
-Në mesditë u zhvillua Mesha solemne e festës, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa në mbrëmjen e sotme mbahet Mesha e shenjtë/
-Në Kosovë, Ditët e Shën Nënë Terezës nisën në 26 Gusht 2019 me Akademi për Ditëlindjen e Shenjëtëreshes Shqiptare në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe që iu dha në vitin 1979/
-Vjosa Osmani nderon Shën Terezën për Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë-

Festë në Katedralen Shën Nënë Tereza në PrishtinëGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari


PRISHTINË, 5 Shtator 2019/ Ditëfesta liturgjike e Shenjtës sonë Shën Nënë Tereza po kremtohet solemnisht në këtë 5 Shtator 2019 në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ku fillimisht ishte pritja e besimtarëve, miqve dhe njerëzve vullnetmirë.
Në Katedrale në mesditë u zhvillua Mesha solemne e festës, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa në mbrëmjen e sotme mbahet Mesha e shenjtë.
Në Kosovë aktivitetet e Ditëve të Nënë Terezës, të cilat zgjasin deri në 5 Shtator, kanë nisur në ditëlindjen e saj në 26 Gusht kur Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë organizon Akademi për të shënuar 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979) të Nënë Terezës.
Pjesë e programit ishte edhe promovimi i librit të Don Lush Gjergjit “E kam në zemër popullin tem Shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Tereze”, botuar nga nga Shtëpa Botuese “Drita” më 2019.
Në këto aktivitete u theksua se, “sivjet Ditët e Nënë Terezës, nëntëditëshi përgatitor dhe devocioni ndaj saj, kanë qenë të kremtuara në mënyrë të veçantë duke e kujtuar 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe të Nënë Terezës, e cila e mori në vitin 1979 në Oslo”.
E lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu u bë Motra Tereze e Loretos në vitin 1929; Nënë Tereza – Misionare e Dashurisë ne 1950-tën; Nobelistja e Paqes në 1979-tën, e Lumja Nënë Tereza në 2003-tën dhe Shën Nënë Tereza në 2016-tën.
Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.
Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë u bë para dy viteve – në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh-vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet.
Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.
Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
***
Vjosa Osmani nderon Shën Terezën për Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë

Prishtinë, 5 shtator 2019
Sot, në “Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë”, kandidatja e LDK-së, për kryeministre znj. Vjosa Osmani, nderoi simbolin universal të dashurisë ndaj njerëzimit, humanisten e madhe shqiptare, Agnes Gonxhe Bojaxhiut – Shën Terezën. Nëpërmjet respektit ndaj figurës së saj, znj. Osmani shpreh mirënjohje edhe ndaj të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët na dhanë shëmbëlltyra se si duhet të kultivohet dashuria ndaj njerëzimit dhe i falën atij shumë dashuri.
Përkushtimi i saj human, të bashkëjetuarit me më të braktisurit e kësaj bote, të varfrit dhe dhe të sëmurët, e kthyen këtë grua shqiptare në shëmbëlltyrë rrezatuese të njerëzimit. Edhe sot, shëmbëlltyra e saj na shërben për vepra paqeje, dashurie e respekti, si dhe për ta përlindur rolin e gruas shqiptare në familje dhe në shoqëri. Nëpërmjet shembullit të saj, bota i njohu vlerat e shpirtit bujar të shqiptarëve. Miku i madh i popullit tonë, ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, theksonte se “ishte personaliteti i Nënë Terezës ai që e kishte shtyrë ta njihte e ta donte popullin shqiptar”.
Sot, më shumë se kurrë, populli ynë ka nevojë për ta kultivuar besimin në njëri-tjetrin dhe rikthejë shpresën, besimin dhe vullnetin për të ecur drejt një të ardhmeje më prosperuese.