Shoqata “Çamëria” në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Masonëve” dhe “UniversReklama”, çelën pasditen e se premtes , 4 Janar, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën me fotografi të titulluar “Çamëria ime”. Fotografitë janë realizuar nga zoti Maksim Zotaj.
Kryetari i Partisë Drejtëis, Integrim dhe Unitetit, zoti Shpëtim Idrizi, e nisi fjalën e tij me një urim për një vit sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Gjatë fjalës së tij, zoti Idrizi falenderoi organizatorët e kësaj ekspozite, të cilët këtë herë bënë të mundur të sillnin një Çamëri ndryshe. “Na kanë sjellë një Çamëri ndryshe, më të ngrohtë, më të afërt gjë që ne e kemi bërë vazhdimisht në aktivitetet tona. Është një ekspozitë fotografike nga Çamëria e sotme për të kuptuar dhe një herë se sa e bukur dhe sa e shenjtë është ajo. Por jo vetëm për shqiptarët e Çamërisë, por jam i bindur që është e shenjtë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me dy zotërinjtë që realizuan këtë ekspozitë. Ata kanë bërë shumë mirë që na kanë sjell këtu ullinjtë e Çamërisë, simbolin e paqes por edhe të qëndresës sonë për të drejtat tona.” – u shpreh zoti Idrizi.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, kreu i PDIU përmendi dhe vendimin më të fundit të marrë nga Qeveria shqiptare për ngritjen e Komitetit të Diasporës, këkresë e cila ka qenë e përhershme që krijimin e kësaj partie. “Për ne sot është një moment i veçantë, sepse sot qeveria shqiptare mori vendimin për ngritjen e Komitetit Kombëtar të Diasporës, i cili ka qenë një ndër pikat kryesore të programit tonë. Ne jemi të bindur që diaspora shqipptare, rreth 30% e shqiptarëve që kanë bërë aq shumë për Shqipërinë, e meritonin një institucion të fuqishëm i cili t’i adresohet të gjithë problematikave të tyre. Jam i bindur që ky Komitetit Shtetëror do të ndihmoi që çështja kombëtare, Shqipëria e Bashkuar, të frymëzoi kudo njësoj.” – mbylli fjalën e tij kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet zoti Shpëtim Idrizi.
Ndërkohë kreu i shoqatës “Çamëria”, zoti Ardian Tana vuri theksin tek emri i ekspozitës duke u shprehur se emri i saj është shumë domethënës. “Çamëria është e imja, Çamëria është e jona, Çamëria është deti, mali, shtëpitë e rrënuara, varret e të parëve tanë. Çamëria është djepi i valleve dhe këngëve aq të bukura. Çamëria është amaneti i të parëve tanë, i cili thërreth gjithnjë: Të kthehemi në Çamëri. Ne e nisim këtë vit të ri me këtë aktivit dhe me përpjeket për realizimin e Rezolutës për Çështjen Çame, i cili synon të institucionalizoi çështjen çame dhe të unifikoi qëndrimet e politikës shqiptare për çështjen çame.” – u shpreh zoti Tana gjatë fjalës së tij.
Ndërkaq, autori i kësaj ekspozite kryetari i shoqatës “Miqtë e Masonëve”, zoti Maksim Zotaj shpjegoi përmbajtjen e ekspozitës duke theksuar se kjo ekspozitë është konsceptuar jo si një guidë turisitike për Çamërinë, por si një thirrje shpirtërore.“Aty ka një energji që nuk duhet lënë të shkojë dëmë, siç e kemi lënë për 100 vjet për një arsye ose një tjetër, por arti ka si mision t’iu afroj ju vendin e të parëve tuaj. Unë isha shumë i motivuar për të realizuar këtë ekspozitë pasi ishte hera e parë që unë shkoja në vendin e të parëve të mijë dhe ndjeva një energji krejtë të veçantë. Dhe ky ishte qëllimi i kësaj ekspozite që ju të ndjeni diçka krejtë të veçantë.” – u shpreh kryetari i shoqatës “Miqtë e Masonëve”,zoti Maksim Zotaj.
Ekspozita “Çamëria ime” do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 13 janar në ambientet e Muzeut Kombëtar.