Hasan Gremi intervistë me Prof.Dr. Klara Kodra/
Në dallgëzimin e peizazhit të poezisë sotme shqipe ka prurje vlerash deri në nivel europian, po ka edhe cilësisht të dobëta. Prandaj, për të patur një pamje më të qartë në këtë horizont letrar, i bëmë një intervistë specialistes dhe studiuses së njohur për poezinë, Profesore Klara Kodrës.
– Hasan Gremi. Profesore Klara, ju jeni e specializuar për poezinë dhe ç’ mund të na thoni për gjendjen e saj sot? – Klara Kodra. Po, në fakt jam specialzuar për poezinë e traditës dhe në mënyrë të veçantë për poezinë e diasporës arbëreshe, po kam ndjekur me shumë kujdes edhe poezinë bashkëkohore, meqënëse nuk e shoh veten si kritike dhe studiuese, po si pjesëmarrëse. Ndofta e dini se fillova me poezinë e mandej u hodha në shkencë…
– Hasan Gremi. E filluat me poezinë, u bëtë e njohur si studiuese, po pasioni për poezinë nuk u shua. — Klara Kodra. E di, po poezia ka qenë gjithnjë dashuria ime e paligjshme siç më thoshnin kolegët studiues.
– Hasan Gremi. Dashuritë e paligjshme janë më të zjarrta, po a ndikon kjo te Ju në vlerësimin e vlerave? – Klara Kodra. Ka një rrezik subjektivizmi se poetët kur merren me kritikë pëlqejnë atë lloj poezie që përshtatet me shijet e tyre. Nejse, do të përpiqem të jem sa më objektive.
– Hasan Gremi. Atëherë, cila është gjendja e poezisë sot? – Klara Kodra. Nuk është e shkëlqyer, po as kritike. Jo aq sa gjendja e kritikës. Ka avantazhet dhe kufizimet e veta. Po ta shohësh në këndvështrim të caktuar duket sikur lulëzon. Po botohen shumë vëllime me poezi, ka shumë emra poetësh…
– Hasan Gremi. A janë poetë të vërtetë apo vargëzues? – Klara Kodra. Është një pyetje që të intrigon. Ka shumë vargëzues,.po edhe shumë poetë në kuptimin e plotë të fjalës. Nga të gjithë brezat, nga qytete e fshatra të ndryshëm, nga të dyja gjinitë…
– Hasan Gremi. Pra, mund të thoni se poezia e sotme po lulëzon? – Klara Kodra. Mund ta thuash, po ka aq lule, sa edhe ferra.
– Hasan Gremi. Seleksionimi u takon juve kritikëve, ta bëni këtë. – Klara Kodra. Në të vërtetë jam historiane letërsie, po në këtë kohë krize na duhet të luajmë edhe rolin e kritikëve. S’është aq e lehtë me një poezi të gjallë që ndryshon çdo ditë, dhe aq më tepër me poetë të gjallë dhe me sedër delikate siç janë në thelb poetët.
– Hasan gremi. Mund të përmendni disa emra? – Klara Kodra. Mund të përmend shumë, po mund të keqkuptohem si për emrat që do të kujtojë, ashtu edhe për ata për të cilët do të hesht. Mund të flisja për poezitë erudite të Moikom Zeqos, për pasurinë dhe forcën shprehëse të metaforave të Mujo Buçpapës, për paradokset karakteristike të Faslli Halitit, për trishet origjinale të Pandeli Koçit, për poezinë rrebele të Mimoza Ahmetit, për figuracionin e vecantë të Luljeta Lleshanakut, për lirizmin e përmbajtur të Agim Matos etj. Ka shumë për të thënë, veçanërisht për përfaqësuesit e avangardës së dikurshme që janë sot veteranë si Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi që e kanë përtëritur vetveten pas rënies së drejtimit të “realizmit socialist”. Mund të jepen mendime edhe për poetët e rinj, të lindur dhe të rritur në një klimë, kur s’ ka më rregulla të ngurta dhe kur gjallojnë drejtime letrare nga më të ndryshmet. Mund të kujtoja një poet të ri në moshë dhe në krijimtari, Evis Prokon që sapo nxori vëllimin me titullin kuptimplotë “Axis Nullae” që anon nga pasmodernizmi, ka një errësi që ndiçohet nga një figuracion fosforeshent dhe një frymë, në dukje pesimiste, që shpreh nostalgjinë për vlerat. Ç’ të them më? Qielli ka shumë yje dhe secili ka dritën e vet të papërsëritëshme. Këtë duhet ta kenë parasysh si poetët që duhet ta rrisin gjithnjë dritën e vet dhe jo të errësojnë të tjerët, edhe kritikët që duhet t’i shohin ata si bashkëveprues në një gjithësi letrare të caktuar dhe jo të shkëputur njeri nga tjetri.
– Hasan Gremi. Ç’mund t’i thoni lexuesit për poetët e persekutuar nga diktatura, të gjallë e të vdekur? – Klara Kodra. Duhet bërë dallim midis atyre që janë persekutuar vërtet dhe atyre që vetëpërkufizohen të tillë. Duhen dalluar gjithashtu ata që kanë krijuar një poezi të vërtetë dhe nuk kanë thjeshtë meritën qytetare të kundërvënies ndaj diktaturës. disidencë të vërtetë, sipas mendimit tim, nuk ka pasur nga që barriera e censurës dhe vetëcensurës ka qenë tepër e fortë dhe redaktorët, si roje të Partisë, tepër vigjilentë. Poetët që i janë kundërvënë hapur diktaturës e kanë paguar, disa me jetën a lirinë, disa me humbjen e së drejtës për të shkruar, një lloj vdekjeje në jetë, prandaj s’kanë mundur në përgjithësi të komunikojnë me publikun. Ka pasur vetëm disa raste, kur poetët kanë mundur të botojnë krijimet e tyre “para” goditjes ideologjike, si Kadareja, Agolli ose Arapi në disa kriijime të veçanta ose poetë të një kohe më të vonshme si Faslli Haliti me poemën “Dielli dhe rrëkerat” vjershat “Njeriu me kobure” dhe “Djali i sekretarit” (shefit), Xhevahir Spahiu me vjershën e famshme “Jam ai që s’ kam qenë” që u akuzua për ndikim nga Sartri. Janë të gjitha raste, përpjekje për ta marrë kalanë nga brenda. Poetët e tjerë nuk kanë mundur të komunikojnë me publikun e atëhershëm dhe i kanë botuar në një atmosferë tjetër, me një horizont pritjeje tjetër.
– Hasan Gremi. Në këtë prurje botimesh, cilat drejtime letrare mbizotërojnë në poezinë e sotme? – Klara Kodra. Do të thoshja natyrisht modernizimi dhe pasmodernizmi që shpesh ndërthuren midis tyre. Po ka edhe një prirje realiste që mbijeton.
– Hasan Gremi. Ç’ mund të na thoni për ndihmesën e grave krijuese në poezi? – Klara Kodra. Është shtuar shumë, jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Përmenda më lart nja dy emra cilësorë, po mund të flitet gjatë duke përmendur edhe F. Açkën, M. Sulën, L. Danaj, V. Mustën, F. Kullin, R. Petron, R. Çobën. Mund të kujtojmë edhe disa emra që kanë botuar në kohën e diktaturës, po e gjetën vetëm tani rrugën e tyre të vërtetë si Zh. Jorganxhi ose J. Naçi (Gjika). Këtyre mund t’u shtohen emra të rinj si A. Dahriu, E. Skënderi, M. Pulaj. Poeteshat që përmenda, nuk i përmenda thjesht, për shkak të gjinisë së tyre, në frymë feministe, po ngaqë i quaj si poete të mirëfillta dhe jo si pseudopoete. Secila prej tyre e ka shkëndijën e poezisë së vërtetë, jo në të njëjtën masë, por e ka. Nuk jam për një butësi të tepruar të kritikës ndaj poeteshave, pavarësisht nga fakti se rruga e tyre është më e vështirë nga ajo e kolegëve meshkuj. Mendoj se sot janë shfaqur më shumë talente të mirëfillta që e shprehin në mënyrë më të plotë potencialin e tyre, ashtu si vëllezërit meshkuj, tani që janë zhdukur “vijat e bardha” ideologjike. Mendojmë se tani është ngritur një dallgë krijuese e ndryshme nga dallgët e tjera nga ana e poeteve femra në brigjet e poezisë shqiptare ku këto krijuese erdhën vonë. Poeteshat e sotme janë afirmuar si të afta për të trajtuar tema sociale dhe universale (mund të kuijtojmë kritikat e guximshme politiko-shoqërore të E. Skënderit, poezitë filozofike të R. Çobës, gjerësinë tematike të F. Açkës dhe L. Lleshanakut, lirikën mesdhetare të M. Sulës), po njëkohësisht ato e pasurojnë poezinë shqiptare me një ngjyrë të re të panjohur, një lloj ngjyre ultravioletë në gamën e ndjenjave, duke gërmuar thellë në tema ku mund të zbukurojnë aspekte të panjohura për poetët burra, temat e dashurisë (femërore) dhe të amësisë. Mund të ndaleshim, këtu në krijimtarinë poetike të F. Kullit, R. Petros dhe R. Çobës. Ato kanë treguar guxim të veçantë në trajtimin e temave erotike, duke e parë atë në kompleksitetin e saj, në aspektin shpirtëror, po edhe në atë fizik duke shtuar disa elementë sensualiteti dhe duke shkelur kështu tabutë shekullore.
– Hasan Gremi. Ju si studiuese dhe krijuese, e miratoni këtë.guxim nga ana e poeteve femra? – Klara Kodra. E miratoj plotësisht. Në art s’duhet të ketë tela me gjemba. Natyrisht duhet të mbetesh në caqet e poezisë.
– Hasan Gremi. Në lidhje me vëllimin e fundit të Rita Petros që pati një diskutim të ndezur në shtyp, cili është mendimi Juaj? – Klara Kodra. E kam ndjekur këtë diskutim. Rita Petro është një poete me talent dhe ka shkruar lirika erotike të bukura, po në vëllimin e saj të fundit ka pasur edhe teprime. Megjithatë s’është e lehtë të përcaktohet kufiri midis erotikës dhe pornografisë.
– Hasan Gremi. A u lejohet poetëve dhe poeteshave që në emër të artit të thonë gjithçka? – Klara Kodra. Poetë të mëdhenjë dekadentë si Charles Baudelaire e Edmondo de Amicis i kanë akuzuar në kohën e tyre si imoralë. Sot i shohim me sy tjetër.
– Hasan Gremi. Po. Gjeniut të poezisë franceze Charles Baudelaire jo vetëm ia hoqën 6 poezi nga vëllimi, por gjykata e dënoi me 300 franga, mos është distanca në kohë dhe në konceptet estetike apo ndryshimet në ide që na bëjnë më të butë? – Klara Kodra. S’ e di. – Hasan Gremi. Cila problematikë mbizotëron sot në poezi? – Klara Kodra. Mendoj se është mënjanuar disi poezia qytetare që i ka pas si antenë problemet e kohës, mbizotëron poezia pannjerëzore, heroi lirik mendimtar ose liriku intim që i shpalos hapur ndjenjat e veta. E kuptoj se kjo ndodhi si reagim ndaj “poezisë së angazhuar të detyruar të realizmit socialist” (se letërsia shqiptare ka qënë gjithnjë qëllimore). Megjithatë, për mendimin tim, s’ mund të lihet mënjanë ky aspekt i poezisë duke e shkëputur nga problemet e mprehta të realitetit shqiptar. Poetit s’i takon të jetë zëdhënës i një partie politike, ose një ideologjie, po ai s’mund (edhe po të dojë) të jetë indiferent ndaj realitetit të kohës se “vijimi i jetës” bën pjesë në art. Ky është thjesht mendim, meqenëse kritika s’mund të pretendojë për rol ligjvënës (edhe në diktaturë e luante këtë rol artificialisht).
– Hasan Gremi. Ç raport ka midis poezisë për të rritur dhe poezisë për fëmijë? – Klara Kodra. Vihet re një dukuri me interes, bashkëveprimi dhe kalimi nga një fushë te tjetra. Ka poetë që lëvrojnë pralelisht të dyja këto degë të poezisë si Faslli.Haliti, Pandeli Koçi, si dhe poetë, pasi formohen si të tillë në letërsinë për fëmijë, kalojnë në poezinë për të rritur si Shkëlzen Zalli i cili pasi u shqua në poezinë për fëmijë, ka shkruar vëllimet poetike për të rritur “Dielli nën mjegull” dhe “Perëndimi i vesës”, vëllime qe kanë veçanësinë e tyre dhe çuditërisht e rreshtojnë këtë poet aq të qartë në poezinë për fëmijë ndër hermetikët.
– Hasan Gremi. Theksoj se edhe Ju jeni shquar në këtë fushë, por nuk e thoni për modesti… Meqë ra fjala te hermetizimi, ç’ mendoni për errësinë e poezisë së sotme? – Klara Kodra. Është si shpata me dy teha: mund të tregojë vërtet thellësi, por mund të fshehë edhe mungesën e thellësisë, si në ato piktura mediokre ku ngjyrat e forta përpiqen të mbulojnë mungesën e frymëzimit krijues.
– Hasan Gremi. Flitet edhe për një lloj ndikimi nga poezia orientale në poezinë tonë bashkëkohore… – Klara Kodra. Më saktë nga poezia japoneze, “Haiku” i saj, ku krijimi trevargësh, po lëvrohet shumë dhe me sukses. Për më tepër çdo poet e lëvron sipas mënyrës së vet. Sa i ndryshëm është “haiku” i rrjedhshëm i Milianov Kallupit nga “haiku” i Reshida Çobës që varion nga trevargëshi në dyvargëshin dhe njëvargëshin dhe nga “haiku” plot finesë dhe zjarr të brendshëm të Nasho Jorgaqit (një shpërthim i veçantë krijues i këtij autori në moshë të vonë, duke kaluar nga proza në poezi dhe duke i dhënë jetë kështu katër vëllimeve me haikun, njeri më i bukur se tjetri, plot vjersha për dashurinë, me lëng jete e rrënjë mendimi dhe enigmat e jetës). Ka qenë vërtet një shartim i goditur që solli një risi tipologjike në poezinë shqiptare.
– Hasan Gremi. Si komunikon poezia sot me publikun? – Klara Kodra. Ah, ky është vërtet problem. Për çudi, në kohën e “realizmit socialist” poezia thithej më tepër nga publiku (natyrisht s’e kam fjalën për vargëzimin konformist, po me poezinë që i shpëtonte censurës). Sot kriza e përgjithshme e leximit ka përfshirë edhe poezinë. Kështu që poezia s’ para shitet dhe ky problem përfshin edhe aspektin shpirtëror edhe atë ekonomik. Shtëpitë botuese nuk guxojnë të marrin përsipër botimin e vëllimeve poetike me shpenzimet e tyre (veçse po të jetë fjala për autorë të afirmuar). Kështu që autorët detyrohen t’i financojnë vetë, gjë që vë faktorin ekonomik mbi atë estetik dhe privilegjon një shtresë shoqërore në dëm të të tjerëve. Edhe këto vëllime në më të shumtën e rasteve nuk shiten dhe qarkullojnë në rrethin e ngushtë të miqve të autorit. Kështu krijohet një rreth vicioz. Vëllime vërtet me vlerë pengohen nga faktori ekonomik dhe nuk arrijnë të komunikojnë me publikun. Dalja në dritë e shumë vëllimeve me vargje mediokër apo fare të dobëta i largon edhe më lexuesit, (tashmë të prirur nga interneti ose paraletërsia) nga leximi i poezisë. Një shkak tjetër që poezia e sotme shqipe s’ është “popullore”, është errësia që e tremb lexuesin e zakonshëm. Autorët presin një lexues model që nuk shfaqet dhe pretendojnë se shkruajnë për brezin e ardhshëm ose brezat e ardhshme. Ky rreth i mbyllur mund te thyhej nga një shtesim më i madh për poezinë nga ana e institucioneve kulturore. Ndonjë shtëpi botuese mund të rrezikonte të përkrahte vlerat (për të dallur vlerat nga antivlerat. çdo shtëpi botuese duhet të mbante recensentë seriozë), gjë që shpesh nuk ndodh. Ministria e Kulturës, nga ana e vet, mund të shpallte çdo vit konkurse për të inkurajuar autorët e rinj të poezisë.shqiptare (ose të vjetrit që kanë ende fjalë për të thënë), ashtu si ka shpallur vitet e fundit konkurse për përkthimet. Mund të shtoja si shembull të vlefshëm nja dy shtëpi botuese që i ndihmojnë poetët me çmime të lira, “Nacional” dhe “Ada”. Mund të përmend edhe një fondacion, Fondacionin “Harpa” në Fier që ka luajtur një rol veçanërisht pozitiv.
– Hasan Gremi. Jeni optimiste për të ardhmen e poezisë shqiptare? – Klara Kodra. Pa dyshim që jam. Poezia është quajtur dikur “mbretëresha e gjinisë”, (një përkufizim idealizues, po që shpreh mundësitë e mëdha të saj). Poezitë që na kanë ushqyer që fëmijë kanë formuar shijen estetike dhe kanë ndikuar te ne. Poezia shqiptare ka një traditë të shkëlqyer. Gjykatsja më e mirë, koha, do të qërojë ferrat dhe do të mbajë gjallë lulet e poezisë. Sot kemi poetë në nivelin e poezisë së denjë europiane. Duhen shtuar përkthimet në mënyrë që poezia shqiptare të bëhet e njohur në Europë. Duhen inkurajuar edhe përkthyesit e zotë duke vënë cilësinë mbi sasinë dhe shpejtësinë. Kam qenë gjithnjë e mendimit që poezia shqiptare ka pasur dhe ka vlera europiane. Ato kanë filluar të njihen, por ende në shkallë tepër të vogla. Faleminderit dhe suksese në punën Tuaj të vyer si poete, përkthyese dhe studiuese pë t’i dhënë letërsisë shqiptare vlera dhe zë europian!