
-Presidentja Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: “Serbia bllokuese e progresit në dialog”/
PRISHTINË, 31 Janar 2022 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kanë mbërritur në Kosovë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ata sot pasdite u pritën në takime të veçanta nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.
PRESIDENCA E KOSOVËS DËRGOI KËTË KOMUNIKATË:
Presidentja pas takimit me Escobar dhe Lajcak: “Serbia bllokuese e progresit në dialog”
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.
Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.
Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut.
ZYRA E BE-së KA DËRGUAR KËTË NJOFTIM:
PSBE Lajčák dhe ZNS Escobar do të vizitojnë Kosovën
Nga 31 janari deri më 2 shkurt, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák do të vizitojë Kosovën. Atij do t’i bashkohet edhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari (ZNS) Gabriel Escobar. Në Prishtinë, PSBE Lajčák dhe ZNS Escobar do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA. PSBE Lajčák do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin e përbashkët në Mutivodë.