
Prof. Shefkije Islamaj/
Konica, gjuha dhe atdheu
Faik Konica është përfaqësues i veçantë i kulturës, i gjuhës dhe i historisë kombëtare. Me punën e tij të zellshme e këmbëngulëse në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij shoqërore, kulturore e letrare, ai zë vend nderi. Vend nderi zënë edhe admirimi e dashuria e tij për Shqipërinë, për kulturën, për historinë e për gjuhën shqipe. Shqipërinë do ta dojë me ”pasion e xhelozi”, me të mirat e me të këqijat; kulturën, historinë e gjuhën e saj do ta dojë me “mendje e zemër.” Këtë e dëshmon më së bindshmi puna që do ta bëjë ai gjatë në të mirë të të gjitha këtyre. Gjuha do të jetë, prandaj, njëra ndër preokupimet parësore të tij. Kontributi i tij do të shtrihet në shumë drejtime në fushën e albanologjisë, dhe me të drejtë në historinë e re të gjuhësisë shqiptare ai do ta ketë vendin e merituar.
Faik Konica i dinte mirë detyrimet morale e kombëtare të intelektualit të nivelit të tij. E dinte mirë se detyrim moral e kombëtar është edhe qëndrimi ndaj gjuhës amtare, prandaj, në shkrimet e tij, shqipja, me natyrshmërinë, qartësinë, zhdërvjelltësinë, epshmërinë, ritmin e sidomos me pastërtinë, do të arrijë shkallë të lartë të dëshmimit si gjuhë kulture e një qytetërimi të zhvilluar, që s’mbetet anash gjuhëve të tjera të kohës, gjuhë që do të arrijë nderimin e adhurimin e secilit lexues të shkrimeve të tij edhe sot. Qëndrimin e tij ndaj gjuhës amtare e dëshmon edhe ky mendim, njëri ndër shumë mendimet e tij antologjike për gjuhën shqipe:
“E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor –është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. “
Faik Konica, “Albania”1, 1897
Puna e tij e madhe në fushëveprimtarinë e në fushëkrijimtarinë kulturore zbardh edhe personalitetin e tij gjuhësor dhe është dëshmi e një ndërgjegjeje artistike të formuar me kohë, që vitet me dramat e rrjedhën e tyre arritën t’i japin forcë e përsosmëri. Përvoja e gjatë krijuese dhe njohja e thellë dhe e gjithanshme e jetës shoqërore e letrare shqiptare do të përvijohen qartë e me porosi në gjuhën e tij të dallueshme dhe gjedhe frymëzuese për shqipfolësit e shqipdashësit.
Ç’është e vërteta, rilindësit patën sendërtuar një gjuhë letrare të kohës, gjuhë në të cilën Konica gjeti pararendësen e gjuhës së tij të zhvilluar dukshëm më tej, të zonjën e të denjën për të ndihmuar zhvillimin e mendimit politik e shoqëror, kritik e letrar, një gjuhë që do të ketë aftësi të peshojë e të shprehë thellë edhe shqetësimet e brengat, edhe gëzimet e dëshirat e popullit në një kohë tepër të rëndësishme për shqiptarët. Prandaj, shkrimet e tij, në dukjen e parë, kanë pamjen e një ditari intim lirik dhe të një kronike të jetës shqiptare, ku ai haptas, sinqerisht e me vërtetësi, ka regjistruar, jo vetëm, çdo shqetësim e trazim të brendshëm të tij e të popullit të tij, po ka paraqitur edhe ngjarje e momente të rëndësishme të kohës, duke mbështjellë me fjalën e tij të ngrohtë e të gjallë, të ashpër e të valë jehonën e fuqishme që zgjojnë ”të ngjarat” (siç do të thoshte ai) në brendinë e tij, provokimet e përhershme që i kanë shkaktuar atij dhe atdheut.
Ai e dinte mirë se idealet më të mëdha që vënë në lëvizje një komb, një popull, duhet të shtrohen në mënyrë të tillë që të kuptohen prej tij. Duke e ditur këtë, Konica do të bëhet zotërues i përsosur i gjuhës, lëvrues e krijues i rrallë. Nëpërmjet gjuhës së tij, ai do të paraqesë e do të përfaqësojë denjësisht atdheun e tij në një kohë plot trazime e ngjarje me jehonë.
Shqipja në dorën mjeshtërore të Konicës
Konicën do ta kenë zemëruar (e ai zemërohej lehtë, shpesh, siç na del në shkrimet e tij) fjalët që u thanë nga disa (armiq – do të thotë ai) me rastin e botimit të së përkohshmes së tij Albania: ”Albania do të mbetet në mes të udhës si gjithë punët kombiare të Shqipërisë: gjuha shqipe s’ka kurrë për të vajtur përpara: është plakë tepër e s’ka këmbë për të ecur, as dhëmbë për të ngrënë…” (Faik Konica, Vepra, Tiranë, 1993, f.92). Konica do të dëshmojë të kundërtën. Do të dëshmojë se ai ishte i zoti të nxirrte një revistë me autoritet të lartë si Albania plot dymbëdhjetë vjet, që ishte më shumë se revistë e suksesshme, një kronikë e saktë e jetës kulturore, letrare e shoqërore me interes, jo vetëm për kohën; do të dëshmojë dijen e mundësitë e tij, erudicionin e mendjemprehtësinë e pashoqe për çështje e probleme nga më të ndryshmet; do të dëshmojë se shqipja me lashtësinë e saj, edhe pse me këmbë të këputura nga trungu i parë, edhe pse e rrahur nga rrebeshe të pamëshirshme nëpër mote, jo vetëm se s’është plakë, jo vetëm se ka dhëmbë për të ngrënë, po ajo qëndron e fortë në këmbët e veta rrënjore, përtyp lehtë brumin e vet të pasur gjuhësor, të pasuruar nëpër mote e breza pararendësish, dhe se, që në krye të herës, qe e mbeti për nderim, jo vetëm nga shqipfolësit, po edhe nga dashamirës e studiues të huaj.
Shquhet, prandaj, përkushtimi dhe këmbëngulësia në punën e tij në shumë fusha të gjuhësisë: do të merret me shumë kompetencë me probleme të përgjithshme e të veçanta të gjuhës, me çështjen e njësimit të dy dialekteve (“për standardizim e njëjtërim” do të thotë Konica), me çështjen e alfabetit, me probleme të drejtshkrimit, me histori të gjuhës, me gramatikë, me terminologji e, sidomos, me pastërtinë e gjuhës, ndonëse ndihmesa e tij më e madhe qëndron në zhvillimin, në pasurimin, në përsosjen e gjuhës, në gdhendjen e mendimit shqip e në skalitjen e fjalës shqipe.
“Kurioz i madh, i shqetësuar, i pagjumë, një kalorës i albanologjisë dhe i procesit konvergues i gjuhës letrare shqipe.” (Jehona, 5-6, Shkup, 1992, f. 92), do ta vlerësojë një studiues i tij. I tillë është Konica edhe në gjuhën e shkrimeve të tij. Ashtu siç diti “të depërtonte e të kridhej në hapësirat e të gjitha qytetërimeve, në epoka dhe dukuri kulturore e artistike nga më të ndryshmet” (Faik Konica, Vepra, f. 14), ashtu diti të depërtojë e të kridhet në fshehtësitë e në mrekullitë e fjalës shqipe (në një shkrim të tij për poezinë antologjike Fyelli i bariut të Çajupit, Konica, mes tjerash, do të shkruajë: “Ae njihni nonjë vjershë me hije fushore, me erë gjethesh më të fortë se kjo.” (Faik Konica, Vepra, f. 30).
Duke e njohur mirë shqipen, Konica ai krijoi dhe futi në përdorim, kuptohet në masë të ndryshme, gati të gjitha gjedhet e mjetet që zotëronte shqipja asokohe. Sigurisht se koha i shoshiti e i shmangu mjaft nga ato dhe jo të gjitha formimet e tij mbetën, megjithëse ato ishin e janë, plotësisht, të kuptueshme dhe, në mos për tjetër, për kohën e vet dhe në vendin e përdorur qenë të shpjegueshme e të pranueshme. Shumë krijime gjuhësore të tij edhe sot e gjithë ditën janë pasuri e vlefshme e shqipes.
Në procesin e krijimit të fjalëve të reja, mjeshtëria e vërtetë e Konicës u dëshmua në njohjen e në shfrytëzimin e mundësive të mëdha shprehëse të shqipes, në zotësinë e tij të rrallë për të veçuar, përzgjedhur, gërshetuar e për të bashkuar mjete të panumërta të fjalësit të shqipes e të ndërtimit gramatikor të saj, për të zgjedhur e për të spikatur mjete të veçanta stilistike e gjuhësore, për të hetuar e për të përdorur me vend frazeologjinë popullore e për të gjetur shprehësinë e lartë artistike deri të tingujve, të formave e të shprehjeve (mënyra të pafundme lidhjesh e gërshetimesh), të ruajtura me xhelozi nëpër mote.
Veçori të përgjithshme të gjuhës
Duke i lexuar shkrimet e tij, që nga poezitë, shkrimet eseistike, kritikat, tregimet, prozat më të gjata e përkthimet, hetojmë se Konica u drejtohet njësoj të gjitha shtresave leksikore të shqipes. Kur themi kështu, kemi parasysh faktin se elementet leksikore shqipe, që edhe sot e gjithë ditën përbëjnë bazën e gjuhës letrare, përbëjnë edhe pjesën kryesore të fondit leksikor që përdori Konica në shkrimet e tij. Një vend të papërfillshëm në fjalësin e tij e përbëjnë dialektizmat dhe fjalët e huaja, të përdorura në pajtim me nevojat reale të gjuhës në kohën e tij. Ajo që bie në sy shpejt, që në takimin e parë me gjuhën e Konicës, është fondi i hetueshëm i neologjizmave të krijuar me invencion gjuhësor, supozojmë nga vetë autori, apo edhe nga pararendësit, paraqet, pa dyshim, një begati të ndjeshme në këtë drejtim, duke dëshmuar kështu njohje të thellë gjuhësore të ligjeve brenda e jashtëgjuhësore (kujto fjal (kujto fjalëkrijimet e tij edukator, i famshëm, hapësirë etj.).
Shumica e krijimeve të tij nga lënda e shqipes u përshtat aq mirë, duke u bërë të zakonshme në përdorim, ndërsa një numër tjetër me vlera të caktuara gjuhësore e kuptimore pret të aktivizohet e të bëhet pronë e përhershme e shqipes së sotme. Të tilla janë, sidomos, një numër krijimesh të fushës së mendësisë. Ka edhe raste të ndërtimeve kalkore. Edhe pse Konica nuk qe purist i skajshëm, ai u angazhua për një gjuhë relativisht të pastër. Këtë e provon edhe vepra e tij Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale (Jehona, f.180), e cila, për fat të keq, mbeti e panjohur deri vonë. Në këtë vepër shquajmë shkrimin Ç’është pastërtia e gjuhës, ku Konica merret me shtrembërimet e gjuhës nga huazimet leksikore, pa të cilat natyrisht nuk mund të kalojë asnjë gjuhë. Ai insiston në parimet e së bukurës absolute të fjalëve burimore.
Njohjen e thellë gjuhësore dhe pasurinë e madhe leksikore të veprës së tij e dëshmon mirë përdorimi me vend i fjalës shqipe, ndërtimi i fjalisë, fjalitë e shkurtra e periudhat e gjata e të sakta, ndërtimet frazeologjike. Ai shfrytëzoi mirë edhe thesarin popullor. Edhe në këtë aspekt vepra e tij ofron lëndë të pasur për studim. Mblodhi me kujdes fjalë të rralla e të vjetra dhe kishte një respekt të denjë për mbledhësit e folklorit.
Në penën e Konicës gjuha shqipe, në të shumtën e herës, ka funksion artistik. Fjala shqipe rrallë ku lëviz lehtë e bukur si në fjalinë e tij plot jetë e gjallëri. Lakonizmi është tipar dallues gjuhësor i tij. Besoj se e dëshmon këtë mirë edhe ky tekst që mbahet mend: ”S’di ç’të mungon, s’di ç’të duhet. Një trishtim ta mbulon fytyrën, e pikësëpari herë-herë, pastaj më dendur e më në fund shpesh, e pothuaj kudo e kurdo, kujtimi i prindërve, i miqve, e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindën, ku u rritën, ku qajtën si foshnjat e ku lozën djem, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron mirë një shqiptar.”(Faik Konica, Vepra, f. 68)
I natyrshëm e spontan në shkrimet e tij të rrjedhshme, i rreptë në bukurinë e ashpër të fjalës, i mprehtë në përfundimet mendore dhe i ndjeshëm në botën e tij të karakterizuar prej kundërshtish, Konica na del i papërsëritshëm edhe në përdorimin e vlerave të shumta gjuhësore që ofron shqipja: në krijimtarinë individuale gjuhësore.
Risitë gjuhësore – tipar dallues i gjuhës së Konicës
Konica krijoi fjalë të reja ose kuptime të reja mbi bazën e fjalëve të njohura si në shembujt vijues: ç’kombëzim e i ç’kombëzuar, ç’përfundje, i ç’sojësuar, ç’pengoj, të thekurit (rrezitja), oborrësi, vjershëri, zakonësi (etikë), pemuri, vjetëri, shëndoshësi, masëri, mendësi, e pritmja (e ardhmja); krijoi përdorime të veçanta fjalësh e togfjalëshash, si: këngë ngushëllore, jetë grarishte, besë e rrënjuar, miqësi e qëruar, ushtri mundëtore; krijoi njësi leksikore e gramatikore, si: qeptor (rrobaqepës), përshëndosh, trimoshe, pafletar, ç’morrit, kryepunëra, vogëlira, mirësira, ditëra, gjuhëra, lakmira, gojëbuall, barkrrumbull, etj.; përdori ndërtime e figura të ndryshme gjuhësore e letrare, p.sh.: mendjehollë e zemërqëruar e fjalëkripur – thotë Konica për Naimin, festë hiroshe për Ditën e Verës, “Yjtë shpojnë qiellin e pikëlojnë dritë”, mustaqe majetatpjetë, mushkë xanxare etj.; krijoi formime kompozitore shumë prodhuese të tipit: vdekjesjellës, vetëvrarë, veskeq, mendjepalarë, moskujtim (harrim), kartënxirës (shkrues i pazotë), të mirëbërat, keqthënie e të tjera. Këto krijime e rikrijime në numër shumë, përmbajnë edhe informacion të duhur letrar.
Shqipja në penën e vyeshme të Konicës, ka dëshmuar se ka mundësi të mëdha për fjalëkrijime të këtilla. Një krijim të tillë, një prirje të tillë e hetojmë, sidomos, te pasardhësit e tij të denjë punën me gjuhën, si Ismail Kadare. Dritëro Agolli, Rexhep Qosja e shumë të tjerë.
Në fushën e krijimtarisë gjuhësore të Konicës dallojmë tipa të ndryshëm të fjalëkrijimit, krijime njëfjalëshe, ndërtime tipike kompozitore, për të cilat besojmë dhe shpresojmë se do të bëhen studime të duhura e të veçanta nga gjuhëtarët e stilistët, ashtu si përgjithësisht për shumë probleme e çështje që ngre më vete vepra komplekse e Konicës. Ajo meriton një vëmendje të tillë, sepse me fuqinë e vet sfidoi kohë e sisteme.
(Shkrim shënjues i lexuar në sesionin shkencor kushtuar 120 vjetorit të lindjes së Faik Konicës, mbajtur në Institutin Albanologjik, në Prishtinë më 28 prill 1995 dhe botuar në librin “Faik Konica, jeta dhe vepra”, IA, Prishtinë 1996 dhe më pas në librin tim “Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës”, Toena, Tiranë, 2002.