
WATERBURY, CT – Komuniteti shqiptar në Waterbury festoi me sukses Festivalin Shqiptar, një aktivitet dyditor që mblodhi rreth pesë mijë pjesëmarrës për të shijuar kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare. Festivali u zhvillua në ambientet e Qendrës së Komunitetit Shqiptaro-Amerikan Mysliman në Waterbury dhe ofroi një program të pasur me aktivitete kulturore, artistike dhe komunitare.
Gjatë dy ditëve të festivalit, vizitorët patën mundësinë të shijojnë gatime tradicionale shqiptare, muzikë live, aktivitete familjare dhe një atmosferë të ngrohtë që pasqyroi vlerat dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Një nga momentet më të veçanta të festivalit ishin vallet e fëmijëve, të interpretuara me shumë përkushtim nga nxënësit e shkollës së komunitetit. Performancat e tyre u pritën me duartrokitje të shumta dhe dëshmuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare te brezat e rinj.
Në kuadër të aktivitetit u ndanë gjithashtu bursa për studentët, duke vlerësuar arritjet e tyre akademike dhe duke inkurajuar vazhdimin e suksesit në arsim. Ky gjest përfaqëson përkushtimin e komunitetit për të mbështetur të rinjtë dhe të ardhmen e tyre.
Një moment tjetër i rëndësishëm ishte ceremonia e nderimit të disa personaliteteve dhe mbështetësve të komunitetit. Me titullin “Miq të Shqiponjës” u vlerësuan individë që kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar. Po ashtu, me mirënjohje të veçantë u nderua z. Rrustem Demiraj për kontributin e tij të palodhur dhe punën vullnetare ndër vite në shërbim të komunitetit.
Festivali u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë dhe aktivitete të shumta që promovuan unitetin, kulturën dhe krenarinë shqiptare.
Organizatorët shprehin mirënjohjen e tyre të sinqertë për të gjithë sponsorët, vullnetarët, anëtarët e komisionit organizues dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në suksesin e këtij festivali. Falë mbështetjes dhe përkushtimit të tyre, Festivali Shqiptar në Waterbury vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të komunitetit shqiptar në Connecticut.
Faleminderit të gjithëve që kontribuuan dhe morën pjesë në këtë festë të kulturës, traditës dhe bashkimit shqiptar.
Me rrespekt dhe lutje.
Endrit Himaj
Foto: Gerolld Nikoliqi