New York, 3 Shtator 2023- Marjan Cubi me familje, miq, veprimtarë të çështjes kombëtare e dashamirë organizoi për të gjashtin vit festën e Nënë Terezës, një traditë familjare dhe fetare në nderim të Shenjtores shqiptare. Në këtë festë familjarë, miq, vatranë dhe patriotë të dalluar bashkohen çdo vit në shenjë nderimi dhe respekti për figurën e Nënë Terezës, shembullin e saj, shërbimin që i dha botës dhe mbi të gjitha përfaqësimin e vlerave më të larta të kombit shqiptar. Një festë sa fetare por edhe patriotike që familja Cubi e organizon me fisnikëri e bujari çdo vit. Fjalën kryesore e mbajti kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili u ndal te figura e shenjtores shqiptare Nënë Tereza në lartësimin e kombit tonë, vlerësoi kontributin e Marjan Cubit për komunitetin, çështjen kombëtare, Kishën Katolike e Vatrën për 42 vite pa u ndalur dhe u fokusua te vazhdimësia e familjes Cubi në Vatër, ku Ilir Cubi vazhdon me dinjitet e krenari rrugën e babait të tij Marjan Cubit. Ilir Cubi e mbështet Vatrën që nga vitet 90-të. Në ditët e sotme është ndër protagonistët kryesorë që i shërben me pasion e devotshmëri Vatrës e Diellit. Kjo festë tradicionale komunitare ka rëndësi të veçantë pasi Nënë Tereza bën çdo shqiptar krenar me përkatësinë e saj kombëtare, me atë që i ofroi botës, me dashurinë e saj, përkushtimin e saj, përshpirtshmërinë e saj, devotshmërinë e saj dhe thjeshtësinë e saj. Nënë Tereza bashkon vlerat shqiptare me vlerat më të larta universale.