-Shumë shpejtë ‘Home Sweet Home’ do të fillojë promovimin e tij në Shtete të Bashkuara të Amerikës ku e presin edhe shumë shfaqje special të filmit/
PRISHTINË, 12 Tetor 2016-Behlul Jashari/ Filmi ‘Home Sweet Home’, propozimi i Kosovës për Oscars, ka nisur rrugën drejt festivaleve botërore. Do të shfaqet në Cairo International Film Critics Week, që do të mbahet nga 17 deri 23 nëntor, e më pas do të jetë në konkurrencën zyrtare edhe në edicionin e 47 të International Film Festival në Indi, duke shënuar kështu premierën aziatike në Goa.Ky film në nëntor do të shfaqet edhe në Film Festival Cottbus në Gjermani, ku është në konkurrencë zyrtare për regjisorët debutantë.
Sipas revistës të madhe të industrisë së filmit ‘Variety’ (2007) festivali i filmit Cottbus renditet në mesin e 50 festivaleve më të rëndësishme në botë, thekson njoftimi dërguar sot nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Paralajmërohet edhe se, shumë shpejtë ‘Home Sweet Home’ do të fillojë promovimin e tij në Shtete të Bashkuara të Amerikës ku e presin edhe shumë shfaqje special të filmit.
Filmi ‘Home Sweet Home’ me skenar nga Zymber Kelmendi, regji nga Faton Bajraktari, producent Trim Musliu dhe bashkëproducent Senad Abduli, është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia e Filmit në Maqedoni.
Filmi ‘Home Sweet Home’ do të përfaqësoj Kosovën si propozimi zyrtar për konsiderim në kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’ të Akademisë Oscar.Filmi debutues ‘Home Sweet Home’, ku luajnë aktorët e njohur si Donat Qosja, Arta Muçaj e Shkumbin Istrefi, pati premierën ndërkombëtare këtë vit në festivalin prestigjioz Karlovy Vary.
Ky film tregon historinë e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi përballet me rrethin, i cili emrin e tij e ka përdorur për përfitime personale.
2016-ta është viti i tretë që Kosova propozon film për konsiderim për filmin më të mirë të huaj në Oscars. Vitin e kaluar Kosova ka propozuar filmin ‘Babai’ të Visar Morinës ndërsa propozimi i parë ka qenë filmi ‘Tri Dritare dhe një Varje’ nga Isa Qosja.
Për më shumë, në fillimvit, filmi i shkurtër ‘Shok’ ka qenë i nominuar në kategorinë Best Live Action Short Film në Akademinë Oscars duke shënuar kështu herën e parë që një film kosovar nominohet për Oscar.