Sokol Paja/
Monografia “Fan Noli – Apostulli” e studiuesit Ilir Ikonomi është një vepër e shkëlqyer publicistiko-shkencore, ndër më seriozet e botuara në dekadën e fundit që i kushtohet Fan Stilian Nolit, një prej figurave më komplekse e më të rëndësishme të mërgatës shqiptare të Amerikës, letërsisë shqipe, kulturës, jetës fetare dhe politike shqiptare. Libri i parë i biografisë prej tre vëllimesh për Peshkopin Fan Noli i autorit Ilir Ikonomi ka vlera të gjithanshme historike, fetare, mediatike, kulturore, politike, patriotike, shkencore e shoqërore.
“Fan Noli – Apostulli” është një kryevepër publicistike e gazetarit Ikonomi që ka arritur të na sjellë pranë nesh një figurë kaq madhështore si Peshkop Noli në thjeshtësinë, mundimet, peripecitë, vuajtjet dhe sakrificat, arritjet dhe sukseset, dështimet, zhgënjimet dhe pengjet e Peshkopit. Monografia “Fan Noli – Apostulli” është një skaner në detaje historike që nga ardhja për herë të parë e Peshkop Nolit në New York më 31 maj 1906 deri në 21 korrik 1920 kur Imzot Noli u përcoll me mallëngjim nga Bostoni drejtë Shqipërisë.
Autori Ikonomi përshkruan me detaje të imtësishme rrugëtimin dhe veprimtarinë atdhetare, mediatike, fetare, politike e patriotike të një prej figurave më poliedrike të kombit shqiptar. Në libër autori ka skalitur shpirtin e Fan Nolit, ka depërtuar thellë në botën dhe qënien e personazhit. Në këtë botim paqyrohen me detaje arritje e fakte konkrete dhe me bindje mund të themi se patriotizmi, atdhetaria, gazetaria, përkthimi, poezia, filozofia, diplomacia, historia, politika dhe feja e fillim shekullit të kaluar në mërgatën e Amerikës e jo vetëm mbajnë emrin e Imzot Fan Nolit.
Në këtë studim serioz e dinjitoz pasqyrohen zhvillime shumë të rëndësishme në mërgatën shqiptare të Amerikës, veprimtarët kryesorë të shqiptarizmës, angazhimet komunitare, patriotike, politike e atdhetare të shqiptarëve të mërguar përtej Atlantikut. Monografia “Fan Noli – Apostulli” e studiuesit Ilir Ikonomi në vetvete përshkruan një përmbledhje të rrugëtimit diplomatik, patriotik, atdhetar, politik, fetar, mediatik e ku spikat veprimtaria diplomatike në Europë 2 vjet e 5 muaj për çështjen kombëtare. Libri trajton me detaje dhe personazhe konkrete me kontribute të shquara e të harruara, veprimtarinë fetare të Imzot Nolit, Autoqefalinë, Kishën Ruse, Kishën Ortodoske Shqiptare të Amerikës, protagonizmat dhe përplasjet me priftërinjve, botimet kishtare e përkthimet e kryeveprave botërore të letërsisë, arritjet akademike të Imzot Nolit në Harvard, botimet në gazetat amerikane, xhelozitë, smirën, intrigat dhe egoizmat allashqipatare të bashkëkohësve të Imzot Nolit, përplasjet, sherrnajat mes shqiptarëve etj.
Libri është i hapur dhe autori nuk fsheh asnjë nga ato ngjarje të kohës që rrëfehen në libër të cilat autori i paraqet me ftohtësi dhe korrektësi çdo episod duke ia lënë publikut gjykimin. Libri është një pasqyrë e shqiptarëve të Amerikës, të njëjtët sikur dhe sot pas 1 shekulli. Gjithashtu vend të veçantë në libër zë veprimtaria e Imzot Nolit në komunitetet shqiptare në Europë, letra e korrespondenca me personalitete diplomatike, shtetërore, politike e kombëtare, me veprimtarë të çështjes kombëtare në kolonitë shqiptare të mërgatës nëpër botë, aspiratat politike të Peshkop Nolit, depërtimi në qarqet politike gjatë vizitës në Shqipëri në momente të vështira historike për shtetin e kombin ku beteja kryesore ishte shpëtimi i Shqipërisë së jugut e njohja e pavarësisë së shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Monografia “Fan Noli – Apostulli” e studiuesit Ilir Ikonomi na njeh në detaje përgjatë përshkrimit të jetës e veprimtarisë së Peshkop Nolit me organizata patriotike, klube e shoqata të ndryshme atdhetare shqiptare në Amerikë si: “Mall’ i Mëmëdheut” , “Nderi Shqiptar”, “Besa Besën”, “Dallëndyshja”, “Partia Politike Kombëtare”, “Banda Vatra” etj. Gjithashtu kjo monografi kushtuar Peshkop Nolit na njeh me personalitete të shquara kulturore të mërgatës së Amerikës me kontribut, trashëgimi e gjurmë historike kombëtare në historinë e shtetit e kombit shqiptar si: Petro Nini Luarasi, Thanas Tashko, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Kristo Dako, Motrat Qiriazi, Faik Konica, George Konda, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Qerim Panariti, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Thoma Nashi etj.
Monografia “Fan Noli – Apostulli” e studiuesit Ilir Ikonomi na njeh me veprimtarinë publicistike, komunitare, politike e atdhetare të gazetave të kohës në mërgatën e Amerikës si: “Kombi”, “Albania”, “Dielli”, “Flamuri”, “Dielli e Flamuri”, “Trumbeta e Krujës”, “The Adriatic Review” etj.
Z.Ikonomi ka meritë të veçantë sepse nxjerr në pah aspekte pak të trajtuara më herët rreth Imzot Nolit, fakte pak të ditura publike, veprimtari e personazhe atdhetare që skanë marrë kurrë vlerësimin e kohës, studiuesve dhe të institucioneve të shtetit shqiptar. Në libër bie në sy shfrytëzimi i gjërë dhe i thellë i burimeve të shtypit të kohës, kujtimeve, veprimtarëve e bashkëkohësve të Imzot Nolit ku paraqiten ngjarje e hidhet dritë mbi të dhëna historike, politike, mediatike e diplomatike shumë interesante rreth figurës dhe veprimtarisë fetare, politike, diplomatike, atdhetare të At Nolit dhe bashkëveprimtarëve të tij.
Autori Ikonomi ka meritë të spikatur në pasqyrimin e shumë burimeve rreth çështjeve të caktuara në libër, analizon me saktësi historike dhe argumenton me realizëm ngjarje dhe episode ku Imzot Noli është protagonist i padiskutueshëm. Autori Ilir Ikonomi ka bërë një punë të madhe dhe shumë voluminoze, hulumtuese, përshkruese, dokumentare, duke arritur të na japë një vepër publicistiko – shkencore shumë dinjitoze, e cila është shkruar me një gjuhë të pastër, stil të pasur, terminologji korrekte, kulturë të gjërë e të thellë, informacion të imtësishëm, një gjuhë të qartë publicistiko-akademike, është e mbështetur gjërësisht në burimet autentike të cituara, argumentet që i serviren publikut dhe interpretimet që vijnë në mënyrë elegante përmes pjesëve të zgjedhura në citime, janë produkt i një pune shumë serioze kërkimore shkencore dhe shumë sistematike kushtuar udhëheqësit shqiptar të mërgatës së Amerikës Imzot Fan Noli.
Monografia “Fan Noli – Apostulli” e studiuesit Ilir Ikonomi është mbi të gjitha një kontribut historik jo vetëm për mërgatën e Amerikës e mbarë kulturën shqiptare por mbi të gjitha Federatën “Vatra” dhe gazetën “Dielli” ku libri tregon detaje historike e të hollësishme rreth themelimit, personazheve kryesore, veprimtarive dhe ngjarjeve që i dhanë jetë “Vatrës”, “Diellit” e shqiptarëve të Amerikës.