

Akademik, Prof. Dr. Beqir Meta/
Pjesa I
Në dekadat e para të shekullit të kaluar Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës ishte organizata më e fuqishme dhe njëkohësisht edhe më progresive e moderne e emigracionit politik shqiptar. Ajo u themelua në vitin 1912 dhe ndiqte modelin e shoqërive të diasporave më të avancuara në SHBA, por edhe të organizatave të tjera joqeveritare në këtë vend. Gjatë viteve 1912-1920 ajo ishte organizata që dha kontributin më të spikatur në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke i bërë shërbime të paçmuara kombit tonë. Pikërisht për këtë arsye, është me interes të veçantë që të shqyrtojmë edhe qëndrimin e saj ndaj shtetit të ri shqiptar që u rikrijua me shumë vështirësi e peripeci nga Kongresi Kombëtar i Lushnjes.
Gjatë viteve 1920-1921 Federata Vatra u përpoq të orientonte dhe ndihmonte shtetin e ri shqiptar dhe të forconte pozitat e tij në arenën ndërkombëtare. Ajo luajti një rol domethënës për të nxitur qeverinë amerikane që të njihte shtetin e ri shqiptar dhe qeverinë e tij legjitime, duke u përpjekur të tejkalonte ngurrimin e Departamentit të Shtetit në këtë drejtim, i cili donte prova të mjaftueshme se ky shtet kishte një qeveri qendrore efektive dhe ishte i aftë për ekzistencë të qëndrueshme. Delegati i Vatrës në Washington dhe njëherazi komisari i shtetit shqiptar atje Kostandin Çekrezi u përpoq për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë, e cila vijonte të ishte e rrezikuar. Ai kundërshtoi me forcë tentativat e lobeve greke në Senatin Amerikan për të mbështetur pretendimet e tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë së Jugut.[1] Gjithashtu ai u përpoq pranë Departamentit të Shtetit dhe Presidentit Wilson që të bënte të qarta kërkesat shqiptare përpara Konferencës së San Remos ku do të diskutohej çështja e Adriatikut.[2]
Vatra ndiqte me shumë vëmendje edhe situatën ndërkombëtare. Ajo në këtë kohë, ashtu si shumica e opinionit evropian, konsideroi si rrezik kryesor për Ballkanin dhe Evropën lëvizjen komuniste. Në këtë kontekst dhe rrjedhojë të kësaj situate shihte ajo edhe krijimin e Aleancës Ballkanike ose Paktit të Antantës së Vogël, të iniciuar dhe mbështetur me forcë nga Franca.[3] Kjo situatë e re konsiderohej e dobishme për shqiptarët dhe i bëhej thirrje qeverisë të aderonte në të. Po, para se Shqipëria të bashkohej me aleanca politike, duhej të caktoheshin kufijtë dhe Serbia të largonte ushtrinë e saj që nga kufijtë e vitit 1913 dhe njëkohësisht “të japë sigurinë për vëllezërit tanë të robëruar”. Ky moment konsiderohej tepër i favorshëm nga Vatra.[4] Çështja e kufijve ende të pacaktuar konsiderohej një rrezik i madh për Shqipërinë, i cili “i mban grekomanët dhe serbomanët me shpresë të madhe, i forcon përpjekjet e armiqve dhe na lë midis valës dhe zjarrit”.[5] Qeverisë i bëhej thirrje të ishte tepër e kujdesshme, veçanërisht nga pasojat që vinin prej Traktatit të Kapshticës.[6]
Menjëherë Vatra i përqendroi më së shumti energjitë e saj për të mbështetur shtetin dhe shoqërinë shqiptare që të bënin reforma politike progresive dhe për ta orientuar vendin drejt Perëndimit.
Ajo shkoi edhe përtej kësaj. Duke parë vështirësitë e mëdha ekonomike e financiare me të cilat përballej shtetit i ri, të cilat përbënin një nga sfidat kryesore të tij, vendosi që ti jepte atij edhe mbështetje financiare, duke organizuar Huanë Kombëtare, prej së cilës u sigurua një shumë prej 183.000 dollarësh.[7]
Vatra u angazhua drejtpërdrejt edhe në sferën e sigurisë së shtetit të ri. Në fillim të vitit 1920 ajo dërgoi në Shqipëri disa trupa ushtarake shqiptare të stërvitura qysh gjatë Luftës së Parë Botërore, me synimin për tu rreshtuar në anën e Aleatëve të Antantës. Këto forca drejtoheshin nga një ushtarak dhe një nga aktivistët e shquar të Vatrës, Aqif Përmeti, i cili u pushkatua nga komunistët në vitin 1945.[8] Dërgimi i këtyre forcave me disiplinë dhe kulturë tashmë perëndimore nga Vatra, bëhej me synimin që të modernizoheshin dhe të rritej cilësia e forcave të sigurisë në Shqipëri për ti shërbyer shtetit dhe qytetarëve, me një frymë perëndimore, larg stilit, mendësisë e praktikave osmane që trashëgonte vendi.
Bashkë me vullnetarët shkoi edhe Banda Muzikore “Vatra”, e udhëhequr nga muzikanti i talentuar Profesor Thoma Nassi, e cila dha shumë koncerte me muzikë klasike e popullore shqiptare në shumë qytete të Shqipërisë. Ajo ringjalli dhe ngriti në një nivel më të lartë muzikën qytetare shqiptare, krijoi një atmosferë të mrekullueshme hareje, gëzimi e ringjallje në këtë agim të ringritjes së shtetit të ri kombëtar, kultivoi ndjenjat dhe shijet muzikore sa kombëtare, aq edhe moderne në popullsinë e gjerë shqiptare, etj. Por mbi të gjitha, ajo ndikoi shumë për të rritur ndërgjegjen kombëtare shqiptare me këngët dhe veprimtarinë e saj, si dhe entuziazmin për fillimin e një jetë të re të lirë nën flamurin kombëtar. Prandaj koncertet e saj mbetën të pashlyera në kujtesën popullore shqiptare, si asnjë trupë apo aktivitet tjetër muzikor artistik para ose pas saj.
Vatra vendosi të përfshihej drejtpërdrejt edhe në jetën politike të shtetit shqiptar. Ky ishte një hap me rëndësi por njëkohësisht edhe mjaft delikat, pasi përfshirja e diasporave në institucionet politike të një shteti kërkon një shkallë të lartë maturimi të këtyre institucioneve, por edhe përgatitje e njohuri politike të përfaqësuesve politikë të diasporës. Kuvendi i Vatrës i 11 korrikut 1920 i propozoi qeverisë shqiptare që të dërgonte si përfaqësues të saj në parlamentin e parë shqiptar ose Këshillin Kombëtar të zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes, Fan Nolin. Noli shkoi në Shqipëri por nuk u lejua të hynte në vend, me ndërhyrjen e kundërshtarit të tij të vjetër Sotir Pecit, i cili e bindi Këshillin e Naltë se ai mund të krijonte përçarje politike. Më 29 tetor 1920 Këshilli Kombëtar i “Vatrës” protestoi ndaj qeverisë shqiptare për ndalimin e tij. Me ndërhyrjen e Ahmet Zogut, konflikti u zgjidh nga qeveria , e cila e dërgoi Nolin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë si përfaqësues të saj. Atje Noli shkëlqeu si një orator i zoti në mbrojtje të së drejtës së vendit të tij për tu njohur si shtet i pavarur dhe për tu pranuar si anëtar i LK. Pasi kreu detyrën në Gjenevë, Noli u pranua nga qeveria si deputet i “Vatrës” që do të përfaqësonte shqiptarët e Amerikës në Parlamentin e Shqipërisë. Ndërsa në zgjedhjet e para politike të vitit 1921 ai u zgjodh ligjërisht deputet i Parlamentit shqiptar. Tashmë edhe Vatra vendosi që të përkrahte Partinë Popullore të cilën e kryesonte vetë Noli.[9]
Në vijim të aksionit të saj politik në Shqipëri, po në vitin 1920 “Vatra” iu kthye projektit të saj të mëhershëm për themelimin e një partie politike në Shqipëri. Në nëntor të këtij viti njerëzit e saj themeluan Federatën “Vatra e Shqipërisë” me qendër në Korçë.[10] Por Vatra e Korçës, për shkak të vështirësive financiare dhe ngaqë nuk mori ndihmat e mjaftueshme nga Bostoni, nuk pati vijueshmëri. [11] Gjithsesi kjo tentativë ka një rëndësi, si një shembull i parë dhe i fundit i diasporës për tu angazhuar përmes një force të vetën politike në jetën politike të vendit. Dështimi i saj, përveç të tjerash, dëshmonte faktin se vatranët ishin një forcë progresive por pa shumë mbështetje në terrenin shqiptar dhe gjithashtu edhe vetë Federata “Vatra” e Amerikës nuk kishte kapacitetet e duhura politike e organizative për ta realizuar me sukses dhe efektivitet një lëvizje të tillë në Shqipëri.
Gjithsesi duhet nënvizuar se në fillim të viteve 1920, shumë shqiptarë u larguan nga Amerika për në Shqipëri. Shteti i ri shqiptar kishte nevojë për njerëz të kualifikuar dhe me mendësi të reja. Llogaritet se deri në vitin 1925 u kthyen në atdhe nga Amerika rreth 30.000 shqiptarë.[12] Shumica e të kthyerve i përkiste viteve 1921-1922. Kjo përbënte një lëvizje të madhe në raport me numrin e përgjithshëm të shqiptarëve që kishin shkuar deri atëherë në Amerikë. Nxitja kryesore e këtij procesi ishte entuziazmi dhe besimi i madh se Shqipëria e re e pavarur do të ecte me shpejtësi në rrugën e progresit dhe prosperitetit. Këta emigrantë filluan të zënë vende me rëndësi në administratën shtetërore, në arsim dhe në kisha.[13] Të gjithë emigrantët e kthyer nga Amerika sillnin me vete edhe idetë liberale e demokratike, të njëjta me ato që zbatoheshin në SHBA.
Vtranët e pritën me pakënaqësi dhe shqetësim rënien e qeverisë së S. Delvinës në fund të vitit 1920. Dielli fajësonte si shkaktare të kësaj situate Rregjencën, për të cilën theksonte se “u kthye në diktatore dhe u zgjat përtej kufirit që i caktoi Mbledhja e Lushnjes”. Bëhej thirrje që në fushatën zgjedhore që do të zhvillohej “nacionalistët duhet të veprojnë, duhet të përdorin forcën e tyre për një reformë të krejtë, për një shkulje nga rrënja, e cila të kënaqë shumicën e popullit dhe jo “demagogët”, ata që përpara ambicieve personale shkelin çdo parim tjetër, sado i shenjtë që të jetë.” Sipas Diellit zgjedhjet legjislative i donin “konservativët, ata që i lënë punët për të nesërmen, kurse mbledhje konstituonte duan patriotët e rinj ay grup që dëshiron një Shqipëri moderne, një Shqipëri evropiane”. [14]
Dielli e konsideronte rënien e qeverisë së S. Delvinës një humbje për Shqipërinë. Veçanërisht humbje e madhe konsiderohej mungesa e A. Zogut në qeverinë e re, i cili vlerësohej pozitivisht pasi “për një kohë të shkurtër e nxori Shqipërinë nga bota e zezë në të cilën e kishin futur të huajt, nga një rrëmujë, në një gjendje të dukshme. Hodhi themelet e shtetit shqiptar. Vendosi qetësinë, përmbysi kryengritjen esadiste. Theksohej se Ahmet Zogu është njeriu për të cilin qan sot Shqipëria, dhe ky njeri nuk mund të qëndrojë larg influencës së popullit.”[15]
Një tipar tjetër i mendimit politik të shprehur në gazetën Dielli ishte mbështetja e sistemit politik pluripartiak, të cilin e quante “sot për sot sistemin më të goditur” pasi partitë parlamentare do të qeverisnin vendin sipas dëshirës së popullit.[16] Mithat Frashëri vlerësonte dhe përkrahte krijimin e partive politike moderne por në qoftë se ato nuk vinin në plan të parë interesin e kombit dhe interesat partiake nuk ia nënshtronin atij atëherë ishte më mirë të mos krijoheshin fare.[17]
Shumë vatranë në Amerikë, duke ndjekur me shqetësim krizën dhe paqëndrueshmërinë politike të fillim vitit 1921, kërkuan nga Vatra të organizonte një kuvend për “bashkimin pa kondita të qarkut të lartë të udhëheqësve tonë”, të cilin e konsideronte si mënyrën e vetme e zgjidhjes së krizës.[18]
“Vatra” ishte kampione e lirisë së shtypit. Ajo kritikoi pengesat që i nxori qarkullimit të gazetës “Dielli” qeveria e I. Vrionit[19], dhe paralajmërimet ndaj gazetës së “Korçës” për ta mbyllur, pasi botonte artikuj që kritikonin qeverinë.[20]
Vatra nuk e shkëputi për asnjë çast vëmendjen nga çështja e kishës autoqefale në Shqipëri, duke mbrojtur me konsekuencë autoqefalinë e saj edhe para se kjo të shpallej në Kongresin e Beratit.[21] Po kështu, përshëndeti reformat e sektit Bektashian për t’a bërë fenë e tyre plotësisht kombëtare autoqefale, çka cilësohej “një vepër patriotike që tregon se Shqipëria do të bëhet vend model i Ballkanit”.[22] Këto reforma konsideroheshin si arritje me rëndësi në hapat e para të shtet-formimit.
Në faqet e Diellit kritikohej plaga e lokalizmit, duke bërë thirrje që “ky rrezik duhet të zhduket nga rrethi ynë para se të zërë rrënjë, para se të bëhet gangrenë. Ashtu siç luftuam sëmundjen e fanatizmës fetare, jemi në gjendje të luftojmë dhe lokalizmin.”[23]
[1] AQSH, F. 151, V. 1920, D. 34/1, fl. 360-363, Letër e Kostë Çekrezit dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme, Mehmet Konica, Washington,, 15 mars 1920.
[2] Po aty, D. 31, fl. 62-65, Kostë Çekrezi për Ministrin e Jashtëm M. Konica, Washington, 27 prill 1920
[3] “Dielli”, 04.02.1921, Aleanca Ballkanike
[4] “Dielli”, 04.02.1921, Aleanca Ballkanike
[5] “Dielli”, 07.02.1921, Gabime fatale për kohën e sotme
[6] “Dielli”, 07.02.1921, Gabime fatale për kohën e sotme
[7] Refat Xh. Gurrazezi, Historia e Federatës Vatra, Tiranë, Glogus R, 2006, f. 113-115. Federata Vatra kontribuoi me 7.000 dollarë kurse emigrantët e tjerë blenë sasi të ndryshme bondesh. Vlera e një bondi ishte 50 fr. Ar ose 10 dollarë. Rekordin e huasë e mbanin dy vatranë të njohur –Halit Qyteza me 6.000 dollarë (të cilin më vonë e dënuan komunistët dhe vdiq në burgun e Korçës) dhe Fazlli Panariti me 5.000 dollarë.
[8] Po aty, f. 81
[9] AQSH, F. Fan Noli, viti 1921, dosja 116, fl. 15-20, Letër e sekretarit të Federatës Vatra, Kristo Isak, drejtuar kryedelegatit të kësaj shoqërie në Konferencën e Paqes, Mehmet Konica, Boston , gusht 1921.
[10] Kanunore e shoqërisë “Federata Vatra e Shqipërisë”, miratuar nga komisioni nismëtar, Korçë, 23 tetor 1920.
[11] Refat Xh. Gurrazezi, Historia e Federatës Vatra,…, f. 128-129
[12] Haris Silajxhiç, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit, Tiranë, Dituria, 1999, f. 38
[13] Po aty.
[14] “Dielli”, 07.01.1921, Reforma nga rruga
[15] “Dielli”, 24.01.1921, Shqipëria qan për Zogun
[16] “Dielli”, 19.01.1921, Partitë e Shqipërisë
[17] “Dielli”, 11.04.1921 Lumo Skëndo –Për një Parti Politike
[18] “Dielli”, 03.02.1921. S. Aliko, Bashkimi i udhëheqësve tanë, i nevojshëm
[19] “Dielli”, 27.01.1921.
[20] “Dielli”, 03.02.1921
[21] “Dielli”, 31.01.1921
[22] “Dielli”, 26.02.1921, Reforma të lipsura
[23] “Dielli”, 23.02.1921, Mikrobin shtype sa është i mbyllur