Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Shtator 2015/ Kosova ka sot Festën e Nënës Terezë. Në kqyeqytet, Prishtinë, në Katedralen Nënë Tereza në mesditë u mbjt mesha solemne, të cilës i priu Imzot Dodë Gjergji, Ipeshëv i Kosovës. Katedralja ishte e mbushur përplot qytetarë të komuniteteve e besimeve të ndryshme, si dhe pjesëtarë të misioneve diplomatike, pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
Festa e Nënë Terezës, po në Katedrale, vazhdon edhe në mbrëmje. Nga ora 20:30 mbahet Koncerti i Himnit të Nënë Terezës.
Koncerti përmban vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë, ndërsa aktorë të shquar do të recitojnë vargje kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë, humanistes së madhe dhe nobelistes shqiptare.
Në qytetin e Kaçanikut është mbajtur dje manifestim në nderim të figurës së humanistes Nënë Tereza, ku morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë.
Manifestimi Nënë Tereza – Simbol i Dashurisë dhe Bamirësisë u mbajt nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Ai çmoi lart figurën e Nënës Tereze, duke e cilësuar atë flamurtare të madhe të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe simbol universal të bamirësisë.
Ditët e Nënës Tereze është manifestimi treditësh që përfshinë edhe hapjen e ekspozitës së fotografive dëshmi kohe gjatë çerek shekulli – 25 vjetëve të Shoqatës Humanitare Bëmirëse të Kosovës Nëna Terezë, e cila u themelua edhe si pjesë e rezistencës përballë pushtimit e dhunës dhe e lëvizjes gjithëpopullore për liri e pavarësi. Ekspozita është hapur në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë.