AKADEMIK BEQIR META/
“Vatra” ka mbajtur një qëndrim herë-herë kritik dhe herë-herë mbështetës ndaj Ismail Qemalit dhe qeverisë që ai kryesonte. Mendojmë se përgjithësisht ky qëndrim buronte nga vizioni dhe dëshirat e nacionalistëve shqiptarë që drejtonin “Vatrën” për të parë Shqipërinë me një vetëqeverim të sigurt, me një shtet modern dhe të fuqishëm. Por ky vizion dhe këto dëshira në shumë drejtime binin ndesh me mundësitë dhe me realitetin e kohës. Gjithashtu kanë ndikuar edhe raportet personale të drejtuesve të “Vatrës” ndaj I. Qemalit, si dhe interesat e ngushta të tyre.Ndërsa shprehte falënderimet dhe miratimin e saj për aktin e Shpalljes së Pavarësisë, gazeta “Dielli” nuk linte pa kritikuar mënyrën se si shkoi në Vlorë I. Qemali, “me qerre, me çiliminj si nomadët e Azisë”, duke theksuar se ai duhej të shkonte atje si politikanët e Evropës, për të mos u lënë shteg armiqve të përfjalosnin kombin.
VATRA NË PËRKRAHJE TË QEVERISË SË PARË KOMBËTARE
Sidoqoftë, predispozicioni i “Vatrës” ishte që të përkrahte me sa mundej qeverinë e parë kombëtare dhe të ndikonte në zhvillimin e ngjarjeve në përputhje me projektet e saj. Për këtë arsye, ajo dërgoi kryetarin e saj në Evropë dhe në Shqipëri, i cili u ngarkua të parashtronte “përpara mbledhjes së kombit dhe njerëzve politikë ca mendime për të zgjedhurit e një dere mbretërore për fronin e Shqipërisë dhe për të themeluarit e konstitucjes” , me fjalë të tjera të parashtronte platformën politike të “Vatrës” për zhvillimet e mëtejshme politike në Shqipëri. Kjo u vendos në një mbledhje të të gjitha degëve të Federatës më 8 dhjetor të vitit 1912. Por Faik Konica nuk kontribuoi siç duhej në bashkëpunimin e dëshiruar midis emigracionit shqiptar në Amerikë dhe Qeverisë së I. Qemalit, që ishte i mundur dhe i domosdoshëm për interesat e kombit. Një ofertë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Përkohshme ia bëri edhe Noli I. Qemalit, por ajo mbeti pa përgjigje . Ndoshta kritikat e mëparshme të Nolit ndaj I. Qemalit kanë ndikuar në mos afrimin e tij në administratën e Vlorës.Në fillim “Vatra” përshëndeti afrimin e Qeverisë së Vlorës me Esat Toptanin në korrik të vitit 1913 dhe “gjestin fisnik” të Ismail Qemalit që thirri në përbërje të qeverisë së tij Esat Toptanin dhe Azis Vrionin. Këtë qëndrim ajo e vlerësonte si një akt që hidhte poshtë pretendimet e armiqve të Shqipërisë, se gjoja Qeveria e Përkohshme nuk përfaqëson gjithë Shqipërinë . Veçanërisht u vlerësua lart gjesti patriotik i Mithat Frashërit që la postin e tij për t’i hapur rrugë këtij kompromisi. Qëndrimi mospërfillës i Konferencës së Ambasadorëve ndaj Qeverisë së Vlorës, të cilën nuk pranoi ta njihte si një administratë shtetërore në shkallë kombëtare, ishte sinjali që disa elementë karrieristë të fillonin aktivitetin e tyre përçarës kundrejt saj. Ndër ta shquheshin Esat Toptani, Myfit Libohova dhe Faik Konica, i cili u gjend në krye të përpjekjeve për formimin e një partie antiqeveritare dhe për rrëzimin e Qeverisë së Vlorës. Këtë e pohonte dhe zëvendëskonsulli austro-hungarez, Pollanc, i cili theksonte se kishte mësuar prej F. Konicës, se ai dhe Toptanasit do ta rrëzojnë Ismail Qemalin dhe duan të bindin Esat Pashën për formimin e një qeverie të re .Madje F. Konica ishte në krye të grupit të caktuar nga Esati, i cili më 1-2 gusht 1913, i parashtroi I. Qemalit një program reformash administrative dhe kërkoi ndryshime në kabinetin e tij. Ai së bashku me Dervish Himën e kritikonin I. Qemalin kryesisht për nepotizëm, e konsideronin një veprim ilegal të tij dhënien e koncesioneve dhe sidomos qëllimin për të shitur pasuritë vakëfnore në Myzeqe. Ndërsa më 12 tetor, kur u krijua Pleqësia e Shqipërisë së Mesme, tashmë kundërshtare dhe rivale e hapur e qeverisë së I. Qemalit, Faik Konica ishte hartuesi i programit të saj. Është i dyshimtë shkaku i këtij qëndrimi të Faik Konicës. Nuk na duket i argumentuar pohimi që është shprehur më parë, se ky qëndrim ishte i shtyrë nga motive klasore, nga pozicioni kundër bejlerëve që po merrte qeveria e Vlorës . Lidhur me arsyet e këtij qëndrimi të F. Konicës, Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij thotë se, ai ishte një austrofil dhe nuk i pëlqente politika e ekuilibruar që ndiqte I. Qemali ndaj Austro-Hungarisë dhe Italisë, madje ai e nxiti më tepër pakënaqësinë e Vjenës ndaj I. Qemalit .
QËNDRIMI I FAIK KONICËS NDAJ QEVERISË SË ISMAIL QEMALIT
Ne mendojmë se F. Konica u shty në këto veprime nga këto arsye kryesore: 1 – Nga njëfarë pakënaqësie që ishte krijuar ndaj I. Qemalit, për arsye të disa veprimeve politike të tij, si çështja e Bankës Kombëtare etj. 2 – Në atë kohë nuk ishin shpalosur ende hapur qëllimet dhe veprimtaria e E. Toptanit. Madje, ai njihej si mbrojtësi misterioz i Shkodrës. 3 – F. Konica bashkë me Nolin ushqenin pakënaqësi të vjetra nga qëndrimet e mëparshme politike të I. Qemalit, të cilat ishin shfaqur edhe gjatë Kryengritjes Shqiptare të verës së vitit 1912 etj. 4- Ka ndikuar edhe qëndrimi kundërshtues i vëllait të tij Mehmet Konicës, anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, i cili kundërshtonte linjën e politikës së jashtme dhe mënyrën autoritare të qeverisjes së I. Qemalit .Sido që të jetë, ky qëndrim i Konicës ishte një goditje për Qeverinë e Përkohshme dhe I. Qemalin dhe komprometoi mjaft orvatjet për ta forcuar pozitën e Qeverisë së Vlorës. Ky veprim ishte i dëmshëm, pasi shembullin e Konicës e ndoqën edhe patriotë të tjerë, të cilët të mashtruar edhe nga demagogjia e Esat Pashës u larguan nga Vlora për në Durrës. Gabimi i F. Konicës u pasua më tej nga “Dielli”, i cili arriti deri atje sa për një çast të përshëndeste krijimin e Qeverisë së E. Toptanit në Durrës dhe të vlerësonte pozitivisht deklaratat e saj se “nuk do të njihte aktivitetin e Qeverisë Provizore të Vlorës”. Megjithëse shfaqte rezerva për kryesimin e kësaj qeverie prej Esatit, i cili e bënte të dyshimtë qëndrimin e saj, organi zyrtar i “Vatrës” nuk ngurronte të shprehej se: “duhej përkrahur kjo qeveri qendrore që t’u bëjë ballë atyre që duan ta përdorin atdheun si çiflig të tyre” . Në gusht 1913 kur vazhdonte jehona e pajtimit midis I. Qemalit dhe E. Toptanit dhe kur tashmë ky i fundit ishte bërë anëtar i Qeverisë së Vlorës, “Vatra” propagandonte se e dëshironte së tepërmi suksesin e Qeverisë së I. Qemalit dhe e vlerësonte atë si një premisë jetike për të ardhmen e Shqipërisë. Një qeveri të suksesshme të Shqipërisë ajo e vlerësonte si një mundësi për të zbatuar planin austro-italian, d.m.th. të zgjidhej Princi i Shqipërisë dhe ajo të mbetej krejt e lirë. Në rast të kundërt, do të zbatohej projekti i Francës që Shqipëria të qeverisej për 10-15 vjet nga një Komision Evropian, gjersa shqiptarëve t’u jepeshin në dorë punët e drejtimit të shtetit. Projekti i fundit konsiderohej shumë i disfavorshëm për të ardhmen e Shqipërisë, sepse jo vetëm që e shtynte për një kohë të gjatë formimin e një shteti kombëtar shqiptar, por në kushtet e mbizotërimit të feudalëve në Shqipëri, ai cilësohej i rrezikshëm , pasi në qeverisjen e vendit do të vinin kryesisht feudalët kozmopolitë dhe egoistë e do të mënjanoheshin intelektualët nacionalistë që ishin aktivistët më të shquar të çështjes kombëtare.
QËNDRIMI I VATRËS NDAJ ESAT PASHË TOPTANIT
Në fillim të tetorit 1913, ndërsa konflikti midis I. Qemalit dhe E. Toptanit po thellohej, qëndrimi i “Vatrës” ndryshoi lidhur me këtë çështje. Ajo i sugjeronte Qeverisë së Vlorës të mbante një “qëndrim më të ashpër kundrejt këtij tradhtari (E. Toptanit), që të ndërpriste një orë e më parë këto lodra që bëhen në kurriz të Shqipërisë” . Më tej, në nëntor të vitit 1913, edhe Faik Konica u nda nga Esat Toptani, pasi e kuptoi nga afër rrezikun që paraqiste politika e tij për interesat e vendit . Nga kjo kohë “Dielli” filloi t’i bënte jehonë ndjekjes së një “politike të re”, e cila në ndryshim nga qëndrimet e mëparshme të subjekteve të ndryshme në Lëvizjen Kombëtare që orientoheshin drejt fuqive të caktuara, të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, duhej të kishte një orientim të pavarur. Një ndër përkrahësit kryesorë të këtij qëndrimi të ri ishte Fan Noli, i cili në fund të vitit 1913, shprehej kundër praktikës së partive (tarafeve) që ishin lidhur me të huajt dhe përkrahte propozimin e tij për krijimin e një partie kombëtare, e cila të mobilizonte gjithë atdhetarët e vërtetë. “Dielli” u bënte thirrje patriotëve të mos merrnin pjesë në asnjërin nga grupimet politike që ishin krijuar në Shqipëri. Udhëheqësit e “Vatrës” këtu kishin parasysh dy grupet kundërshtare që ishin krijuar në Shqipëri: Qeverinë e I. Qemalit dhe përkrahësit e saj nga njëra anë, dhe Esat Toptanin e pasuesit e tij, nga ana tjetër. Por me këtë ai nuk nënkuptonte qëndrimin pasiv ndaj tyre. Organizimin e Partisë Kombëtare, “Vatra” e konsideronte si një domosdoshmëri “për të thyer fuqinë e hipokritëve dhe aventurierëve, e cila bashkë me popullin të dilte përpara si një shkëmb që qëndron në mes të valëve të detit . Pra, ajo kërkonte të dilte si një forcë e tretë në arenën politike shqiptare. Këtë luftë ajo e konsideronte si mjetin më efikas për të përballuar efektet negative të politikës së fuqive të huaja në Shqipëri.“Vatra” e vlerësoi përgjithësisht pozitivisht politikën e jashtme të Qeverisë së I. Qemalit dhe në shumë drejtime e mbështeti atë. Në mënyrë të veçantë, ajo përshëndeti politikën e tij ndaj Serbisë, duke e vlerësuar atë “si një politikë të hollë që përshkohej nga një atdhesi e patreguar”. “Dielli” i bëri jehonë qëndrimit të I. Qemalit ndaj kryengritjes së shqiptarëve kundër serbëve në viset e pushtuara dhe mospërfshirjen e saj në konfliktin me serbët. “Në këto çaste, – shkruante “Dielli” – I. Qemali u tregua burrë i madh shteti kur përballoi këtë ngjarje nga njëra anë dhe tradhtinë e E. Toptanit nga ana tjetër” .
“VATRA” MBËSHTETI PIKËPAMJEN E ISMAIL QEMALIT QË SHQIPËRIA TË KISHTE NJË MBRET ANGLEZ PROTESTANT
“Vatra” mbështeti edhe pikëpamjen e I. Qemalit që Shqipëria të kishte një mbret anglez protestant . Por disa aspekte të politikës së jashtme të I. Qemalit u bënë objekt i kritikave të ashpra nga ana e “Vatrës”, madje jo vetëm gjatë viteve 1913-1914, por edhe shumë vite më pas. Në fokusin e këtyre kritikave qëndron, në radhë të parë, vizita që filloi I. Qemali më 30 mars 1913 në Romë, Vjenë, Paris dhe në Londër, sidomos deklaratat e tij në lidhje me kufijtë jugorë të Shqipërisë. Ndoshta si bazë e këtyre kritikave kanë shërbyer divergjencat e I. Qemalit me Mit’hat Frashërin, i cili në ditarin e tij të botuar në “Kalendarin e Vatrës”, thekson se I. Qemali kishte për mision të përpiqej për rektifikimin e kufijve veriorë që ishin vendosur përfundimisht prej Konferencës së Londrës dhe jo për kufijtë jugorë, të cilët ishin akoma në diskutim . “Vatra” ishte e shqetësuar ngaqë ky qëndrim i I. Qemalit u shfrytëzua nga shtypi grek, i cili botoi edhe një “marrëveshje” të mëparshme të qeverisë greke me I. Qemalin, sipas së cilës “tërë Toskëria njihej si vend grek” .E vërteta është se I. Qemali u përpoq për mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut nga synimet aneksioniste greke, duke organizuar dhe qëndresën e armatosur, por me sa duket, udhëheqësve të “Vatrës” nuk u pëlqeu tërheqja e I. Qemalit gjatë vizitës në Itali, nga kërkesa për të përfshirë brenda kufijve shqiptarë Janinën .Një nga problemet që shkaktoi reagimin e ashpër të “Vatrës” ishte çështja e komplotit të Beqir Grebenesë. I. Qemali u kritikua se bashkëpunoi me të për të sjellë Izet Pashën si mbret të Shqipërisë për t’iu kundërvënë Esatit . Të dëshpëruar nga pasojat që pati kjo ngjarje, drejtuesit e “Vatrës” i shtuan kritikat ndaj I. Qemalit ,dhe dorëheqjen e tij ata e konsideruan si një provë të përzierjes së tij në komplotin e B. Grebenesë .Udhëheqësit e “Vatrës” pretendonin nga Qeveria e Vlorës që të bënte një politikë krejt të pavarur, por në kushtet e asaj kohe, kjo ishte e pamundur, prandaj politika e jashtme e Ismail Qemalit është konsideruar e zgjuar dhe në dobi të interesave kombëtare. Ajo bazohej në shfrytëzimin e rivalitetit të Fuqive të Mëdha në Shqipëri, kryesisht të rivalitetit të papajtueshëm austro-italian për t’i siguruar njëherazi mbështetje dhe asnjanësi shtetit të ri shqiptar. Mirëpo “Vatra” e shikonte me dyshim Qeverinë e Ismail Qemalit dhe shpresonte se Shqipërinë do ta vendoste në rrugën e rregullit dhe të zhvillimit Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe oficerët holandezë , të cilët madje shiheshin si një faktor që do të realizonte bashkimin e shqiptarëve. Shpejt edhe në këtë drejtim ata do të deziluzionoheshin. Ngjarjet që rrodhën më pas, anarkia dhe kaosi që mbuluan Shqipërinë në vitet e qeverisjes së KNK dhe të princ Vidit dëshmuan se çfarë rezultati jepte, në atë kohë, ndërhyrja e një ose disa fuqive të huaja në jetën e një kombi.“Vatra” kritikoi sidomos politikën ekonomike të Qeverisë së Vlorës. Reagimi i saj u bë më i dukshëm aty nga vjeshta e vitit 1913. Lajmet për dhënien e koncesionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë një sindikati austro-italian shkaktuan shqetësim të madh, ashtu si në shumë qarqe patriotike, edhe në emigracionin shqiptar të Amerikës. “Vatra” e dënoi menjëherë këtë projekt, duke e vlerësuar atë si një rrezik të madh për Shqipërinë. Shprehej shqetësimi se kjo bankë, që do të zotërohej nga të huajt, do të blinte tokat e Shqipërisë .
VATRA DHE ÇËSHTJA E BANKËS NACIONALE
Duke marrë për shembull negativ Bankën Otomane që dominohej nga kapitali i huaj, “Vatra” kërkonte një bankë me aksione shqiptare, të cilën ta drejtonin specialistë të huaj . Përveç kësaj, ajo e konsideronte Qeverinë e Vlorës jokompetente nga pikëpamja ligjore për të vendosur përfundimisht për një çështje të tillë. “Dielli” shprehej se “Çështja e Bankës Nacionale është një nga pikat më me rëndësi për jetën dhe gjallësinë e një kombi dhe për këtë kombi lipset të mendohet shumë” . Për këtë arsye, në rrethet patriotike shqiptare të Amerikës mbizotëronte mendimi se vendimin mbi këtë çështje kishte të drejtë ta merrte Parlamenti Shqiptar dhe Princi.Në janar të vitit 1914 si zgjidhja më oportune dhe “më pak e dëmshme” paraqitej ndërkombëtarizimi i Bankës së Shqipërisë, me të cilin nënkuptohej krijimi i kapitalit të saj themelor prej kapitaleve të Fuqive të Mëdha në mënyrë proporcionale .Pikëpamjet e “Vatrës” përshkoheshin nga fryma e mbrojtjes së interesave kombëtare. Por, duhet pasur parasysh edhe realiteti i asaj kohe, kushtet ekonomike, politike dhe shoqërore të Shqipërisë, pozita e vështirë në të cilën gjendej Qeveria e Vlorës, situata e pastabilizuar në Shqipëri, tensioni i madh në marrëdhëniet e atëhershme ndërkombëtare. Këtë e provuan ngjarjet e mëvonshme të vitit 1914, kur Fuqitë e Mëdha iu shmangën obligimit për t’i dhënë qeverisë shqiptare fondet e premtuara, kur doli qartë se marrëveshja e tyre në Londër shikohej më tepër si e përkohshme, vetëm për të shtyrë stuhinë që po afrohej. Madje, ky qe dhe shkaku kryesor që nuk mori jetë as projekti i I. Qemalit për Bankën.Nga ana tjetër, duhet pohuar se projekti i I. Qemalit, ndonëse mbështetej në logjikën e përvojës së deriatëhershme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, mbartte në vetvete shumë rreziqe, të cilat me të drejtë i analizonte “Vatra”. Duke e ditur se fuqitë e tjera nuk do të ishin të interesuara t’i jepnin një ndihmë Shqipërisë, Ismail Qemali u përpoq të mbështetej në dy Fuqitë e Adriatikut, të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, çka përbënte një mundësi reale që ato të pranonin të vinin në jetë projektin e Qeverisë së Vlorës. Përveç kësaj, Italia dhe Austro-Hungaria deri atëherë përpiqeshin me vendosmëri të ruanin ekuilibrin e interesave të tyre në këtë vend. Ky fakt me siguri është peshuar mirë nga I. Qemali dhe është vlerësuar me guxim prej tij, si një faktor që nuk do të lejonte mbizotërimin absolut të asnjërës palë në ekonominë, në financat dhe në pavarësinë e shtetit shqiptar.
“VATRA” U RRESHTUA NË KRAHUN E NACIONALISTËVE RADIKALË
“Vatra” u rreshtua në krahun e nacionalistëve radikalë, të cilët e konsideruan Qeverinë e I. Qemalit si një qeveri konservatore. Udhëheqësit e “Vatrës” nuk arritën të kuptonin se shteti dhe vetë Shqipëria nuk mund të reformoheshin brenda një dite. Shumë kritika kishte në artikujt e “Diellit” për mbajtjen e nëpunësve të vjetër nga administrata e re e shtetit shqiptar dhe për përdorimin e gjuhës turke në administratën shqiptare. “Vatra” ishte tepër e ndjeshme dhe e shqetësuar nga përpjekjet e disa nëpunësve të ish-administratës turke për të infiltruar në administratën e re kombëtare dhe ata, në disa raste, kishin arritur t’i imponoheshin Qeverisë së Vlorës. Këtë fakt e pranonte edhe organi zyrtar i Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqypnies” . Por, duke mos e njohur mirë situatën, shtypi i “Vatrës” bëri kritika të ekzagjeruara. Pozicioni i gabuar i saj duket edhe më tepër në kritikat lidhur me mospërdorimin me konsekuencë të shqipes si gjuhë zyrtare nga administrata e Vlorës. Qeveria e Përkohshme e Vlorës e shpalli njohjen dhe përdorimin e gjuhës amtare me shkrim e këndim , si një kusht të domosdoshëm për emërimin e nëpunësve në çdo degë të administratës. Por edhe ky kriter kishte vështirësitë e veta të zbatimit, të cilat buronin nga arsye objektive dhe ajo u detyrua të bënte lëshime në disa raste gjatë zbatimit të këtij vendimi. “Vatra” nuk arrinte të dallonte këtu perspektivën nga vështirësitë e fillimit.Në disa aspekte të tjera “Dielli” e përkrahu politikën e brendshme të Qeverisë së Vlorës, si p.sh. përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet modern dhe për ta afruar Shqipërinë me qytetërimin evropian. U lavdërua puna e Kristo Floqit, i cili përktheu në shqip kodin penal dhe procedurën penale civile të Italisë, duke e vlerësuar këtë si një hap drejt largimit nga kodet turke dhe futjen e metodave moderne në qeverisjen e vendit .
“VATRA” U SHPREH KUNDËR KLASËS SË VJETËR POLITIKE TË SHQIPËRISË
Përgjithësisht “Vatra” u shpreh si një kundërshtare e fortë e klasës së vjetër politike të Shqipërisë dhe e metodave të saj të qeverisjes. Ajo e grishi vazhdimisht Qeverinë e Ismail Qemalit të hiqte dorë nga kjo klasë dhe të mbështetej në forcat e reja që po afirmoheshin, në intelektualët nacionalistë dhe në popull . “Vatra” i kërkonte Qeverisë të mos njihte privilegjet e bejlerëve dhe pashallarëve, por t’i konsideronte ata si gjithë qytetarët e tjerë të shtetit shqiptar. Ajo insistonte që Qeveria të përdorte forcën kundër tendencave separatiste të disa krerëve bejlerë e çifligarë dhe t’i detyronte të respektonin vendimet e saj. Vetëm kështu ajo do të fitonte mbështetjen e gjithë popullit shqiptar dhe të nacionalistëve, të cilët dëshironin një Shqipëri evropiane të bashkuar. Intelektualët shqiptarë në Amerikë i ofruan ndihmën e tyre I. Qemalit, për të zbatuar një program efektiv në eliminimin e dasive krahinore e fetare, të cilin e shihnin si një nga drejtimet kryesore të politikës së brendshme, pasi këtë fenomen ata me të drejtë e vlerësonin si një rrezik për përparimin e vendit dhe unitetin kombëtar. Ata kishin një koncept të avancuar për marrëdhëniet e fesë me shtetin, i cili veçanërisht në kushtet e Shqipërisë, ku ekzistonin tri besime fetare, ishte shumë i përshtatshëm. “Dielli” propagandonte ndarjen e fesë nga shteti, madje e avanconte më tej këtë pikëpamje, duke kërkuar ndarjen e fesë nga sistemi shkollor shtetëror. Heqja e mësimit të fesë nga shkollat shtetërore vlerësohej si një akt që do ta shpëtonte Shqipërinë nga shumë ngatërresa të mëdha . Ky koncept nuk frymëzohej aq nga motivet sociale se sa nga interesat kombëtare, nga nevojat e krijimit dhe të konsolidimit të bashkëjetesës së qetë e koherente kombëtare midis popullsisë së besimeve të ndryshme.
IDETË E “VATRËS” PËR NJË SHTET MODERN
Idetë e “Vatrës” për një shtet modern shtjellohen në thirrjet e vazhdueshme që ajo i bënte I. Qemalit për domosdoshmërinë e rekrutimit të organizatorëve evropianë në administratën shqiptare , për të vendosur në Shqipëri respektin e plotë për ligjin dhe për të zhdukur normat e vjetra të qeverisjes. Më të rëndësishme ajo konsideronte eliminimin e gjakmarrjes, zbatimin e një sistemi tatimor kombëtar dhe çarmatosjen e popullsisë . Menjëherë, sapo të botohej harta e Shqipërisë së re, “Vatra” kërkonte prej qeverisë të organizonte zgjedhjet për parlamentin e parë shqiptar që do të themelonte kushtetutën, e cila shihej si një instrument për afrimin, bashkimin dhe njësimin e kombit.“Vatra” me të drejtë reagoi ashpër ndaj disa mendimeve të I. Qemalit për ndarjen e Shqipërisë në tri kantone. “Dielli” botoi shumë artikuj, të cilët e kundërshtonin me argumente këtë pikëpamje. Ajo paralajmëronte për pasojat negative që do të kishte zbatimi i këtij projekti. Ndër to, ajo nënvizonte thellimin e dasive krahinore, forcimin e tendencave fetare mbi përkatësinë kombëtare, fuqizimin e pozitave të krerëve reaksionarë turkomanë e grekomanë, thellimin e destabilizimit të vendit, i cili do ta bënte më të lehtë copëtimin e Shqipërisë prej shteteve fqinje. “Vatra” argumentoi se në Shqipëri, sistemi i kantoneve nuk mund të kishte suksesin e Zvicrës, pasi Shqipëria ndodhej në rrethana të tjera gjeopolitike e historike. Kombi shqiptar ishte një dhe i pandarë, ndonëse kishte një tjetër shkallë zhvillimi të ndërgjegjes politike e kulturore dhe nuk kishte ende përvojën e duhur të një shteti kombëtar, ai sapo zgjohej nga tirania shekullore . Për këto arsye, në rrethanat e atëhershme, si zgjidhje e përshtatshme konsiderohej krijimi i Mbretërisë Shqiptare dhe bashkimi i të gjitha forcave patriotike rreth mbretit. Çdo zgjidhje tjetër mendohej se mbartte me vete rrezikun e shkatërrimit të kombit shqiptar nga fqinjët që i rrinin si çekan mbi kokë.Nga sa parashtruam më lart, mund të konkludojmë se “Vatra” nuk i dha mbështetjen e duhur politike Qeverisë së Vlorës, nuk e propagandoi siç duhej atë dhe politikën e saj kombëtare. Kryesisht, për shkak të qëndrimit të gabuar të udhëheqësve të saj, ajo nuk arriti të vendoste lidhje të ngushta me Qeverinë e Vlorës dhe nuk bëri sa duhej për të organizuar emigracionin shqiptar të Amerikës, për të ndihmuar qoftë dhe ekonomikisht qeverinë e re, e cila i kishte shumë të kufizuara burimet financiare. “Vatra” është kritikuar për këto të meta edhe në shtypin e kohës.Ndonëse disa kritika ishin të drejta, pjesa më e madhe e tyre ishin jo të sakta dhe pa sens realist. Një pjesë të këtyre qëndrimeve të gabuara i kanë pranuar më vonë edhe vetë drejtuesit e “Vatrës”. Kritikat që iu bënë Ismail Qemalit, sidoqoftë nuk mundën të errësonin figurën e tij në opinionin shqiptar të Amerikës. Më vonë “Dielli” ka vënë në pah gjeninë e këtij njeriu liberal me pikëpamje reformatore të qytetërimit evropian dhe e ka cilësuar atë një demokrat të flaktë, i cili fitoi simpati të thellë në popull. Ai vlerësohej për qëndresën e tij ndaj disa feudalëve të pasur, për qëndrimin e tij në parlamentin turk pas shpalljes së Kushtetutës së vitit 1908, dhe mbi të gjitha për meritën e tij në ngritjen e flamurit kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë, veprim që, siç shprehej “Dielli”, e bëri Ismail Qemalin “të pavdekshëm në historinë tonë kombëtare” .