

Në jug të Floridës gjendet qyteza portuale, Clearwater i cili mori këtë emër për burimet e tij të bollshme, të kristalta, dhe të freskëta përgjatë gjithë bregut. i krijuar nga kolonistët në mesin e viteve 1830, dhe nga një banor i shtetit të Xhorxhia, James Stevens, i cili mbërriti në Florida në vitin 1839, dhe njihet si themeluesi ose “Babai i Clearwater”, Dhe vetëm në vitet 1890-ë, Clearwater fitoi reputacionin si një destinacion dhe komunitet turistik, kolonët e hershëm e quanin Clear Water Harbor. Në Clearwater-in e hershëm dhe historik jeton e punon një komunitet i fuqishëm dhe i rëndësishëm shqiptaro-amerikan, i cili konkuron ndjeshëm mes forcës së krahëve dhe dijes, një komunitet punëtor dhe i besueshëm, që menaxhon biznese të vogla, të mesme e të mëdha, në sinkron me bisneset e kulturave të tjera, duke punësuar qindra bashkëatdhetarë shqiptarë, amerikanë dhe të kulturave të tjera, partnerë dinjitozë dhe të përkushtuar në rritjen e ekonomisë dhe mirëqënies, jo vetëm individuale por edhe asaj amerikane, respektues të rregullave e ligjeve të shtetit e qytetit ku ata jetojnë.
Me mbështetjen e fuqishme e të përgjegjëshme të familjes së tij, e komunitetit shqiptaro-amerikan, i motivuar me dashuri, pasion, mirësi, dhe i pajisur me individualitet profesional, mjeku shkodran, i specializuar në fushën e mjekësisë, shqiptaro-amerikani, Dr. Ardian Kraja sfidon mes të bukurës e së përditshmes njerëzore me mund e sakrifica, dhe arriti që brenda një viti të ngrejë “Florida Shqiptare TV”, -e cila u shëndrua në një Televizion modest që sa vjen e rritet, në zemër të shtetit të Floridës, respektivisht në qytetin portual, Clearwater.
Po kush është mjeku shqiptaro-amerikan, Dr. Ardian Kraja…
Dr. Ardian Kraja, është MD Specialist i Praktikës së Përgjithshme Mjekësore në New Port Richey, Clearwater, dhe Saint Petersburg
të shtetit të Floridës, dhe është diplomuar në Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë. Gjithashtu, Dr. Kraja është themeluesi i ALBANIAN HERITAGE FOUNDATION OF TAMPA BAY, dhe ka shërbyer si mjek, në luftën, e Irakut, në vitin 2003, me forcat ushtarake shqiptare, duke dhënë kontributin e tij të cmuar në “Tre Kontinente”, dhe citohet si –“Mjeku i Tre Kontinenteve”.
Flet dhe shkruan rrjedhshëm 5-ë gjuhë të huaja.
Në këtë intervistë Dr. Ardian Kraja na rrëfen për jetën, sakrificat, sfidat e rradhës, larmishmërinë e temave interesante social-kulturore –politike dhe forcën e progresit, integrimit dhe pjesëmarrjes në jetën social –ekonomike, kulturore-artistike dhe politike në shoqërinë demokratike amerikane, dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, por ajo c’ka është më e rëndësishme -integrimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare dhe identitetit shqiptar, duke prekur njerëzoren, qytetaren, inteligjencën dhe mundësitë e barabarta me diversitetin e pasur kulturor, kontributin e tyre aktiv, qytetar dhe intelektual, nëpërmjet forcës së krahëve e duarve, mendjes e dijes, mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të tjera në Florida. Krenar, i lumtur dhe i vetëdijshëm, për rolin dhe energjitë e tij pozitive, Dr. Ardian Kraja na rrëfen në këtë bisedë rrugën e e tij profesionale, atdhetare dhe aktivitetin e tij në dedikim të cështjes shqiptare dhe identitetit shqiptar.
Bisedoi: Raimonda MOISIU -SADE
–Dr. Kraja, keni gati një vit që keni hapur Florida Shqiptare Televizion, që aktualisht është shndërruar në një nga mediat televizive shqiptaro-amerikane më të spikatura të komunitetit, jo vetëm në Florida, por në gjithë SHBA. Cilat janë kontaktet tuaja të para me botën e medias televizive?
“Florida Shqiptare TV” është hapur pothuajse dy vite më parë. Është një televizion që i shërben komunitetit shqiptar në Florida, dhe kjo ka qenë një nga pasionet dhe aspiratat e mia që ditën e parë që kam ardhur në Amerikë. Nuk e di pse e kisha këtë ide, por me ishte fiksuar se duhej të isha në kontakt me median televizive, ishte një pasion që nga fëmijëria e heëshme. Kur erdha në Amerikë, fillimisht ëndrrat u lanë pezull, por pasi u bëra doktor, realiteti i televizionit filloi të marrë formë. Mund të them se ishte si një “ëndërr në sirtar”. Krijova një studio në shtëpi, fillova të investoja në pajisje, u lidha me platforma televizive në Neë York dhe Philadelphia, dhe kështu, hap pas hapi, “Florida Shqiptare TV” filloi të marrë jetë.
-Ç’mund të na thoni për mekanizmin që ju çoi në ngritjen e “Florida Shqiptare TV”, dhe si morën udhë projektet tuaja në këtë drejtim?
Florida Shqiptare u lind dhe u rrit si një studio që funksionon ende në shtëpinë time. Kam bërë një shtesë enkas për ta përshtatur për studion televizive. Aty zhvilloj intervista, dhe programi im më i preferuar është “Zëri juaj, historia juaj”, ku kam intervistuar shumë anëtarë të komunitetit shqiptar që kanë ndarë mendimet dhe sukseset e tyre. Kam intervistuar edhe shumë biznesmenë dhe biznese lokale, të cilat bëjnë reklamë përmes “Florida Shqiptare TV”. Këtë e kam ndërthurur edhe me faqen e Facebook-ut dhe You-tube, për të shpërndarë përmbajtjen tek ata që nuk arrijnë të ndjekin programet në orarin e transmetimit.
-Si e vlerësoni gjendjen kur e hapët për herë të parë dhe atë aktuale?
Fillimet ishin të vështira, por gradualisht infrastruktura është përmirësuar dhe stacioni tashmë transmeton 24 orë në ditë. Cilësia e kamerave për intervistat është rregulluar, dhe hap pas hapi gjithçka do të vijë duke u përmirësuar. Jemi ende në fillimet e një nisme që do të plotësohet me kalimin e viteve.
-A ka dallim mes medias së shkruar dhe asaj televizive?
Media televizive është më e drejtpërdrejtë dhe më e ndjeshme se ajo e shkruar. Njerëzit sot fokusohen shumë më tepër te televizioni sesa te librat apo romanet. Edhe ju si shkrimtare e keni vënë re se njerëzit lexojnë gjithnjë e më pak. Është e trishtë, por e vërtetë. Për projektet e mia, gjithçka nisi si pasion, por kërkonte edhe mbështetje ekonomike. Falë arritjes sime si mjek në Amerikë, ëndrra ime për median nisi të bëhej realitet.
-Falë kujt ka ardhur një ngritje cilësore, duke qenë se vini nga një fushë tjetër profesionale, mjekësia?
Sigurisht, unë vij nga fusha e mjekësisë, por një ndihmë të madhe më ka dhënë vajza ime, e cila e ka pasion median. Ajo është fotografe dhe realizon video me shumë profesionalizëm. Ka realizuar edhe dasma dhe ka një sy artistik të veçantë. Kur hapa televizionin, ajo ishte krahu im i djathtë. Edhe unë vetë e kam pasion elektronikën dhe përpiqem të qëndroj gjithmonë i përditësuar me risitë teknologjike.
-Mendoni se gjatë këtij viti të aktivitetit televiziv keni justifikuar jo vetëm përkushtimin, por edhe mesazhin tuaj?
Ka ende shumë punë për të bërë, por deri tani jam i kënaqur. Njerëzit e kanë mirëpritur dhe presin më shumë. Por edhe Roma nuk u ndërtua për një ditë…
-Cilat janë raportet me stafin tuaj?
Për momentin, stafi përbëhet nga familja ime – vajza, gruaja dhe ndonjëherë edhe vjehrra. Gjatë intervistave, gruaja ime, Tana, qëndron në pultin e komandimit dhe drejton regjinë. Ajo është edhe shikuesja dhe redaktorja e parë. Edhe vjehrra më ndihmon shumë, sidomos kur sistemi ka nevojë për rindezje. Jam mirënjohës për gjithë këtë mbështetje.
–Cili ka qenë reagimi i komunitetit shqiptaro-amerikan?
Si në çdo fushë, ka njerëz që mbështesin dhe të tjerë jo. Kam pasur përkrahje të vazhdueshme nga shumë persona, por edhe raste të xhelozisë. Gjithsesi, me kalimin e kohës, shoh që reagimet pozitive po shtohen dhe njerëzit po e kuptojnë më shumë këtë nismë.
-Përshkruani një ditë tipike në Florida Shqiptare TV.
Një ditë tipike përfshin programe të ndryshme. Përveç intervistave që realizoj vetë, transmetoj filma shqiptarë, koncerte dhe teatro të vjetër që koha i ka harruar. Përfshij gjithashtu edhe programe gatimi, që janë pasion personal. Ka dokumentarë, aktorë shqiptarë dhe filma të rinj. Synimi është që çdo shikues të gjejë diçka që ta mbajë të lidhur me ekranin, dhe me identiten tonë shqiptar.
-A keni pasur mysafirë të njohur?
Po, kam intervistuar intelektualë, biznesmenë, artistë, shkrimtarë dhe njerëz patriotë. Jam shumë i kënaqur me nivelin e personaliteteve që kanë qenë pjesë e programeve tona.
-A keni programe për fëmijë në shqip?
Po, kjo ishte një nga idetë e para. Ende nuk ka nisur, por jam në bisedime me një mësuese të gjuhës shqipe dhe shpresoj të fillojmë së shpejti. Fillimisht e lashë mënjanë për të shmangur konflikt interesin me shkollën “Vatra” në Clearëater, por synimi im është të sjell programe për fëmijët, për ruajtjen e gjuhës dhe traditës.
– Së fundmi keni hapur edhe radion…
Po, kam hapur Radio Shqiptare Florida, që transmeton 24 orë në ditë. Pa ndrojtje mund të them se radion e parë (marrëse) ose sic njihet ndryshe radio me galena e kam ndërtuar në vitin 1982, atë kohë isha vec 14 vjec, një model nga revista Horizonti e asaj kohe. Radioja tani është me bazë interneti dhe mund të akcesohet nga cdo vend i botës, mjafton të shkruash “radioshqip.live”. Ka programe të larmishme muzikore: këngë festivalesh, popullore, të reja dhe të vjetra. Playlist-at i përditësoj rregullisht dhe kam marrë shumë feedback pozitiv. Dëgjuesit janë të shumtë, e përdorin në udhëtime, në punë dhe në plazh. Shumë shpejt do të nisin edhe disa emisione të dedikuara.
–Si e shihni rolin e këtij institucioni në integrimin kulturor të shqiptarëve në Amerikë?
Deri tani nuk e kam parë këtë nismë si burim fitimi, por si nismë për të bashkuar dhe promovouar vlerat e shqiptarëve në Florida. Qoftë radio, televizioni apo rrjetet sociale, më japin mbi të gjitha kënaqësi shpirtërore. Është një mënyrë për të ruajtur kulturën dhe traditën shqiptare në Amerikë. është pasion personal. Megjithatë, siç thonë amerikanët, “never say never”!
–Çfarë përgatitjesh bëni për festat kombëtare?
Në festa kombëtare, ekrani zbukurohet me simbole kombëtare – flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Programet reflektojnë frymën e bashkimit dhe të krenarisë kombëtare.
-Cili është mesazhi juaj për audiencën?
Mesazhi im është dashuria dhe paqja mes shqiptarëve. Të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të jemi të bashkuar si komunitet. Le të duhemi më shumë, të ndihmojmë më shumë, të bashkëpunojmë më shumë. Çdo koment, ide dhe kontributi juaj e bën “Florida Shqiptare TV” zërin e përbashkët të komunitetit tonë.”
Ju Faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU-SADE