Flet nga Portland-Oregon- , Ferki Veliu Berisha, njeriu që ka lidhje gjaku me Heroin Kombëtar, Hasan Prishtina. Së bashku me bashkëshorten amerikane, Patricia, ai vizitoi Shtëpinë e Vatrës dhe mori pjesë në festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./
Nga Dalip Greca/
Kryetarja e degës së Vatrës në Washington DC, poetja dhe veprimtarja Merita B McCormack, përmes një emaili na njohur në distancë me Ferki Veliu-Berisha dhe bashkëshorten e tij Patricia. Vizita e tyre në Shtëpinë e Vatrës të shoqëruar nga Merita, të shunën e 15 shkurtit, ishte fare e veçantë. Ferki dhe Patricia fotografonin çdo objekt historik dhe prekën nga afër 100 vite histori të shqiptarëve të Amerikës.
Ferki mbartëte një histori interesante. Familja e tij si shumë të tjera gjatë luftës së Kosovës kishin përjetuar çaste të vështira, shtëpia ishte djegur dy herë. Shtatë vëllezërit, tri motrat, dhe prindërit, për tre muaj nuk dinin asgjë për fatin e njëri-tjetrit. Babai, së bashku me tre të afërm ishte vrarë gjatë luftës. Po cili ishte fati i Ferkit? Cilat janë lidhjet e tij me heroin e Popullit Shqiptar, Hasan Prishtina? Ku dhe si u njoh me bashkëshorten amerikane Patricia? Le të ndjekim bisedën që zhvilluam me të që nga Oregon(Portland), pas largimit nga festa e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
– Ferki, Ju vizituat Shtëpinë e Federatës Vatra së bashku me bashkëshorten amerikane, Patricia. Si u ndjetë gjatë vizitës? Çfarë ju bëri përshtypje?
-Unë u lumturova kur vizitova VATREN e t’i tregoja bashkeshortes sime Historinë dhe Kulturen Shqiptare. U ndjeva nostalgjik tek degjoja dhe shihja heronjtë e së kaluarës. Aty dëshmohet historia shqiptare për më shumë se 100 vjet. Jam ndjerë tepër krenar tek e kam prekur atë histori. Ju falenderoj për mikpritjen tejet të ngrohtë e të përzemërt. Ju së bashku me zv/kryetarin Asllan Bushati dhe kryetaren e degës së Washnigtonit, zonjën Merita, u treguat shumë të dashur me ne.
Morët pjesë, besoj për të parën herë në një manifestim shqiptarësh në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Si u ndjetë ju? Çfarë ju bëri përshtypje? Po zonjës Patricia?
-Ishte shumë e rëndësishme që ne u bëmë pjesë e festës,që organizoi Vatra. Në fytyrat e pjesmarërsve të shumtë pamë gëzim. Ishte kënaqësi që festuam së bashku këtë ditë të shënuar, pasi njerëzit tanë kanë paguar një çmim shumë të madh për këtë ditë-dhe ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur të drejtën e pavarësisë dhe vazhdimësinë e saj. Ishte kënaqësi të takoheshim me të gjithë dhe ishte kënaqësi të ndaja me Patrician,gruan time muzikën dhe kulturën time shqiptare.Ajo u kënaq shumë.
-Ju jetoni në Portland, ku nuk besoj se ka shqiptarë. Si hytë në lidhje me Vatrën?
– Ne po bashkëpunojmë me Merita McCormack(që është e përfshirë me VATREN) për një projekt libri. Ajo na tregoi për festën e VATARES. Duke konsideruar që libri në fjalë është per historinë e familjes sime gjatë luftës në Kosovë, bashkëshortja ime dhe unë thamë” Hajde shkojmë edhe ne e t’i bashkohemi festimit madhor”. Jemi shumë të ëgzuar që e morëm këtë vendim.Ishte një festim shumë i bukur. U kënaqëm shumë.
Cili ishte fati i familjes tuaj gjatë Luftës së Kosovës? Diçka më shumë për familjen tuaj? Kur dhe në ç’rrethana u larguat nga Kosova, ku shkuat? Si erdhët në SHBA?
– Lagjia, ku ne jetonim, ishte epiqendra e luftës së viteve 1998-1999 dhe familja ime vuajti shumë gjatë asaj periudhe,veçanërisht në vitin 1999 kur familja, (prindrit, shtatë vëllezër e tre motra) u nda dhe shkuam në drejtime të ndryshme.Për pothuajse tre muaj ne nuk e dinim se kush ishte gjallë apo i vdekur. Ndërkohë që të gjithë patëm disa eksperienca të vështira gjatë luftës ne mbijetuam, përveç babës sonë, Isuf Veliu, i cili u vra së bashku me tre të afërm. Askush nga ne s’donte të largohej nga Kosova, por si mund të mbijetoje? Vendosa të shkoj në Itali, ku iu bashkova dy vëllezërve të mij dhe aty u njoha me Patrician, me të cilën pas dy vitesh, u martova.Tashmë ne jetojmë në SHBA
Lexuesit tanë janë kureshtarë për lidhjet tuaja me heroin Kombëtar Hasan Prishtina. A mund të na tregoni hollësi të këtyre lidhjeve. Pra çfarë ju lidh ju me heroin Hasan Prishtina, një nga burrat që kanë lënë gjurmë në historinë tonë Kombëtare? Ndërkohë kemi dëgjuar pretendentë në median e Kosovës për trashëgimtarë të Hasan Prishtinës.Komenti juaj?
-Pas kaq shumë brezash,jam i sigurt se ka shumë të afërm të Hasan Prishtinës, kështu që pyetja lind vevetiu, kush janë më të afërtit, kush vjen nga vendi i tij, kush ka lidhje gjaku me të, kush mban historinë e familjes, histori të treguara brez pas brezi. Po ju tregoj se Hakan Berisha është i afërmi më i vjetër i Hasan Prishtinës.I afërm që jeton, dhe ai është edhe mbajtësi i arkivit e historisë së familjes.Familja ime (Berisha-Veliqi-Veliu) jeton në tokën ku baba i Hasan Prishtinës Ahmet Ali Berisha u lind e ku stergjyshi i Hasanit, Abdullah Ali Veliu është varrosur. Këto tre mbiemra:Berisha, Veliqi-Veliu, Mangjolli janë një gjak. Toka ku familja ime ka shtëpinë e ku jetojmë sot është toka e parardhësve të Hasan Prishtinës.Në fakt, pusi origjinal që përcaktonte tokat e tij, është në pronësinë tonë.
Ne i njohim mirë si gjakun ashtu dhe brezat e Hasan Prishtinës. Po ashtu njohim mirë historitë e vërteta lidhur me Hasan Prishtinën. P.sh si shkoi në një peligrinazh në Shqipëri të gjente parardhesit e tij në Shkodër,ose sa vëllezër e motra ka pasë (ka pretendime fallso nga disa); ne njohim badigardët e tij dhe historitë e tyre. Ne bile e dimë se cila ishte pija e tij më e preferuar. Unë nuk jam historian apo politikan, dhe shumëkush në Shqipëri, njeh më mirë historinë politike të tij, natyrisht më mire se unë,-unë thjesht njoh historitë famijare rreth këtij njeriu-Hasan Prishtina-dhe kam kënaqësi t’i tregoj për ata që kanë interes. Si i thonë në anët tona, unë jam ende “një zog i ri”, ende jam duke mësuar bëmat e Hasan Prishtinës, por “zogjtë e vjetër” ama, ç’ka ma mësuan,ma mësuan shumë mirë.
– Jeni duke shkruar një libër, a mund ta informoni lexuesin e gazetës Dielli rreth tij?
-Po, po shkruaj librin rreth familjes sime, që jetoi në zonën historike të Skënderajt , epiqendra e Luftës në Kosovë në 1998-1999.Në kulmin e sulmeve në vitin 1999 ,për pothuajse tre muaj, ne anëtarët e familjes Veliu (tre ishin jashtë vendit dhe nëntë brenda tij) ishim të paqartë se kush jetonte e kush kishte vdekur, ishim të pasigurtë se ç’po ndodhte, tek përpiqeshim t’i shpëtonim zonave të luftës.Ky libër rregjistron ngjarjet e luftës së Kosovës përmes syve të shtatë vëllezërve dhe tre motrave, ku gjithësecili kaloi përmes disa eksperiencave vdekjeprurëse, i mbijetoi pas djegies(dy herë) të shtëpisë,përjetoi maskarat gjakatare ndaj të afermeve e komshinjve, kaosin masiv dhe konfuzionin e një periudhe para telefonave mobilë, dhe më keq, akoma ekzekutimin e patriarkut të familjes, mençuria e urtë e të cilit i ndihmoi të gjithë fëmijët të shpëtonin jetët e tyre. Eshtë historia e qëndresës së familjes sime përgjatë gjithë kësaj padrejtësie që tingellon a pakuptimtë dhe së fundi,me shpresë se ky libër do të frymëzojë të tjerët nëpër botë për shpirtin e pamposhtur të shqiptarit.
– Kur keni qenë për të fundit herë në Kosovë? A e ka vizituar Kosovën zonja juaj?Me ç’mbresa është kthyer që andej?
-Po, ishim atje së bashku me Patrician vitin që kaloi. Shkuam që ta njihja Patrician me vendin tim, kulturën tonë, historinë e familjes sonë.Ajo donte ta shihte me sytë e saj vendin dhe historinë, tokën tonë.Vizituam shtëpinë e familjes, varrezat në Palac dhe i treguam asaj disa relike të mbetura nga Lufta, varrezat e lagjes, memorialet,vizituamTrepçën, fabrikën ku punoi dikur im atë, por që tashmë është mbyllyr dhe qëndruam tek ura e Mitrovicës. Ajo u surpizua tek shihte rojet e tanket e ndërkombëtarve aty, dhe u deshpërua akoma më shumë tek pa një vajzë të vogël tek kalonte pranë ushtarakëve. Ajo më tha mua: “Asnjë fëmijë s’duhet të rritet kështu”!
Vizituam familjarët në Mitrovicë, pastaj morëm rrugën për në Shqipëri, të shihnim rrënjët e familjes, duke filluar me Kukësin për të vizituar varrin e Hasan Prishtinës, pastaj në Shkodër, nga ku familja jonë ka origjinën. Vizituam Tiranën, Durrësin, Shëngjinin,u kthyem në Kosovë pastaj shkuam në Maqedoni, ku ajo u ndje se kishte një energji krejt ndryshe. Patricia më pyeste dendur se pse kaq luftë, pse kaq konfuzion me kufijtë, pse kaq sherre për token tonë, pse nuk janë lënë shqiptarët të qetë?
A e di si i thashë? Mendo me e nda një shtrat me tre kafshë: Majmunin (Malin e Zi), Gjarprin (Serbia) dhe Tigrin (Greqia) dhe se ne kurrë s’do kemi qetësi perderisa do kemi këto tre kafshë në shtrat.Ata kanë qenë armiqësor me shqiptarët.
Personalisht ajo u prek jashtë mase nga zemërgjeresia e njerëzve tanë, nga kultura e pasur, muzika dhe historia. Planifikojmë të shkojmë sërish, shpejt besoj.
Keni ndërmend të anëtarësoheni në Vatër?
-Absolutisht po! Jam i lumtur të mbështes përparimin e vendit tonë.Ku më mirë se tek Vatra e gjejë këtë mundësi?
Faleminderit për intervistën!
-Kënaqësia ishte imja.
Ne Foto: Ferki Veliu-Berisha dhe bashkeshortja amerikane Patricia gjate vizites ne Vater
osman says
Se pari ju përshendes juve udhëheqsve te shtëpis së federatesVatra.njeherit deshiroj të uroj suksese …jeni te mrekullueshem.Krenohemi qe juve ju kemi që kurdoher kur ësht nevoja ju ngrrni zerin kunder padrejtsive qe u bën edhe po u bëhet shqiptarve ne trojet e veta…shum fat…zoti e bekoft Kosoven .Shqiprin .Çamerin…
Dardani says
Respekt per Pinjollet dhee per ju Gazeta DIELLI