
Julika Prifti/
Në një nga sallat e katit të tretë të hotel Plaza, Tiranë, sot në orën 12 u organizua festimi i 90 vjetorit të Artistes së Popullit Margarita Xhepa. Dukej si një takim artistik në kohë me artistë, regjisorë, aktorë e artdashës të skenës të moshave të ndryshme. Shumë miq dhe adhurues erdhën të festojnë jetën dhe karrierën e artistes së shquar të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
Salla e madhe ishte ndarë në dy pjesë. Në pjesën ku u ulën mbi një qind të ftuar shihej një ekran i madh me fotografi nga role të ndryshme të luajtura në vite nga artistja e dashur. Në pjesën tjetër të sallës e cila ishte ndarë me perde të rëndë të zezë ishte ngritur një “muze” me foto e stenda ku ishin vendosur objekte nga rekuizita artistike e roleve teatrale e kinematografike. Aty kishte libra e gazeta me artikuj për të. Në një kënd ishin vendosur edhe disa manekine me kostumet e përdorura prej saj në shfaqjet që kemi parë në teatër, në kinema apo në foto albume.
Artisja shqiptare me karrierë 70 vjeçare hyri në sallë e shoqëruar nga motra e saj. U përshëndet me të njohur e dashamirës. Shumë prekës ishte momenti i takimit me shoqen e saj të viteve të para, aktoren ikonë të artit skenik dhe ekranit Tinka Kurti. Pas përshëndetjeve e urimeve nga përfaqësues zyrtarë si Ministri i Ekonomisë, Financës dhe Kulturës Blendi Gonxhe, Margarita Xhepa, e quajtur nga kritika “Mbretëresha e Skenës” i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, adhuruesit dhe kolegët me shumë dashuri.
“Përfytyroni një vajzë të brishtë, me fustan me lule, me kërcinjtë të lartë e këmbë të zbathura që bariste midis rrugëve tërë baltë të Myzeqesë… E tillë isha dhe unë,” rrëfen ajo. “Sa herë që e sjell ndërmend Lariskën e vogël, siç më thërrisnin në vegjëli, aq më tepër më ngjan se ato bashkë me kujtimet e fëmijërisë janë “zahire” për tërë jetën. Dhe unë i kam marrë ato me vete, si në baulet e pajës.”
Në këtë takim respekti, dashurie e mirënjohje e shumë brezave dukej forca e artit të vërtetë dhe të artistes që ka lënë gjurmë shumëvjeçare në artin shqiptar që nga vitet pas çlirimit e deri sot. Margarita ka sjellë mbi 100 role në skenën e teatrit dhe 40 filma artistikë. Ajo e vazhdon karrierën filmike në produksione të reja si Bolero në Vilën e Pleqve (2022) etj.
Gëzuar 90 vjetorin Margarita jonë e dashur. Edhe 100!