentini, Giuseppe: Studime dhe tekste juridike, Plejad, 2009, Tiranë, f. 265.
[6]Hasluck, Margaret: The unwritten law in Albania, Cambridge, University press, 1954; botimi shqip: Margaret Hasluck, Kanuni (ligji i pashkruar shqiptar) Enti botues Lisitan, Tiranë, 2005, përkthyer nga Leka Ndoja.
[7]Hasluck, Margaret. vepër e cituar, f. 25.
[8]Fishta, Gjergj: Parathanie. Në: Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmbledhë e kodifikue nga A. Shtjefën Konstandin Gjeçov, O.F.M., Shtypshkroja françeskane, Shkodër, 1933, f. XXIV
[9]Camaj Martin: Foreword. In: Kanuni i Lekë Dukagjinit (The Code of Lekë Dukagjini), Gjonlekaj Publishing Company, Translated with an introduction by Leonard Fox, New York, 1989, f. XIII.
[10]Fishta Gjergj: Po aty f. XXVI-XXVII.
[11]Lambertz Maximilian.;Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe emri Lekë në gjuhën shqipe. Studime për nder të Prof. Dr. Aleksandër Xhuvanit, Akademia e Shkencave e R.P.S.Sh., Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1986, f. 429-431.
[12]Lambertz Maximilian. Artikull i cituar, f. 431.
[13]Hasluck Margaret, vepër e cituar, f. 23.
[14]Shih më gjerë: Valentini, Zef.;Studime dhe tekste juridike. Plejad. Tiranë, 2009, f.279; 284-308.
[15]Šufflay, Milan. Srbi i arbanasi. Serbët dhe shqiptarët. Botimet Toena. Përkthyer nga Hasan Çipuri. Tiranë, 2004, f. 78-85.
[16]Ilia, Frano.;Kanuni i Skanderbegut. (Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Ilia) Editrice La Rosa. Milot 1993. f. 225.
[17]Si botime më të rëndësishme mund të përmenden: Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit – varianti i Pukës”, Tiranë 1996; idem: “Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës”, Tiranë 2002; Shefet Hoxha, “Instituti i kuvendit në Lumë – punim etnologjiko-historik”, Tiranë 2002; Xhafer Martini, “Kanuni i maleve të Dibrës”, Tiranë 2003; idem, “Kanuni i Dibrës”, Tiranë 2007; ibidem: “Gjakmarrja: komente, raste, situata”, Tiranë 1999; Ismet Elezi, “E drejta etnozakonore e Labërisë”, Tiranë 2002; idem: “Kanuni i Labërisë” – “Kanuni i Papa Zhulit”, Tiranë 2006; Fadil Mehmeti, “Kanuni i Malësisë së Madhe e të Malësisë së Lezhës”; Haxhi Goci, “Kanuni i Çermenikës, Martaneshit, Bendës”; Shahin Zharri, “Kanuni i Çermenikës ose kanuni i Musë Ballgjinit”; Pal Doçi, “Vetëqeverisja e Mirditës: vështrim etnologjik e historik”, Tiranë 1996.
Shih më gjerë: Doçi, Pal.;Për Kanunin. GEER. Tiranë. 2003. f. 86. Nga ky autor shih edhe: Studiues pak të njohur të së drejtës dokesore shqiptare, Kultura popullore, 1-2 1992, (A. Sh. R.Sh, I.K.P.) , f.111-117.
[18]Shih më gjerë: Doçi, Pal.;Për Kanunin. GEER. Tiranë. 2003.f. 86. Nga ky autor shih edhe: Studiues pak të njohur të së drejtës dokesore shqiptare, Kultura popullore, 1-2 1992, (A. Sh. R.Sh, I.K.P.), f.111-117.
[19]Shih Šufflay Milan.;Srbi i arbanasi, Botimi shqip Serbët dhe shqiptarët, Toena, Tiranë, 2004, Përkthyer nga kroatishtja Hasan Çipuri, f. 76-77.
[20]Šufflay, vep. e cit. f. 79.
[21]Vasa, Pashko,;Bardha e Temalit. (Vepra 2.) Tiranë, 1987, f. 22. Titulli i origjinalit Bardha de Temal. Scenes de la vie albanaise. Përkthyer nga Sotir Caci.
[22]Doçi, Pal.;Për kanunin. GEER, 2003, f. 10.
[23]J. G. V. Hahn.;Albanisische studien, Jena, 1854. (Botimi shqip: Studime shqiptare, Tiranë, 2007, Kreu i shtatë: Kushtetuta e fiseve të Malësisë në Ipeshkvinë e Shkodrës, f. 237-249).
[24]Louis Hyacinthe Hecquard,;Histoire et description de la Haute Albanie ou Guegerie, Paris, f. 364 – 372. Botimi shqip (Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epër ose i Gegërisë, Plejad, 2008, përkthyer dhe pajisur me shënime nga Oriana Tamburi, f.520.
[25]Ernesto Cozzi.;Marrja e Gjakut në malet e Shqipërisë së Epërme. (La vendetta del sangue nelle Montagne dell Alta Albania, “Anthropos” revue, internationale d’ethnologie e de linguistique, Wien, tome V, fasc. 4, 1910, f. 655-687. Për lehtësi, materiali gjindet edhe në shqip, përkthyer nga Willy Kamsi, në bibliotekën françeskane Shkodër. Lëndën juridike të mbledhur nga Ernesto Cozzi, më 1944, e botoi Zef Valentini, duke kodifikuar në tre libra: I) E drejta civile (familja, miqtë, prona); II) E drejta penale (kundrime paraprake, krime kundër njeriut, krime kundër pronës, ligje të posaçme vendore, procedurat); III) Struktura politike (fisi, bajraku, qeverisja e fisit e bajrakut dhe nëndarjet). Për Marrja e gjakut në Malet e Shqipërisë së Epër, do t’i referohemi përkthimit në dorëshkrim (të daktilografuar) të Willy Kamsit.
[26]Ludvig v. Talloczy.;Kanuni i Lekës, “Illyrisch-Albansche Forschungen” 1, München und Laipzig, 1916, f. 409-459
[27]M. E. Durham: High Albania (Shqipëria e epërme). London, 1909, f. 19-38. Gjithashtu: Some tribal origins and customs. London, 1928.
[28]Nopcsa, F.;Die herkundft des nordalbanisch Gewohnheites Rechtes. Në: “Zeitschrift fur Vergleindchende Rechtwissenchaft” XL Band, Berlin; Gjithashtu: Albanian, die Bergstamme nordalbaniesns und ich Gewohnheitrecht, Manuscript, në: AIH, dosja E -1-40, f. 316. (Përkthimi shqip i dorëshkrimit i përket arkivit të Etnografisë së Institutit të Kulturës Popullore).
[29]Për më tepër informacion shih: Kahreman Ulqini, Kundrime etnologjike, Camaj-Pipa, shkodër 2007, kap. “Orvatje për sistemimin dhe botimin e korpusit të së drejtës popullore shqiptare, f. 7-23. Shih gjithhashtu edhe Pal Doçi, Studiues pak të njohur të së drejtës dokesore shqiptare, Kultura popullore, 1-2 1992, A. Sh. R. Sh., I. K. P., f. 111-117
[30]Valentini, Giuseppe (Zef).; “La famiglia nel Diritto Tradizionale” . Në: Annali Leteranensi, vol. IX, 1945, f. 9-212.
[31]Valentini, Giuseppe (Zef).; “Il diritto delle comunita nelle tradizione giuridica albanese”. Firence: Valechi, 1956. Bot. Shqip. “E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare”. Plejad. Tiranë, 2007. Përkthyer nga Dritan Thomollari.
[32]Huslock, Margaret.; Vep. e cituar.
[33]Shih: Ulqini, Kahreman.;Kundrime etnologjike. Camaj-Pipa. Shkodër, 2007, f. 25-35.
[34]Kazuhiko Yamamoto.;The ethical structure of Kanun and its cultural implications (Struktura etike e kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore (përktheu dr. Selahedin A. Velaj, 2005, mars, U.S.A). Gjithashtu: Gjakmarrja, Albanian highlander’s “Blood Feud” as social obligation”, Tiranë, 2005.
[35]Camaj, Martin.; Foreword. Vep. e cit., f. XIV-XV.
[36]Doçi, Pal. Vepër e cituar, f. 61.
[37]Valentini, Zef.;Studime e tekste juridike, f. 289.
[38]Hecquard, Louis Hyacinthe. Vepër e cituar, f. 339.