
Ditën e dielë, më datë 2 qershor 2024, shoqata social-kulturore shqiptaro amerikane “Iliria” në bashkëpunim me biznesin shqiptar organizoi festën e abetares dhe “festën e lakrorit”.
Veprimtaria filloi me këndimin e himnit shqiptar nga nxënësit e shkollës shqipe. Pas himnit fjalën përshëndetëse e bëri kryetari i shoqatës, Z. Besian Gjika. Ai, pasi falenderoi të pranishmit në festë, përmblodhi në një rezyme të shkurtër rezultatet e punës së shoqatës dhe falenderoi organizatorët dhe mbështësit e kësaj veprimtarie komplekse shumë kuptimëshe për komunitetin.
Më pas fjalën e mori i ftuari i nderit, sekretari i parë i konsullatës së Kosovës në Iowa, Z. Fatmir Rrahmanaj i cili vlerësoi pjesmarrjen masive dhe po ashtu frymën bashkëpunuese ndërmjet shqiptarëve në St. Louis si dhe rëndësinë e investimit në mësimin e gjuhës shqipe.
Përpara se të fillonte festa e abetares mësuese Marjeta Myrtaj me fjalën e saj përmbledhëse paraqiti punën e shkollës shqipe këtu dhe përparimin e nxënësve në mësimin dhe thellimin e njohurive në gjuhën shqipe. Gjithashtu një fjalë falenderuese bëri edhe ish aktori i teatrit të kukullave , “Mjeshtër i madh”, Z. Sokol Myzeqari, që gjatë muajit të fundit ndihmoi dhe udhëhoqi nxënësit dhe mësueset si në hartimin e programit, e po ashtu për interpretimin sa më mirë të vjershave dhe recitimeve të shkurtra teatrale.
Pas fjalimeve, nxënësit përmes vargjeve e deklarimeve kuptimore për veçori të çdo shkronjë të alfabetit, kënduan këngë për fëmijë dhe në fund interpretuan edhe dy pjesë të shkurtra teatrale. Pasi morën duartrokitjet e ngrohta nga prindërit dhe të pranishmit, nxënësit u argëtuan me aktivite të ndyshme sportive të organizuara nga trajnerët e sportit dhe mësuesit.
Më tej anëtarë të shoqatës dhe të komunitetit shqiptar shijuan gatimet tradicionale shqiptate, kryesisht lakrorë të shumëllojshëm të gatuara me shumë kujdes nga amvisat e mrekullueshme të komunitetit këtu në Saint Louis e përreth.
Është viti i dytë që organizohet një aktivitet i tillë dhe jemi të bindur që një organizim i tillë do të kthehet në një festë me program më të zgjeruar edhe me pjesëmarrje më të gjerë. Mendohet që të punohet për ta pasuruar edhe me elementë muzikorë e lojra popullore me të rritur për ta kthyer në një ekspozim të gjithanshëm traditash. Pjesëmarrje më e zgjeruar e këtij viti, e bën më bindës një synim të tillë për të qenë i vetvetishëm. Kjo festë e bukur shihet dhe si promovim i bukur i stinës së Verës, pushimeve e mbarësive njerëzore për ne shqiptarët këtu në Amerikë.