
Albin Kurti/
Tre breza të Jasharëve, 59 veta gjithsej, rreth gjysma gra e fëmijë, u flijuan me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, për çlirimin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin.
Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare. Shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan, por edhe gjithandej në mërgatë, e njëkohësisht edhe u vetëdijësua dhe ndërgjegjësua edhe publiku ndërkombëtar edhe diplomacia botërore.
Sot, baca Shaban do të ishte 100 vjeç, e sivjet Hamza do të bëhej 75 vjeç e Ademi 70 vjeç. Ata nuk i kemi më fizikisht, por ata kanë vetëm ditëlindje: e kanë 2 prillin, 19 prillin dhe 28 nëntorin. Ndërkaq vdekja e tyre, rënia e tyre heroike është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tash ndonëse nuk e kemi kryekomandantin, Adem Jashari, bacën Shaban e Hamzën dhe të gjithë të tjerët të Jasharëve që u sakrifikuan para 27 vjetëve, e kemi bacën Rifat që do ta vizitojmë në shtëpinë plot nipa e mbesa, por mbi të gjitha e kemi Kosovën Republikë, me demokraci dhe zhvillim.
Lavdi kryekomandantit Adem Jashari! Lavdi familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!