Sokol Paja/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra promovoi ditën e Mërkurë më 21 Shtator 2022 në Selinë Qëndrore në New York, librin historik mbi familjen patriotike dhe antikomuniste Qafa. Libri i sapo dalë nga botimi “IN THEIR FOOTSTEPS” përshkruan historinë e Familjes Qafa, rrugëtimin nga Kosova në Amerikë, lufta antikomuniste në vitet 1949-1958 e patriotit Pjetër Çup Qafa në malet e Shqipërisë si rezistencë kundër komunizmit në Shqipëri. Në këtë libër përfshihet edhe historia e jetës së Simon Qafës, nga Kosova, Vatikani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse deklaroi: “Ky libër është jeta e vërtetë dhe reale të Simon Qafës. Ky libër është thesar për Vatrën dhe shqiptaro-amerikanët. Jam krenar që të kemi shok e mik e bashkëpunëtor o Simon. Keni shërbyer familjarisht për çështjen kombëtare. Keni dëshmuar trimëri e guxim, besnikëri e patriotizëm. Ky libër është një kontribut i shkëlqyer dhe mirënjohje për këto histori. Si shqiptaro-amerikanë jemi falenderues e mirënjohës” deklaroi z.Berisha.
Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj u shpreh se ky libër është promovim i një patrioti vatran. Ne emër të familjes Grishaj dhe nënkryetarit Alfons Grishaj përcolli urimet më të përzemërta. Z. Rexhaj shpjegoi për të pranishmit se që në fillim të viteve 90 kishte takim me familjen Qafa, me Kujtim Qafën e më vonë me Simonin. Familja Qafa ka pasur rol të rëndësishëm në fushatat dhe protestat për Kosovë e Shqipëri, tha z. Rexhaj.
Sekretarja e Vatrës Zonja Nazo Veliu u shpreh se trimat dhe patriotët Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë. Po të na mungonin ata ne nuk do ekzistonim. Ky libër është një iniciativë për të treguar historinë shqiptare, të kaluarën tonë të lavdishme dhe kontributin e familjeve të mëdha shqiptare për historinë e kombit tonë, përfundoi Zonja Veliu. Studiuesi Dr. Paulin Marku u ndal te kontributi i familjes Qafa për të ruajtur gjuhën kulturën traditën, identitetin dhe historinë shqiptare. Në këtë libër tregohet lufta për shqiptarinë që nga koha e periudhës osmane, serbët dhe përballja me komunistët. Betejat dhe persekutimi i familjes Qafa për të mos u nënshtruar as pushtuesve as komunistëve. Ky libër paraqet fakte dhe dëshmi për përsekucionin e që na tregojnë rrugëtimin e gjatë të familjes Qafa për liri. Ky libër shërben për të ndërgjegjësuar të huajt për ferrin komunist që jetuan shqiptarët, tha Dr. Marku.
Autori i librit Luis Romano shpjegoi rëndësinë e librit, befasinë për kontributin e familjarëve Qafa dhe historinë e lavdishmetë shqiptarëve. ” I dua shumë shqiptarët. Gruaja ime është arbëreshe. Patriotizmi i Simon Qafës është në damarët e tij” tha ndër të tjera Romano. Personazhi i librit, Vatrani i spikatur,
Simon Qafa, kryetari i Vatrës Dega Hudson Valley, zbuloi rreth librit të ardhshëm kushtuar luftës antikomuniste në vitet 50 në Shqipëri. Ky është një libër personal. Ky libër është rrugëtim i familjes sime dhe familjeve që kanë pasur të njëjtin fat.
80 % e librave i kanë blerë Amerikanët. Libri u shkrua në anglisht për ti treguar botës çfarë kanë vuajtur shqiptarët. Lavdi Zotit që ekzistojmë si komb pasi kemi kaluar në shumë vuajtje e persekucione, tha ndër të tjera Simon Qafa. Në përfundim të përurimit të librit, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shtroi një darkë në nder e respekt të Simon Qafës jo vetëm si urim për librin, por edhe mirënjohje për kontributin e Simon Qafës në Vatër, në komunitetin shqiptar dhe vlerësim për familjen Qafa për çështjen kombëtare.