– Skënderbeu dhe shtabi i tij – Trimi i mirë me shokë shumë
Fotaq Andrea & Dritan Muka
Pjesa I
Kohët e fundit, historiania amerikane e artit Louise Rice, profesore në New York University, falë studimit të saj « Kuptimi brenda kuptimit sipas një vizatimi të Jacques Stella-s »1 që ndodhet në muzeun Ashmolean të Oksfordit, ka arritur të zbërthejë, në mënyrë të meritueshme, një enigmë që ka tërhequr vëmendjen e historianëve të artit që prej gati katër shekujsh: kush personazh historik qëndron prapa figurës qendrore të vizatimit të piktorit të shquar francez Jacques Stella (1596-1657), realizuar gjatë kohës kur ai ka jetuar në Itali. Është fjala për një vepër artistike të vitit 1631, në përmasat 29,1 x 41,9 cm punuar kryesisht me teknikën pendë dhe lavis, apo ngjyrosje e lëngshme e të kafenjtës me guash të bardhë. Një princ – apo një mbret -, me shpurën e vet, shfaqet në një çast fushimi. Dhe, për nga vetë përkrenarja me kokën e dhisë përsipër, që ky personazh historik mban mbi krye, Louise Rice, me të drejtë, dallon që në fillim figurën e Skënderbeut, Heroit Kombëtar shqiptar.
Veçse, siç do vërejmë më poshtë, vëzhgimet e saj në disa rrafshe dhe në disa pista hulumtimi e çojnë studiuesen Louise Rice në konkluzionin se prapa figurës historike të një Skënderbeu “me veshje moderne” qëndron figura e lashtë e Pirros së Epirit(!) Një konkluzion ky për të cilin detyrohemi të shprehim rezervat tona që në fillim. Sepse, duke u përqëndruar në shumë elementë të tjerë përbërës të kompozimit të veprës, dhe sidomos në kontekstin historik të realizimit të saj, shohim këtu, para së gjithash e mbi të gjitha, përtej aluzioneve e analogjive, thjesht dhe vetëm figurën madhore të kombit shqiptar, Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun.
Për më tepër që, pas analizës që i bën Louise Rice vizatimit të Jacques Stella-s, një tjetër historian bashkëkohor i artit, Sylvain Kerspern, vëren me të drejtë se, prapëseprapë, “subjekti i veprës mbetet enigmatik”2. Që do të thotë se ka vend për studim edhe më të thelluar, me zbërthime të mëtejshme elementësh përbërës, pra, me prurje të reja, të cilat ne do përpiqemi t’i parashtrojmë mbi bazën e skënderbegologjisë, si degë e rëndësishme e shkencave albanologjike.
Por le të shohim fillimisht më nga afër, në mënyrë të përmbledhur, vëzhgimet, analizat dhe përfundimet e studimit të Prof. Louise Rice, si dhe të dhënat e reja plotësuese të hulumtuesit dhe studiuesit francez Dr. Sylvain Kerspern.
Prof. Rice sheh pra, në këtë vizatim të piktorit Jacques Stella, “një mbret me oficerët e tij, mbledhur përpara një kampi ushtarak, paraqitur me veshje ekzotike që të bën të mendosh për një vend me përkatësi nga Lindja, por ndoshta edhe nga Perëndimi”. Në të majtë, qëndron flamur-mbajtësi, me shqiponjë shpalosur e të kurorëzuar, në të djathtë, në shatër në moshë të re tek mban para vetes një mburojë me emblemë, si dhe në plan të parë një qen që rend drejt një zone të pyllëzuar. Në të djathtë, shihen tre ushtarë duke kuvenduar dhe në plan të dytë, tumpetistë, që japin alarmin për mbledhje të trupave. Një shirit i shndritshëm në formë harku ylberor është i mbushur me personazhe të kapur dorëpërdore, duke u ngjitur drejt qiellit.
Si bën këtë paraqitje të elementëve kompozicionalë të vizatimit, Louise Rice jep një historik të përmbledhur të studimeve të para lidhur me këtë vizatim, dhe konkretisht:
“… I pari që ka bërë një interpretim serioz të përmbajtjes, thotë ajo, është ikonografi i madh francez Jean Seznec, i cili më 1954 sheh këtu një skenë të përqëndruar në Hungari; mbreti është Mathias Corvinus dhe shatri i tij është Ippolito d’Este”, domethënë nipi i mbretit hungarez. Dhe Rice që shton: “Veshja gjysmë-orientale e mbretit dhe e shërbenjësve të tij të krijon përshtypjen se ngjarja po ndodh në Hungari, kurse flamuri me shqiponjën bën aluzion për Ippoliton, duke qenë se shqiponja ishte emblemë e parapëlqyer e familjes Este…”.3 Veçse, kundërshton menjëherë Prof. Rice, teoria e Seznec nuk jep shpjegim për shumicën e aspekteve të tjera të vizatimit”. Për më tepër që nuk i përgjigjet realitetit të gjërave, kur në mburojën e shatrit nuk shfaqet as emblema e Mathias Korvinit, as emblema e familjes Este. “Dhe përse flamuri me shqiponjë mban mbi krye një kapë kardinali? – pyet prof. Rice, që vijon: “Përse (për më tepër), shfaqet në plan të parë një qen duke rendur? Dhe ç’përfaqësojnë, nga ana tjetër, figurat, burra e gra, në ngjitje drejt qiellit përmes një shiriti të shndritshëm?”4. Ja do pyetje, konkludon ajo, për të cilat studjuesi francez Seznec nuk jep kurrfarë shpjegimi bindës.
E njëjta gjë me shpjegime të pështjella ndodh edhe me historianin hungarez të artit Sandor Baumgarten (1864-1928), i cili kishte vërejtur më herët në këtë vizatim të Stella-s, një skenë që paska lidhje jo vetëm me historinë e Hungarisë, por edhe me figurën e veçantë të kardinalit Ippolito d’Este. Dhe çuditërisht, ai e sheh këtë personazh të realizuar te figura madhore e mbretit, si figura kryesore, dhe jo te figura e shatrit djaloshar! Domosdo që, për prof. Rice, edhe ky argument i Baumgarten bie poshtë si i pakuptimtë, tek shmang kësisoj të dy këto interpretime të para të gabuara të mesit të shek. XX mbështetur mbi “tematikën hungareze”.
Në këtë mënyrë, sekreti i vizatimit të Jacques Stella-s do të mbisundonte deri kohët e fundit, kur Louise Rice, më 2021, do të kërkojë para së gjithash të zbulojë arsyen themelore të realizimit të kësaj vepre. Dhe arsyeja, si për mjaft vepra të tjera të kësaj gjinie, qëndron në dukurinë e kohës: kur në Itali, por edhe në Francë, studentë që mbronin teza doktorale publike i ilustronin punimet e tyre shkencore me vepra artistike, shpesh me tematikë të huazuar nga Lashtësia, por edhe nga Orienti ekzotik. Shfaqen kësisoj në këto ilustrime elementë ikonografikë përkushtues, ku veçanërisht bien në sy emblema të figurave historike apo të familjeve të mëdha fisnike. Dhe në rastin tonë, kompozimi i Jacques Stella-s shfaq konkretisht emblemën e kardinalit Desiderio Scaglia (1567-1639), i njohur ndryshe me emrin Kardinali i Kremones.
(foto 2) Kardinali Desiderio Scaglia (1567-1639) dhe emblema e tij.
Nuk mungojnë elementët përbërës të kësaj embleme qoftë në shqytën e shatrit, qoftë edhe të shpërndarë në gravurë: konkretisht, qeni duke rendur mbi një pjerrësirë tokësore apo shqiponja me një krye, kurorëzuar me kapë kardinali dhe mbajtur nga katër engjëj ajërorë, mu në mes të ilustrimit. Këtë shpjegim të prof. Rice lidhur me emblematikën e tablosë së Stella-s e shohim mëse të drejtë dhe të mirargumentuar.
Veçse më pas, Prof. Rice do të kërkojë shtresëzimet kuptimore të elementëve përbërës të veprës artistike, duke lexuar vëmendshëm “kuptimet brenda kuptimeve”, siç e titullon ajo esenë e saj, duke u ndalur në detajet e shumta të kompozimit. Për studiuesen amerikane të artit, “detaji më i çuditshëm (apo i pazakontë), siç thotë ajo, është kurora e mbretit, një element gati i papërmendur në komentet e bëra rreth këtij vizatimi”. Pra, shkurt dhe saktë: vetë përkrenarja me kokën e dhisë i zbulon prof. Rice figurën historike të Skënderbeut shqiptar! Me një dallim të dukshëm: që ajo sheh në këtë përkrenare “një kokë cjapi me brirë të gjatë” (!) Në fakt, jo një herë, ne, në analizat tona, kemi vënë në dukje se është e vështirë të përcaktohet me përpikmëri gjinia e kafshës falë brirëve të saj: është dhi apo është cjap ?!5 Por nga ana tjetër, shënojmë kalimthi se në heraldikë, zakonisht, dallimi i gjinisë bëhet këtu duke e paraqitur për shembull cjapin me brirë më të gjatë e të përthyer fort, madje edhe të rrumbullakosur një a dy herë rreth vetes, si në përkrenaren e Aleksandrit të Madh.
Rrjedhimisht, konkludon me të drejtë prof. Rice, shfaqet këtu “një kurorë (përkrenare) paraqitur krejt ndryshe nga ajo e mbretërve të Hungarisë a Polonisë, apo krejt ndryshe nga çfarëdo simboli tjetër heraldik brenda kufijëve të Perandorisë së Shenjtë germano-romake. “Dhe duket qartë, vijon ajo, se kemi të bëjmë thellësisht me një objekt të lidhur ngushtë me historinë heroike të një rajoni tjetër të Europës së Lindjes, konkretisht me Shqipërinë” (nënvizimi ynë F.A. & D.M.). “Sepse Stella – nënvizon Rice -, e ka modeluar atë kurorë mbi bazën e përkrenares të udhëheqësit të madh shqiptar të shekullit XV dhe mbrojtës i Europës kundër turqve osmanë Gjergj Kastriotit, i njohur më mirë me emrin Skanderbeg (1405-1468)”.
“Përkrenarja e Skënderbeut, si dhe dy nga shpatat e tij, shpjegon ajo, u çuan në Itali nga e veja Donika Kastrioti, dhe më pas u morën në zotërim nga arqiduka Ferdinand i Tirolit, një koleksionist i apasionuar armësh e armaturash, që i ruajti ato si objektet më të çmuara të tij në Scholss Ambras të Insbrukut, ku qëndruan deri në shpërnguljen e tyre në Vjenë në fillim të shek. XIX”. Ja një shpjegim i qartë e i bindshëm nën penën e prof. Rice.
(foto3) Stella – Skënderbeu me përkrenaren.
Më tej, për të përforcuar tezën e saj, ajo i referohet drejtpërdrejt ikonografisë kastriotine të kohës së piktorit francez J. Stella, dhe vëren se nuk mungojnë assesi veprat artistike që paraqesin Skënderbeun dhe përkrenaren e tij me kokën e dhisë përsipër. Përmend kështu “Skënderbeun” e piktorit italian Giovanni Baptista Fontana (1541-1587), me gravurim të Dominicus Custos në vitin 1601, duke parë në këtë portret të Heroit shqiptar modelin që i ka shërbyer J. Stella-s për realizimin e veprës së tij.
(foto 4) Skënderbeu i Stella-s dhe i Fontana – Custos.
Madje, me shumë mprehtësi, studiuesja amerikane vëren se këndi i paraqitjes së përkrenares së Skënderbeut te vepra e Custos, është po ai i përkrenares së vendosur mbi kryet e Heroit te vepra e Stella-s. Nga ana tjetër, Prof. Rice përcakton me shumë të drejtë si modelin më të përafërt të “Skënderbeut” të Stella-s gravurën e realizuar për Heroin shqiptar nga Hieronymus Henninges në veprën “Theatrum Genealogicum”6, ku Gjergj Kastrioti nuk shfaqet me mjekrën e gjatë legjendare të Custos, por thjesht me mustak të rëndë, veshur me veladon të gjatë gjithë motive e thile, tek mban në dorë të djathtë flamurin shqiptar me shqiponjën dykrerëshe dhe në krahun e majtë shpatën në brez. Përngjasa e madhe e dy portreteve të Skënderbeut realizuar njeri nga Henninges (v.1598) dhe tjetri nga Stella (v.1631) e bindin prof. Rice të shohë këtu, pa kurrfarë dyshimi, të njëjtin portret të KryeHeroit shqiptar. Dhe me të drejtë (shih foto 9).
Pasi jep një përshkrim të shkurtër biografik të Skënderbeut dhe rendit vlerësimet për KryeHeroin shqiptar “si mbrojtës i guximshëm i kishës katolike romane dhe i kristianizmit europian në përgjithësi, cilësuar “tmerr i turqve dhe fshikullues i të pabesëve”, “kur vetë emri i tij, Iskander bey do të thotë lordi Aleksandër, ose më mirë Aleksandri i Madh”, Louise Rice kërkon të tërheqë vëmendjen se Skënderbeu, siç thotë ajo, “nuk ishte figurë mbretërore, as madje figurë princërore”, por thjesht një “prijës shqiptar” (!).7 Dhe, pikërisht, kjo zhbërje e papritur (me/pa paragjykim), kjo “rezervë” e saj, apo më mirë teza që ajo parashtron sipas së cilës “në Lashtësi nuk ka pasur një Shqipëri me emër të tillë, por as komb, as popull shqiptar”, (tezë plotësisht e kontestueshme dhe e qartësuar nga historiografia shqiptare), e bën studiuesen amerikane të kërkojë prapa figurës së Skënderbeut “kuptimin e kuptimit”, domethënë: Kush qëndron pas personazhit “Skënderbe”? Dhe përgjigja nuk do vonojë nga ana e saj, tek shprehet: “Rajoni njihej në Lashtësi me emrin e Epirit dhe kulturalisht e politikisht ishte i lidhur pas Greqisë, duke krijuar provincën më veri-perëndimore të vendit, kufirin gjysmë barbar të tij. Epiri, thotë ajo, qeverisej nga mbretër dhe më i famshmi syresh ishte Pirroja, që mbretëroi në vitet 297-272 para J.K., sidomos i njohur për luftërat që ndërmorri për të mbrojtur Magna Graecia-n kundër Romës grabitqare dhe ekspansioniste.”