Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite, përkujton akademikun Aleks Buda, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur si një studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj.
Aleks Buda, personalitet i jashtëzakonshëm i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, ka qenë edhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në vitet 1945-1946 dhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që në themelimin e saj në vitin 1972 deri në vitin 1993.
Kjo ekspozitë përmbledh vetëm një pjesë modeste të trashëgimisë së tij të pasur në fushën e studimeve albanologjike, historike, gjuhësore përmes botimeve të shumta studimore, konferencave shkencore por sjell edhe kontributin e tij në drejtimin e shtypit periodik shqiptar, si dhe përmes artikujve shkencorë në fusha të ndryshme të kulturës shqiptare.
Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë, duke orientuar kërkimet shkencore në studimin e historisë së kombit shqiptar, në mënyrë të veçantë të historisë së lashtë, asaj mesjetare dhe të Rilindjes Kombëtare. Aleks Buda i dha shkencës shqiptare punime përgjithësuese themelore, sikurse janë studimet për formimin e etnosit ilir, për urbanizimin në Iliri dhe për formimin e uniteteve etnike-kulturore. Ndihmesë të veçantë ka dhënë edhe në trajtimin e problemeve të historisë së Rilindjes, duke i lënë kulturës kombëtare një trashëgimi të pasur, studime me problematikë të gjerë arkeologjike, historike, gjuhësore etj., të përmbledhura në katër vëllime me titull “Shkrime historike” (I–II, 1986; III, 2002; IV, 2000). Pjesë të zgjedhura prej tyre janë botuar nga AShAK në vëllimin “Studime historike” (Prishtinë, 2006).
Aleks Buda ideoi dhe konceptoi veprën kolektive “Historia e Shqipërisë” (vëll. I–II, 1959, 1965), vepër krejt e re si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik; është gjithashtu bashkautor dhe bashkëredaktor i botimit të ri të “Historisë së Shqipërisë” (vëll. II, 1984), bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar”, vëll, II, 2002. Ka dhënë ndihmesë të çmuar në udhëheqjen shkencore të “Fjalorit enciklopedik shqiptar”; botimin “Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV”; “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”; “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme në shekullin XVII”; “Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë”; “Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit : 1878-1881”; “Kuvendi i studimeve ilire”; “Rrethimi i Shkodrës”; “Gjergj Kastrioti Skënderbeu : bibliografi” etj. Në këtë ekspozitë një vend të rëndësishëm zë edhe kontributi i tij si redaktor.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ruan në fondin e saj bibliotekën personale prej rreth 9.000 librash të akademikut Aleks Buda, dhuruar BKSh-së nga familja në vitin 2008.
Aleks Buda ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të kl. I dhe me “Urdhrin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990).
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore.