
– Skënderbeu dhe shtabi i tij – Trimi i mirë me shokë shumë
Fotaq Andrea & Dritan Muka
Pjesa IV
Në fakt, tematika hungareze do të luante në Histori e ikonografi një rol të rëndësishëm sidomos gjatë shekullit XVI, kur banët hungarezë, në vazhdimësi të veprës heroike të Huniadit dhe birit të tij Mathias Corvin do të viheshin në pararojë të qëndresës së fuqishme antiosmane. Kjo tematikë hungareze nuk kish si të mos ushtronte ndikimin e vet mbisundues edhe në ikonografinë kastriotine, kur shohim tanimë një shndërrim të dukshëm të një pjese të portreturës kastriotine.
(foto12) Stili hungarez në paraqitjen e Skënderbeut, duke filluar me piktorin J. Amman, 1577.
Dy portretet e fundit përmbajnë diçiturën « Skanderbeg princ i Shqipërisë dhe Mbret i Epirit ».
Ngjarjet në Hungari duke filluar nga mesi i shekullit XVI, që do t’i analizojmë në veçanti në pjesën e dytë të këtij triptiku, do të shkaktonin jo vetëm njëfarë devijimi e deformimi të portreturës kastriotine klasike, por do të trazonin urat edhe në vetë burimet dokumentare e arkivore duke i lënë vend në disa raste pështjellës dhe inkoherencës. Veçse, nga ana tjetër, po në këtë periudhë – rreth viteve 1630 -, kjo portreturë kastriotine fantaziste do të lulëzonte dhe do të arrinte kulmin me portretin e Skënderbeut nga Rembrand, ku Heroi shqiptar jepet nga Mjeshtri i famshëm holandez me kostum ushtarak, pamje të rreptë luftarake, fytyrmprehtë, hundë të drejtë, mustak fijehollë, dhe me tërë atë floknajë të derdhur fuqimisht, një paraqitje me forcë gjeniale, që nderon ikonografinë skënderbegiane (foto).28
Së pesti e më në fund, tek i japim të drejtë prof. Luise Rice kur shprehet për tablonë e Stella-s se “Duke shpjeguar pjesët përbërëse të ilustrimit, mund të humbasësh nga shikimi të tërën,”29 nuk ka pse të kërkojmë më thellë se kush fshihet pas personazhit të Skënderbeut. Vetë emri i Skënderbeut, i njohur me këtë llagap nga sulltan Murati II (Iskander –Aleksander dhe Béj – Fisniku i Madh), është bërë historikisht epiqendër e shumë burimeve dokumentare, por edhe e shumë ilustrimeve që e paraqesin KryeHeroin shqiptar me vetitë më të shquara të heronjve të Lashtësisë, Pirros së Epirit dhe Aleksandrit të Madh. Për më tepër do të ndodhte që ndonjë autor ta shihte krejt fisin e Kastriotëve me “origjinë nga Maqedonia e dikurshme, të lidhur me perandorët e lashtë grekë”, dhe vetë Gjergj
(foto 13) Rembrand, Portret i Skënderbeut,
1634-1637.
Kastriotin ta konsideronte si “Princin e fundit që mbretëroi në Shqipëri apo Heroin e fundit të Maqedonisë, duke e parë gjenealogjinë e tij të prejardhur drejtpërdrejt nga një motër e Aleksandrit të Madh, kur Aleksandër do të thotë në greqishten e lashtë Mbrojtës i Njerëzimit.”30 Madje, edhe më shumë, do ndodhte që historiani i shquar francez Jules Michelet, të bënte një interpretim të mahnitshëm dhe krejt të kundërt duke parë një “Skënderbe të Antikitetit” (nënvizimi ynë) tek “i furishmi Pirro I, dhëndër i Agatoklit të Sirakuzës, Kapedan i Epirotëve.”31 Por edhe më tej, shkrimtari dhe akademisti francez Charles Nodier do të shprehej për Kapedanin e Madh shqiptar: “Ja Skënderbeu – Pirrua i ilirëve modernë”32, ndërkohë që Pukëvili, konsulli francez te Ali Pashë Tepelena, i sheh të njëjësuara apo të bëra një trup i vetëm figurat historike të Aleksandrit, Pirros dhe Skënderbeut, me një origjinë të vetme të përbashkët, Epirin, tek shihte te banorët e saj doket, zakonet dhe vetitë më të mira të këtyre Kapedanëve të Mëdhenj të Historisë.33 Andaj, kemi të drejtë të themi se s’ka pse të shkrihen identitetet sepse janë të shkrira tërë vetitë dhe cilësitë më të mira luftarake tek Kapedanët e mëdhenj të Historisë. Për më tepër që në “binomin Pirro/Skanderbeg” parashtruar nga Rice, nuk ka pse të shohim të parin “fshehur” pas të dytit, kur në fund të fundit, dihet që mbreti Pirro bëri fushata ushtarake kundër vetë Romës së lashtë, gjë që nuk mund të thuhet për Skënderbeun shqiptar, kur luftërat e tij kundër Turqisë osmane kishin vetëm karakter mbrojtës për kombin e tij dhe Krishtërimin. Një tezë e tillë e Rice për të “ndriçuar” Pirron e Epirit “agresor” ndaj Romës dhe për të “zbehur” Skënderbeun e Arbërisë dhe të Epirit, mbrojtës i Arbërisë dhe Europës e sikur nuk do t’i shkonte fort për shtat vetë kardinalit Desiderio Scaglia, të cilit i përkushtohej vepra e Stella-s.
Dhe, për t’u inkuadruar sa më shumë në periudhën kur piktori Stella realizoi tablonë e tij me Skënderbeun në qendër të kompozimit, pa ndarë të njëjtin mendim me prof. Rice në analizën që ajo i bën kësaj tabloje përsa i përket Arbërisë (Albanisë) së hershme, vërejmë te kronisti dhe historiani Jean Zuallart, më 1608, se Albanie (Shqipëri) “quhej Epiri i të Lashtëve dhe pjesa e së famshmes Maqedoni, sunduese e botës nën Aleksandrin e Madh, të cilin ajo e ushqeu dhe e rriti duke e bërë mbret; shohim “atë rajon të Epirit që përfshin në vetvete Akarnaninë dhe Etolinë e të Lashtëve, e që shtrihet përgjatë një pjese të Gjirit të Venecias dhe të Detit Jon, ku futet Durazzo, deri te lumi Akelou, që e ndan me Akaiën, dhe ku emri i Epirit shndërrohet në Albanie (sipas Eusebit dhe shumë autorëve të tjerë).”34
Në mënyrë shumë domethënëse, po në atë periudhë, konkretisht më 1591, në veprën “Icones Diversorum” të Jean-Jacques Boissard shohim të realizuar mjeshtërisht nga Theodore de Bry dhe të gravuruar nga Alexandre Vallée, portretin e Skënderbeut me profil djathtas, me mjekër të kreltë dhe me kapë veneciane zbukuruar në ballor me pendë. Çka shfaq këtu më shumë interes është vetë teksti në latinisht që shoqëron këtë ilustrim titulluar Scanderbego: “Quid Pyrrhum Epirus, priscum quid inacta Achillem, Pelide et Pyrrho maior at iste fuit. Robore Pharsalico Geticas vexare cohortes Perge: tua patria est libera facta manu”. (Skanderbeg: Ja Pirro i Epirit, si Akili, Pelide dhe Pirroja i dikurshëm, por ishte edhe më i madh se ata (nënvizimi ynë). Nuk rreshti së godituri hordhitë getike me fuqi farsalike: vendi yt, i lirë mbeti nga dora tënde)”. Një lartësim mëse i denjë e i bukur për KryeHeroin Shqiptar!
foto 14 Portrete të Skënderbeut
sipas “Icones Diversum” të J.J. Boissard, 1591, 1596.
Sigurisht, kemi në këtë kohë mjaft portrete të Skënderbeut që janë vënë në dukje edhe nga vetë prof. Rice dhe dr. Sylvain Kerspern në studimet e tyre të larpërmendura, sidomos portretet e realizuara nga Giovanni Batista Fontana dhe gravuruar nga Dominic Custos më 1601 për “Armamentorium-in” e famshëm të Arqidukës Ferdinand të Austrisë. Por nuk mund të mos përmendim këtu gravurimet e shumta të shekullit XVI nga Jorg Breu, At e Bir, Jost Amman, Hans Leonhard Schauffeleinard etj., që ilustrojnë “Historinë e Skënderbeut” të Barletit në edicionet gjermane, etj. të kohës. Veçse Custos jep mbi të gjitha jo vetëm portretin e Skënderbeut klasik me mjekër të derdhur, por edhe titullin e plotë që mbante KryeTrimi shqiptar: Princeps Georgius Castriot Scanderbegus, Epiri et Albaniae (Princ Gjergj Kastrioti Skënderbeu i Epirit dhe i Shqipërisë (foto 14, portreti në mes). Sigurisht Rice nuk ka si ta shmangë një titull të tillë të Kastriotit të Madh si Princ i Epirit në shekullin XV. Por, duke e thelluar analizën e saj drejt Pirros së Epirit të shekullit II p.e.s., ajo sikur ngulmon të nxjerrë në pah këtë gjeneral të Lashtësisë, për të kaluar në plan të dytë Jetën dhe Veprën historike 25-vjeçare të Gjergj Kastriotit në mbrojtjen e Europës.
Nga ana tjetër, duke ndjekur më pranë kuadrin historik, më 1631, kur piktori frëng Stella kompozoi veprën e tij artistike për Skënderbeun dhe Trimat e tij, shprehim bindjen se ky piktor duhet të ketë njohur tashmë nga afër jetën e Skënderbeut shqiptar në bazë të shumë botimeve të huaja, sidomos ato të Barletit e të Lavardinit. Mjaft të ndjekim Petrovitch, por edhe K. Biçoku e J. Kastrati në veprat e tyre lidhur me bibliografinë skanderbegiane, për të vënë re se në vitet 1600-1631, periudha e lulëzimit të piktorit Stella, janë botuar rreth 20 vepra biografike e letrare për Heroin Shqiptar në disa gjuhë të huaja, nga Sansovino, Shreneck, Luccari, Funcius, Sarrochi, e deri te Pontanus, Franco Demetrio shqiptari, Artus, Aubigné, Malvezzo, etj. Por sidomos bien në sy disa autorë që janë botuar gjatë kësaj periudhe nga dy a tri herë, dhe konkretisht francezi Lavardin (botuar më 1604 dhe 1621), italiania Margarita Sarrochi dhe Dhimitër Frangu. Mendojmë se vepra e Lavardinit në frëngjisht, e vitit 1621, bazuar te Barleti, do ta ketë frymëzuar drejtpërdrejt piktorin frëng Stella për kompozimin e tij artistik, tek ndiqte nga afër edhe jehonën e Bëmës kastriotine, ende e gjallë dhe e fuqishme në mjedisin italian dhe arbëresh të kohës. Po në këtë periudhë, vërejmë që lulëzuan edhe mjaft portrete të Skënderbeut, kur familjet arbëreshe dhe figurat kryesore të fisnikërisë italiane e kishin për nder të porosisnin portrete të tij për t’i pasur në koleksionet e tyre apo në ballë të salloneve fisnikërore.
Në këtë drejtim, vetë Kardinali i Kremones Desiderio Scaglia nuk kishte si të mos njihte Bëmën kastriotine njëçerekshekullore, të atij që ishte cilësuar nga Papati “Atlet i Krishtit – Mbrojtës i Europës”. Dhe piktori Stella, me tablonë e Skënderbeut që i përkushtohej Kardinalit, nuk bënte gjë tjetër veçse e nderonte këtë vetë në maksimum. Përndryshe analogjitë, “kuptimi i kuptimit” te Louise Rice, se kush fshihej prapa Skënderbeut shqiptar, nuk do bënin gjë tjetër veçse do ta zbehnin krejt forcën përkushtuese të tablosë së Stella-s.
Në të njëjtën linjë interpretimi, mund të themi se nuk ka pse “stili hungarez” i portreturës kastriotine të asaj kohe të bëhet objekt pështjellimi, kur e kundërta shfaqet më bindëse: që kujtimi i Skënderbeut shqiptar, i Bëmës së tij të lavdishme e të pavdekshme do të ishte në vazhdimësi burim frymëzimi edhe për vetë revoltat hungareze antiosmane të çerekut të fundit të shekullit XVI. Kujtojmë këtu thënien e shkëlqyer të akademistit francez Leonce Mazoïer në shkurt 1836 për KryeHeroin shqiptar: “Një shqiptar, duke ringjallur mrekullitë e Greqisë së lashtë, e bëri të dridhej gjysmëhënëzën, kur po kjo gjysmëhënëz e bëri të dridhej Europën; ai u bë qëndrestari trim majë shkëmbit [Shqipëri] për dhjetë vjet me radhë, duke e turpëruar për më tepër ngadhënjimtarin e Konstandinopojës”35. Dhe ky shqiptar nuk ishte tjetër veçse KryeTrimi ynë Skënderbe paraqitur në tablonë e piktorit francez Jaques Stella.
* * *
Në përfundim, dy fjalë për piktorin francez Jacques Stella (1596-1657) : është piktor i Oborrit mbretëror të Luigjit XIII, nderuar nga Luigji XIV me titullin « Kalorës i Urdhrit të Shën Mikelit » më 1645. Ka trajtuar me mjeshëri tematikat historike, fetare e mitologjike, duke punuar fillimisht në Oborrin e Cosme II Medicis në Firence dhe më pas në Romë, duke punuar për Papën Urbine VIII. Pas vitit 1634, si la Italinë ku punoi 11 vjet, fillon të bëjë dekoret e mjaft kapelave në Francë, dhe sidomos të Pallatit të Kardinalit Rishëlieu. Është përfaqësues i rrymës së klasicizmit francez, mik i ngushtë i N. Poussin, me të cilin ka bashkëpunuar gjatë. Veprat e tij, që shpesh janë shitur si punime të Poussin, dallohen për kompozime të ajruara, plot frymëmarrje, me rrafshe të mirëdukshme diferencialë, si dhe për stil tepër të zhdërvjelltë gjithë kolor mahnitës. 36
Piktori francez Jacques Stella
1596-1657.
Është nder i madh për ikonografinë kastriotine që një vepër kompozicionale e Jacques Stella me personazh kryesor Skënderbeun vihet sot në qendër të studimeve albanologjike. Por një nder edhe më i madh do t’i bëhet mbarë kombit shqiptar kur pas monumentit të Skënderbeut në Tiranë – në pjesën e pasme dhe rrethbashkuar, mund të projektohen e vendosen monumente të “Trimave të Skënderbeut”, sipas shprehjes së bukur shqipe “Trimi i mirë me shokë shumë”, tërë Kapedanët fisnikë të Skënderbeut, që nga Gjon Kastrioti I dhe II, Mamica e Donika gjer te Lekë Dukagjini, Arianiti, Topia, Muzaka, Moisiu, Vrana Konti, etj. etj. Këtë propozim, ne e kemi bërë më 2017 (pika 6) krahas dhjetë propozimeve të tjera tonat dhe botuar te forumi “Zemra Shqiptare – Zemra Jonë” në shkrimin “Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme »37.
Do Zoti, një ditë, mos ngelet Skënderbeu ynë vetëm në shesh të Tiranës, por ta shohim Atë të pasuar nga shpura e tij famëmadhe që bëri emër në Histori tek mbrojti Arbërin dhe Europën mbarë. Të skalitur në gur a të derdhur në bronz ata Trima të Kastriotit të Madh do të jenë Krenaria dhe Dinjiteti ynë shqiptar në shkallën më të lartë të Lavdisë së përjetshme kastriotine.
P.S.
1. Siç del qartë nga ky studim, nuk është Rilindja Shqiptare ajo që ia ka vendosur për herë të parë përkrenaren mbi krye Skënderbeut, prirur nga ndonjë ndjenjë frymëzuese thjesht nacionaliste a romantike. Por është piktori i shquar francez Jacques Stella, i cili, që më 1621 pati i pari idenë gjeniale për ta vendosur helmetën në vendin e saj funksional, mbi kryet e Heroit shqiptar, duke ditur fare mirë që ajo helmetë ishte e bekuar nga duart e Papës për Skënderbeun tonë, për ta mbrojtur atë në luftëra të pafunda si e shentëruar që ishte.
2. Nga kërkimet tona të kohëve të fundit del se origjina e kesaj vepre mund ta ketë pikënisjen ose porosinë ndoshta ne mjedisin arbëresh, kur para viteve 1620, vetë Desiderio Scaglia ka mbajtur postin e Peshkopit në dioqezen Melfi te Basilicata-s. Faktet flasin kësisoj për një njohje nga afër të mjedisit arbëresh e rrjedhimisht të Skënderbeut tonë që e shohim të vendosur në qendër të tablosë aspak rastësisht, por për të nderuar si duhet vetë Kardinalin Desiderio Scaglia. (F.A. & D.M.)