Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Emigrimi ndërkombëtar, lëvizjet e njerëzve nga një territor në një tjetër kanë luajtur një rol thelbësor në historinë e njerëzimit. Kështu, popullsi fare të papërfillshme morën përmasa madhore, ndërkohë që shtete të fuqishëm janë dobësuar, apo forcuar, falë lëvizjeve ndërkombëtare të njerëzve. Bota do të kish qenë krejt ndryshe pa modelet historikë të emigrimit ndërkombëtar.
Fenomeni i emigracionit, ka qënë i pranishëm edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet e tjera të botës, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomiko-shoqëror. Pas vdekjes së Skënderbeu, shumë shqiptarë të detyruar nga pushtimi osman, emigruan kryesisht në Italinë Jugore dhe në Greqi.
Gjatë shekujve XVI-XIX, për motive tregtare, kulturore por edhe patriotike, janë krijuar koloni të emigrantëve shqiptarë, kryesisht në qytete të Gadishullit Ballkanik si në Stamboll, Athinë, Selanik, Bukuresht, Sofie, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Nga fundi i shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit të XX emigrantët shqiptarë janë drejtuar në vendet kapitaliste të zhvilluara si në Sh.B.A, Itali, Francë, Kanada, Australi, Argjentinë. Në të gjitha vëndet apo shtetet ku kanë shkuar, emigrantët shqiptarë kanë bashkëjetuar në mirëkuptim me popullsinë e këtyre vendeve. Fakti që Shqipëria e Jugut dhe e Mesme janë përgjithësisht më të zhvilluara se pjesa tjetër e vendit i dedikohet edhe fenomenit të emigracionit i cili ka qënë më i dendur në këto pjesë të vendit. Duhet thekësuar se këtë e favorizonte edhe qënja afër detit, pasi lëvizja e njerëzvë në këto perjudha ishte shumë e vështirë. Krahas luftrave dhe vdekshmëris së lartë, duke i shtuar edhe emigracionin gjatë gjithë këtyre perjudhave, kemi një rënje të numrit të popullsisë, duke arritur në 800 mijë në vitin 1920 dhe me shumë pak ndryshim në vitin 1944.
Popullsia e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore u karakterizua nga ritme të shpejta të rritjes së saj. Gjatë kësaj periudhe afro gjysmëshekullore, vendi ynë pati një rritje të madhe të popullsisë si rezultat i lindshmërisë shumë të lartë dhe i moslejimit të emigracionit. Nga 800 mijë banorë që ishte në vitin 1920, arriti në 1.003.000 në 1940 dhe në vitin 1990 arriti në 3.256.000. Në periudhen 50 vjeçare të regjimit komunist popullsia e vendit u trefishua, duke zënë vendin e parë në kontinentin europian përsa i përket ritmeve të rritjes së popullsisë.
Pas viteve 90-të, emigrimi u kthye në një nga sfidat më të mëdha socio-ekonomike për shoqërinë shqiptare. Megjithatë, ky problem ka ngjallur pak vëmendje tek vendimmarrësit. Emigracioni masiv, largimi i trurit dhe qëndrimet e përkohshme jashtë vendit për qëllime arsimimi jo vetëm kanë vështirësuar, por po shkohet drejt një mungese të theksuar të fuqisë punëtore brenda vendit.
Emigracioni është një shqetësim i madh për Shqipërinë për shkak se aktualisht me shqetësim, por duhet të pranojmë se afërsisht 60 – 65% e popullsisë është larguar nga vendi gjatë 32-të viteve të fundit, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me nivelin më të lartë të flukseve të emigracionit në botë.
Duke qenë se Shqipëria është një vend, i cili është prekur masivisht nga emigracioni, mund të kuptohet qartë edhe dobësimi ynë në drejtim të burimeve njerëzore. Deri tani shqiptarët kanë zvogëluar një prej elementeve përbërës të sigurisë kombëtare, popullsinë.
Po ti referohemi histories së emigracionit shqipëtarë, do të verenim se; Pas emigrimit masiv të popullsisë shqiptare të shekujve 15-17, kryesisht drejt, Itali dhe Greqi si rezultat i pushtimit të Shqipërisë nga Turqia, gjatë gjysmës së parë të shekullit 20, kemi emigrimin e popullësië gjatë viteve 1912 – 1923, kur ekonomia bujqësore ishte rrënuar si pasojë e Luftës së Parë Botërore dhe mungesa e industrisë solli si pasojë faktin që në këtë periudhë, 21 000 familje shqiptare të lënë atdheun e tyre. Nga viti 1923 – 1939, prapambetja ekonomike dhe lëvizja e lire solli largimin e 110 000 personave. Gjatë periudhës 1940-1945, afërsisht 19 000 persona kanë emigruar, shumë nga të cilët ishin kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Pas luftës së dytë botërore, emigracioni nga Shqipëria ishte i ndaluar.
Shkalla e emigrimit pas vitit 1990, në raport me popullsinë shqiptare, ka qënë më e larta në Europë dhe një nga më të lartat në botë. Sipas të dhënave të INSTAT në 32 vitet e fundit, emigrantët jashtë vendit kanë arritur në 1.6 milionë persona, ose 59% e popullsisë banuese në vend.
Do tu referohem disa statistikave në një raport për migracionin neto të Ballkanit Perëndimor, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, përllogariti se gjatë 2011-2020 ikën nga Shqipëria 499 mijë persona. Po kështu vlerësohet se 42 mijë përsona emigrojne çdo vit.
Të dhënat u morën nga Eurostat për vendet e BE-së dhe nga vende jo anëtare të BE-së. Numri i emigrantëve për Shqipërinë u përllogarit nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë nga këto vende.
Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë, sipas Bankës Botërore. Për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore.
Në 2020-n në vend kishte rreth 769 mijë familje, ose 2,637 familje më pak se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve. Edhe në 2019-n, numri i familjeve ra me rreth një mijë, ndaj një viti më parë. Në 10-vjeçarin e fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare. Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug. Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.
Pas përfundimit të Covid-19, vala e ikjeve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, sidomos në vitin 2022, ku një kanal i ri emigracioni në Britanin e Madhe, me gomone nga Franca po zbraz me shpejtësi vëndin.
Fenomeni i emigracionit të shqiptarëve drejt vendeve të tjera të botës, me të cilin po përballet gjithnjë e më shumë shoqëria, duhet të shikohet si një rrezik për kombin shqiptar, zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë, si dhe për sigurinë e saj në të ardhmen. Ky emigracion masiv, ka krijuar dhe shumë probleme sociale. Duke qenë se pjesa më e madhe e emigrantëve janë meshkuj, ka ndryshuar struktura e popullsisë sipas seksit.
Emigracioni në vendin tonë ka ndodhur kryesisht për arsye ekonomike. Kjo shpjegohet me faktin se tek ne varfëria ishte shumë e madhe dhe se diktatura komuniste ishte më e ashpër se në vende të tjera të Europës Lindore. Nëse deri dje emigrimi ishte kryesisht nga shtresa e varfër e popullsisë, sot këmbanë alarmi duhet të jetë, sepse po largohet truri i kombit shtresa e mesme e popullsisë dhe kjo ka një ndikim jo vetëm në numrin absolut të popullsisë dhe të shpërndarjes së saj gjeografike, por gjithashtu edhe në strukturën e brendshme të popullsisë sepse po ndryshon raporti sipas seksit dhe moshës, sipas grupeve social ekonomike, etj.
New York Prill 2023