

New York, 9 prill 2025 – Në emër të Federatës Panshqiptare “VATRA”, themeluar më 1912 nga rilindësit e shquar të kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në frymën e një misioni të pandërprerë shekullor për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e kombit tonë, ndan Çmimin dhe Medaljen e Artë të Lirisë për luftëtarët e Betejës së Koshares – përfaqësues të pavdekshëm të qëndresës shqiptare dhe flamurtarë të historisë më të lavdishme të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
Kjo betejë, e zhvilluar në pranverën e vitit 1999, nuk ishte vetëm përballje ushtarake në kufirin famëkeq që ndau shqiptarët – ajo qe përpëlitja titanike e një kombi të gjymtuar, që në mes të flakëve të luftës dhe gjakut, vendosi të ribëjë vetveten. Kosharja nuk ishte vetëm betejë; ishte vetë ringjallja e shqiptarisë në një tokë të djegur për dekada nga shtypja serbe. Ishte porta e çarë me gjak në murin e hekurt të robërisë, e ndërtuar nga trimëria e luftëtarëve që i thanë historisë: “Nuk ka më kthim pas!”
Luftëtarët e Koshares nuk ishin thjesht ushtarë, por bij të një ideali që lindi nga plagët e padrejtësive historike që rëndojnë kombin dhe u rrit me madhështinë e Gjergj Kastriotit. Ata nuk komandonin nga zyrat, por nga vijat e frontit, shtigjet e luftës dhe barrikadat e gjakut. Ishin djem të fshatit, qytetit, mërgatës, luftëtarëve nga popuj liridashës dhe tërë atdheut, që përkrah NATO-s dhe në aleancë me SHBA-në, shkruan një epikë të re shqiptare për lirinë e Kosovës.
Federata “VATRA”, me ndërgjegjen e saj historike e kombëtare, me Medaljen e Artë të Lirisë, i nderon dëshmorët dhe luftëtarët e Koshares si shpirtin e pathyeshëm të kombit, si themeltarët e lirisë së Kosovës dhe si urë të përjetshme të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të lirë, demokratik dhe sovran.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Betejës së Koshares!
Nderim i përjetshëm të mbijetuarve të saj!
Krenari e përbashkët e kombit shqiptar në çdo cep të botës!
Me respekt dhe krenari të veçantë
Dr. Elmi Berisha