

Akademik, Prof. Dr. Beqir Meta/
Pjesa II
Vatra mbështeti me forcë çdo element dhe përpjekje për progresin social në Shqipëri dhe për kapërcimin e trashëgimisë së hidhur të kohës osmane. Ajo kritikoi çdo faktor që pengonte këtë progres drejt oksidentit. Kështu “Dielli” kritikonte gazetën Shkrepëtima, e cila e konsideronte mbylljen e mbulimin e grave si mbrojtje të lirisë. Këto mendime “Dielli” i quante anadollake dhe sillte si shembull Perëndimin, ku gruaja radhitej në një radhë me burrin.[1]
Në faqet e gazetës Dielli u shfaqën propozime interesante për zhvillimin e vendit edhe në sferën ekonomike e financiare. Theksohej se shqiptarët e Amerikës, janë gati të investojnë të hollat për nisjen e një Banke Kombëtare dhe se kapitalet e tyre do të shumëzohen me kapitalet e shqiptarëve të Rumanisë, Misirit, Stambollit dhe Shqipërisë.[2] Një banke e tillë, shihej si një institucion themelor shtetëror përmes të cilit populli do të shpëtonte prej fajdexhinjve, të cilët shfrytëzonin në palcë popullsinë ku fajdeja ishte kthyer në një gangrenë sociale dhe përmes saj shteti shqiptar do të shtypte të hollat e tij e do të siguronte më lehtë hua të jashtme. Në fakt ky propozim nuk ishte realist, pasi vendit i nevojitej një stabilitet i brendshëm dhe ndërkombëtar i lartë, një qeverisje e aftë e nivel i lartë zhvillimi ekonomiko-politik që të mund të krijonte një bankë të tillë popullore, të cilat nuk ekzistonin në këtë kohë.
Vatra ishte përkrahëse e zjarrtë e reformës agrare. Por duke pasur parasysh që në këto fillime tepër të vështira të jetës së shtetit të pavarur shqiptar realizimi i saj ishte i pamundur, ajo sugjeroi masa më të praktike dhe të realizueshme si hapa paraprijës të saj, siç ishte organizimi i fshatrave Agrikole nën mbrojtjen e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare.[3]
Një ndihmë të çmuar “Vatra” dha për shkollat në Shqipëri, duke botuar deri në mesin e vitit 1921 100.000 libra shkollorë nga autorë të shquar.[4] Jashtë vëmendjes së vatranëve nuk mbeti edhe çështja e njësimit të gjuhës.[5]
Vatra ndoqi me shumë vëmendje fushatën e zgjedhjeve të para politike në Shqipëri që u zhvillua në fillim të vitit 1921. Ajo mbajti një qëndrim të drejtë ndaj kësaj fushate, duke kritikuar elementët apo shfaqjet negative të saj dhe duke vlerësuar karakterin e qetë dhe të rregullt të zgjedhjeve. Ajo kritikoi një nga fenomenet negative që u shfaqën gjatë kësaj fushate- propagandën e dasive fetare që zhvilluan disa grupe politike.[6] Nga ana tjetër, denoncoi sulmet e shtypit grek për zgjedhjet në Toskëri, i cili i quante si të paligjshme dhe si shkelje të marrëveshjes së qeverisë shqiptare me Greqinë, duke argumentuar se kufijtë e Shqipërisë ishin caktuar që më 1913 dhe ajo kishte të drejtë të bënte zgjedhje politike brenda tyre.[7]
Ajo kritikoi daljen fitues në Shqipërinë e mesme të elementëve esadistë,[8] dhe përshëndeti me entuziazmin fitoret e nacionalistëve dhe progresistëve në qarkun e Korçës, duke propaganduar arritjen e madhe të vendit, pasi “zgjedhjet u bënë aq qetësisht dhe rregullisht sa barazohen me shtetet e përparuara, shumë më qetësisht se në Greqi.”[9]
Vatra adresoi kritika të ashpra ndaj tendencave separatiste e centrifugale që u shfaqën gjatë zgjedhjeve, veçanërisht në zonën e Korçës, ku një grup politikanësh, që madje kishin pasur një rekord pozitiv të respektuar si nacionalistë e atdhetarë, i kërkuan me forcë dhe ushtruan presion ndaj qeverisë që të krijonte një administratë autonome në Shqipërinë e jugut, e cila të drejtohej nga të krishterët. Vetvrasje e quante “Dielli”, Memorandumin e të krishterëve shqiptarë,[10] dhe si shkak të tij, “ambicien e shkretë që mbretëroi në karakterin e zotërinjëve që bëhen sot vegla të Jakovit, të propagandës greke, e cila po i shpie ata në vrasjen e atdheut. Shqiptarët e Amerikës e dënojnë këtë vepër antipatriotike dhe protestojnë energjikisht, duke iu lutur qeverisë të marrë masat e duhura për të mbytur veprën satanike të Jakovit.[11] Për të denoncuar fenomenet negative separatiste e centrifugale që ndodhën në këtë kohë në Shqipëri “Vatra” reagoi dhe institucionalisht, përmes një deklarate të qartë të kryetarit të saj.[12] Përveç kësaj, “Vatra” u angazhua drejtpërdrejt dhe i dha ndihmë me shumë vlerë qeverisë përmes aktivistëve e personaliteteve të saj në Shqipëri për ta tejkaluar këtë situatë të rrezikshme, si dhe për të kundërgoditur propagandën greke në Amerikë që u përpoq ta shfrytëzojë këtë rast.[13]
Nga ana tjetër, “Vatra” kritikoi qëndrimin e qeverisë ndaj zgjedhjeve në Qarkun e Shkodrës dhe ministrin e Brendshëm, Mehdi Frashërin, për lëshimin që u bëri këtyre tendencave separatiste, duke urdhëruar që në Shkodër të zgjidheshin 8 deputetë katolikë dhe 4 muhamedanë, dhe që të votonin veç katolikët e veç muhamedanët. Këtë e kundërshtuan dhe shoqëritë patriotike të vendit. Dielli shkruante se, dashur pa dashur, me këtë veprim të trashë e të gabuar, Qeveria bëri aleancë me Memorandumistët e Korçës.[14]
Vatranët përshëndetën krijimin e parlamentit të ri që doli nga zgjedhjet e para politike, duke e konsideruar atë një institucion me rëndësi për sendërtimin e shtetit shqiptar dhe të ardhmen e vendit, për futjen e tij në rrugën e shteteve konstitucionale, e të përparimit.[15] Ndër detyrat më vitale të tij konsideronte kujdesin për Kushtetutën e vendit, sjelljen e organizatave të huaj, krijimin e një administrate të rregullt, që të kishte formën dhe “erën” e Perëndimit.[16] Mirëpo Vatra e kuptonte se një parlament nuk mund të bëjë kushtetutën, prandaj bënte thirrje që ai duhet të kthehet në Asamble Kushtetuese, ose të bëheshin zgjedhje të reja.[17]
Federata “Vatra” mbajti në këto çaste në fokus edhe çështjen kombëtare shqiptare. Ajo përmes gazetës së saj Dielli u rreshtua në krahun realist dhe të përmbajtur të mendimit politik shqiptar lidhur me Kosovën, duke bërë thirrje për një politikë të vetëpërmbajtur kundrejt Serbisë, pasi çdo qëndrim tjetër do të ishte me rreziqe të mëdha për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Në janar 1921, duke komentuar mosmarrëveshjet midis serbëve, malazezve e kroatëve, ajo bënte thirrje që Kosova nuk duhej të ngrihej në këtë çast, sepse Serbia do tu japë ndonjë kockë malazezëve dhe do kthehet kundër nesh. Arsyeja më e madhe është se ne duam ti japim botës të kuptojë se u bindemi marrëveshjeve, sado të padrejta që janë, dhe se kemi mënyrë tjetër, mënyra më të mëdha se ajo e robërisë së Kosovës nën Serbinë.[18] “Me urtësinë e tyre, kosovarët i binden Qeverisë Shqiptare dhe sakrifikojnë mirërrojtjen dhe lirinë e tyre të hëpërhëshme për Shqipërinë e liruar”. “Me Kosovën në ngritje, shqiptarët e liruar do të mos rrinë me duar kryq. Por nuk duhet harruar që Shqipëria e sotme nuk mund të mbajë një luftë kundër Jugosllavisë, nuk duhet harruar se ende nuk jemi vendosur si shtet dhe opinioni i jashtëm do të jetë fatal për neve po të merremi që sot me luftëra. Në një rast të tillë, armiqtë do na akuzojnë e diskreditojnë dhe frika është se mos prishemi krejt si shtet, se mos pakohemi si komb”.
“Sot Serbët janë zënë pisk dhe duart i kanë të lidhura si brenda si jashtë. Ata s’kanë lëshuar ende disa toka të Shqipërisë së 1913. Marrëveshja Shqipëri-Serbi, nuk është përfunduar ende. Këto fakte nuk japin një rast të mirë nga i cili duhet të përfitojmë. Qeveria jonë le të lëvizë pak më tepër mbi çështjen e kufijve Veriorë, sa kohë që hekuri është i skuqur. Por nuk duhet harruar që fitimi ynë do të jetë shumë më i madh po të veprojmë me anën e urtësisë sesa me anën e forcës.”[19]
Duke analizuar gjendjen në Jugosllavi, konfliktin kroato-serb e serbo-malazez, gazeta “Dielli” përkrahte luftën e këtyre popujve, të cilët u bashkuan me forcë me Serbinë prej Aleatëve. Por bënte thirrje që në këto situata, qëndrimi i urtë nga ana jonë do të jetë më fitimprurës se bashkimi me elementët e pakënaqur të shtetit të ri sllav.[20] Parashikohej tronditja e thellë e shtetit jugosllav dhe fitorja në të e radikalëve, zhvillime të cilat konsideroheshin se do të ishin në favor të çështjes shqiptare. Dielli shkruante se “Serbia, e tronditur prej luftërave të mëdha e të kushtueshme, e lodhur nga vuajtjet dhe humbjet e mëdha të tmerruara që pati gjatë 9 vjetëve të fundit, do të mos u bëjë dot ballë turbullimeve, dhe ajo që e dobëson ca më tepër pozitën e saj është fakti që socializma dhe radikalizma kanë shtënë rrënjë të shëndosha në Serbi, dhe e pengojnë tepër Beogradin për të mbytur turbullimet e sotme me hekur dhe me zjarr. Po edhe në qoftë se mbytet kryengritja e sotme, Serbia do të ketë andralla dhe ngatërrime të brendshme, të cilat një ditë do ta hanë dhe do ta hollojnë, aq sa çdo lëvizje tjetër kundër saj do ta mposhtë. Koha s’është larg që radikalët ta kenë vendin e tyre nën ‘diellin’ e Jugosllavisë; dhe kjo është një tjetër arsye pse duhet të presim neve kohën e duhur të lirisë së Kosovës, atë kohë që do të vijë një ditë, qoftë dhe sikur të kthehet prapë (mbrpasht) bota.”[21]
Kundërshtimi i një kryengritje kundër sundimit serb në këto momente justifikohej me rrezikun që ajo mund të shtypej dhe se mund të bashkonte elementët sllavë dhe shtetet e tjera të Ballkanit kundër shqiptarëve. “Po të ngrihemi neve sot kundër serbëve, atëherë mund të ngjasë ajo që ngjau më 1912, kur shtetet e tjera të Ballkanit, të frikësuara nga zgjimi i shqiptarëve, i lanë prapë zënkat dhe ndryshimet që kishin midis tyre, dhe i ranë Turqisë për të krasitur Shqipërinë. Historia e asaj periudhe në Ballkan mund të përsëritet sot në Jugosllavinë e turbulluar dhe atëherë, në vend që ti vëmë vetulla, i nxjerrim sytë.[22] Kosovarët u treguan mjaft të urtë në kohën e invazionit serb të fundit kundër Shqipërisë. Koha nuk është larg që bija e madhe e Shqipërisë të futet në gjirin e s’ëmës. Ëndrra jonë në Veri është tani më e dukshme se kurdoherë, dhe ajo do realizohet aq më shpejt sa më të urtë që të tregohemi në rastet e tanishme.[23]
Në prill 1921 Dielli ngrinte zërin kundër krimeve që po kryenin serbët në Kosovë. Theksohej se “serbët ende nuk e kanë pushuar planin përmbysës për Kosovën që po e zbatojnë që nga viti 1913. Veç thikës që i kanë futur kosovarit mu në zemër me dorën e tyre, imperialistët serbë kanë lëshuar kundër vëllezërve tanë të robëruar ushtarët e etur për gjak të Vrangelit, ato banda barbare që mbolli gjenerali rus për të shtypur bolshevizmin në Rusi. Dhe kjo tragjedi po bëhet brenda në Evropë, m’u tek goja e botës së qytetëruar.”[24] Gjithashtu denoncohej edhe qëndrimi mospërfillës i Fuqive evropiane ndaj kësaj shtypje. Dielli shkruante se këtë dramë “Evropa e shikon me një apati të çuditshme, me një gjakftohtësi të madhe. Ankimet e delegacionit tonë, të qeverisë tonë, thirrjet e miqve tanë, nuk kanë bërë asnjë efekt gjer më sot në MPJ të Fuqive të Mëdha. Liga e Kombeve, jo vetëm që e ka për detyrë të ndalojë therje njerëzish të robëruar, por edhe shtrëngohet prej kushtetutës së saj që të mbrojnë minoritetet. Fuqitë e Mëdha e Liga e Kombeve duhet të ndalojnë tragjedinë në Kosovë. Kazani mban, po më në fund pëlcet.”[25]
Ashtu si në kohët e mëparshme Vatra dhe Dielli vijuan të ishin gardianë të patundur të Shqipërisë së Jugut dhe denoncues të fuqishëm të propagandës antishqiptare të organizatave vorio-epirote. “Dielli” denoncoi telegramin që Shoqëria “Panipirotiqi Enosis” i dërgnte Lidhjes së Kombeve, ku protestonte për keqbërjet e shqiptarëve në Epir, si dhe gjithë propagandën greke në Amerikë kundrejt Shqipërisë .[26]
[1] “Dielli”, 24.03.1921, Mbulimi i gruas-Mbrojtësi i lirisë
[2] “Dielli”, 25.02.1921, Kosta Isak, Formimi i një Banke Kombëtare në Shqipëri është i nevojshëm për shtetin tonë
[3] “Dielli”, 26.04.1921, Jorgji Bubani, Kimist, Rumani-Dhepunëtorët në Shqipëri
[4] “Dielli”, 14.03.1921, Shkollat tona
[5] “Dielli”, 26.02.1921, Gjuha e përzjerë
[6] “Dielli”, 01.03.1921, Burracakët fshihen prapa perdes
[7] “Dielli”, 18.03.1921, Too Bad
[8] “Dielli”, 19.03.1921, Kuçedra ende e gjallë
[9] “Dielli”, 22.03.1921, Ylli i nacionalistëve ndriçon
[10] “Dielli”, 28.03.1921, Vetvrasje
[11] Po aty
[12] “Dielli”, 18.04.1921, Anastas Pandele, Qëndrimi i “Vatrës” Në të thuhej-“Nuk aprovojmë obstruktimet që bëhen në Shqipëri nga ana e tufave të ndryshme, që për të ngopur “idenë fikse” të tyre se kështu “dua unë”, shkaktojnë pengimet përpara udhës së përparimit, pa marrë në sy “faktet aktuale”. Jemi kundër mënyrës së sjelljes së ish deputetëve të Korçës, që me qëndrimin e tyre “konditional” kërkuan të frikësonin qeverinë, të marrë anë e të veprojnë si duan ata, pa dhënë asnjë formë arsyeje e ndryshimi.
Jemi kundër sjelljeve të Dr. Turtullit e Sotir Pecit me shokë, të cilët, me mënyra fare ilegale, nisën përçarjen në mes të qeverisë dhe grupeve të ndryshme, duke intimiduar qeverinë me fjalët që “po të pranohet Imzot Noli në Shqipëri, neve të krishterët do të largohemi nga Tirana”. Ishte një obstruktim që solli dhe shkaktoi një radhë krizash minsteriale, që shkaktoi pakënaqësi të shfaqur prej shqiptarëve të Amerikës, që kushtoi qindra dollar, dhe mosvajtja e Nolit në Shqipëri, kryesisht solli rënien e Kabinetit të Sulejman Delvinës.
Jemi kundër dhe protestojmë energjikisht “Memorandumin” të bërë prej propagandës së huaj dhe e servirur nga një grup i “ ish atdhetarëve të mirë”. Që ta mejtojë njeriu këtë vepër antikombëtare, antishqiptare, e kundërt me principet dhe parimet e një shteti të vetvendosur dhe independent, lypset të harrojë ndodhjen e tij si njeri, ca më tepër si një nga luftëtarët për Shqipërinë, se ndryshe “shpirti nuk lidhet me trupin, ndërgjegja ikën nga logjika dhe mbetet si një skelet i thatë, pakuptimi dhe njohje cilësie.
-Jemi kundër dhe nuk aprovojmë sjelljet e shkodranëve që janë “një trup” dhe punojnë të ndarë.
Qëndrimi ynë është për një njësi në mes të shqiptarëve, në bashkëpunim në mes të elementeve të ndryshëm, pa i kufizuar dhe pa i stigmatizuar me emra që na sjellin dëm dhe ndalim në udhën tonë të veprimit për mbarëvajtjen e Shqipërisë.
Qëndrojmë dhe kërkojmë të duhemi e të quhemi “vetëm Shqipëtarë”.
Feja nuk ka asnjë lidhje me kombësinë dhe secili prej nesh, sipas dëshirës, është i lirë të nderojë atë fe që i pëlqen.
Qëndrojmë për një Shqipëri të pavarur, për një Shqipëri Shqiptare. Qëndrojmë në parimet që çdo kundërshtim të bëhet me logjikë dhe çdo kritikë të bëhet konstruktive dhe jo obstruktive. Apelojmë që gjithë shqiptarët të mejtojnë Shqipërinë, të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën kombëtare me zemër të qëruar për t’i arrirë qëllimit të shumë dëshiruar.
Konkluzioni: Jemi përkrahës të çdo qeverie kombëtare idealistike dhe të gjithë institutave që i shërbejnë Shqipërisë.
[13] “Dielli”, 21.04.1921, Po të gjitha më kot
[14] “Dielli”, 26.05.1921, Përçaj dhe mbretëro
[15] “Dielli”, 04.04.1921, Parlamentit të ri
[16] “Dielli”, 04.04.1921, Parlamentit të ri
[17] “Dielli”, 05.05.1921, Ta zëmë punën në rrënjë
[18] “Dielli”, 14.01.1921, Urtësia më efektive se forca
[19] Po aty
[20] “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme
[21] “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme
[22] “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme
[23] “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme
[24] “Dielli”, 23.04.1921, Serbët po shtrydhin kosovarin
[25] “Dielli”, 23.04.1921, Serbët po shtrydhin kosovarin
[26] “Dielli”, 25.02.1921, Ende këngën e Mukës