Kreshnik Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj./
Nga Astrit Lulushi/
Në Galerinë e Lidhjes së Arteve, në Aleksandria afër Washingtonit, u hap këto ditë ekspozita “Structural Elements”,e skulptorit të njohur shqiptar dhe amerikan, Kreshnik Xhiku. Ekspozita pritet të qendrojë e hapur deri më 7 tetor.
Arti i Kreshnik Xhikut i përket kryesisht rrymës abstrakte, që e bën vizitorin të mos pyesë se çfarë është, por t’a shijojë atë. Në këtë ekspozitë të re vetjake, Kreshnik Xhiku eksploron midis figuratives dhe abstraktes në kufijtë që i bashkojnë ato.
Duke përdorur drurin dhe metalin, here-herë edhe tekstile – shoqëruar me ngjyra – Xhiku krijon forma strukturore, ku duket qartë dora e artistit; druri, për skulptorin Xhiku, përfaqëson ngrohtësinë dhe shërben si kundër-peshë ndaj ftohtësisë së metalit. Druri, gjithashtu, është një element lidhës me vendlindjen e skulptorit, që ri-zgjon ndjenja që nga koha e fëmijërisë kur druri ishte elementi kryesor ngrohës.
Dhe kjo mënyrë të shprehuri e afron shikuesin, sjell rezultat – sepse krijon harmoni mes fantazisë dhe formës, pa humbur veçoritë e secilës. Me ketë, skulptori Xhiku tregon se shprehja është sa e qartë aq edhe e perhumbur dhe se për të shprehurit nuk ka mënyra fikse. Abstraktja i jep mundësi artistit të dalë jashtë standarteve kufizuese.
Në fillim të shekullit të XX, shumë skulptorë i shtynë kufijtë e mënyrës shprehese të artit te tyre. Ata “tradhëtuan” botën e dukshme në favor të abstraktes, duke argumentuar se thelbi i një forme a sendi është jo në sipërfaqe dhe se thelbi është e vërteta. Këta artistë u quajtën avangardë dhe i vunë vetes si qëllimim jo të riprodhonin botën siç e shihnin, por të eksperimentonin në formën e saj. Që nga ajo kohë, skulptura abstrakte ka ofruar truall për eksperimente të tilla në formë, përmasë, dhe teknikë, duke u shkëputur nga metodat tradicionale.
Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj. Karrierën si artist, Kreshnik Xhiku e ka filluar që në Shqiperi, si i diplomuar e më pas profesor në Akademinë e Arteve ne Tirane.
Ambasadoi i Shqipërsië në SHBA, Gilbert Galanxhi, i pranishëm në ekspozitë, i tha Zërit të Amerikës se veprimtaria artistike e Kreshnik Xhikut i bën shqiptarët në Amerikëtë ndjehen krenarë me artin dhe kulturën e tyre. Ndërsa kolegu i skulptorit Xhiku, Vasil Rrokaj, kishte udhëtuar 6 orë me makinë nga shteti Kenektikat, për të parë këtë ekspozitë.
Në Amerikë, atë e thërrasin “Nik” Xhiku. Punimet e tij janë ekspozuar në shumë vende në Evropë e SHBA. Skulpturat e Kreshnikut zbukurojnë sot parqe e hapësira publike. Përveç skulpturës abstrakte, pasioni i Nik Xhikut është skulptura monumentale. Ndër veprat e tij përfshihen shtatorja e Skënderbeut mbi kalë në sheshin e kishës katolike shqiptare të Shën Palit në Michigan; ajo e Nënë Terezës në një park publik në Ohajo, shtatorja e Ahmet Zogut në Tiranë; apo busti i Skënderbeut në Londër. Dora e këtij skulptori shqiptar ka lënë gjurmët e veta edhe në Memorialin që Amerika ngriti para disa viteve për të rënët e saj në Luftën e Dytë Botërore.