
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, gazeta “Dielli”, mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me mirënjohje, nderim, respekt dhe vlerësim Dalip Grecën editorin epokal të gazetës Dielli 2009-2021 në 3 vjetorin e kalimit në amshim.
Kontributi i Dalip Grecës në Federatën “Vatra”, gazetën “Dielli” dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet i pa harruar. Ai luftoi dhe punoi gjithmonë për të mirën, për të vërtetën dhe për të drejtën.
Për mbi dy dekada ai ishte zëri i fortë mediatik e patriotik, kritik e analitik i pa kompromis, arsyeja e fuqishme intelektuale dhe energjia e pashtershme atdhetare në shërbim të çështjes kombëtare.
Penë e mprehtë, vëzhgues i veçantë, patriot e veprimtar i shquar, vatran i përkushtuar, aktivist i flaktë i çështjes kombëtare e kauzave që mbrojti besnikërisht, e skalisin emrin e Dalip Grecës me gërma të arta në historinë e “Vatrës”, “Diellit” e shqiptarëve të Amerikës.
Z.Greca kultivoi një gazetari profesionale e shumë cilësore dhe të veçantë në përmbajtje, zhanrin mediatik të gazetarisë dokumentare, historike e reportazhet e gjata.
Z. Greca si kronikan u kthye në arkivin dhe memorien e paharruar të të gjitha ngjarjeve patriotike, kulturore, sociale, komunitare dhe atdhetare të diasporës shqiptaro-amerikane.
Dalip Greca si gazetar ka meritë të veçantë se nxori nga pluhuri i harresës në dritën e kujtesës figura historike dhe atdhetare të Vatrës, Diellit e diasporës shqiptaro-amerikane.
Dalip Greca ishte ekselent në lëvrimin e gjuhës shqipe, kritik i ashpër ndaj së keqes, vizionar, bashkëpunues dhe menaxher i shkëlqyer.
Për kontributin e shquar në media, karrierën e gjatë në gazetari dhe veprimtarinë e dalluar në komunitet, Dalip Greca mori vlerësime e nderime të larta nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Këshilli Bashkiak i New York e shoqata të ndryshme shqiptaro-amerikane.
Dalip Greca la pas një trashëgimi të shkëlqyer patriotike, morale, familjare, mediatike, komunitare e atdhetare.
Qoftë i përjetshëm nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e editorit Dalip Greca.
Mirënjohje përjetë dhe faleminderit për gjithçka.