Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri nga sot do të prehet në Atdhe. Pas mbërritjes së eshtrave nga SHBA si dhe homazheve në Akademinë e Shkencave, eshtrat e tij janë varrosur pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte nip i frashërllinjve të mëdhenj, Samiut dhe Naimit.Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.Në një prononcim për gazetarin Erjon Skëndaj, Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi tha se Mid’had Frashëri bashkoi kombin nga ana kulturore. Sipas tij sistemi diktatorial deformoi të vërteten për Mid’had Frashërin.
“ Ky veprim i qeverisë është një ndjesë nga të gjitha qeveritë. Njeriu nuk mund të jetë edhe bashkëpunëtor edhe ta luftojë kundërshtarin. Sistemi diktatorial deformoi jetën kulturore, historinë dhe deformoi edhe të vërteten për kundërshtarin e sistemit, siç ishte Midhad Frashëri. Ne do punojmë për të lancuar profilin e tij të lartë. Mid’hadi bashkoi Kombin nga ana kulturore. Mid’had Frashëri dha firmën për njehsimin e gjuhës shqiptare. Jemi në një ditë që shpresojmë që shqiptarët do ta marrin vesh profilin e vërtetë të profilit të Mid’had Frashërit”- tha Roshi.
Rama: Të ulë kokën kush e sheh provokim
‘Një mishërim dhe një shërbestar i mëmëdheut sipas kokës së tij’- kështu e konsideroi kryeministri Edi Rama, Mid’hat Frashërin, në një fjalim të gjatë të mbajtur para ceremonisë së varrosjes së eshtrave te tij pranë Liqenit Artificial. Duke ndërthurur në fjalimin e tij, kujtime të ditarit të Frashërit, Rama u shpreh se ata që e baltosën për 7 dekada sot mbajnë buzët rrudhur.
“Farshëri ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Ai shfaqej si armik natyral sa here tentohej përcarja. Të lë pa frymë pozicioni për dramën e popullsisë shqiptare të camërisë të zhveshura për shkak të etnisë dhe besimit të tyre. Një flamurmbajtës i shënuar i të drejtave të minoriteteve të lirive themelore, pa dallim etnie dhefeje.’ U shpreh Rama në fjalimin e tij,
“Shumë mund të kenë parë arrogancë, kokëfortësi, tërheqje, konservatorizëm apo besëthyerje virtytet e tij e bëjnë një personalitet pa të dytë në hisorinë e elitave të paqëndrueshme shqiptare.’-vijoi me tej kryeministri ndërsa u shpreh se kthimi i eshtrave të tij ishte një detyrim dhe borxh.
“Mid’Hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjeteër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdiemensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij, të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit.” – vijoi me tej kryeministri ndërsa theksoi se kthimi i eshtrave të tij, të shërbejë edhe si një reflektim.
“Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive.” -tha Rama ndërsa theksoi se Mid’Hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisëm t’ja pastrojmë sot.
Luzim Basha: Shembull për shumë të tjerë
Kryetari i PD, Lulzim Basha iu bashkua homazheve në nderim të patriotit shqiptar Mid’hat Frashëri, eshtrat e të cilit u kthyen sot në Atdhe.
“Është një nga ditët e rralla, që qëndrojmë para një arkmorti me një sens krenarie, nderimi por edhe kënaqësie. Kënaqësi që u përmbush amaneti i tij, detyrim i madh kombëtar i gjithë patriotëve shqiptarë. Kënaqësi që eshtrat e këtij burri të madh dhe shkencëtari të një dimensioni Europian do të prehen sipas amanetit të tij. Falenderoj deputetin Shehaj, Akademinë e Skencavem kjo ishte gjetja e duhur për ta patur këtu këtë burrë të jashtëzakonshëm. Një shembull që duhet të ndiqet edhe për shumë të tjerë. Eshtrat e cdo patrioti që padrejtësia e dikatuarës gjakatare të Enver Hoxhës i kanë lënë të dergjen jashtë vendit duhet të kthehen e të nderohen në Shqipëri.” – u shpreh Basha në një prononcim të shkurtër për mediat. Duke iu përgjigur interesat të medias, nëse e vlerëson rolin e qeverisë shqiptare në këtë proces, Basha u shpreh se qeveria nuk bëri asgjë përvecse detyrën.
“Vlerësoj iniciativën e historianit Uran Butka si edhe përkushtimin e deputetit Shehaj. Qeveria nuk ka asgjë më pak se detyrimin të kryejë procedurën për nderimin e këtij patrioti të madh”. – përfundoi Basha.
Kush ishte Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo:
Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.”, rrëfen studiuesi Uran Butka. Gjithashtu ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani.
Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.
Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920.
Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh,për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mithat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj,Muho Xhakja,Astrit Sako,Braho Husi,Sulo Male,Hysni Aliko,Hajredin Peshkëpia,Skënder Omari,Iliaz Guri,Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa,At Paul e V.Rado.