Nga GIAN ANTONIO STELLA/
Perktheu: Eugjen MERLIKA/
“Jo e jo. Nuk përgatis struktura, nuk dua të pres asnjeri. Shqiptarët e rinj do të vinin të trashnin rradhët e atyre që tashmë janë këtu, në Milano. A është e nevojshme t’a themi? Bëjnë gjthshka me përjashtim të dhënies ndihmesë bashkëjetesës qytetare”. A nuk është fort e ashpër? A nuk je duke e tepruar? “Aspak, me përjashtime shumë të rralla, shqiptarët vijnë këtu për të kryer krime. Janë të dhunshëm, nuk punojnë, futin në krizë sigurinë publike, hyjnë në tregun e drogës dhe të prostitucionit…”.
Ishte 18 marsi 1997 dhe kryetari I bashkisë së Milanos, Marco Formentini i Legës së Veriut, i përgjigjej kështu Venanzio Postigliones i cili e pyeste se si do të përgjigjej, nëse qeveria e Romano Prodit do t’i kërkonte të bashkëpunonte në sistemimin e një pjese të të ikurve nga Shqipëria në prag të një lufte civile. Duhet të jetë e qartë: në burgjet italiane në të vërtetë kishte shumë shqiptarë që, të rrokullisur në një lloj anarkie të çmendur mbas viteve të diktaturës komuniste, ishin paraqitur shpesh shumë keq. Edhe një kryebashkiak i së majtës si Francesco Rutelli në Romë, n’ato ditë , tha prerë: “Jemi të gatshëm t’u ofrojmë solidaritet atyre që me të vërtetë vuajnë: fëmijë e familje në vështirësi, por vetëm në bazë të një vërtetimi të një nevoje njerëzore të sigurtë. Nuk kam asnjë synim të sjell në Romë kriminalitetin e ikur nga burgjet shqiptare”. Mosbesim i ligjëruar. Por pa atë dozë të racizmit që rridhte nga thirrjet legiste (“Një votë më shumë Legës, një shqiptar më pak në Milano”), në shfrimet e dufit të Mario Borghezios (që i veshi “bandave të kriminelëve sllavë ose shqiptarë” madje dhe nënëvrasjen e Novi Ligures), në afishen e varur në Pieve di Soligo: “Fillon hapja e gjuetisë kundrejt gjahut të presë shtegtuese: rumunë, shqiptarë, kosovarë…” Për të mos folur për të shtënat e Salvinit kundër hyrjes së Shqipërisë në BE: “T’u a lemë këtë Evropë e këtë euro shqiptarëve e të ikim ne”.
Megjithatë, duke dërguar pardje n’Itali tridhjetë mjekë e infermierë shqiptarë për të luftuar në spitalet tona në ballin e koronavirusit, kryeministri shqiptar Edi Rama, që e din se si bashkatdhetarët e tij me kohë janë përfshirë më mirë se të mërguarit e tjerë, ka kujtuar në një italishte të përsosur vetëm gjërat pozitive e ka përdorur vetëm fjalë t’ëmbla: “Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi” Dhe përsëri: “Sot jemi të gjithë italianë”. Faleminderit.
“Corriere della Sera”, 31 mars 2020
E përktheu Eugjen Merlika
***
Shënim i Përkthyesit
Autori i këtij shkrimi është një nga pendat më të njohura të publiçistikës italiane, ndër komentatorët më të shquar të së përditëshmes “Corriere della Sera”. Gian Antonio Stella ka lindur më 1953 në Asolo, provinca e Trevisos. Është autor i 32 vëllimeve publiçistike, të botuara nga viti 1977 deri në 2019. Është laureat i 15 çmimeve letrare e publiçistike italiane e të huaja. Në vitin 2002, kur në Itali vazhdonte të quhej problematike çështja e të mërguarve, me nota kritike edhe karshi shqiptarëve, Stella botoi veprën “Hordhia. Kur shqiptarët ishim ne”. N’atë libër ai u kujtonte bashkatdhetarëve të tij që, në sektorë jo të paktë të shoqërisë, ishin refraktarë kundrejt shqiptarëvet, se cila kishte qënë historia e mërgimit italian n’Evropë e në botë, në shekujt 19 e 20. Ishte një histori e ngjajshme me atë të shqiptarëve, kundrejt të cilëve ai nuk e fshihte mirëkuptimin e simpatinë, gjëra për të cilat besoj se të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës.
Dërgimi i tridhjetë mjekëve e infermjerëve shqiptarë në ballin e luftës kundër koronavirusit është vlerësuar shumë n’Itali, si nga klasa politike (madje vetë Salvini, i përmendur në këtë shkrim për një shprehje përçmuese ndaj Shqipërisë, i ka shprehur edhe publikisht falënderimin kryeministrit), ashtu edhe nga opinioni publik. Duhet të vemë re me kënaqësi se edhe ky i fundit ka ndryshuar shumë në drejtim të gjykimit për ne, që është bërë mjaft pozitiv. Kjo i kushtohet punës së shumicës dërmuese të shqiptarëve, veprimtari e bazuar në korrektësinë dhe mbajtjen e fjalës së dhënë, gjë në të cilën vendasit nuk shkëlqejnë shumë. Duhet të theksojmë këtu edhe ndihmesën e vlerësuar të qindra e mijra djemve e vajzave shqiptare që, me aftësinë e tyre në studime e në punë, me korrektësinë e vullnetin e mirë për të hapur rrugën e jetës, kanë arritur të bëjnë edhe karierë në fusha të ndryshme, duke u bërë qytetarë të nderuar të shoqërisë italiane.
Falënderimi, me të cilin mbyll shkrimin gazetari i shkëlqyer italian, nuk i drejtohet vetëm kryeministrit i cili ka pjesën e vet në këtë veprim të lëvdueshëm, por të gjithë popullit shqiptar, të gjithë Shqipërisë që shpalosi në këtë mënyrë vlerat e saj tradicionale, me të cilat jemi krenuar e jemi lavdëruar në shekujt e gjatë të historisë sonë. Ato vlera pësuan një goditje të fuqishme në gjysmë shekullin komunist, me përpjekjen mizore të Sigurimit të shtetit për të kthyer në spiunë të njëri tjetrit pothuajse të gjithë popullsinë.
Por duket se ato vlera u ringjallën përsëri, ndoshta se bëjnë pjesë në ADN-në tonë si popull, herë herë duke u shpalosur e ngritur krye në jetën tonë shoqërore. Ndoshta ato vlera përfaqësojnë të vetmen shpresë në t’ardhmen tonë, një shpresë të venitur, pothuajse të vrarë nga politika në këta tridhjetë vite. Mendoj se duke e parë atë dukuri n’atë këndvështrim, si vepër kombëtare e jo si trill i çastit politik, si shpalosje të vlerave të shqiptarëve e të Shqipërisë, si vënie në jetë e një parimi të lashtë të filozofisë morale të popullit tonë, simbas së cilës shqiptari për mikun ka gati “bukë e kripë e zemër”, pa vënë theksin mbi personin që i takoi t’a shpallë zyrtarisht, në sajë të postit që mban, e mbi motivet e hamendësuara apo të vërteta të tij, pa njëjtësuar veprimin me figurën e kryeministrit si njeri por si institucion, ne të gjithë do të jemi të vetëdijshëm për dobinë e atij veprimi. Ai është shprehje e mirënjohjes së Shqipërisë për fqinjën e përtej detit, e cila po kalon një nga periudhat më të vështira që prej tre çerek shekulli e me të cilën historikisht na kanë lidhur më shumë gjëra të mira se të këqia.
Duke treguar mirënjohje ne lartësojmë vetveten dhe emrin e Vëndit tonë në botë. Madje këtë nuk duhet t’a bëjmë nga pozita e llogaritësit të çastit aktual evropian në funksion kritikues për të tjerë, por thjesht sepse respektojmë vlerat tona. Nëse vlerat tona çmohen e merren si shembull ne jemi të paguar me ndërgjegjen tonë. Ndonjë shprehje skeptiçizmi e qesëndie që është shfaqur aty këtu në opinionin publik nuk i shërben përfytyresës sonë e ndonjë vrejtje e hapur për lënie mbas dore të problemeve tona për të zgjidhur ata të Italisë, më duken tepër mjerane dhe as të denja për shqyrtim.
Do të bënim mirë të lehtësoheshim sado pak nga ngarkesa mendore ideologjizuese e politikës, që na errëson pa da pamjen e të lëvronim në vetvete arsyen e ftohtë t’aftë të vlerësojë në çdo kah veprimet e dukuritë në vetvete, pavarësisht kush i kryen apo kush i përcakton. Mendoj se në këtë mënyrë do të jemi më objektivë në gjykim e më të dobishëm për veten e për kombin të cilit i përkasim.
Në këtë mënyrë, të gjithë së bashku duhet t’i urojmë punën e mbarë e sukses atyre vajzave e djemve tanë, që na përfaqësojnë në një ndërmarrje të vështirë e të rrezikshme. E kemi për detyrë t’u sigurojmë atyre mbështetjen e ngrohtë të gjithë Atdheut, për të cilin ata po shkruajnë sot një faqe të bukur që, siç del edhe nga shkrimi i mësipërm, bota e vlerëson dhe e merr si shembull.
Faleminderit Gian Antonio Stella për shkrimin tuaj dhe vlerësimin e Vëndit tonë, shqiptarët do t’u jenë mirënjohës me të gjithë fuqinë që dijnë t’i japin ata asaj fjale.