Fatmira Kamberi Malolli: Muzika bashkon popujt, thjeshtësia dhe shpirti i bukur janë vlerat e një artisti të vërtetë.
Intervistoi: Eneida Jaçaj/
Muzika është akti më i lartë hyjnor, arti dhe ushqimi i shpirtit, pasi ka fuqinë magjike ta çlirojë njeriun nga “demonët” dhe përmes tingujve të përcjellë dashuri, harmoni, paqe, gëzim, te secili nga ne. Muzika ka fuqinë të mbajë peshë shpirtin dhe e bën të flasë gjuhën e Perëndisë, pasi dhuron emocione pozitive, mirësi, begati, dhe bota bëhet akoma më e bukur, me plot ngjyra jete, larg dhunës, barbarizmave dhe çdo lloj negativiteti të mundshëm. Muzika ka lindur bashkë me njerëzimin, si një atribut i lartë kulturor, që kalon çdo formë dhe hapësirë, për të bashkuar kombet, popujt, racat e njerëzimit në Tokë, pa qenë e nevojshme të flitet një gjuhë e përbashkët.
Arti kapërcen çdo fushë të mendimit e krijimit, ripërtërin shpirtin dhe mendjen; sa më shumë njihet arti prej njerëzve, aq më shumë emancipohet shoqëria! Një thënie mjaft e bukur thotë: “Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e jetës së përditshme nga shpirtrat tanë”. Kur dëgjon muzikë, njeriu harron streset, mundimet, ndasitë, mëritë, dhe njëhsohet si një trup i vetëm me tingujt e saj, duke përjetuar parajsën e qetësisë dhe lumturisë.
Kjo parajsë gjendet më së miri te familja artiste me famë ndërkombëtare “Malolli”, pionierët e vërtetë të artit dhe muzikës, të cilët unë do t’i cilësoja ndryshe si “Perandoria e Artit të Vërtetë Profesional”. Familja “Malolli” interpretojnë kryevepra të muzikës klasike, perla të trashëgimisë kulturore botërore, por edhe muzikë moderne, duke dhënë koncerte në Amerikë dhe në Europë, që nga Frederik Chopin, Franz Doppler, Johan Straus, Johannes Brahms, Luigi Boçherini, Francesko Tosti, Ludvig Van Beethoven, etj. Për t’u njohur më shumë me artistët e familjes së nderuar “Malolli”, ata janë: Maestro Prof. Raimond Malolli, flautist virtuoz, lindur në Korçë, me famë ndërkombëtare, artist që i kalon të gjitha dimensionet, me punën e tij kërkuese dhe shumë të talentuar. Ai është student i profesorit të njohur, Gjovalin Shestani, i diplomuar në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Maestro Prof. Raimond Malolli është vlerësuar me Medaljen “Naim Frashëri”, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, një çmim i cili rrallë mund të jepej në atë kohë.
Kompozitorja, njëkohësisht pianiste e njohur, Mira-Fatmira Kamberi Malolli, lindur në Tiranë, një artiste me përmasa të mëdha, e cila flet ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, ka një repertor të pasur ku përfshin pjesë nga muzika paraklasike, klasike, barok, romantike, moderne dhe bashkëkohore. Mira-Fatmira Kamberi Malolli është vlerësuar me shumë çmime për piano dhe kompozime të shumta në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Çifti Malolli i përkasin gjeneratës së artistëve të vërtetë, muzikantë profesionistë, të cilët gëzojnë vlerësim dhe popullaritet të jashtëzakonshëm, jo vetëm në publikun shqiptar, por edhe atë të huaj, për shkak të punës së tyre serioze, që i ka ndihmuar të zhvillohen në fushën e tyre të muzikës. Përpos punës së përkushtuar dhe talentit, ata janë artistë me shpirt të bukur dhe human. Thjeshtësia është madhështia e një artisti profesionist, i cili qëndron me këmbë në tokë, dhe është mjaft kërkues ndaj vetvetes për të dhuruar emocione pa fund ndaj publikut. Çifti Malolli i përkasin elitës së qytetëruar, janë intelektualë të mirëfilltë, patriotë dhe mjaft modestë, edhe pse kanë shumë për t’u “mburrur”. Ajo që është akoma për t’u vlerësuar në performancën e tyre si artistë origjinalë, është se kanë arritur të ruajnë në çdo formë dhe përmbajtje kulturën shqiptare, duke e njëhsuar me kulturat e tjera. Artistja Fatmira ka interpretuar në piano pjesë muzikore me nota të folklorit shqiptar, duke bërë që kultura jonë shqiptare të njihet edhe në botë.
Ata kanë dy fëmijë të mrekullueshëm, një djalë dhe një vajzë, të cilët kanë ecur në gjurmët e prindërve të tyre, duke e dashuruar muzikën që në moshë të njomë. Marsel Malolli ka kryer studimet në Departamentin e Artit, për Communication Studies, në California State University, Northridge, në Los Angeles, California, është violonçelist, kryesisht i muzikës klasike, ka përformuar me shumë artistë të zhanreve të ndryshme muzikore, orkestra dhome dhe simfonike. Gjithashtu performon si solist në koncerte me prindërit e tij. Belina Malolli Larsen është pianiste, flautiste dhe në balet klasik-modern. Ajo ka kryer studimet në Departamentin e Artit, për Communication Studies, në California State University, Northridge, në Los Angeles, California.
-Një familje artistësh shqiptarë të talentuar dhe shumë profesionalë, që interpretojnë në një vend kaq të madh, me kultura të ndryshme, siç është Amerika! Është vërtet krenari për çdo shqiptar që dëgjon raste të tilla, në diasporë. Në këtë bisedë së bashku, po ju drejtohem juve znj.Mira, edhe pse ju, familjarisht, shfaqeni së bashku nëpër koncerte, duke sjellë kryesisht vepra klasike botërore dhe jo vetëm. Si keni arritur të qëndroni kaq fuqishëm mbi skenën ndërkombëtare, ku ia keni dalë të elektrizoni me muzikën tuaj, jo vetëm publikun shqiptar, por edhe atë amerikan?
Thjesht me punë dhe dedikim serioz në rritjen e vazhdueshme të nivelit profesional, sepse nuk është e lehtë të përballesh me publikun, dhe sidomos me publikun internacional të Amerikës, të çdo grupmoshe, ku secili prej tyre mund të jetë dikushi, në art apo në nivelin kulturor.
-Sa e vështirë ka qenë për ju të integroheni në një vend, me kultura të ndryshme, dhe cilat janë lehtësitë apo mangësitë për të interpretuar në Amerikë dhe Shqipëri?
Sinqerisht, integrimi në një vend me kultura të ndryshme, nuk është fushë me lule për askënd, sidomos për emigrantin. Por falë profesionit tonë, ne si familje artistësh, duket u integruam më lehtë, sepse muzika flet gjuhën e shpirtit, pa pasur nevojë për përkthyes dhe ndërmjetësues, pasi depërton direkt te tjetri, nëse është në nivel të mirë, si dhe falë komunikimit tonë, dashamirësisë sonë për të kontribuar me koncerte në institucione, shkolla dhe universitete, evenimente të rëndësishme; shumë nga këto edhe Gala apo koncerte humanitare, hapën shpejt dyert për ne këtu në Amerikë. Por vlen të theksoj se familja jonë udhëhiqet nga kryefamiljari model i saj, muzikanti i nivelit ndërkombëtar, flautistit virtuoz, Raimond Malolli, që me interpretimin e tij solistik magjeps publikun dhe vlerësohet nga kritikët për muzikalitetin, tingullin e ëmbël, brilant si dhe teknikën e lartë profesionale. Edhe pse ka dekada tashmë në karrierë skenike internacionale, dhe është në lartësinë e flautistëve të nivelit botëror, përsëri ai është mjaft kërkues dhe rigoroz sidomos ndaj vetes, me një modesti të rrallë që vetëm artistët e vërtetë e kanë.
Sa për lehtësitë apo mangësitë për të interpretuar në Shqipëri, kujtoj këtu se ne të dy, e, sidomos Raimondi, la gjurmë të thella në karrierën e tij solistike në ato dy dekada që debutoi intensivisht aty, një nga më të kërkuarit, më të preferuarit flautist që kompozitorët e shquar shqiptarë të asaj kohe kompozuan e i besuan atij veprat e tyre premierë. Ai është pasardhës i denjë i pedagogut të tij të mrekullueshëm, solistit të nderuar, Gjovalin Shestani. Raimondi është vlerësuar me shumë çmime, si dhe me Medaljen e lartë “Naim Frashëri”, që jo kushdo vlerësoheshe lehtë dikur atje. Gjithashtu, në fushën e pedagogjisë, ai ishte pedagogu i parë definitiv i Flautit dhe Muzikës së Dhomës në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve, që e bëri me devotshmëri për një kohë të gjatë derisa u largua nga atdheu. Ai është pedagogu, instrumentisti i parë që dha provimet postuniversitare (program i sapo hapur në Shqipëri).
-Familja artiste “Malolli” interpreton në shtete të Amerikës dhe në Europë, kryesisht kryevepra klasike të kompozitorëve më të shquar, perla të cilat janë pjesë e trashëgimisë botërore. Cilat janë ato kryevepra që ju do të veçonit, të cilat janë pjesë e pandashme e repertorit tuaj, dhe që pëlqehen më së shumti nga publiku?
Pyetje e bukur dhe e vështirë, por do e jap shkurt përgjigjen. Po, vërtetë repertori i koncerteve tona është i pasur me kryeveprat e kompozitorëve botërorë, por të veçuar ndër to, është si të pyesësh prindin: Kë fëmijë do më shumë? Dhe prindi përgjigjet: Të gjithë i dua njësoj!
-Për çdo artist është një nder i madh dhe vlerë e veçantë, të njëhsojë kulturën shqiptare me kultura të tjera të ndryshme, në një vend kaq gjithëperfshirës, siç është Amerika, duke ruajtur identitetin kombëtar në formë dhe përmbajtje, por duke promovuar muzikën dhe folkorin shqiptar në skena botërore. Ju keni interpretuar në piano pjesë muzikore të
kompozuara prej jush, me nota të folklorit shqiptar. Sa janë pëlqyer dhe duartrokitur perlat e muzikës popullore shqiptare nga publiku i huaj?
Mendoj se identiteti personal, është refleksion i identitetit kombëtar, te çdo individ. Pastaj, unë, si kompozitore e studiuar nga mjeshtrat e shkollës shqiptare dhe e ushqyer shpirtërisht nga muzika e pasur e kombit tim, e ndiej për nder dhe obligim moral, ta prezantoj zanafillën e origjinës sime, me krenarinë më maksimale duke e rradhitur atë në ajkën e kulturave të botës, me meritën e duhur që merr, kur dëgjohet me kërshëri dhe duartrokitet me ovacione nga artistë profesionistë dhe artëdashësit e huaj dhe të shumtë. Si në solo flaut, piano, cello, dhe aranxhimet e mija origjinale për kuartet dhe triot tona familjare, nga muzika e njohur dhe e bukur shqiptare, janë ato që bëjnë të na thonë shpesh të huajt: “Me ju, tani ne po njohim vendin tuaj, kulturën, temperamentin e kombit shqiptar”.
-Ju, keni interpretuar së bashku në shumë evenimente, si solistë dhe në grup. Çfarë emocionesh ndjeni kur interpretoni përkrah njëri-tjetrit, dhe sa ju ka ndihmuar të përballoni magjinë e skenës?
Pozitive është se kur luajmë familjarisht, në duo, trio, kuartet, ne, dhe pa u parë me njëri-tjetrin, ndiejmë frymëmarrjen e secilit, ndiejmë rrahjen e pulseve tona të njëhsuara në një të vetme dhe të përrbashkët. Është kjo një arsyje që ne përballojmë me sukses magjinë e skenës, por do shtoj se, të luash familjarisht është dhe e vështirë, pasi secili ka kapriçot e veta, si dhe të bashkëpunosh me mjeshtër si Raimondi, nuk është e lehtë, pasi, rigoroziteti dhe kërkesat e larta të interpretimit, janë motoja e tij.
-Fëmijët, djali dhe vajza juaj, Marsel Malolli, violoncelist, Belina Malolli – Larsen, pianiste, flautiste, dhe balerinë klasike-moerne, kanë ecur mbi hapat e prindërve të tyre. Dashuria e tyre për muzikën është e induktuar nga të dy prindërit, apo ka qenë totalisht zgjedhja e tyre?
Të lindesh dhe të rritesh nga dy prindër muzikantë, kur për ta muzika është ushqimi i shpirtit dhe ushqimi i tavolinës, dy fëmijët tanë nuk mund të mos indikoheshin nga ky ambient kulturor artistik. Realisht, ata e kanë brenda tyre në DNA artin, pasi i janë futur me dëshirë dhe përkushtim artit qysh në moshë të njomë e deri më sot, ndonëse të dy kanë kryer studimet universitare në USA, edhe në degë të tjera.
-Si artistë profesionalë, me aktivitete të jashtëzakonshme, keni dhënë edhe koncerte bamirësie. Kjo tregon se artistët kanë vërtet një shpirt të bukur dhe të ndjeshëm. A mund të na veçoni disa koncerte bamirësie?
Artisti e mban këtë titull me nder, nëse është njeri me këmbë në tokë, human me të tjerët, me gjithë shoqërinë njerëzore që e rrethon. Që të hamë, ne jemi të varur nga ata që prodhojnë bukën, ushqimin, por edhe ata vetë kanë nevojë të ushqehen shpirtërisht me muzikën e të tjerëve, pra, askush nuk është indipendent, të gjithë jemi të varur nga njëri-tjetri, në këtë botë të përbashkët që jetojmë.”Bëj gjëra të vogla, me dashuri të madhe”, thotë Nënë Tereza jonë, ndaj kjo është dhe botëkuptimi ynë familjar, ndihmo sa mundesh, me atë që mundesh, sipas mundësisë që ke. Kemi mjaft koncerte të tilla bamirësie që s’mund t’i kujtoj të gjitha, por ato që kanë ngelur në memorie si të veçantë, janë: Koncerti në ndihmë të një shkolle të re baleti në Temecula (afër San Diego); Kalifornia, për vënien në skenë të “Nutcracker” – Tchaikovsky; koncert me rastin e përvjetorit të parë të tragjedisë së 11 Shtatorit, 2001, New York; koncert në suport të organizatës “Mjaft” në Detroit, Michigan; koncert në suport të fondacionit të kancerit të gjirit “Susan G. Komen”; kemi suportuar për vite njerëzit në nevojë dhe të pastrehë krahas artistëve të tjerë të Holliwood, bashke me Sir. Anthony Hopkins; koncert në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të veshur në kuqezi, si flamuri ynë kombëtar, ku i ndjeri Z. Pjeter Prifti, vëllai i madh i Naum Priftit, ishte pjesëmarrës edhe aty, si në shumë koncertet tonat dhe që shkruajti një artikull mbreslënës në shqip dhe anglisht për gazetën Illyria në New York, dhe disa artikuj të tjerë për gazeta amerikane; koncert për 10 vjetorin e South East European Film Festival në Hollywood, CA; koncert për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Los Angeles, CA etj. Për çdo koncert të tillë, jemi vlerësuar me çmime të ndryshme dhe artikuj gazetash.
-A mendoni se i keni plotësuar pritshmëritë e publikut, apo shpirti krijues i artistit nuk ndalet kurrë?
Askush nuk duhet të pretendojë se ka arritur qiellin dhe majën e malit. Ushtrimi i këtij profesioni, marrja me muzikë, na ka ndihmuar e na ka dhënë forcë për të përballuar vështirësitë e ndryshme të dallgëve të oqeanit të jetës. Artisti jeton me artin e tij, deri në frymën e fundit të jetës, ashtu i thjeshtë dhe i dobishëm për publikun që i shumëpret të ndiejë, të marrë pozitivitetin dhe optimizmin që dhuron tingulli i muzikës së bukur.
-Cilat do të jenë projektet tuaja të ardhshme?
Janë disa projekte serioze, si masterimi i CD së fundit; koncert Masterclass në universitet; vazhdimi i Turneut të koncerteve tona për vitin 2023. Rëndësi ka të jemi mirë me shëndet, dhe t’ia lëmë kohës të flasë fjalën e fundit.