Nga Keze Kozeta Zylo/
Senatorja e shtetit të Nju Jork-ut Nathalie Fernandez, Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” dhe Konsulle e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka midis nxënësve te Alba Life.
Në Qendrën “Illyria” në Bronx në auditoriumin e saj, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e Shkollave Shqipe Alba Life Ambasador i Kombit erdhën për të festuar me plot sukses mbylljen e vitit akademik shkollor 2022-2023 si dhe për Festivalin e Dytë të Shkollave Shqipe.
Auditoriumi ishte mbushur plot e përplot, vecanërisht skena që ishte tej e përtej me nxënës ndriste nga pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Adem Jasharit etj.
Dita e diel ishte nje feste e bukur e kurorëzimit me sukses të përfundimit të vitit akademik shkollor 2022-2023 dhe kjo fal mësueseve që punojnë me profesionalizëm të cilat janë të licensuara nga shteti amë si dhe disa prej tyre dhe nga shteti i Nju Jorkut.
Ka qenë një vit i gjatë me plot sfida, për Bordin, nxënësit, mësuesit dhe prindërit, por në fund ja arritën qëllimit të bukur shumë suksesshëm.
Nxënësit nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara si Elona Shkreta, Entela Muda, Anxhela Alushaj, Jonida Alla, Fatlinda Gashi, Vjollca Skënderi, Mehrije Shala, Kade Lajqi Gresila Basha në Online, si dhe anëtarëve të stafit, sopranos së shquar dhe udhëheqëse artistike Dëshira Ahmeti, Gela Bulku, mësuese Vlera Sela Thaqi, Dr. Manjola Duli e mbaruam me plot sukses vitin shkollor. Duke realizuar një sërë aktivitetesh shumë të rëndësishme në Diasporë si Alba Life patëm kulmin e saj me festimin e 15-të vjetorit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” me një mbrëmje madhështore Gala në Hilton ku nderuan qindra shqiptarë dhe personalitete të larta amerikane dhe shqiptare. Ne nuk do të dimë të ndalemi deri në frymën e fundit në këtë Mision Kombëtar të mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë, sepse duket sikur kemi bërë betimin:
Kemi dhënë të gjithë një fjalë/ Jemi lidhur me besa-besë/ Nji shqiptar po mbeti i gjallë/ Gjuha Shqipe kurrë s’do vdes!
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” politikan amerikan i suksesshëm dhe njëkohësisht ka siguruar Qendrën “Illyria” ku Shkolla Shqipe “Alba Life” ka qenë e para që e ka inaguruar këtë qendër dhe vazhdon rregullisht të zhvillojë mësimin cdo të shtunë. Ishin gjithashtu Senatorja e shtetit të Nju Jorkut zonja Nathalia Fernandez, Konsulle e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka. Ishte krenari t’i kishim midis nesh dhe të na frymëzonin me fjalimet e tyre. Ata përshëndetën nxënësit dhe thanë vazhdojeni këtë mision që keni nisur per të ruajtur Gjuhën, traditat dhe historinë prej nga vini.
Z. Gjonaj vlerësoi lart punën e themeluesit, bordit, të mësueseve dhe nxënësve. Këshilloi të jemi të bashkuar se vetëm bashkë arrijmë atje ku duhet të jemi si shqiptarë. Zoti Gjonaj dhe z. Zylo ndanë pllakë mirënjohje për Drejtorin e IT, MD. M. Alam, NYC H+H. i cili ka dhënë ndihmese për të realizuar programin e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx per lidhjet kompjuterike.
Zoti Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online pasi përshëndeti nxënësit, mësuesit, prindërit dhe të ftuarit iu uroi atyre punë të mbarë në Festivalin e dytë të Shkollave Shqipe “Alba Life” si dhe suksese të mëtejshme në vitin tjetër. Duke parë rritjen e numrit të nxënësve Bordi dhe mësueset menduan të zhvillojnë Festivalin me Shkollat Shqipe Alba Life që tashmë po bëhet një traditë e bukur. Z. Zylo iu ndau certifikata mirënjohjeje zotit Mhill Gjuraj biznesmen i suksesshëm dhe suportues për Shkollat Shqipe “Alba Life”. Me certificatë mirënjohjeje u vlerësua gjithashtu z. Mhill Velaj shkrimtar i mirënjohur dhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikan. Shkrimtari Velaj gjithmonë ka frymëzuar dhe është një dashamirës i madh i Shkollave Shqipe “Alba Life”.
Po ashtu me certificatë mirenjohjeje u vlerësua mësuese Davida Hasanaj, për të cilën z. Zylo tha se ka dhënë një kontribut të vyer në mbarëvajtjen e procesit mësimor në Bronx. Me korrektësinë, besnikërinë dhe dashurinë për nxënësit dhe mësimin e Gjuhës Shqipe ajo fitoi respektin e Bordit dhe të kolegëve bashkë me bashkëshortin e saj z. Agim dhe fëmijet e mrekullueshëm.
Ne fund z. Zylo bashkë me mësuesit iu ndanë nxënësve certifikatat e përfundimit të vitit shkollor akademik shkollor 2022-2023.
Programi artistik
Hymnet Kombëtare amerikane dhe shqiptare u interpretuan nga sopranoja e shquar Dëshira Ahmeti e cila ka dhënë shfaqje në skena të botës dhe u shoqërua nga kori i shkollës.
Hymni i Shkollës Shqipe Alba Life “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë” u interpretua nga kori i shkollës.
Kënga: ‘Shqiperi o nëna ime” u interpretua nga Aelia Rena.
“Kënga për mësuesen” u interpretua nga Aria Stoja.
Në Festival nxënësit kërcyen vallet e Tiranës, Vallja e Bariut, Vallja e Tropojës.
Këngën Xhamadani Vija Vija e interpretuan Edona Gjitija dhe Diellor Lajqi.
Programi i pasur artistik u mbyll me këngën “Të rrojë Shqipëria” interpretuar nga Kelvin Rustani dhe Altea Bala shoqëruar nga kori.
Pas Festivalit dhe dhënies së certifikatave nxënësit u argëtuan duke kënduar dhe hedhur valle nën tingujt e DJ Hermes ndihmuar nga Odise Salillari aktvisit i njohur dhe Kryetar i Shoqatës Devolli.
Aktiviteti u filmua me profesionalizem nga Bujar Sadikaj njëkohësisht dhe anëtar i Stafit të TV “Alba Life”.
Pushime të mbara të dashur mësues dhe nxënës!
Mirupafshim në shtator për vitin akademik shkollor 2023-2024!
11 Qershor, 2023
Bronx, New York