
Saimir Kadiu/
Duke kujtuar gjeniun e letrave shqipe të viteve 30′ në 51 vjetorin e vdekjes, me një nga poezitë e tij plot mall për qytetin e lindjes të cilin nuk e pa për 30 vjet deri në vdekjen e tij…
“Shkodra në mëngjese”
Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.
Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:
skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.
Shkrimtar, përkthyes, mësues, ministër i arsimit dhe patriot i madh që luajti një rol vendimtar në formësimin e prozës dhe arsimit modern shqip.
Pse u anatemua i madhi Koliqi?
“Krimi” i tij ishte misioni për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Luginë të Presheves dhe Mal të Zi ne vitet 1941-1942 kur ishte Ministër i Arsimit në Shqipëri.
Në vitin shkollor 1941 – 1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë.
Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë.
Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë.
Koliqi me inisiativen e tij zgjoi ndergjegjen shqiptare ne trojet shqiptare jashte Shqiperise “londineze”.
Nuk do kishte pavarsi te Kosoves pa shkollat shqip te hapura me inisiativen e shkodranit te madh Ernest Koliqi.
Gjate viteve romane shpesh here Ali Bej Kelcyra e provokonte Koliqin duke e pyetur perse bashkepunoi me italianet.
Koliqi nuk pergjigjej..
Nje dite iu pergjigj me nje thes me letra te derguara nga nxenesit kosovare qe kishin mesuar shqipen fale inisiatives se tij, ku ata i shkruanin me dashuri dhe mirenjohje.
Ali Bej Kelcyra heshti dhe nuk e provokoi me…
Poliedriku i madh i kultures shqiptare vdiq më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij romane, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare ne mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.
Ende eshtrat e tij nuk prehen ne vendin e tij te dashur per te cilin ai sakrifikoi “reputacionin e tij”…
Ai mbetet një figurë e nderuar për arsimin dhe letërsinë, edhe pse roli i tij politik e ka bërë përkujtimin e tij kompleks ne aspektin politik dhe historik…
Pas viteve 90’ Koliqi është përkujtuar përmes veprave, ekspozitave dhe aktiviteteve akademike, por nuk ka asnje monument në Shqiperi dhe Kosovë.
Nuk ka asnje rruge apo shesh me emerin e tij. Ka vetem nje shkolle private parauniversitare qe mban emrin e tij… kur kemi emertuar ne shtremberim dhe ne injorim te historise sone kombetare rruge, shkolla, sheshe, institucione kulturore, shkencore me emra te paperfillshem dhe per me teper ne shume raste edhe turpërues.
Kur do të kemi guximin për të ngritur një monument per te madhin Ernest Koliqi ne Tirane, Prishtine, Shkoder apo Prizren?
Një monument i tillë nderon dhe emancipon Shqiperinë, Kosovën dhe kombin shqiptar…
Do të jetë një monument bronxi formal…
Monumenti shpirtëror Ernest Koliqi ka triumfuar me kohë…
Nuk mund të ndjehesh fitimtar përballë këtij kolosi intelektual…
SHPATA gjithmone është dorëzuar përpara DIJES…