RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË-
Ragip Kçyku, bashkëpunëtor i jashtëm i Këshillit Kombëtar të Arsimit në Finlandë dhe si ish mësues i gjuhës shqipe në Finlandë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Finlandë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Ragip Kçykun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË
Sikur të gjitha vendet Skandinave përveç Islandës, mësimin e gjuhëve të minoritarëve emigrantë dhe të natyralizuar në shtetas të vendit ku jetojnë, mësimin e organizon shteti. Numri i nxënësve, dallon nga komuna, bashkia në bashki. Fillon nga grupi i detyrueshëm nga 5 nxënës për dy orë mësimi në javë, deri në grupin 10 nxënës. Mësimi zhvillohet ditëve të rregullta të punës në shkollat publike. Ky është një privilegj që kanë edhe shqiptarët si të gjitha kombet e tjera, të ardhur vonë dhe romët të ardhur para 200 vitesh. Edhe mësuesit janë të mbuluar nga shteti. Ky rregull vlen për Finlandën sa i përket të drejtës së numrit të domosdoshëm të nxënësve, ndërsa shtetet e tjera kanë rregulla të tjera. Psh. Në Suedi, çdo nxënës i ka të garantuara 15 min në javë gjuhë amtare dmth, nuk mbetet as një nxënës i papërfshirë po pati vullnetin prindi.
QYTETET KU MËSOHET SHQIP, NXËNËSIT DHE KURRIKULAT MËSIMORE
Mësimi shqip zhvillohet në disa qytete, por në jug të Finlandës janë më të përqëndruar shqiptarët: Helsinki, Espoo, Vanta, Kirkonumi, Hyvinka, Porvo, dhe në veri të Finlandës Vasa, Oullu dhe Usi Karleby. Kurrikulat janë bërë nga vetë mësuesit. Sillen modele nga Këshilli Kombëtar i Arsimit. Ne u japim frymën shqipe. D.m.th. Gramatikë, histori, gjeografi, edukim qytetar, dhe artet. Çdo gjë e kontrollueshme dhe më cilësore se plan-programet shqiptare-kosovare. Një racionalitet i skajshëm dhe në thelb del më kombëtare se kombëtarja shqiptare e dhënë në nivel shumë të ulët profesional (pedagogjik, didaktik dhe metodik). Ndërsa përfshirja sillet rreth 300- 350 nxënës që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Sipas përfshirjes në përqindje qëndrojmë në nivel të lakmueshëm në krahasim me vendet e tjera. Finlanda është mërgata më e re në Evropë dhe mezi kalojmë 10 000 shqiptarë nga i i gjithë gadishulli Ilirik.
GJUHA SI IDENTITET KOMBËTAR DHE SHQIPTARËT NË FINLANDË
Po, i gjithë plan programi përfshin ne të tema nga gjuha, gjeografia, historia dhe kultura shqipe. Këtu janë edhe aktivitetet për e organizuara: mësues, nxënës dhe prind, me rastin e festave të ndryshme shtetërore dhe kombëtare. Ka shqiptarë të suksesshëm sidomos në fushën e biznesit dhe të sportit. Kemi tre-katër futbollistë që luajnë për ekipin shtetëror: Shefki Kuqi për disa vitte ka qenë qendërsulmues, pastaj vijnë vëllezërit Hetemaj, Aunor Zeneli, Lum Rexhepi etj.
PROBLEMATIKA TË MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË
Si gjithmonë shqiptarë të ngathët. As me dashuri as me refuzim total. Dëmin më të madhin ia sollën grupet e xhihadit që i përpinë fëmijët tanë me prindër të paarsimuar. Si të tillë më parë preferojnë xhaminë sesa shkollën. Për ironi, shprehen se e dinë shqipen? Edhe lakmia për t’i bërë fëmijët të famshëm në sport, e ka dëmtuar në masë të madhe vijueshmërinë e mësimit shqip. “valla ka ushtrime djali në këtë kohë, nuk muj me prue”. Është më shumë një pretekst sa për të larguar turpin prej veti. Projektet që janë bërë: Më 1995 në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Finlandë, kemi realizuar projektin për dy fjalorë lëndorë të vlefshëm për të gjitha nivelet, deri në universitet. Fjalorët finlandisht-shqip për matematikë dhe dykrahësh një fjalor për Histori, gjeografi dhe biologji në shqip-finlandisht. Projekti i dytë është “Ç’bend”, në kuptimin i bukur, i mrekullueshëm. Për shqiptarët me emrin “Qerdhja e shqiponjave”. Pesë përralla kombëtare në tri gjuhë: shqip-finlandisht-suedisht. Të lexuara shqip. 5 këngë për fëmijë të kënduara, të regjistruara në manjetofon, atëherë në “kaseta” dhe të botuara. Disa lojëra fëmijësh etj. Projejti i fundit para katër vitesh është mësimi elektronik për gjuhën shqipe. Projekti për shqiptarët quhet ditët e Dardanit. “Udhëtimi” fillon nga qendra e Tiranës, Sheshi Skënderbej. Ky është një projekt i Ministrisë së Arsimit të Finlandës. Me ilustrime dhe me lexim tekstesh të disa fushave leksikore, si leksiku urban, arsimor, gjeografik, bujqësor, i kuzhinës, i shtëpisë etj.
MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA
Merrni mësim nga Konica, Noli dhe klasikë të tjerë. Diaspora e re e SHBA-ve është më e dobëta nga të gjitha diasporat e botës që atje jetojnë dhe veprojnë. Është diasporë tejet e ngathët. A nuk është për turp që përveç Dioguardit nuk kemi as një Senator. Tani nuk është as Dioguardi i madh. Madje ai nuk është prodhim i gadishullit Ilirik. Është i atij Apenin, sado që është një arbëresh që nuk di as dialektin arbëresh. Ky është barometri i pagabueshëm që ne shqiptarët nuk jemi fare të zgjuar as punëtorë. Në zgjedhjet e fundit votat i fituan dy afrikanë. Madje të diasporës më të re afrikame. Shqiptarët nuk kanë kohë, si duket zënkat mes vete ua martin kohën dhe energjinë. Si gjithkund shqiptarëve iu mjafton vetvetja me debate në kafene dhe si shikues në kazanet e pista të Tv-të e gjuhës shqipe.