Sokol Paja/
Zois Shuttiè, artisti i shquar shqiptar do të hapë një ekspozitë kushtuar shenjtores shqiptare Shën Nënë Tereza në Uashington në Sallën Rotunda të Kongresit Amerikan. Së bashku me organizatorët po punohet që kjo ekspozitë të hapet në vjeshtë. Patrioti Anton Raja do të jetë udhëheqësi i këtij organizmi patriotik, artistik e kulturor, kaq të rëndësishëm për komunitetin shqiptar dhe kombin tonë. Nëpërmjet kësaj ekspozite institucionet amerikane i japin shoqërisë dhe artdashësve mundësinë të njihen me krijime artistike autentike të piktorit të shquar Zois Shuttiè, portrete të arrira artistikisht të Shën Nënë Terezës humanistes së famshme shqiptare që lartëson vlerat më të çmuara të kombit shqiptar. 32 vite më parë artisti Zois Shuttiè e hapi një tjetër ekspozitë artistike kushtuar Nënë Terezës në Sallën Rotunda të Kongresit Amerikan. Ekspozita e sivjetshme do të përmbajë 20 piktura. Zois Shuttiè u arratis nga Shqipëria komuniste në vitin 1964 dhe mbërriti në Philadelphia 1965. Ai ka studiuar në Akademinë e Arteve të Pensilvanisë. Që në vitin e parë si student hapi ekspozitën e parë të pikturës në “shtëpinë e miqësisë” në Philadelphia. Gjatë gjithë jetës së tij dhe krijimtarisë artistike ka realizuar mbi 3 mijë piktura dhe 200 ekspozita. Sot është 85 vjeç dhe vazhdon akoma të krijojë vepra artistike dhe shkrime të ndryshme letrare në gjuhën angleze. E gjithë shtëpia e tij është e mbushur në çdo hapësirë me piktura të realizuara ndër vitet e jetës së tij të gjallë artistike. Shtëpia e Zois Shuttiè në Bronx, New York është shtëpia më artistike shqiptare me piktura të motiveve, teknikave, profileve e gjinive të ndryshme artistike.