Shkruan: Eneida Jaçaj
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe me mbi 100 mijë fjalë, pasurohet me gegërishten dhe njësi frazeologjike, krijohet kartoteka dixhitale
Ngrihen 11 grupe pune për fjalorin normativ, futen edhe huazimet e përligjura
Zhvillimeve dinamike dhe të vrullshme të shekullit të XXI, që kanë prekur të gjithë spektrin e fushave jetësore, nuk mund të mos u shpëtonte as gjuha e folur apo e shkruar. Gjuha shqipe ka qenë nën trysninë e zhvillimeve të reja dhe, si pasojë, sistemi leksikor i saj është pasuruar ndjeshëm. Ashtu siç është paralajmëruar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka nisur projektin për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, i cili është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2023, dhe do të publikohet në vitin 2024. Pas fjalorit të parë latinisht-shqip të Frang Bardhit të vitit 1635, i pasuar nga disa fjalorë të tjerë, njëgjuhësh apo dygjuhësh, shpjegues apo tematikë, për herë të parë, gjuha shqipe do të ketë një vepër madhore, ku do të përfshihen rreth 100.000 njësi leksikore (90.000 fjalë dhe 10-12.000 njësi frazeologjike). Fjalori të jetë një vepër normative dhe informuese, pasi në të do të përfshihet e gjithë pasuria leksikore, ku për herë të parë do të futen fjalë edhe nga dialekti gegë, shprehje frazeologjike; vepra do të ketë dyfishin e pasurisë leksikore të fjalorit shpjegues të shqipes. Në krye të punës përgatitore për veprën e madhe gjuhësore qëndrojnë dy profesorë të nderuar: Valter Memishaj dhe Jani Thomai. Janë ngritur 11 grupe pune që po bashkëpunojnë për të konkretizuar veprën e madhe të gjuhës shqipe; po punojnë specialistë të shqipes nga Shqipëria, nga Kosova e Maqedonia e Veriut, nga Presheva, nga Universiteti i Kozencës, i Palermos, i Munihut, i Selanikut, gjithashtu edhe gjuhëtarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, puna për fjalorin ka marrë karakter më të gjerë, jashtë kufijve të Shqipërisë.
Pasuria leksikore dhe gegërishtja
Ashtu siç e theksova edhe më sipër, në fjalor do të përfshihet pasuria leksikore e frazeologjike nga gegërishtja, toskërishtja, nga të folmet arbëreshe, arvanitase e nga të folmet e ngulimeve shqiptare në vende të tjera në Evropë dhe më gjerë. Gjithashtu do të futen kuptime, njësi frazeologjike, që janë mbledhur në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi. Sipas specialistëve mendohet se nga dialektet dhe të folmet krahinore në fjalor do të zërë
vend një pasuri me rreth 10-12.000 fjalë. Pra, i jepet përparësi dialekteve, por pa hequr dorë nga leksiku i shqipes standarde. Ajo që vlen për t’u theksuar është se futen për herë të parë fjalë nga gegërishtja, duke pasur parasysh se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 1972 është shoqëruar me reagime, edhe pas viteve ’90, sa i takon përjashtimit të përdorimit të dialektit të veriut në letërsi, fjalor dhe drejtshkrim. Pra, gjuha letrare kombëtare shihej si “mbidialektore”, ku si bazë e gjuhës letrare ishte marrë toskërishtja. Kjo thuhej edhe në veprën e Xhenet Bajron (1976): “Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standard”. Asokohe pati reagime nga klerikët e Shkodrës, pasi me gegërishten, ishte shkruar gjysma e letërsisë shqipe e që vazhdonte të shkruhej në diasporë nga kollozë të kulturës shqiptare, si Martin Camaj, etj. Fjalori i Madh i Shqipes do të ketë fjalë të përzgjedhura nga të dyja dialektet, por duke mos u shkëputur nga bazat e shqipes standarde.
Kartoteka dixhitale
Si do të procedohet për përzgjedhjen e fjalëve dhe shprehjeve frazeologjike?
Grupi i punës po punon për ngritjen e një kartoteke (data base-i ad hoc), që do të
shkojë deri te 150.000-160.000 fjalë e njësi frazeologjike. Prej tyre do të bëhet përzgjedhja e
njësive që do të zënë vend në fjalor rreth 90.000 fjalë e rreth 10-12.000 njësi
frazeologjike. Përzgjedhja leksikore dhe frazeologjike do të bëhet edhe duke u ndalur te veprat e Gj. Fishtës, e M. Camaj, e E. Koliqit, e F. Arapit, e I. Kadaresë, e D. Agollit, e B.
Xhaferit, e P. Arbnorit, e A. Podrimjes, e A. Shkrelit, e D. Mehmetit, e R. Qosjes, e A. Demaçit,
e M. Isakut. Ndërsa nga letërsia artistike do të zërë vend në fjalor një pasuri me rreth 15.000 fjalë të reja.
Termat profesionale
Zhvillimet dinamike në të gjitha fushat kanë shtuar ndjeshëm edhe numrin e termave.
Janë përcaktuar 26 fusha të dijes, të shkencës, të teknikës, të artit, medies, gazetarisë etj., nga të cilat do të meren fjalët terminologjike. Sipas specialistëve, do të përdoren dhjetëra fjalorë terminologjikë, tekstet shkollore (parauniversitare e universitare), botimet shkencore të studiuesve, revista shkencore etj. Parashikohet që numri i termave të rinj do të jetë rreth 10.000 njësi, duke e ruajtur natyrën e fjalorit si një fjalor i përgjithshëm e duke mos e kthyer atë në fjalor të mirëfilltë terminologjik.
Huazimet
Zhvillimi i teknologjisë si përdorimi i rrjeteve sociale dhe televizioni, kanë bërë që shumë fjalë të huaja të panevojshme të zëvendësojnë fjalë të shqipes. Të rinjtë e sotëm, në mënyrë të pavetëdijshme, përdorin fjalë të huaja pasi qëndrojnë gjithë kohën e tyre para televizorit dhe i-phonëve, duke lundruar në botën informatike. Gjithashtu, shumë figura mediatike përdorin fjalë të huaja, për snobizëm linguistik, por kjo përdhos gjuhën shqipe, gjuhën më të lashtë pellazge. Pra, fjalë që shumë mirë mund të përdoren në shqip, nuk ka kuptim që të zëvendësohen padrejtësisht me fjalë të huaja. Kërkohet një ndërgjegjje kombëtare dhe ndërkombëtare, nga shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, që të ndërmarrin nisma dhe veprime me fëmijët për të mos harruar shqipen. Por, duhet theksuar, se ka disa fjalë ndërkombëtare që duhen huazuar, që nuk mund të shqipërohen, të cilat do të quhen huazime të përligjura, do të përfshihen në fjalorin e ri të shqipes. Mendohet se numri i huazimeve mund të shkojë edhe te 2-3.000
njësi të reja. Vepra e madhe e gjuhës shqipe do të publikohet në 2024, dhe shpresojmë që grupi i punës të bëjë një punë sa më të vyer dhe të suksesshme. Rroftë Gjuha Shqipe!