

Familja e Engjëllorëve ishte një ndër ato familje fisnike shqiptare, e cila, menjëherë sapo u vendos në Itali, kërkoi të rivendoste statusin e saj prej familjeje fisnike duke rikonfirmuar të gjitha privilegjet që kishte në Shqipëri.- Privilegjet janë lëshuar dhe rikonformuar rishtas, duke u bërë të vlefshme nga papa Piu V, sikurse edhe paraardhësit e tij papët: Kaliksti III, Piu II, Siksti IV, Inocenti VIII, Pauli III, Juli III, dhe papa Piu IV, në vitin 1567, në emër dhe për llogari të Andreas Angelus.- Papa Piu V përmes një Bule, e cila përmbledh disa diploma të tjera, lëshuar nga monarkë e princër, që nga perandori Leone deri te Michaeli, i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit dhe Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë, si dhe me perandorët e Konstandinopojës.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Arkivi Sekret i Vatikanit është një ndër arkivat më të pasura në botë për historinë mesjetare shqiptare. Studimi dhe hulumtimi shkencor aty, të ofron mundësi për të nxjerr në dritë të dhëna të reja, me vlera të paçmuara duke plotësuar mozaikun e boshllëqeve për ngjarje, data, personalitete, vende etj.
Në kuadër të burimeve historike vend të rëndësishëm zënë dorëshkrimet e pabotuara, veçanërisht ato të cilat janë të ndërlidhura me njëra tjetrën qoftë duke pasur një autor të përbashkët, duke trajtuar një ngjarje ose personalitet të kohës, krijimi i të cilave është bërë në kushte e rrethana specifike. Është e njohur tashmë se për dorëshkrime të tilla ka rezerva ose duke shkuar deri në skajshmëri, në mohimin e tyre si falsifikate dhe burime të pavlera, për një kategori specialistësh, studiuesish dhe historianësh, ndërsa në anën tjetër, ato mbrohen me këmbëngulje se janë burime me vlera të mëdha historike dhe si të tilla pasurojnë historinë kombëtare shqiptare. Të shumtën e rasteve ato mohon nga ata të cilët nuk i kanë pasur kurrë ato në dorë si origjinale, por, kanë “dëgjuar” apo “lexuar” nga të tjerë se autenticiteti i tyre vihet në dyshim.
Kërkimet shkencore janë shumë interesante për studiues, veçanërisht për mesjetën, sepse të papriturat dhe sfidat janë shumë befasuese. Jo rrallë ka ndodhur që të shpenzohen orë, ditë e muaj të tërë, pa pasur ndonjë rezultat konkret, për një temë a personalitet të caktuar. Një gjë e tillë, nuk ndodh kur fillon të bësh kërkime ose hulumtime shkencore me për disa nga familjet fisnike shqiptare, të cilat ishin mjaft të fuqishme dhe kishin ndikim në zhvillimet e përgjithshme politike, kulturore, ekonomike, ushtarake… etj, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe më gjerë. Për familjen e Kastriotëve, tashmë është e njohur se ata përmenden për herë të parë në vitin 1368, në një diplomë – origjinali i së cilës ruhet në Dubrovnik dhe janë shkruar shumë studime, libra, artikuj, etj. Familje tjetër me shumë interes për historiografinë në përgjithësi dhe mesjetën shqiptare në veçanti, është ajo e Engjëllorëve të Drishtit. Burime të shkruara, dorëshkrime, dokumente dhe libra pak të njohur ose fare të panjohur, ruhen në shumë arkiva e biblioteka të ndryshme të Italisë, Kroacisë, Spanjës, Austrisë, Francës, Rusisë, Shkodrës, [te disa pinjollë të kësaj familje, si psh. Kamsi], etj. për këtë familje fisnike shqiptare. Deri me sot, nuk është bërë një punë sistematike, hulumtuese-studiuese, identifikuese për gjithçka ruhet për këtë familje. Është folur e shkruar shumë për disa nga dorëshkrimet e njohura të familjes Engjëllore nga Drishti, të cilat ruhen në biblioteka shtetërore dhe private. Një pjesë fare e vogël e tyre janë botuar, ndërsa pjesa më e madhe vetëm janë zbuluar dhe ende nuk janë botuar, presin studime dhe analiza të gjithanshme kritike të specialistëve nga fushat përkatëse për të bërë një vlerësim sa më real dhe të preciz si për të dhënat që ofrojnë ato ashtu edhe për saktësinë e trajtimit të tyre, origjinalitetin, autenticitetin dhe vlefshmërinë historike. Dorëshkrimet e pabotuara që na janë ruajtur nga familja fisnike Engjëllori prej Drishtit, kanë si elemente të përbashkëta, [katër prej tyre, ato nga Vatikani (dy dorëshkrime), Firenca dhe Venediku] faktin se janë shkruar nga e njëjta dorë në fund të shekullit XV ose fillim të shekullit XVI. Ka shumë gjëra që duhen sqaruar, parë me sy kritik, rivlerësuar, ballafaquar me burime dhe dokumente të tjera, të drejtëpërdrejta apo të tërthorta, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qëndrueshme dhe të vlershme, qoftë për familjen, qoftë për pjesëtarët e kësaj familje, të cilët kishin ndikime të jashtëzakonshme në shumë zhvillime të kohës në shekujt XIV-XVII. Pothuasje të gjitha dorëshkrimet [ato që janë më shumë se disa faqe] të cilat sot ruhen në origjinal dhe janë shkruar nga pjesëtarë të kësaj familje të madhe ose për këtë familje, mendojmë ne, duhen botuar. Botimi i tyre është me shumë vlera dhe interes, sepse aty ka të dhëna të shumta nga fusha të ndryshme, për të cilat njohuritë tona janë të pamjaftueshme për kohën kur ato u krijuan apo për kohën kur ato flasin. Për shkak të peshës së tyre, nuk do të flasim në këtë shkrim për librat e botuar që kanë për autorë disa nga anëtarët e familjes Engjëllori, nuk do flasim as për ato libra, botimin e të cilëve e kanë mundësuar ata si mecenë, por do të fokusohemi në disa nga këto dorëshkrime vlera historike e të cilave është e paçmueshme, si psh. dorëshkrimi i Laurenzianës së Firencës, atao të Vatikanit dhe Venedikut, dorëshkrime këto që siç thamë i lidh e njëjta dorë që i ka shkruar.
Njëri ndër figurat më të shquara të kësaj familje është Pal Engjëlli, kryeipeshkëv u Durrësit dhe njeri shumë i afërt i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, personalitet shumë i besuar i Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shën Markut.
Për rininë, shkollimin dhe fillimet e para të shërbimit, shugurimin, jetën baritore, etj, të Pal Engjëllit kemi shumë pak të dhëna të sakta. Pali ishte nga familja e famshme dhe e vjetër e Engjëllorëve, që sunduan për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe ishin zotërues jo vetëm të Drishtit por edhe të Tivarit, Ulqinit. Durrësit dhe qyteteve të tjera. Nuk është për t’u çuditur që shumë nga fisi i Engjëllorëve u shpërngulën në vende të ndryshme për të gjetur një jetë më të mirë, po kështu edhe Pali ynë me një pjesë të familjes së tij u shpërngulën në zotërimin venedikas, në qytetin e Trevizos. E dhëna e parë e dokumentuar vjen nga qyteti i Trevizos në Itali, ku Pali, ishte rektor i famullisë së Shën Augustinit. Pas shërbimeve disa-vjeçare në këtë famulli, ai emërohet ipeshkëv i Shasit, më 16. XI. 1440 për të shërbyer në këtë ipeshkëvi deri më 18. VII. 1446, [C. Eubel. Hierarchia Catholica…, vëll. II, f. 243; D. Farlato. Illyrici Sacri…, vëll. VII. f. 292; B. Gams. Series episcoporum …, f. 406]. Duke shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim pranë popullit nga i cili kishte origjinën, sipas dokumenteve origjinale që ruhen në Archivio Segreto Vaticano, papa Eugeni IV, në vitin e pesëmbëdhjetë të pontifikatit të tij, ditën e mërkurë, me datë 22 dhjetor e konfirmoi Palin si ipeshkëv në Drishtit, gjë që mund të lexohet në tabulat e provisioneve romane, vëllimi 22, f. 13 si dhe vëll. 75, f. 12; më 22. X. 1445 i cili shërbeu në këtë ipeshkëvi, që ishte njëherësh edhe qyteti i lindjes së tij deri më 23. IX. 1457. Aty është shkruar gabimisht viti 1446, në vend të vitit 1445. Në të vërtetë viti i pesëmbëdhjetë i potnifikatit të Eugenit IV, fillon më 12 mars të vitit 1445 dhe përfundon në të njëjtën datë të marsit të vitit 1446. Data 22 dhjetor 1445, është po ditë e mërkurë, kështu që periudha e ipeshkvit të Drishtit, në vitin e pesëmbëdhjetë të pontifikatit të papës Eugeni IV, është në vitin 1445. Në vitin pasues më 24 gusht 1446, ai paguan detyrimin e zakonshëm, për taksën e kishës së Drishtit, Obl. Cam. Ap. vëll. 70, f. 164; [Obligationes Camere Apostolice. /Detyrimi ndaj Dhomës Apostolike/.] Obl. S. C. vëll. 71, 39. [Obligationes Sacre Congregationis. /Detyrimi ndaj Kongregatës së Shenjtë/; C. Eubel, Hierarchia Catholica…, vëll. II. f. 145; D. Farlati. Illyricum Sacrum…, vëll. VII, f. 240-243; B. Gams. Series Episcoporum …, f. 406, shënon si datë të vdekjes së Pal Dushit 22. XII. 1455, por në mes të emrit e mbiemrit në kllapa shënon “Angelus” përkatësisht: Paulus (Angelus) Dusius]; C. Eubel. Hierarchia…, f. 145, ref. nr. 1, shkruan: “Qui 11 Mart. 1454 promovetur in aepiscopatum. Craynen., ita tamen ut retineat eccl. Drivasten.” Ndërsa D. Farlati, vëll. VII, f. 242, shkruan se Paulus Dussius ishte ipeshkv i: “Crainensem dicti Episcopi Dumnenses et Macarenses” duke iu referuar vëllimit IV, të “Illyricum Sacrum.” Në këtë vëllim, në f. 91-183, nuk hasim asnjëherë emrin e Paulus Dussius. Në fakt, kjo ngatërresë si duket nuk është vetëm këtu, por mund të ketë ndodhur me rastin shënimit të emrit të Pal Engjëllit, në Archivio Segreto Vaticano, fondin Obligationes et Solutiones, vëll. 72; f. 86r, ku ruhet një dokument origjinal në të cilin shkruhet se Pali, ipeshkvi i Drishtit është emëruar ipeshkëv i Trogirit në Kroaci, pra jo i Krajës. Nëse kjo është e saktë, atëherë ngatërresa vjen prej këtu. Si duket as Farlati e as Eubel, nuk e kanë pasur në dorë këtë dokument. Dokumenti për të cilin flasim është: “Die Lune V Idus Marcii, [11 mars 1454] sanctissimus dominus noster in consistorio secreto, ad relacionem domini cardinalis Sancte Crucis, absolvit reverendum patrem Paulum, episcopum Drivastensem, a vinculo, quo ecclesie Drivastensi, cui tunc preerat, tenebatur, illumque transtulit ad ecclesiam Traguriensem, per obitum domini Sabe, ultimi Traguriensis archiepiscopi, extra Romanam curiam deffuncti, vacantem, et nichillominus ecclesiam Drivastensem predictam, ut premitttitur, vacantem, eidem domino Paulo quoad vixerit regendam et gubernandam commendavit.” Ne mendojmë se Eubeli, Gamsi, Farlati dhe historianë e studiues të tjerë gabojnë kur shënojnë se Pal Dushi dhe Pal Engjëlli, janë dy personalitete të ndryshme. Studimet dhe kërkimet shkencore më të reja, hedhin poshtë pohimet se kemi dy ipeshkëv të ndryshëm në të njëjtën kohë.
Ndërsa át Zef Pllumi shkruan: “Pal Engjël (Dushi) lindi nga familja e Engjëllorëve. Tue pa ardhjen e okupacionit turk ndër kufij të Shqipnisë, një pjesë e familjes së Engjëllorëve, princa të Drishtit, u shpërngulën në Itali. Kështu edhe Pali kërkoi vend të sigurtë në Treviso, që bante pjesë në tokat e Republikës së Venedikut, pranë komunitetit Agostinjan, dhe aty iu dha në shërbim një famulli. Gjithashtu, nipi i tij Dhimitri, i biri i Andresë, vllaut të Palit, kje famullitar i kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në fshatin e Brianës të krahinës së Trevisit. Papa Eugeni IV, e caktoi Palin si Ipeshkëv të Shasit (Svaci) në vitin 1440, mbas pesë vjetësh po Papa Eugeni i dha atij selinë ipeshkvnore të Drishtit, vendlindjes së tij. Asht për t’u çuditë se në kohën e luftës ndërmjet Skanderbeut dhe Republikës Veneciane, për çashte e Principatës të Vaut të Dejës, Pali sillej nëpër Itali dhe ndihmonte Lodovikun, Patriarken e Akuilesë si zëvëndës i përgjithshëm i tij. Në vitin 1450 e gjejmë pranë Skanderbeut dhe në vitin 1452 me një dekret të Papës Nikola V emnohet si ndërmjetës për me vu paqen mes Gjergj Kastriotit dhe princave Nikollë e Pal Dukagjini, me të cilët shtëpia e Engjëllorëve kishte lidhni familjare. Pajtimi mes tyne u banë në selinë e Arqipeshkvit të [f. 123] Durrësit, në një kuvend të të gjithë princave të Arbënisë, në prani të metropolitit të Tivarit. Në vitin 1455 emnohet Arqipeshkëv i Krajnës (i Krainës) në Dalmaci tue mbajtë edhe titullin Ipeshkëv i Drishtit. Së shpejti atje i bahen shumë akuza pranë Papës, nji ndër të cilat se ai preferonte autoritetet e kishës ortodokse. Papa dërgoi Ipeshkvin e Sapës dhe të Pultit për shqyrtimin e akuzave, por nuk u vërtetue gja e keqe, sepse kur vdes Pali, ndër dokumentat e Romës për enkrologjinë emrohet për kujtimin e mirë të tij. (…) Në historinë kishtare të Shqipnisë kemi edhe nji tjetër të dhanë të çuditshme që na e përforcon ndodhjen e grupeve shqiptare nalt mbi Raguzë, ndërmejt saj, Splitit e Zarës, pra shi ku gjenden Klladusha, Jutbina e Krajna (krahinë që përmenden në Rapsoditë Legjendare). Në vitin 1455 Imzot Pal Engjëlli, Ipeshkëv i Drishtit, emisari ma i randësishëm i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastiot Skanderbeut, emnohet arqipeshkëv i Krajnas. Vetë historiani, që e sjell këtë fakt, Farlati, mbetet i çuditun sepse mendonte për Krajën afër Shkodrës, e cila po aty ngjitun kishte Arqipeshkvinë e Tivarit, Primati i Shqipnisë dhe i Serbis, si dhe dy dioqeza të tjera, [f. 116] Ulqinin e Shasin. Megjithkëtë përkufizimet e nxjerruna nga dokumentat e Vatikanit e përcaktonin Arqipeshkvinë e Krajnës të kufizueme me Raguzën, Splitin e Zarën, atje ku ndodhej dioqeza. Pra asht e kjartë se Imzot Pal Engjëlli, një ndër njerzit ma të shquem të asaj kohe, ish transferue te shqiptarët që banojshin jashtë territorit shqiptar si arqipeshkëv i tyne dhe me detyrën e Internuncit Apostolik, tue mbajtë titullin arqipeshkëv i Krajës dhe ipeshkëv i Drishtit.”
Gjatë hulumtimeve shkencore në njërin nga fondet më të pasura të ASV, i cili u krijua gjatë kohës së pontifikatit të papës Bonifacij IX-të, [1389-1404], dhe ndarjes së madhe të kishës perëndimore në Romë, fillon krijimi i fondit të ri të regjistrave kancelarik, i ashtuquajturi: Regjistri Laterani, të cilët një kohë të gjatë janë ruajtur në pallatin e Lateranit nga ku e kanë marrë edhe emrin. Fondi ka gjithsej 2467 vëllime dhe përfundon në vitin 1897, në kohën e pontifikatit të papës Luani XIII-të [1878-1903]. Përmbajtja e tyre kryesisht është administrata kishtare dhe nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimet dhe ngjarjet politke të kohës. Janë vazhdim i traditës Litterae communes e shënuar në Regjistri Avinjonesi, me këtë tematikë: de fructibus percipiendis; de dignitatibus; de tabellionatus officio; de prebendis vacantibus; de indulgentiis et gratiis diversis, de prebendis et dignitatibus vacaturis, de beneficiis vacantibus; de regularibus; de litteris cardinalium; de provisionibus praelatorum; de exhibitis; de iubileo; de defectu natalium; de altaribus portatilibus; de locis interdictis; de confessionalibus; de litteris ante diem; de plenaria remissione; de diversis formis; de cappellanatu honoris; de curia; de conservatoribus. Pjesa më e madhe e vëllimeve të fondit Regjistri Laterani kanë humbur përgjithmonë gjatë bartjes së arkivit Papnor nga Vatikani për Paris me urdhërin e Napoleonit nga viti 1810; si dhe pas konkordatit të Vjenës nga viti 1815 me rastin e rikthimit të tyre në Arkivin e Vatikanit. Për humbjet që ka pësuar ky fond, më së miri mund të vërehet nga regestat që kishte bërë, gjatë drejtimit të ASV [1751-1772], kardinali Giussepe Garampi. “Schedario Carampi” faza e parë e projektit të papërfunduar: Orbis christianus, sot është me një vlerë të madhe dhe objekt studimi i çdo studiuesi që merret me këtë fond. Garampi dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë shfrytëzuar me themel dhe saktësi këtë fond; që për fat të keq, vetëm regestat e tyre, sot ne mund të shfrytëzojmë si burime të dorës së parë, ngase origjinalet janë zhdukur gjatë aventurës së Parisit. E veçanta e këtij fondi për historinë tonë kombëtare është se aty gjejmë shtrirjen kryeipeshkvive, ipeshkvive, dioqezave, famullive, kishave; pastaj emërimet, shkarkimet, disa nga relacionet, etj. etj, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme.
Nga ASV, botojmë gjithashtu edhe një stemë të Engjëllorëve dhe një të Kastriotëve. Natyrisht, që nuk dëshirojmë të bëjmë një klasifikim, duke pohuar se dorëshkrimet dhe dokumentet e tjera janë më pak të rëndësishme, përkundrazi, ato janë me shumë vlera dhe numri i tyre është shumë më i madh se sa mendohej apo është shkruar në shtyp deri tani.
Familjet fisnike shqiptare në mesjetë, ashtu si edhe familjet e tjera europiane kishin jo vetëm tituj të lartë fisnikërie, por gëzonin edhe privilegje të caktuara, të cilat herë pas herë i konfirmonin dhe i rikonfirmonin sipas nevojës me diploma përkatëse të lëshuara nga autoritetet më të larta të kohës siç ishin perandorët bizantinë dhe më vonë papati, përkatësisht Selia e Shenjtë. E tillë është një diplomë [bulë] solemne për familjen e Engjëllorëve, përkatësisht për Ndre Engjëllin, lëshuar nga papa Piu V [1566-1572].
Diploma e lëshuar nga papa Piu V në vitin 1567 përmbledh në vetvete disa diploma që janë lëshuar nga perandorët dhe princët që nga perandori Leone deri tek Michaeli. Arsyeja se përse ato gjenden të gjitha në të njëjtin vend, është njohja që u bën atyre papa Piu V, dhe në bazë të kësaj njohjeje bëhet edhe konfirmimi i tyre dhe i privilegjeve që ato përshkruajnë. Dokumenti i parë i përmendur në këtë bulë është lëshuar më 25 prill 1293 nga Androniku II Paleolog, perandor i Konstantinopojës. I konsideruar si një instrument publik i së Drejtës Kanonike papa Piu V i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit, Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë si dhe me perandorët e Konstantinopojës.
Lëshuar dhe rikonformuar rishtas ato janë bërë të vlefshme nga papa Piu V, [1566-1572], në vitin 1567, sikurse edhe nga paraardhësit e tij, përkatësisht papët Kaliksti III, [1455-1458], Piu II, [1458-1464], Pali II, [1464-1471], Siksti IV, [1471-1484], Inocenti VIII, [1484-1492], Pali III, [1534-1549], Juli III, [1550-1555], dhe papa Piu IV, [1559-1565], në emër dhe për llogari të Andreas Angelus [Ndre Engjëllit], nga Vincentium de Hippolitis Pistoriensem ac Gasparem de Mercado Romanum Jures.
Bula në fjalë ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe daton nga viti 1567, dhe në të ndodhen edhe dy stema të mirëmbajtura, që në tërësinë e tyre paraqesin elemente heraldike të familjeve fisnike shqiptare.
Heraldika si shkencë që merret me studimin dhe prejardhjen e simboleve dhe elementeve të ndryshme, origjina e të cilave është e shumëllojshme, në Shqipëri i gjen fillimet e saj që në fund të shekullit XII, për të vazhduar deri në ditët e sotme, si pjesë përbërëse e heraldikës evropiane me të gjitha zhvillimet, ndryshimet dhe arritjet e saj. Stemat më të hershme i gjejmë në fillimet e Principatës së Arbërit, e më pas në një vazhdimësi të pandërprerë pothuajse në të gjitha dinastitë dhe familjet patronomike shqiptare mesjetare si: Albani, Araniti, Balsha, Beçikemi, Bogdani, Dukagjini, Dushmani, Engjëllorët, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Kastrioti, Komneni, Maneshi, Matranga, Muzaka, Shpata, Skura, Spani, Topia, Zaharia etj, për të mos vazhduar me familjet e tjera shqiptare nga shekujt në vijim, përkatësisht deri në fundin e shek. XIX apo fillimin e shek. XX.
Diploma është e shkruar në pergamenë dhe është zbukuruar me flori. Në të tre anët, pa pjesën e poshtme ku është përthyerja dhe ka qenë vula e papës Piu V, e cila për fat të keq ka humbur, dokumenti ka një bordurë të zbukuruar me gjerësi që varion anash 5.6 cm dhe lart 6.3 cm. Zbukurimet janë kryesisht me motive floreale. Në të dy anët e bordurës fillojnë me nga një figurë që i ngjan kupës (simbol i kalistit) nga ku dalin lule që ngjiten lart dhe kanë fruta prej ari. Lart kurorëzohen me nga një kokë engjëlli, sipër të cilëve qëndrojnë tre stema. Dy stemat anësore të vendosura sipër dy kokave të engjëjve, respektivisht ajo në të djathtë dhe në të majtë, janë stema të familjeve fisnike shqiptare që kishin lidhje gjaku me Engjëlloret, ndërsa ajo e mesit është stema e Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm).
Ngjyra dominuese e dekorimeve është e kuqja. Lart, motivet duket sikur dalin nga dy figura engjëjsh që janë në dy meset e bordurës kur ajo ndahet në mes. Engjëjt janë në këmbë dhe në të dy duart mbajnë dy si shpata me maja të ngulura në tokë, por që tek doreza shpërthejnë egërsisht në degë dhe lule që kanë fryte më të mëdha se ato anash dhe që janë të lara me flori. Dimensionet e diplomës janë 51.5 x 72.2 cm.
Stema e parë e cila ndodhet në anën e majtë të diplomës, është në formë të rrumbullakët dhe ka dimensione 7.5 x 7.5 cm. Stemat e vendosura në trupin e shqiponjës janë katër të ndara në dy shqyte sipër të cilave është kurora mbretërore. Secila nga stemat ndahen në disa kuadrate të cilat kanë simbolet e tyre, përkatësisht paraqesin stemat e familjeve fisnike shqiptare të Topiajve, Muzakajve, Arianitëve, dhe Balshajve. Të gjitha elementet heraldike që ndodhen në këto stema janë të njohura dhe paraqesin traditën dhe lidhjet e ndryshme në mes të këtyre familjeve me familjen Engjëllore, të gërshetuara përmes një simbolike interesante dhe shumë përmbajtësore.
Ndërsa stema tjetër e cila ka dimensione 7.5 x 7.5 cm, dhe është në anën e djathtë të diplomës, gjithashtu është e vendosur në një reth, por me më shumë elemente dekorative të zakonshme për kohën kur u krijua stema. Brenda rrethit janë të vendosura dy stema të ndara në katër fusha identike në të cilat dominon stema e Kastrioteve dhe ajo e Topiasve. Stema e Kastrioteve është një shqiponjë dykrerëshe me krahë të ngritur lart dhe sfond të verdhë, e cila është e njëjtë me stemat e tjera të Gjergj Kastriotit Skenderbeut të njohura nga dorëshkrime të tjera, qoftë nga Arkivi Sekret i Vatikanit, Biblioteka Apostolike e Vatikanit apo edhe nga bibliotekat e Venedikut.
Në fund të tekstit, në anën e majtë të diplomës, është shenja dhe firma dalluese e noterit. Poshtë është një yll në formë freskoreje me tetë cepa të vijëzuar nga qendra. Mbi yll gjendet një kryq dhe poshtë yllit në dy anët janë inicialet e noterit R. B. Poshtë tyre vjen një shirit i hapur, por me anët pak të kthyera nga brenda, brenda të cilit shkruhet “o[mn]ia morte cadunt.”
DOKUMENTI I TRANSKRIPTUAR NË GJUHËN LATINE NGA:
ASV fondi: Registri Laterani, vëll. 559, f. 31r-v.
19 mars 1459
Papa Pius etc. Dilecto filio Paulo electo Duracensis salutem etc. Suscipti cura regiminis cor nostrum continua pulsat instancia et solicitudinis debitum ad quod universis orbis ecclesiis nos apostolice servitutis necessitas obligat earum singulis prout nobis ex alto conceditur consulamus in eo potissime ut illarum regimina que propriis sunt destinati pastoribus personis talibus committanter per quarum solertiam circumspectam et solertem circumspectionem ecclesie ipse in spiritualibus et temporalibus valeant adangeri. Dudum siquidem bone memorie Stephano episcopo Duracensis regimini Duracensis ecclesie presidente. Nos cupientes eidem ecclesie cum eam vacare contingeret per operationis nostre ministerum utilem et ydoneam presidere personam provisionem eiusdem ecclesie ordinationi et dispositiam nostre ea vice duximus specialiter reservanda detrimentis ex tunc irritum et inane si secus super hiis per quoscumque quamvis auctoritate fratris vel ignoranter contingeret attemptari. Postmodum vero prefata ecclesia per obitum eiusdem Stephani archiepiscopi qui extram Romanam Curiam diem clausit extremum pastoris solatio destituta. Nos vacatione huiusmodi fidedignis relatibus intellecta ad provisionem eiusdem ecclesie celerem et felicem de qua nullus preter nos hac vir intromittere potuit neque potest reservatione et decreto obsistentibus supradictis. Ne ipsa ecclesia prolixe vacationis expondendur incommodis paternis et solicitis studiis intendentes post deliberationem quam de preficiendo eidem ecclesie utilem et etiam fructuosam cum fratribus nostris habuimus diligentem Demum ad te ipsius ecclesie archidiaconum Baccalarum in decretis orditum nostrum in sacerdotio et etate legitima constitutum cui de literarum sacramentia vite munditia honestate morum spiritualium providentia et temporalium circumspectione aliisque virtutum mentis apud nos fidedigna testimonia perhibentur. Direximus oculom nostre mentis quibus omnibus debita pensatis meditatione de persona tua nobis et eisdem fratribus ob dictorum tuorum exigentiam meritorum accepta eidem Duracensis ecclesie de eorumdem fratrum consilio auctoritate apostolica providemus. Cumque illi preficimus in archiepiscopum et pastorem curam et administrationem ipsius ecclesie tibi in spiritualibus et temporalibus plenarem committendo in illo qui dat gratias et largitur premia confidentes quod ducigente domino actus tuorum eadem ecclesia per tue circumspectionem industriam ac studium fructuosum sub tuo felici regimine dextera dominum tibi assistente propitia salubriter et prospere dirigatur ac grata in eiusem spiritualibus et temporlaibus suscipiet incrementa Iugum igitur dominum tuis impositum humeris prompta devotione suscipiens curam et administrationem predictas sic exercitere studeas solicite fideliter et prudenter quod ecclesia ipsa gubernatori provido et fructuoso administratori gaudeat se commissam Cumque praeter eterne retributionis premium benevolentie nostre gratiam exinde uberius consiqui merearis.
Datum Senis anno incarnatione dominice millesimoquadringesimo quinquagesimonono quatrodecimo Kal. Aprilis anno secundo.