nga Drita Gjongecaj/
Në këtë prag feste madhore për ne shqiptarët, Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” e organizoi mësimin në mënyra të larmishme ku nxënësi është vetë epiqendra e të të mësuarit. Duke marrë pjesë në mënyrë aktive, ndërvepruese dhe praktike në aktivitete mësimore, fëmijët u angazhuan në mënyra të ndryshme, ndërsa mësuan apo shtuan njohuritë e mëparshme rreth Ditës së Pavarësisë.
Studimet në fushën e mësimdhënies dhe teknika që janë provuar si efektive në praktikë kanë treguar se nxënësit e gjuhës përfitojnë shumë nga të mësuarit ndërveprues (interaktiv). Mësimi përvetësohet më mirë dhe ruhet në kujtesën e nxënësit kur të mësuarit kombinohet me një lloj veprimi praktik apo lëvizjeje fizike. Në këtë mënyrë, në vend që të lexojnë thjesht një libër, apo të dëgjojnë mësuesin, nxënësit vënë në përdorim disa aftësi në të njëjtën kohë: të folurit, të krijuarit artistik, leximin, dëgjimin, shkrimin, etj.
Për këtë arsye, dhe për faktin se nxënës të ndryshëm kanë stil e preferenca të ndryshme, ne në Shkollën e Trashëgimisë Shqipe përfshijmë teknikat praktike të të mësuarit si një pjesë integrale e strategjisë sonë të mësimdhënies së gjuhës, historisë, dhe kulturës shqipe. Metodat progresive mësimore i ndërthurim me mësimin e drejtpërdrejtë dhe i zbatojmë ato me të gjitha grupet tona duke siguruar pjesëmarrjen e plotë të studentit.
Ja disa nga aktivitetet mësimore që ato zhvilluan në këtë vigjilje të Festës së Flamurit:
Më të vegjëlit:
*Mësuan të shprehen thjesht rreth Flamurit Kuq e Zi.
*Ngjyrosën flamurin.
*Afishuan flamujt e ngjyrosur në mur.
*Formuan mini-banderola (prenë me duart e tyre format e zemrës me fjalët “110 Vjet Shtet”; i ngjitën ato me njëra –tjetrën që të duken në të dy anët; i ngjitën në shkopin e vogël).
*Formuan byzylykë me rruaza të kuqe dhe të zeza e i vendosën ato në duart e tyre të vogla.
Grupi i II-të dhe i III-të:
*Zgjeruan njohuritë rreth Ditës së Pavarësisë dhe fjalorin përkatës.
*Shkruan fjali apo paragrafe rreth flamurit.
*Iu përgjigjën me shkrim pyetjeve të parapërgatitura në fletë pune.
*Qëndisën flamurin me duart e tyre.
Kjo lloj mësimdhënieje që kërkon përgatitje dhe përkushtim, zhvillohet nën kujdesin e Drejtueses Drita Gjongecaj, themeluese e kësaj shkolle dhe Organizatës Dy Gjuhësore dhe Kulturore Shqiptaro-Amerikane AADLC, mësueseve të talentuara, Mirjana Lukic, Life Buzhiqi, Haxhere Veseli Matoshi, Elda Cela, Majlinda Tafaj, Kristine Saliasi, dhe Arta Alibali, si dhe koordinatorit Blerim Gjocaj e ndihmësve tanë në klasa të cilët sjellin në forma krijuese dhe të larmishme krenarinë e të qenit shqiptar dhe dashurinë për mëmëdheun.
Në këto ditë festive, Shkolla e Trashëgimisë Shqipe e cila operon në Bronx, Yorktown, Yonkers, dhe Eastchester/New Rochelle u uron të gjithë shqiptarëve Gëzuar Festën e Flamurit!