
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha,
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen tuaj në detyrën e lartë dhe të nderuar të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky është një moment historik që shënon jo vetëm besimin që ju është dhënë nga përfaqësuesit e popullit, por edhe përgjegjësinë e madhe për të drejtuar me mençuri dhe vizion një nga institucionet më të larta kushtetuese të vendit.
VATRA, si institucioni më i vjetër i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, beson fuqishëm se Kryesia e Kuvendit nën drejtimin tuaj do të avancojë më tej vlerat e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve të Kosovës.
Ne shprehim vullnetin tonë për vazhdimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Federatës “VATRA”, në funksion të çështjeve kombëtare, forcimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përparimit të gjithanshëm të shtetit të Kosovës.
Njëkohësisht, Federata “VATRA” nxit formimin sa më të shpejtë të një Qeverie stabile, që gëzon shumicën e nevojshme parlamentare, në mënyrë që proceset zhvillimore dhe integruese të shtetit të Kosovës të mos vonohen, por të thellohen dhe të përshpejtohen në interes të qytetarëve dhe në përputhje me aspiratat euroatlantike të vendit.
Duke ju uruar suksese të mëtejshme në misionin tuaj të ri, ju sigurojmë për mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.
Me respekt të veçantë,
Dr. Elmi Berisha,
Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”