
Poezi nga Rafael Floqi/
Big Brother story
Në shtetin distopik të dashurisë së frikës,
ku meritokracia është burgosur prej kohësh
kur këmbanat e ndjekësve të Big Brotherit
përcillen me sytë e gjakosur nga pamjet.
Në ekranin e hollë të televizorit,
ku shfaqet një realitet, një fatkeq i vërtetë,
“Big Brother Abania” – një lavdi e paradoksale,
Kamera të hapura, por njerëz në burg për jetë.
Në atë shtëpi, si një kopsht të mbyllur,
ku njerëzit bëhen lojtarë, për publikun
e të shtrënguar, shfaqin emocionet e tyre,
në ekranin e shkretë.
E zbulohen me kamera gënjeshtare
ndërsa jeta e tyre u mbetet e retushuar
si indi i papërfunduar një drame.
Ku secili personazh televiziv i saj,
hap sytë për të fituar ndjekësit e vet.
kufizimet që erdhën prej pandemive dikur,
sot shmangen ndoshta,
por emocionet e tyre ende s’pushojnë,
ato gjallë mbeten përsëri, si heshtja
që si unë dhe ti, e di si.
Sot pat një grusht përjashtimi,
një dramë e re, në TV “kush hyri e kush doli”,
skena e vërtetë
që rrethon një spektaklin
e këtij show
“Big Brother Albania”.
Dhe prej aty
mëson diçka të madhe, të pamatë
se realiteti gjithnjë është më i çuditshëm
sesa çdo imaginatë.
Mendoni “A do të jetonit dot në një shtëpi mbyllur
për muaj të tërë”,
me njerëz që duan t’u hanë,
do të çmendeshit për besë fare.
Por mos u shqetësoni!
keni shumë për të parë.
Përjetoheni atë në ekranin tonë të gjerë!
Njerëz dashuruar me një joshje të fshehta
me sytë e tyre si kamera
me zemrat e tyre si dronë
në rrugët e përshkuara me LED
dhe nga sensorë AI pandjenja.
Sot gjindja shpalos dashurinë e vet,
sa me “emoji”, sa me “like”, sa me klikime,
dhe për çdo kafshatë tjetër pëlqimi
ata brenda tregojnë histori të rreme
dhe fabula e legjenda trimërie…e zhgënjimi.
Dhe Big Brother vëzhgon mbi ta si Zot
me sytë e tij të mëdhenj të shkëlqyer,
ndërsa ata para tij ata përulin kryet
para predikimeve dhe urdhërave të përjetshëm.
Dhe pse nga brenda u zjen një pyetje e vjetër:
“Cili është armiku më i madh,
vetvetja apo konkurrenti tjetër?
Dashuria e tyre është si një lojë boshe
e transmetuar për të gjithë për ta parë
dhe ata veç luajnë rolin e vet,
me veten për veten.
duke qeshur apo duke qarë,
jashtë apo brenda vetes s’e di.
si aktorë në skenën e jetës së kontrolluar
nga kotësia e shenjtërisë së tij.
Por në thellësi, ndoshta edhe të vetë atyre,
të cilëve një shpirt u rri i ndrydhur
nga kërkimi për dritë, për liri, që shfryhet
që ndoshta një ditë, kur të dalin
do të shpërthejnë si rebelë
në atë vend survejimi
në atë pip show pa pagesë,
ku njerëzit paguajnë me historitë e jetës
dhe dashuri efemere ku fjala s*ks shkruhet me yje
me debatet e përmjerra si radhë uturaku
ku të grindeni kush është më luftaraku
dhe morali kërkon më kot fjalën ‘turp’.
“Ju e urreni atë. Mirë bëni. Ta urreni!
Por sidoqoftë dijeni ka ardhur koha
që ju të bëni hapin e fundit,
duhet ta doni Big Brother! Ta doni!
Nuk mjafton t’i bindesh: duhet edhe ta duash,
si vasal, dhe derrit dajë t’i thuash!
Kështu në ekranin e hollë të televizorit,
shfaqet një realitet, një shpirt “i vërtetë”,
“Big Brother Albania” – një lavdi, gjith’ “jetë”,
kamera të hapura, por njerëz në burg,
çfarë mund të shpresojmë më shumë,
nga një spektakël televiziv në atë vend
ku absurditeti duket si parajsë e përhershme
e cila, fatkeqësisht, vazhdon të pëlqehet?
-Ndaj, ktheje kanalin tek Big Brother.
Ktheje!
Eklips zemrash
Në hijen e vallëzimin të zjarrit diellor,
Në agun e drojtur të një qafimi hënor,
Dy shpirtra ngërthehen me yshtje plot
Në një puthje ku kompletohen dy botë.
Nën përqafimin e diellit gjith’ dritëhije,
Buzët të etshme, një simfoni hijeshije,
Befasi efemere, një lumturi kalimtare,
Në eklipsin e joshjes, me puthjen e parë.
S’ka errësirë këtu, por vetëm truk drite,
Një bashkim qiellor, pa ndrojtje frike,
Zemra që rrahin e dridhen sinkron,
Për heshtjen e eklipsit, dashuria jehon.
Në skenën e qiejve e yjeve të ndritshëm,
Një puthje, astronomike të pazgjidhshëm.
Fshehja e diellit, eklipsi i dashurisë,
Dy shpirtra bashkuar, drejt përjetësisë.
Ai Diell e ti Hënë e hija bjerret ngadalë,
Kjo puthje mbet si legjendë e pa fjalë.
Datën për jetë do ta mbajnë mend,
Me një puthje amshimi u ngjiz në moment.
Përsiatja e Narcizit me Refleksin
Në përqafimin e pasqyrës,
i humbur në kënaqësi,
Narcisi, suprem merr pozën e krenare.
Çdo shikim, çdo pamje, simfoni adhurimi
një spektakël i dashurisë për veten,
tretet idhësisht në pafundësi
besimi tek vetaj e tij.
Oh, Narcis,
me egon tënde kaq madhështore,
që këtë botë askush si ty tjetër
nuk mund ta kuptojë.
veten e vetes të vetvetes
Refleksin, sharmin tënd,
në shkëlqimin e rrezuar,
të Mbretërisë Supreme të Unit.
Zgjohu sot, njeri, prej gjumit,
shpalos “bukurinë” e mendjes sate
për të çuditur të gjithë.
Por, jo mos e shpall
dekretin me aq mendjelehtësi,
poshtë mbulesës së një fasade,
ku një zemër si pezhishkë e çjerrë
nga era luhatet në sa ora
e gënjyer
me mirazhet e hijes sate prore.
Se koha e vjetër e famës kishte rëndësi,
se kotësia jote zjarr tek ty përvëlohej,
Megjithatë, nën hije,
lidhja e vërtetë shprishej,
e qeshura jote jehonte kalbjen,
e zbrazët dhe të ftohtë acar
si pikëllimi dhe gëzimi i një sulmi
me Facebook
që s’ të bën dot aq “guximtar”
e jo që jo, një figurë publike.
Në pallatin e tënd e brenda Unit,
facebuku ishte bedena
që e sulmonin të gjithë Don Kishotët.
E më pas zhgënjimi
në errësinën e frikshme rëkllehej
duke zbuluar kotësinë e qënies sate
së cilës i druheshe se kush mos e kuptonte
i druheshe se kush mos e kapte,
sa i vogël ishe në hijen e vetvetes
Oh, Narcis,
me shikimin zhbirues kaq të fiksuar,
mbi refleksin tënd të vluar.
Bëj kujdes! Vër mend!,
sepse në faltoren që ia ke bërë vetvetes,
shtrihet zbrazëtia e kotësisë së një jete,
si e një vemjeje të një shpirti
që duke u rritur qelbet.
Kënaqu me lavdinë sate, shijo refleksin e ëmbël,
Por kujto, Narcis,
fundin e fluturimit-ëndërr.
pasqyrën e krisur që plasaritet
gastaret dhe iluzionet që si zogj tremben.
Eja dhe rrëfeu vetes të vërtetën,
si qenie e zakonshme
që askush s’i beson
se ndryshe do të zhagitesh në muzg i vetmuar
në indin e jetës që vetë e pate thurrur
duke u mburrur
me mendje që kur ke lindur…
Se ç’mbolle do të korrësh,
kjo dihet
dhe për këtë, të jesh i bindur!