Nga Dalip Greca/
Festivali i Shkollave shqipe i organizuar më 15 qershor, me nismën e Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Nju Jork, ambasador Bekim Sejdiut me bashkëpunëtorë, i mbështetur edhe nga Konsullata e Shqipërisë në Nju Jork, ishte hapi kulmor i veprimtarive shkollore të këtij viti. E bërë për të parën herë dhe realizuar bukur, organizatorët meritojnë përgëzime, ndërsa fëmijët duartrokitje e përkrahje. Thirrjes së organizatorëve i ishin përgjigjur me pjesmarrje shkollat shqipe në Bronx, Fondi i Përbashkët Shqiptar në Patterson-NJ, Shkolla Shqipe”Alba Life” në Staten Island dhe Brooklyn, mysafire ishin shkolla Shqipe”Gjuha Jonë” në Filadelfia dhe Ansambli i valltareve të Ansamblit “Rozafat” të Qendrës Kulturore “Zoja e Shkodrës” nën drejtimin e koreografes Angjelina Nika.Festivali është prezantuar nga Klodiana Zylo Halsted dhe Ariot Myrtaj.
Të pranishëm ishin ambasadori Bekim Sejdiu me personelin e konsullatës së Kosovës(Konsujt Korab Mushkolaj dhe Ylber Kryeziu), Konsullja e Shqipërisë Irena Dai, ansambleisti i shtetit të Nju Jork-ut, Mark Gjonaj, si dhe një grup biznesmenësh dhe veprimtarësh të komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe Teksas.
Kongresmeni demokrat Elitot Engel, i njohur si mik i shqiptarëve, u ka drejtuar një përshëndetje festivalistëve të vegjël dhe të gjithë organizatorëve e pjesmarrsve në këtë festival, duke i përgëzuar që promovojnë dhe kultivojnë traditat dhe kulturën shqiptare në Amerikë.
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, ambasador Bekim Sejdiu, në emër të organizatorëve, u ka uruar mirëseardhjen pjesmarërsve dhe të ftuarëve, dhe ka përgëzuar shkollat shqipe për seriozitetin e përgatitjeve dhe u ka uruar sukses festivalistëve të vegjël.
Fjalën përshëndetëse e ka mbajtë konsullja e Shqipërisë Irena Dai. Mes të tjerash, Konsullja tha se:Kam kënaqësinë dhe privilegjin të adresoj përgëzimet dhe përshëndetjet më të sinqerta dhe të përzemërta për këtë festë të shpalosjes së gjuhës së bukur shqipe. Kam bindjen se shqipja jonë, një nga gjuhët më të rralla e të lashta në Europë, është sot ura më e fuqishme e bashkimit të shqiptarisë, është formësim i qenies sonë shqiptare, është thesari që e trashëguam nga paraardhësit tanë, mbi të gjitha-është sakrifica dhe lufta e rilindasve për t’i dhënë ekzistencialitet Kombit Shqiptar, të cilët me vargjet e tyre rrëqethëse, aq bukur i kënduan Shqipes tonë dhe quajtën me të drejtë “Gjuhë Perëndie”…(Lexoje te plote ne Diellin e printuar)