Eliton Pashaj, Dervishi i Teqesë Bektashiane Shqiptare në Michigan, rrëfen për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, festimin e festës së Hashures organizuar nga Teqeja e Baba Rexhebit në Michigan. Me Dervish Eliton Pashaj bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.
ASHURE NË KOHË PANDEMIE
Ashtu siç është tradita fetare e Bektashinjve edhe këtë vit në SH.B.A u bë përkujtimi i ditës së Ashures, ndryshe nga vitet e tjera për arsye të pandemisë globale Teqeja e Baba Rexhebit ka bërë një risi në këtë organizim duke e bërë shpërndarjen e Ashures në drive-through për të ruajtur shëndetin e të gjithë besimtarëve por dhe për të mos e shkëputur traditën 66 vjeçare të filluar nga themeluesi i Komunitetit Bektashian Halife Baba Rexheb, në vitin 1953. Falë përkushtimit të klerikut të këtij institucioni dhe ndihmës së vullnetarëve edhe në këtë kohë pandemie globale, besimtarët Bektashi në Amerikë morën pjesë në ceremoninë e Ashures që u drejtua nga Dervishi Eliton Pashaj, kleriku i Teqes Bektashiane Shqiptare në Michigan.
LUFTA E QERBELASË
Lufta e Qerbelasë është tragjedia më ngjethëse në historinë e Fesë Islame. Ky përkujtim bëhet dhjetë ditë me radhë në dhjetë ditët e para të hënës Muharem, sepse ngjarja e Qerbelasë ndodhi pikërisht në këtë hënë, në vitin 63 të Hixhretit. Ky përkujtim, në persisht quhet matem, fjalë e cila do të thotë të mbajtur zi. Për kujtim dhe nderim të Dëshmorëve të Qerbelasë, besimtarët gjatë dhjetë ditëve të Matemit nuk pinë ujë. Përveç kësaj, gjatë Matemit, të gjithë bektashinjtë mënjanojnë lukset dhe dëshirat, dhe për të përkujtuar ngjarjet e paharrueshme të Qerbelasë shkojnë në teqe me zëmër të pikëlluar dhe me këto fjalë në gojë: Ja Imam! Ja Imam! Por në kohën e Matemit, bashkë me ngjarjet e Qerbelasë, përkujtohen edhe të gjitha ngjarjet dhe sakrificat e mëparshme, të bëra në shërbim të njerëzimit. Përmenden me radhë vuajtjet dhe mundimet që hoqën të gjithë Profetët për plotësimin e misionit të tyre të shenjtë. Këto përmendje, gjatë dhjetë ditëve të matemit bëhen sipas kësaj radhitje: Natën e parë përkujtohen mundimet që hoqi Profeti Adem në kryerjen e misionit të shenjtë. Përmendet edhe krimi që ndodhi midis djemve të tij si edhe ngjarjet që ai vetë përshkoi në misionin për tu përsosur. Përkujtohen ngjarjet e Nuhut, i cili në plotësimin e misionit të vet, vuajti shumë prej popullit. Përkujtohen vuajtjet e Ibrahimit, i cili u hodh në zjarr prej Nemrodit të mallkuar sepse predikonte rrugën e drejtë të Perëndisë. Natën e dytë përkujtohen vuajtjet e Profetit Muhamed, i cili hoqi shumë mundime për ta nxjerrë popullin nga errësira e skllavërisë në dritën e mirësisë e të njerëzimit. Natën e tretë përkujtohet i Madhi Ali, i cili ra Dëshmor për ta udhëhequr botën në rrugën e mbarë. Natën e katërt përkujtohet Imam Hasani, i cili u helmua prej njerëzve të pabesë e të pashpirt, sepse predikonte paqen dhe rrugën e vërtetë. Natën e pestë përkujtohet gjithë jeta e Imam Hysejnit. Natën e gjashtë përkujtohet emigrimi i Imam Hysenjit prej në Medine në Mekë, që e bëri për të mos shkaktuar grindje me Jezidin. Natën e shtatë përkujtohet Myslim Ibën Akili, i cili shkoi si delegat i Imam Hysejnit në Kufe, ku u tradhtua dhe ra dëshmor bashkë me të dy djemtë e tij të vegjël, Muhtarin dhe Ibrahimin. Natën e tetë përkujtohet udhëtimi i Imam Hysejnit për në Kufe, ku shkonte i ftuar nga populli për t’i drejtuar në rrugën e mbarë. Natën e nëntë përkujtohet arritja e Imam Hysejnit në Qerbela, në të cilin vend mori letrën e Myslimit, me të cilën Myslimi e paralajmëronte të mos shkonte në Kufe, sepse populli e pat prerë në besë. Natën e dhjetë që është nata e fundit, tregohet lufta e Qerbelasë, ku Imam Hysejni ra Dëshmor në fushën e Fesë së bashku me shokët e tij. Kur merr fund Matemi, atëherë në Teqetë fillon të përgatitet Ashurja, ëmbëlsira e përmotshme në kujtim të ngjarjes së Qerbelasë. Ashurja përgatitet me një ceremoni fetare të veçantë, gjatë së cilës këndohet me zë të lartë Merthijeja, një vjershë vajtimi për Imam Hysejnin. Në mbarim të kësaj ceremonie, dhe pasi bëhet lutja fetare në një heshtje të madhe të zisë, populli i mbledhur në teqe fillon të hajë Ashure, duke përkujtuar me adhurim Imam Hysejnin dhe duke mallkuar Jezidin dhe pasuesit e tij.
TEQEJA BEKTASHIANE E BABA REXHEBIT HUMANIZËM E SOLIDARITET NË KOHË PANDEMIE
Bujaria, zëmërgjerësia dhe mirënjohja janë ndër virtytet më të larta të shqiptarit. Në një kohë kur bota përballet me një virus vdekjeprurës global, të shprehësh mirënjohje e falënderim për luftëtarët e vijës së parë është një mirënjohje shumë e veçantë. Këtë e bëri Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan ku gatoi dhe shpërndau ushqime për policë e zjarrfikës të shtetit të Michiganit. Në çdo sfidë që ka kaluar shteti shqiptar dhe historia shtetformuese e kombit tonë, padyshim kleri fetar ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Bektashinjtë shqiptarë kanë qenë kurdoherë një vatër e ngrohtë atdhedashurie. Bujaria, mikëpritja dhe atdhedashuria kanë qenë përherë virtyt i lartë i bektashinjve shqiptarë. Teqetë Bektashiane historikisht i janë gjendur pranë komunitetit shqiptar si në kohë të begata ashtu edhe në kohë të vështira. Dyert shpirtërore dhe institucionale të këtyre institucioneve klerikale kanë qenë të hapura për çdo njeri pa dallim rrace apo feje.