Nga Astrit Lulushi/
Humbja duhet. Pa ‘të njeriu mbetet i njëjtë. Eshtë humbja, si të ishte ndjenjë – megjithëse krijon boshllëk – që e shtyn njeriun të kërkojë të gjejë tjetrën e vetes, qoftë kur humbet vend, send, apo të dashur.
“Prapseprapë, jeta vazhdon”, do të thoshte Galileo, po t’a kishin pyetur edhe për humbjen.
Jeta është cikël, vjen rrotull, çka e bën të natyrëshme edhe dëshirën për të jetuar sa më gjatë.
Kjo përshtypje krijohet kur lexon ‘Balonat e humbura’ – vëllim poetik në anglisht – ‘The lost kites’, nga poeti Betim Muço (Shtëpia Botuese Equinoxes, 2012).
“E dua këtë qytet/sa do që përpiqem ta braktis, dështoj” – Tirana (BM).
Libri përmbledh krijmtarinë e poetit në mërgim; aty gjen mall, dhimbje, meditim, herë-herë zemërim poeti:
“Liria është si bumerang/nëse nuk e hedh si duhet/ kthehet e të godet ty.” – Boomerang (BM)
Vërtet, jeta vazhdon, megjithëse jo në vijë të drejtë, sepse kështu do të ishtë tepër e shkurtër, sado e mirë:
“Ndonjëherë edhe rruga e drejtë/është e mërzitshme/kur nuk ka alternativë.” – Crossroads (BM)
“The lost kites” ndahet në 5 kapituj me tituj mjaft domethënës; të mara së bashku shprehin urtësi; dhe lexuesi fillon rrugën ku guri kilometrik sugjeron tjetrin dhe njeriu cdo ditë mat me ëndrra këtë botë të vogël aspak të përsosur – “Udhë të mbarë!”, uron lexuesit, ne parathenie, Marta Muço – bashkëshortja e poetit – bashkëredaktore dhe përkthyesja në anglisht e vëllimit ‘The lost kites’.
Libri përmban më shumë se 100 poezi; plot metafora – shumica me burim nga përvoja personale e poetit, por si të tilla – unike – ato pritet t’a fusin lexuesin anglisht-folës në udhë të pashkelur nëpër Ballkan: “djep i lashtë i Botës/që ia ka ënda të përkundet përjetësisht/si foshnja.” Balkans (BM).