Sokol Paja/
New York, 19 Tetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nderoi heroin e lirisë së Kosovës z.Ramush Haradinaj si “Anëtar Nderi” i përjetshëm i Federatës Vatra me motivacion: “Për dashurinë dhe respektin ndaj Vatrës, për merita të jashtëzakonshme si udhëheqës, luftëtar e çlirimtar në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si burrështetas i shquar për forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe lidhjen e ngushtë të Amerikës me Kosovën e Shqipërinë, për merita të veçanta në lidershipin politik e institucional në Kosovë, dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha renditi vlerat dhe kontributin monumental të Z.Haradinaj për Kosovën e kombin shqiptar, si komandant, politikan, luftëtar e çlirimtar. Z.Haradinaj i tha Kosovës lavdi, nder dhe dinjitet tha z.Berisha. Në fjalën falenderuese z.Ramush Haradinaj shprehu mirënjohje dhe falenderoi Vatrën për nderimin dhe vlerësimin dhe u shpreh sa Vatra ka vlera të veçanta ashtu si Amerika, shpresa e njerëzve në vështirësi.
Në fjalën e tij z.Haradinaj theksoi se Kosova duhet të përmirësojë marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova e meriton në planin strategjik të sigurisë që të sigurojë nga bashkësia ndërkombëtare një plan masash për anëtarësim në NATO, pasi sipas Haradinajt Kosova ka ushtri të aftë, profesioniste, me standarde europiane dhe ushtrinë më të re në botë, një gjeneratë e shkëlqyer profesionistësh. Ushtria e Kosovës është ndër me të aftat në botë për demontimin e minave theksoi Haradinaj dhe shtoi se Kosova i jep vlera NATO-s dhe siguri rajonit të Ballkanit.
Anëtarësimi në NATO ndryshon strategjinë e brëndshme, perspektivën kombëtare dhe sigurinë shtetërore e rajonale ngulmoi z.Haradinaj.
Procesi për anëtarësim në NATO afron Kosovën me BE por Kosova duhet të ndryshojë kurs politik e diplomatik dhe përafrim me BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës porositi Haradinaj. Ai vlerësoi Shqipërinë në planin e sigurisë dhe afrimin me standardet dhe vlerat e NATO.
Z.Haradinaj kërkoi nga mërgata shqiptare e Amerikës një lobim në institucionet amerikane e politikanët e Amerikës në interes afirmimit të Kosovës e anëtarësimit të saj në NATO e BE. Z.Haradinaj i kërkoi mërgatës shqiptare të bëhen pjesë e ndryshimit të Kosovës më 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare. Hirësi Theofan Koja, nënkryetari i Vatrës Boston bekoi të gjithë të pranishmit me një lutje të veçantë për vëllazëri, paqe, zhvillim, bekim e mirësi. Në takimin e përzëmërt e vëllazëror me heroin e Kosovës Ramush Haradinaj, pyetën dhe diskutuan Tom Paloka e Asllan Bushati i cili bëri një analizë globale të çështjeve të sigurisë kombëtare dhe armëve bërthamore.
Takimi patriotik me pjesëmarrjen e personaliteteve më të shquara të mërgatës, i përzëmërt e vëllazëror vazhdoi me biseda të ngrohta e çaste të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.