
Prof. dr Mimoza KORE
Universiteti i Tiranës/
Johann Georg von Hahn-i vështrohet si themelues i Albanologjisë në kuptimin shkencor të fjalës dhe si dijetari më i shumanshëm e më i thelluar i kohës së vet në fushën e studimeve shqiptare.
Vepra më e rëndësishme e tij mbahet “Albanesische Studien”, Jenë, 1854 (“Studime shqiptare”) në tri vëllime, e cila njihet edhe si një nga punimet shkencore më me vlerë shkruar nga të huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. E. Çabej e ka cilësuar atë si “E para vepër sistematike në fushën e studimeve shqiptare… që nga shumë pikëpamje ka mbetur edhe sot e paarritur.”
J. G. von Hahn-i është autor i një fjalori shqip-gjermanisht, të cilin e përfshiu në vëll. III të veprës së vet “Albanesische Studien” me titullin “Beiträge zu einem albanesisch-deutschem Lexicon” (Kontribute për një fjalor shqip – gjermanisht). Hahni e kishte nxënë shqipen në Janinë në të dy dialektet, e për këtë qëllim u ndihmua prej K. Kristoforidhi me dialektin geg dhe prej Apostol Panajoti, (Meksi ) me atë tosk e kjo nuk ka qenë dukuri e pangjarë, sepse thuajse të gjithë studiuesit e huaj që u morën me albanologji, në mungesë të theksuar të teksteve nga kjo gjuhë, kanë pasur në krah e kanë bashkëpunuar me shqiptarë a njohës të shqipes, duke këmbyer shpesh mes tyre rolet e nxënësit e të mësuesit. (kujtojmë J.Thunmann-i dhe Kostë Xhehani-Voskopojari, M. Leake-u dhe Efstrat Vithkuqari,
Në parathënie të fjalorit Hahni thotë: “Shtesat në dispozicion u morën nga gjuha e gjallë… Shumicën e kohës, me shumë kujdes, baza u rishikua tri herë me një mësues Tosk dhe me një mësues Geg„
Zërat në Fjalor janë shkruar me alfabetin e greqishtes, sepse është koha kur shqipja ende s‘kishte një alfabet të unifikuar, kurse shpjegimet janë dhënë në gjermanisht. Ai vetë, po në parathënie shpjegon dhe vështirësitë që hasi në punën e tij: “Vështirësia kryesore në këtë punë konsistonte në krijimin e një sistemi të përgjithshëm zanor për një gjuhë që flitet vetëm në dialekte shumë të ndryshme…Mësuesit e përmendur ishin fëmijë të shkollës gramatikore greke të Janinës [shen ynë. Gjimnazi Zosimea] dhe si të tillë, tosku [shen.ynë. A. Meksi] fliste shumë fort në gramatikën e lashtë greke madje fliste frëngjisht dhe italisht, dhe personi tjetër [shën ynë. K. Kristoforidhi] lexonte dhe shkruante diçka turqisht (një art i vështirë) por që të shkruanin në gjuhën e tyre amtare ishte diçka që nuk e kishin menduar kurrë „
Fjalori i Hahn-it përmban 6216 njësi leksikore. Ndër disa forma që paraqet një fjalë, e para e shënuar është gjithmonë nga toskërishtja, e pastaj prej gegërishtes. Përkrah fjalës jep dhe shkurtimet tosk. geg.
Për hartimin e këtij fjalori Hahn-i, siç e pohon vetë, është mbështetur edhe te fjalori shqip-gjermanisht i Xylander-it, i cili kishte vjelë për fjalorin e tij përkthimin e Dhiatës së Re nga Vangjel Meksi, redaktuar nga G. Gjirokastriti, botuar më 1827 në Korfuz. Ai përfshiu në fjalor edhe një varg fjalësh që i pati mbledhur vetë gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare, ndërsa një numër fjalësh të tjera ia ka dhënë K. Kristoforidhi. Jo vetëm pasuria e fjalëve, por edhe shpjegimet e sakta gjermanisht, sinonimet e shprehjet frazeologjike që jep, shënimet për vendin ku është gjetur fjala, për karakterin e përgjithshëm ose dialektor të saj, ia ngrenë shumë vlerën fjalorit në krahasim me veprat paraardhëse. Sipas shënimeve që ka dhënë për vendin ku përdoret kjo ose ajo fjalë, del se Hahn-i e ka mbledhur lëndën e tij në shumë vise, kryesisht të Shqipërisë së Jugut e të Mesme, si Gjirokastra, Përmeti, Myzeqeja, Elbasani, Kavaja, Durrësi, Tirana, Kruja, Mirdita, Shkodër, Dibër etj.
Me sa duket, fjalësin e karakterit të përgjithshëm, pra gjuhën e gjallë e të popullit kishte synim J.G.von Hahn-i të paraqiste në fjalor, prandaj këtë kriter e vendosi jo vetëm për fjalët e shqipes por dhe per huazimet. Ai në parathënie të fjalorit sqaron: “Fjalët greqisht të përfshira në listën e Xilandrit, në pjesën më të madhe u mbajtën, ndërsa u lanë jashtë vetëm ato për të cilat mund të thuhet me siguri të plotë se kuptohen vetëm nga shqiptarët që e njohin mirë greqishten e shkruar dhe janë marrë nga përkthyesit e Biblës në mungesë të fjalës shqipe, të tilla si: ajër, arkitekt, dhiamant, idhololatre “ideolog”, periqefali “rreth në kokën e ushtarëve të vjetër”, sinagogë, bastarduar, kolivitra “vendi ku pagëzohen”, hipokrit, ambasador etj”.
Fjalori i Hahn-it pasqyron një pjesë të mirë të leksikut të gjuhës shqipe të gjysmës se parë të shek. XIX. Nga 6216 fjalët e tij, 4764 janë fjalë të parme dhe 1452 (d.m.th. rreth një e katërta) fjalë të jo të parme (të prejardhura, të përbëra a të përngjitura), ndërsa te fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit, botuar më 1635, që përmban 2544 fjalë shqipe, fjalët jo të parme përbëjnë një të dhjetën e numrit të përgjithshëm. Nga kjo del qartë se në tre shekuj leksiku i shqipes është pasuruar me formime të reja (kryesisht fjalë të prejardhura e të përngjitura).
Në Fjalor dalin mjaft fjalë të rralla e trajta arkaike fjalësh, të cilat janë të rëndësishme për dialektologun e në mënyrë të veçantë për etimologun., si folja kërpinj, shtërngonj, ndajfolja gërqisht, amull, puganj, anëzë për gegërishten e trajta të veçanta të Jugut, si: gjyshëlë, malë, “majë”, fëlej “fëjëj”, plëhurë “pëlhurë”, mënoj “vonoj”, rynj “hynj” përemri pyetës ciri etj.
Fjalori i Hahnit mund të shërbejë si udhërrëfyes e pikënisje për etimologun. Jo vetëm disa toponime, siç janë vënë re, jane shpjeguar drejt prej prej Hahn-it dhe i qëndrojnë kohës, (si Dardania-dardhë, Ulcinium-ulk, )por edhe fjalë të leksikut të përgjithshëm, si amull, të cilën Hahni e afron me avull, çka e ka pranuar më vonë dhe Kamarda, Meyer, Çabej (SE II; A-B, f.42), rrëmujë e lidh me trajtën më të vjetër rrëmullë, foljen mësoj e lidh me pësoj, mbars me bark, mbjell me pjell etj.
Te Hahni vihen re fjalë, të cilat gjenden edhe te autorët e vjetër, por që më vonë kanë pësuar ndryshime e thjeshtime tingujsh, si: kanëp, anëmik, gjukoj, votërë, të cilat i gjejmë dhe te Buzuku.
Fjalori i Hahn-it u shërbeu si mbështetje kryesore studiuesve të tjerë të shqipes. Për këtë fjalor J. Hahn-i u ndihmua nga K. Kristoforidhi dhe Bashkëpunimi me Hahn-in, me sa duket, i shërbeu atij si një shkollë dhe si një nxitje për të ndërmarrë më vonë hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe”, që u botua pas vdekjes së tij (1904). Rreth 4500 njësi leksikore nga fjalori i Hahn-it gjenden edhe te fjalori i Kristoforidhit, i cili përmban 11.675 fjalë, d.m.th. janë vlerësuar prej tij si të përshtatshme e të vlefshme për veprën që ai e quajti “Leksikon tes albanikes glosses” (“Fjalor i gjuhës shqipe”).
Edhe Gustav Meyeri (1850-1900), autori i “Etymologisches Ëörterbuch der albanesischen Sprache” (1891), shkruan në parathënien e veprës së vet: “Pikënisje për koleksionet e mia ishte lista e fjalëve që Hahni i pati shtuar veprës së tij “Studime shqiptare„. Kjo listë, duke përjashtuar disa keqkuptime e pasaktësi të veçuara, është punuar me kujdes e besueshmëri shembullore, dhe duhet çmuar aq më tepër kur autorit i mungonte formimi fonetik.„ Vlërësimi për G.v. Hahn-in kishte zënë kaq shumë vend të G. Meyeri sa ai shton: “ …në të shumtën e rasteve i kam marrë pa rezervë trajtat e kuptimet e vërejtura nga Hahni, por nuk i kam vënë në çdo rast emrin pasi librin e tij do ta ketë në dorë cilido që merret me shqipen”. Edhe kur Meyeri nuk pajtohet me ndonjë shpjegim të Hahnit lartësinë e figurës së tij nuk e prek, por shton “Atje ku e kam përmirësuar atë, kjo është bërë pa e vënë në dukje . „Në Fjalorin e Meyerit citohet Hahni për fjalë, si: bathrë, beng, gjurmë, rodhe, tcingaris, cingël, grigjë, hashari, kallëp etj.
Hahn-i është vlerësuar lart nga bashkëkohësit e vet për ndihmesën e madhe shkencore në fushën e albanologjisë, ku solli një lëndë të re e mjaft të pasur dhe ndoqi metoda shkencore studimi, të cilat e lejuan të arrijë në përfundime që qëndrojnë edhe sot. Historiani Jakob Philip Fallmerayer (1790-1860) ka shkruar: “Zoti Hahn është i pari, e ndoshta i vetmi europian i formuar shkencërisht që ka shëtitur tërë Shqipërinë, që ka kërkuar edhe në cepat më të fshehtë të këtij vendi, ku hetoi shpirtin, zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit me tërë qenien politike të Shqiptarëve, që ka mësuar të lexojë, të flasë e të shkruajë gjuhën e Shqiptarëve në të dy dialektet e saj kryesore, dhe që me të drejtë mund të konsiderohet “konkuistador” në fushën e etnografisë dhe të gjeografisë.”
Nuk mungojnë edhe te Dh. Kamarda shpjegime të mprehta të burimit të fjalëve vendase si: i sëmurë nga s’ mund, para tij e shpjegoi Hahni. Identitetin e që-së me çë e vuri re së pari Kamarda, por dhe Hahni; pip “pipëtij, nxjerr zë”, për këtë fjalë Kamarda jep pas Hahnit formën pipínj, për arbërishten e Italisë.
Edhe Kupitori është ndikuar thellë nga vepra e Hahnit, siç konstaton T. Jochalas në hyrje të botimit filologjik të dorëshkrimit të Fjalorit Greqisht-Arvanitisht-Shqip: “Studimi ynë tregoi se Kupitori, gjithë trajtat e Fjalorit të tij, që i shoqëron me shkurtesat t. ose g. [toskërisht ose gegërishtë, i ka marrë prej Fjalorit [ShqipGjermanisht] të Hahnit. Vërtetuam se me shkurtesën h. të Kupitorit shënohet Fjalori i lartpërmendur i Hahnit.” (Jochalas 2006: B 439)
Pa dyshim, E. Çabej, në “Studime Etimologjike” do ta përmendë e vlerësojë këtë fjalor e shumë nga shpjegimet e Hahnit i ka pranuar. Kështu ai vëren se e vuri re edhe Hahni se kanë kuptim të njëjtë rrasë e gegërishtes me dërrasë toskërisht apo lidhjen midis rreshtë-s e rreshtën-s me asht e vuri re sëpari Hahni. Janë me dhjetëra fjalët në veprën e Çabejt që në analizë përfshin dhe zgjidhjet që ka dhënë Hahni në Fjalorin e tij, madje në ndonjë rast ai vlerëson dhe vështrimin me karakter sociolinguistic që ka vërejtur Hahni, si: “pregjim. Sikundër e vuri re edhe Hahni (f. 105), është fjalë e gegërishtes (Shqipëri e mesme e veriore), ndërsa Toskëria kësaj feste i thotë poganik poganiqe (Këtë gjë e vuri re mirë edhe Hahni, i cili pregjim e jep si “Gastmal bei der Geburt eines Erstgeborenen”, pra “si darka që shtrohet me rastin e lindjes të së parit lerë”, kështu pas tij dhe G. Meyeri.”
Vepra e Hahnit duhet studiuar duke pasur parasysh kontekstin kohor kur u shkrua, Hahni, i cili hodhi hapat e parë të një dijeje të integruar historiko-kulturoregjuhësore, të njohur si albanologji, në frymën e përgjithshme të kohës, të mbrujtur nga romantizmi e historicizmi, me impaktin doktrinar të komparativizmit do të sillte begatinë e madhe të njohjeve për gjuhën, për kulturën dhe për realitetet shoqërore, për historinë shqiptare në përgjithësi.
Do te ishte mire që vepra e Hahnit të plotësohet me botimin e Fjalorit, i cili edhe pse mund të jetë i tejkaluar për kohën, mbetet burim i rëndësishëm për etimologun, dialektologun e studiuesit e huaj.