
Prof. As. Dr. Zaho Golemi/
Më 28.07.1922, SHBA dhe Shqipëria për herë të parë vendosën marrëdhënie diplomatike, një lidhje e qëndrueshme e parneritetit strategjik, e miqësisë, mbështetjes e dashurisë pa kushte. Faktikisht po ta shikojmë në thelb problemin SHBA-të janë fati i shqiptarëve. Është një miqësi e thellë dhe e qëndrueshme edhe në kohët më të vështira, më të trazuara dhe kur kërcënohej siguria e kombit shqiptar. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë në themel marrëdhëniet e Nolit dhe Willsonit, që përbëjnë një epokë më vete. Është mjaft e njohur se poliedriku tonë Fan Noli duke hyrë në Selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, kërkoi nga presidenti Thomas Woodrow Wilson anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (sot OKB), kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve të Gjenevës dhe mëvetësia shqiptare u njoh zyrtarisht nga bota. Suksesi në Lidhjen e Kombeve i dha Fan Nolit, vendin e figurës së merituar kryesore në jetën politike shqiptare. Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri, dhe nga 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën “Vatra” në parlamentin shqiptar. Është gjithashtu fakt se shqiptarët pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut, epokës së Ismail Qemalit, u çel epoka e shtetit modern, e diplomacisë së burrave të mençur, që bënë të mundur që shteti shqiptar dhe çështja jonë kombëtare lidhej me miq besnikë, kur më 1917, Fan Noli kishte takuar personalisht presidentin amerikan Wilson, i cili i kishte dhënë fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, që ishte deri në fund besë e vetëdijshme miqësie ndërmjet kombeve. Thënë shkurt: pa përkrahjen e Wilsonit vështirë se do të kishim Shqipëri. Wilsoni kujtohet gjithashtu për kontributin e madhe në zyrtarizmin e shtetit shqiptar në Gjenevë të Zvicrës. Për angazhimin e SHBA-ve që në themelet e shtetit shqiptar gjithë shqiptarët dhe institucionet shqiptare këtej e matanë kufirit në Dardaninë kreshnike janë mirënjohës ndaj kontributit të popullit amerikan. Falë presidentit amerikan Woodrow Wilson, Shqipëria pranohet në Ligën e Kombeve të Bashkuara sot OKB, si vend i pavarur dhe sovran ku në mesin e 193 flamujve të botës, gjendet edhe flamuri ynë kombëtar kuqëzi. Në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej Nolit në momentin e pranimit në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht, nuk mund të mos kujtojmë fjalët lapidar në mëmorien e kombit tonë të skalitura në stilin e bukur të famëmadhit Noli: “…Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, e ai ishte emri i Presidentit Wilson”. Kjo miqësi një shekullore midis shqiptarëve dhe amerikanëve e ka bërë Shqipërinë dhe shqiptarët, që ta raspektojnë fort institucionin e mirënjohjes, duke qenë një ndër kombet më proamerikane të planetit tonë, që ofrojnë dashuri pa kushte. Por shqiptarët po të hedhin vështrimin në kohë shohin figura amerikane Charles Telford Ericson që erdhi në Shqipëri në 1908 dhe pasi njohu mirë Shqipërinë dhe shqiptarët duke i quajtur “zambaku i Ballkanit” dhe që u bë i huaji i parë flamurtar që punoi për pavarësinë e Shqipërisë. Pas tij do të kujtohet në këtë 100 vjetor Wilsoni që në Paris do deklaronte, “Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë”.
Sjellim në vëmëndje fjalët e Willsoni që i tha Nolit më 4 korrik 1918 në jahtin presidencial “Mayflower”: “Unë kam një zë në Konferencën e Paqes së Parisit dhe do ta përdor atë në emër të Shqiptarëve…”, qëndrim ky që shpëtoi Shqipërinë, rrjedhë edhe e luftës e përpjekjeve që intelektualët shqiptarë në ShBA bënë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar. Edhe “Vatra” me 72 degë në SHBA, Kanada si dhe lidhjet me mbrojtësit e çështjes shqiptare në Angli, Aubrey Herbert dhe Edith Durham, i bënë ballë me dinjitet dhe krenarisht dredhive greke, italiane e sllave. “Vatra” ndikonte mbi delegacionin amerikan që përcaktoi qëndrimin e qeverisë së SHBA-ve për këtë çështje, prandaj me të drejtë thuhet se, “Willson bëri më shumë se askush për pavarësinë e Shqipërisë, sepse refuzoi kategorikisht të nënshkruante marrëveshjen, derisa u sigurua në të drejtën vetëqeverisëse të shqiptarëve”. Kështu shprehej Noli pas Konferencës së Paqes në Paris. Jo vetëm nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen e copëtimit të Shqipërisë, por qëndrimi i prerë i Presidentit Willson u pasua nga dy nota, që ndaluan realisht copëtimin e Shqipërisë”. “Vatra” ishte me një delegacion në posaçëm në Paris. Historia nuk harron se një nga armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve të asaj periudhe, kryeministri grek, Venizellos, detyrohej të pohonte se: “…”Vatra” ma hoqi nga dora Vorio-Epirin”. Dhe historia vazhdonte… Në janar 1920, Franca dhe Anglia kishin rënë dakord që të zbatohej traktati i fshehtë i Londrës i 1915-tës. Nga kjo marrëveshje, trupat italiane prej 150 mijë ushtarësh nuk po largoheshin nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra e Durrësi, pavarësisht vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris, edhe pse në Shqipëri shumë gjëra kishin ndryshuar. Krisma e Luftës së Vlorës do dëgjohej në të gjitha kancelaritë e Perëndimit. ShBA -ja përsëri në krah të Shqiptarëve. Kush nuk e kujton amerikanin e famshëm që shkatërroi planet e Evropës dhe sidmos të Serbisë, Greqisë e Italisë për të eleminuar dhe fshirë nga harta shtetin shqiptar?. Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë i vetmi shtet në botë që denoncoi pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, ndërkohë që Evropa nuk e quajti as lajm këtë pushtim dhe ishte aq shunë e shurdhët përballë lajmit denoncues amerikan. Amerikanët nuk e lanë vetëm Shqipërinë e shqiptarët edhe gjatë luftës së Dytë Botërore, duke falur edhe gjakun e bijëve të saj për tokën e Shqiponjave. Bazuar në ligjin shqiptar nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” në pikën “gj” thuhet: “Shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve të ushtrive aleate në Luftën e Dytë Botërore, në ndihmë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, të cilët kanë humbur jetën brenda territorit të Shqipërisë”. Prandaj me të drejtë Komisioni Qeveritar shqiptar pranë Ministrisë së Mbrojtjes ish-ushtarakët amerikanë që ranë në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”: Toger Leo E. Tritschler; S/Sgt. Bertram Wgorman; T/5 Donald W. McKensie; Sgt. Arthur Shelton; Pvt. Dean P. Harston; Pvt. Coy Breeden; Pfc. Abraham M. Kalina; Pfc. Leland H. Alley; Pfc. Frank Wade; Pvt. Asbury Ball. Ata janë dëshmorë për lirinë e kombit shqiptar. Ishin amerikanët që shpëtuan nga thonjtë e Beogradit Kosovën e përgjakur. Mbështetja amerikane erdhi në kohën e duhur në pranimin në NATO, në njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mbështetjen drejt Europës etj., etj. Janë qindra rastet kur Amerika i është gjendur pranë Shqiptarëve, që në vorbullën dhe kompleksitetin e ngjarjeve botërore, miku i madh njihet në ditë të vështira. Dashuria shqiptare për SHBA është dhe do të ngelet solide, e përjetshme, prandaj me të drejtë çdo shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës me zemër thotë: “Faleminderit SHBA!”.