
Sokol Paja/
Operacioni “Fijet” me shtrirje në të gjitha Qarqet e Shqipërisë, tregoi shkërmoqjen e shtetit përballë krimit të organizuar.
Çmontimi i kamerave sekrete të instaluara nga bota e krimit në qytetet kryesore të Shqipërisë tregoi forcën e krimit dhe dobësinë e shtetit. Mijëra imazhe qytetarësh, grafika, lëvizje, të dhëna sensitive që duhet të mbroheshin me ligj, posedohen sot nga bota e krimit të organizuar.
Kamerat e paligjshme në rrugët e Shqipërisë sollën një fuqizim të pa imagjinueshëm në eksponentëve kriminalë me pasojë një zinxhir vrasjesh duke tronditur opinionin dhe sigurinë publike të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Çmontimi me spektakël i këtyre kamerave nga policia e shtetit shqiptar, i vonuar dhe qesharak, tregon pasigurinë në të cilën jetojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. I turpshëm ky reagim i shtetit pas që krimi mbaroi hesapet e tij. Shteti ka tradhëtuar besimin dhe detyrimin ndaj qytetarëve shqiptarë.
Kamerat e paligjshme regjistruan eksponentët më të tmerrshëm të botës së krimit që shkaktuan një sagë likujdimesh shpesh dhe të qytetarëve të pafajshëm në qytetet e mëdha të Shqipërisë. Shteti ka dështuar të ruajë, kontrollojë, sigurojë territorin. Gjithçka ka rënë në duart e mafies. Mafja ka depërtuar në çdo qelizë të shtetit. Shteti dhe qeveria e korruptuar ka bërë një aleancë të fshehtë me tyre. Për nga organizimi dhe funksionimi, mafia duket si shtet dhe shteti ngjason me një mafie të organizuar për mënyrën sesi vjedhin e abuzojnë me qytetarët shqiptarë. Instalimi i kamerave të paligjshme është një rast flagrant i cenimit të sigurisë kombëtare, një skandal i pa precedentë në historinë moderne të shtetit shqiptar. Një shtet anëtar i NATO-s që nuk kontrollon dot territorin, sjell pasoja të rënda për sigurinë e shtetit dhe rajonit. Në Shqipëri strehohen eksponentët më të rrezikshëm të mafies në Ballkan. Shteti ka rënë.
Mafia dixhitale ka shkërmoqur shtetin dixhital. Të gjitha të dhënat e qytetarëve shqiptarë janë në duart e botës së krimit. Asnjëherë më shumë se sot, shqiptarët nuk janë më të rrezikuar nga qeveria që i vjedh, tradhëton, braktis e poshtëron çdo ditë. Askush nuk jep llogari për asgjë. Askush nuk mban asnjë përgjegjësi për skandalet e njëpasnjëshme. Qeveria e Ramës nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë më në detyrë. Me përfshirjen e kryeministrit Rama në skandalin “Charles McGonigal” i vë vulën largimit të menjëhershëm të qeverisë që nuk përfaqëson më asnjë shqiptar. Qeveria Rama është një e keqe kombëtare që duhet larguar menjëherë. Nesër do jetë vonë…