NGA PËLLUMB GORICA/
Nga rrëketë e shekujve kanë gurgulluar e gurgullojnë shumë rite pagane. Këto janë përcjellë, sa në antologjinë gojore popullore, aq edhe në plastikën e lëvisshmërisë së jetës, si një dëshmi e madhe e kulturës së lashtë të një vendi. Dita e Verës është një prej riteve festive të lashta pagane, e cila përkon me çeljen e parë të Pranverës. Ajo hyjnëzon këtë stinë dhe, sipas traditës së mbetur, të ruajtur e përcjellë në trevat shqiptare, veçanërisht në atë të Elbasanit, festohet si Dita e Verës më 14 mars. “Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur ende krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e vjetër, perënditë e luleve” do të shkruante ideologu i shquar shqiptar, Faik Konica. Dita e Verës është një festë me karakter të mirëfilltë popullor, e cila rrjedh nga thellësia e etnitetit të jetës sonë ilire me rite të bukura, të rrënjosura në vetëdijen e kohëve, që rrallë i gjen në ndonjë vend tjetër kaq të vyer e, mbi të gjitha, e lashtë.
Në përmbajtjen e saj Dita e Verës përshkohet nga një tis, tipar i përbashkët i gëzimit njerëzor, që pasqyron kalimin e Dimrit dhe ardhjen e Pranverës, për përtëritjen e natyrës, nga dëshira për prodhimtari të mbarë; për shëndet e mirësi në familje, shoqëri, miqësi. Stina e pranverës sjell gëzim. Dimri, si stinë, i mbyllte njerëzit brenda mureve të shtëpisë, ndaj edhe festohej, sepse do të sillte një rizgjim në punë, gëzim, lëvizje të jetës dhe gjallërim të natyrës.
Studiuesit e fushave etnokulturore (e jo vetëm ata) nëpërmjet hulumtimeve kanë prurë të dhëna interesante dhe e kanë paraqitur festën e Ditës së Verës me ritet pagane si thesar të paçmuar. Ritet pagane, sipas akademikut Mark Tirta kanë lidhje me ripërtëritjen e natyrës, me krahasimin, afritë dhe pikëtakimet në terminologji…
Origjina e kremtimeve të kësaj feste me rite pagane te ne, më së shumti, është Çermenika (Kandavia), një krahinë afër Elbasanit, e cila është e banuar që në kohët e lashta parahistorike, dhe nuk mungojnë gjetjet që i përkasin kësaj periudhe. Ajo ka një shtrirje kulture të pasur me tradita. Këtu qëniet mitike të indentifikuara dhe me kultin e perëndive gjatë periudhave parahistorike kanë lënë gjurmë në kujtesën e popullit. Duke hyjnizuar dukuritë që njerëzit e asaj kohe nuk dinin t’i shpjegonin, krijuan besime tek idhujt paganë, të lidhur ngushtë me rite. Një nga figurat e mitologjisë ishte Zana, apo Diana, që jetonte pyjeve, ujëvarave, shpellave e lëndinave. Ajo ishte perëndia e pyjeve, e gjuetisë, dhe e gjithë Natyrës. Figura e saj në këtë trevë (dhe jo vetëm këtu), është pasqyruar në legjenda, përralla, ninulla e gjetje arkeologjike. Një shekull më parë arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober, gjatë një ekspedite kërkimore në trevat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, pikërisht në rrënojat e një ure romake pranë lumit të Moraçës, zbuluan një altar mermeri me një mbishkrim interesant. Ky mbishkrim i ishte kushtuar perëndeshës Diana të Kandavëve. Ndaj edhe festa e Ditës së Verës ka lidhje historike e kulturore me Ulqinin dhe trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi, të lidhura me tempullin e Dianës në Dioklea, ashtu sikurse lidhet me tempullin e Artemisës dhe Dianës në Martanesh. Ajo, sikurse perëndia ilire më e njohur, simbol bukurie, e kalonte kohën me festa, me muzikë, duke kënduar e hedhur valle mes luleve, shelgjeve, burimeve dhe ndjehej e pranohej si fatsjellëse e engjëllmbrojtës ndër banorët, dhe ata i organizonin asaj festa, duke bërë për atë dhurata. Kështu, duke buruar nga kulti i figurës mitologjike të Dianës, ritet pagane për nder të saj morën karakterin e mirfilltë të një feste me pije, ushqime, lojëra, ndezje zjarresh, etj në fillim të stinës. Profesor Hasan Ceka do të shkruante: “Dita e Verës i kushtohej Dianës së Kandavëve, bukurisë së saj dhe ku dëshmohet karakteri pagan i festimit që lidhet me natyrën, me ndërrimin e stinës, ardhjen e pranverës, fillimin e punëve bujqësore”. Si pasojë edhe e ecurisë së zhvillimit në kohëra festa e Ditës së Verës u përhap edhe në trojet e tjera dhe është e gjithë shqiptarëve. Në Dibër, Strugë, Tetovë, Gostivar, Prespë, Berat, Përmet, Pogradec, Korçë, Gjirokastër, Himarë, Çamëri, Krujë, Burrel, Mirditë, Lezhë, Malësinë ë Shkodrës, Ulqin, Kosovë, por edhe tek arbëreshët ka nuanca festimesh të ndryshme, por shtratet e riteve kryesore janë njëlloj.
Është mbresëlënëse se si kjo festë ka përshkuar shekujt. Ka përballuar mugëtirat e kohëve të vështira, sisteme shoqërore me fe e religjone të ndryshme, luftra e pushtues të huajve duke prurë kulturat e tyre. Ndaj nuk u harrua; nuk u harruan as ritet e shumta, lojërat popullore, ushqimet e cilësuara, të gatuara për këtë ditë, festa me miqtë, të njohurit, etj. Fetë rrëmbyen shumë rite të kësaj feste, por asnjëherë nuk e tjetërsuan atë, edhe pse u munduan.
Fryma pagane në festën e “Ditës së Verës”
Kjo festë është bërë tradicionale si një lidhje e gëzimit njerëzor për lindjen e Pranverës. Ritet e festës së Ditës së Verës në thelb janë të një kulture të lashtë të kohës së Paganëve. Për të hyrë në atmosferën e festës, përgatitjet fillojnë një ditë më parë. Në mbrëmje, kodrave, grupe-grupe të rinjtë mbledhin shkarpa drurësh dhe ndezin zjarre për të dëbuar errësirën e Dimrit. I kapërcejnë flakët, duke besuar se kështu marrin shëndet e fuqi dhe ky rit tregon zhdukjen e të këqiave, që kishte mbartur viti i kaluar. Djemtë demostrojnë forcat. U bjen zileve e këmborëve, trembin zhapikët, gjarpërinjtë e tërë të këqijat e Tokës. Vajzat përreth zjarrit këndojnë e hedhin valle për ardhjen e stinës së re. Vendosin verore në qafat e duarve, të cilat janë një ndërthurje penjësh të kuq, të bardhë dhe të gjelbër, që simbolizojnë gjakun e brezave, pastërtinë e shpirtit dhe gjelbërimin e Natyrës. Vendosja e verores në dorë me fije shumëngjyrëse është karakteristika kryesore që i bashkon gjithë shqiptarët në festimimet e Ditës së Verës. Autori elbasanas Hyjni Ceka e konsideron veroren një distiktiv që elbasanasit e vendosin gjatë festimit të Ditës së Verës. Ato hiqen nga dora kur fillojnë e vijnë dallëndyshet pas shtegtimit. Verorja ka fuqi mbrojtëse nga e liga. Gratë e prisnin mëngjesin me gatime për ditën e nesërme. Zjejnë misra, vezë, gatuajnë gjelin e detit, tavat me pistil, nxjerrin nga arkëzat: arrat, lajthitë, palat e fikut, shegët, mollët e ruajtura pikërisht për këtë ditë. Po ashtu, bëhen gati dhuratat për fëmijët, që njihet ndryshe edhe si shpërndarja e hiseve për ata që të nesërmen në mëngjes, kur trokasin në derën e shtëpisë për të uruar Ditën e Verës u dhurohen ëmbëlsisht. Vizitat e tyre këtë mëngjes Ditëvere shikohen ende si mbarësi. Të moshuarit në mëngjesin e 14 marsit shpejtojnë të hapin derën për të sjellë bujari e mirësi. Në përshëndetjet interesante janë: “Të shkoftë Vera me shëndet!”, “Të dëgjofsha zërin e mirë!”, etj. Në mëngjes herët, bëhet stolisja e pragut të derës me degë bimësh, sytha e lule të çelura. Vendoset pranë saj një plis me bar dhe tek magjia e bukës lule e degë me gjethe të njoma. Gratë shkojnë te burimi e mbushin ujë të freskët, në të cilin janë hedhur lule e degë të gjelbërta. Fëmijët dhe pjestarët e tjerë të familjes spërkaten me këtë ujë, duke bërë edhe zgjimin e tyre e më pas ata lajnë fytyrën. Rituali qëndron edhe te spërkatja e themeleve të shtëpisë me ujë burimi. Gjithashtu spërkaten edhe bagëtitë, pasi besohet se do të jenë më të shëndosha. Këto rite bëhen mes një morie formulash urimi si: “Unë dimrova ti veroj!”, “Lulëzo si këto lule!”, etj. Vajzave u vendosem lule mbi jastëk. Në “Ditën e Verës” nuk punohej. As nuk pritej dru i njomë, apo filiz i ri, që do të thoshte se e reja e ka jetën e gjatë.
Në këtë ditë fëmijët, por edhe të rriturit, veshin rroba të reja. Në sheshe dhe kodra, ku çel gjethi e avullon toka, cicërojnë zogjtë e lëvrijnë gjallesat e ku bari ka filluar të shpërthejë nga toka, luhen lojëra popullore si: vrapime me kuaj, hedhje guri, mundje, ngjitje në pemë, etj; për të pasur shëndet e lumturi. Fëmijët dhe të rinjtë këndojnë e hidhin valle nën tingujt e fyjeve, pipëzave, daulleve, nën shoqërinë e diellit, dhe freskisë ripërtëritëse të natyrës. Vajzat mbledhin lajmëtaret e pranverës, manushaqet dhe karakaftet duke stolisur njëra-tjetrën me kurora lulesh.
Elbasani, kryeqyteti i festës
Me lindjen e formimin e qyteteve dhe gjatë periudhave të mëvonshme historike, festa u përhap duke u shtrirë më gjërë. Elbasani si qëndër administrative, që në kohët e hershme i trevave të Shqipërisë së Mesme, ishte faktori kryesor që e mbështolli atë. Një qytet me një histori të lashtë e zanafillë që në shekullin e II para Erës Sonë, i përmendur me emrin Mansius, në kryqëzimin e rrugës së lashtë Egnatia; i lidhjeve me Antipatrean, Apoloninë, Dyrraun, Pelionin, Dimalin, etj, ku edhe dyndjet e pushtuesve (edhe pse linin pasoja shkatrrimtare) nuk e shuan mbijetesën e tij. Të ardhurit nga krahina rrotull qytetit sollën tradita, rite pagane e midis tyre edhe festën e Ditës së Verës. Qyteti, duke u kthyer në një qendër të zhvilluar zejtarie e jetese në vazhdimësi, këtë festë pagane e trashëgoi dhe e festoi më bukur për të shprehur shpirtin bujar të gëzimit.
Ndaj kjo festë ka hyrë në fjalorin dhe ndjenjën njerëzore të këtij qyteti prej shekujsh si një traditë, mbi të cilën portretizohet gëzimi i ardhjes së Pranverës. Ajo, e materializuar, e ka përsosur cermonialin e saj me elementë të tjerë. Por shekujt do të rendnin me hapat e tyre, duke kapercyer pengesa të njëpasnjëshme, për të ulur disi tempin e saj në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Sistemi totalitar socialist, i instaluar në Shqipëri, persekutoi zakonet prapanike, festat e ritet fetare. Ndërsa festën e Ditës së Verës, për vetpërmbajtjen e karakterit popullor e lejoi të festohej në heshtje. Ndaj kjo festë asnjëherë nuk është ndërprerë. Kjo, sepse elbasanasit e festuan në familje, në natyrë, edhe me një masivizim të rinisë shkollore, punëtore, etj, gjë që edhe nuk i cënoi punë sistemit. Kur erdhi Demokracia, si një erë e re, ngarkuar me ajër të ndryshuar, festa e Ditës së Verës, u shpërfaq, ashtu si festat fetare, me një madhështi për t’u admiruar. Ajo sot i është përshtatur kohës dhe vazhdon të festohet si një ditë gëzimi e hareje, që tregon vlerën dhe tagrin që mbart, si festa më e vjetër e trojeve tona dhe unikale në shtrirjen evropiane.
Për të përjetuar me kënaqësinë e festës
Dita e Verës, e cila është pjesë e gëzimeve të banorëve të Elbasanit, në historinë e tij mijëravjeçare, përjetohet si një ngjarje e madhe. Ajo thith një angazhim moral e material dhe në thelb ruan traditën, që festohet aq këndshëm me një repertor të pasur në familje, në shoqëri; me begati ushqimesh e me shumë rite pagane, blatime, etj. Duke i pranuar Elbasanit autorësinë, festimet i përcjellin edhe disa veçori, ku inkludohen dhe mbështetjet shtetërore me veprimtari të ndryshme muzikore, gara sportive, panaire lulesh, zbukurime artistike, prodhime ushqimore, ku më së shumti bie në sy ballokumja. Vite më parë, klubi letrar “Kostandin Kristoforidhi“ në Elbasan organizonte festivalin poetik “Trëndafilat e Elbasanit”. Emocionet e kënaqësia e festivalit i shtonte shkëlqim festës së Ditës së Verës mes bukurive të qytetit, ku edhe gurgullima e Shkumbinit plak shoqëronte vargjet e poetëve, mjeshtër të fjalës, të mbledhur bashkë me shpirtin e tyre plot lirizëm pranveror. Ky konitacion nuk duhet harruar.
Gjatë festimit të Ditës së Verës, Elbasani bëhet më i bukur dhe merr vlera, sepse në brendinë e tij ndesh harmoninë e plotë me të gjithë komponentet përfshirës (dhe jo vetëm argëtues) të një kënaqësie mrekulluese. Nëpër rrugët, sheshet, lulishtet e zbukuruara dhe lokalet e shumta që gumzhijnë jo vetëm të banorëve të qytetit, e cila ndikon në gjendjen e çdokujt me entuziazmin e frymëzimit pranveror. Gëzimi derdhet e të duket sikur noton edhe me fluksin e njerëzve nga qytete e krahinat e tjera. Ka njerëz që udhëtojnë qindar- mijëra kilometra për të ardhur. Elbasanasit, të larguar në emigracion, kthehen me mall. Cila është ajo forcë e çuditshme, çfarë i shtyn ata të marrin udhën?! Respekti dhe dashuria për festën e të parëve të tyre, malli për origjinën për të gëzuar me njerëzit e tyre të dashur, do të thosha, për t’i mbyllur këto rreshta.
Në mbrëmje qyteti vesh petkun e shëndritshëm të dritave dhe të ngjan sikur janë derdhur mijëra yje. Çdo familje përgatit ushqimet më të mira për këtë festë. Nënat dhe gjyshet gatuajnë, në heshtje e me një solemnitet për t’u përgëzuar, të ndërthurur me urime si: “Tu bëftë jeta behar”!,“Kështu të gjetë behari!”, etj. Pjekin ballokumet, që është ëmbëlsira më e veçantë e kësaj feste dhe karakteristike e Elbasanit, me gatimin nazik të saj. Të impresionojnë fjalët e thëna shpirtërisht nga studiuesi Thanas Meksi: “Hiroshja Ditë Vere futet shtëpi më shtëpi e sofër më sofër, te pasaniku, por edhe tek i vobekti. Sepse edhe ky i fundit me kursimet e mbledhura gjithë vitin, shpenzon pak gjë, ndaj nuk mund të festohet ardhja e festës së Ditë së Verës pa Gjelin e Detit, gëzimin e fëmijëve, apo pa ballokumet me sheqer”.
Por më shumë se ditët e tjera, në këtë ditë feste, ua ka enda të rendin në natyrë, në kodrat, pyjet, lëndinat, e pranë lumenjve për të festuar me familjen, të afërmit; me miq e shokë. Elbasani shquhet për panorama të larmishme, jo vetëm në kolorit e formë, por edhe në sistemim, dukshmëri dhe shije të hollë artistike. Kjo është edhe pjesa më e bukur e festës së elbasanllinjve. Vendet e bukura të Elbasanit si: Burimi i Bushekut, Rrapi i Mansit, Varrezat e Mëdha, Kroi i Kalit, Tepja, Ullini i Qejfit, Teferiçi, Çezma e Kasinës, etj marrin tjetër kuptim e dimesion marramendës njerëzor e, me spikatje gëzimi dhe hareje që sjell festa, e ndikuar dukshëm nga natyra, ku lakuriqësia e trishtë e saj këmbehet me lule e gjelbërim. Dhe të tëra këto shërbejnë si një forcë shpirtërore, jo vetëm në sytë e fëmijëve, mbushur me dritë gëzimi, por edhe në rruthat e të moshuarve. Një gërshetim brezash për të gëzuar e festuar së bashku me të afërmit, miqtë e shoqërinë. I gëzohen më shumë të rinjtë ardhjes së stinës së re. Ajo shërben edhe si një mundësi njohjeve dhe zbavitje për ata. Ata që shiheshin për herë të parë takoheshin, pëlqeheshin dhe më pas mblesët piketonin fejesat dhe martesat e tyre. Një ditë e gjatë me argëtime të shumta si lojëra popullore, këngë e valle. Nuk harrohen këngët e Isuf Myzyrit si: “Për gjithë shokët asht Ditë Vere, Dimni tem s’ka të mbaru/Ç’janë k’to lajme, k’to habere?/Ah, erdh koha me kalu…!.”
Në këtë ditë feste urimet burojnë nga shpirti i çdokujt: “Gëzuar Ditën e Verës!”, “Me shëndet behari!”, “Gëzofshi të ritë!”, etj.
Është kjo festë kaq e bukur dhe e lashtë, sa që jo vetëm e ka pasuruar botën shpirtërore të njerëzve të kësaj treve, por edhe që flet për një kulturë të lashtë dhe të veçantë.
Përmbylltasi në formatin e këtij parashtrimi u synua jo vetëm të sjellë anën burimore të këtyre riteve pagane, veçanërisht Ditën së Verës, por edhe përqëndrimin e saj dhe shtrirjen, me ngarkesën emocionale përjetuar me efektet tepër ndikuese, të cilat duhen ruajtur, duke i dhënë një mesazh vazhdimësisë.