


Selaudin Guma & Çerçiz Loloçi/
1.
Luzati është një qendër e vjetër e banuar, që daton qysh nga fillimi i shekullit të XV. Toponimet e vjetra kristiane të vendit tregojnë për një jetë të lulëzuar të fshatit para dhe pas pushtimit otoman. Gojëdhënat rrëfejnë që fshati më përpara ka qenë vendosur në rrëzë të fushës në Batall. Më vonë është shpërngulur aty ku është sot. Në fshat ndodhen 3 toponime kristiane: Shën-Kolli, Shën-Todri dhe lagjja Lleshaj, të cilat flasin për ekzistencën e tre kishave në fshat. Interesant dhe kuptimplotë janë emërtimet shqip të shenjtorëve-Nikoll,Todër dhe Aleksandër-Lleshi. Prof. Çabej në librin “Etnogjeneza e kombit shqiptar”, kur përmend fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut në Kalabri, thekson faktin se në Santa-Xhiorxhia de Albanezi banorët i deklaruan faktin se janë nga fshati ‘Luxat”. Shën Gjergji ka qenë shenjti mbrojtës i shqiptarëve në mesjetë dhe banorët që u shpërngulën e morën me vete dhe u identifikuan në tokën e re me emrin e shenjtorit.
Në 1430 Luzati përmendet në regjistrat osmane si fshat rebel,dokument i cili ndodhet në muzeun historik kombëtar. Ky dokument nënvizon faktin se “kalorësit turq të spahiut shkuan në Luzat dhe nuk u kthyen më”. Në 1431 osmanët, pasi pushtuan pjesën më të madhe të territorit shqiptar, filluan regjistrimin e tokave dhe popullatës në sistemin e timareve. Noli në “Historinë e Skënderbeut” më 1921, përmend faktin se “shtresa e fshatarëve të lirë ishte pjesa më rezistente ndaj pushtuesve turq”. Kronikani turk Evlija Çelebi e përmend si vendbanim në veprën e vet në vitet 1660-1670, vite në të cilat ai udhëtoi në Shqipëri. Historiani grek Arivitanoi në librin “Ali Pashë Tepelenliu” nuk e radhit në radhën e çifligjeve të Aliut, siç bën me disa fshatra të tjerë si Veliqot, Hormovë e Lekël. Banorët e Luzatit morën pjesë aktive në dy kryengritjet e mëdha 1833 dhe 1847. Më 1833 në afërsi të fshatit Luzat në vendin e quajtur “Guri i taborrit” u zhvillua beteja e përgjakshme kundër forcave turke të Emin Pashës.
Forcat kryengritëse shqiptare udhëhiqeshin nga Tafil Buzi. Në këtë betejë u shqua dhe trimi luzatar Satedin Luzati, i përjetuar në këngë nga rapsodi popullor qe këndohen deri në ditët e sotme. Më 1914 Luzati u dogj nga forcat shoviniste greke,por popullsia shpëtoi nga një masakër si ajo e Hormovës, falë trimërisë dhe heroizmit të 5 luzatarëve: Aliko Koçi, Ali Beqiri, Selman Qibini, Jakup Skëndi dhe Haxhi Kasa. Një pjesë e madhe e luzatarve për t’i shpëtuar represionit grek emigruan fillimisht në Turqi e Misir dhe në fillimet e shekullit XX në Amerikë dhe Francë. Traditat demokratike të SHBA u përcollën në fshat me krijimin e shoqatës “Përparimi” nga Selim Kopelli, Remzi Kalo, Malo Mustafai, Fuat Shehu, Myrto Progonati etj. Fshati Luzat ka qenë gjithmonë arsimdashës. Në fillim ka ekzistuar mejtepi turqisht dhe më pas shkolla shqip e hapur më 1909. Fshati është vendlindja e patriotit Sulejman Luzati, mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Ismail Qemalit, nënprefekt i parë i Tepelenës, deputeti i këtij qyteti në parlamentin demokratik 1921, mik dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit… Luzatarët morën pjesë në luftën kundër italianëve më 1920, nën komandën e Dervish Xhaferit dhe Baba Ahmet Turanit, iniciatorit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili ishte nip në familjen Luzi në Luzat. Luzati duke qenë i vendosur në anë të rrugës nacionale Tepelenë-Gjirokastër- Janinë (Derveni) ka njohur një zhvillim kultural të konsiderueshëm për kohën. Ata jetonin duke ushtruar bujqësinë, blegtorinë dhe vreshtarinë.
Luzatarët ishin të pranishëm dhe në qytetin e Tepelenës ku ushtronin veprimtari të ndryshme si hotel-restorant, këpucari, berber, etj. Këtë proces e pengoi pushtimi italian i vendit të cilin luzatarët nuk e pëlqyen dhe e kundërshtuan. Më 1940 luzatarët kanë protestuar për dëmtimin e kanalit ujitës të fushës nga italianët që ndërtonin një rrugë strategjike për nevojat e luftës. Lufta Italo-Greke solli dëmtime të mëdha në fshat dhe shkatërrimin e ekonomive fshatare. Kjo është dhe një nga arsyet e rritjes së ndjenjës nacionaliste dhe urrejtje ndaj pushtuesve fashistë ndaj Luzati është një nga fshatrat që radhitet nga të parët në vend për rezistencë kundër Italisë fashiste. Mbi 50 djem morën pjesë në formacionet partizane,shumica dërmuese të rinj ndër ta dhe 4 vajza. Luzati i dha atdheut 12 dëshmorë dhe një heroine, Nimete Progonatin.
2.
Në periudhën e demokracisë, si shumë zona të tjera shqiptare, në Veri dhe në Jug, Luzati u gjend në një lëvizje të pandërprerë të popullsisë, disa që largoheshin për një jetë më të mirë në Tepelenë e qytete të tjera, por edhe jashtë vendit, kryesisht në Greqi, Itali, por edhe në shumë shtete perëndimore, përfshi edhe SHBA. Pa qenë në listën e 100 fshatrave që do të merrnin mbështetje nga shteti për t’u ringritur, mjaftoi iniciativa e intelektualit të njohur Përparim Kalo që Luzatit t’i rikthehej lavdia e dikurshme. Fillimisht ngrihet një qendër kulturore me emrin “Vatra”, më pas një muze dhe për pak vjet fshati bëhet mikpritës i qindra vizitorëve vendas dhe të huaj, në ngjarje të ndryshme kulturore dhe jo vetëm. Ngjarja e fundit ishte 24 marsi 2026 ku atje bujtën dhjetra të pranishëm në përurimin e “Parkut të Harmonisë (një tyrbe bektashiane, një skulpturë për Nënë Terezën dhe tjetra për Haxhi Bektash Veliun, të dyja vepra të artistit Emanuel Koko), përfshi historianin e njohur Bernd Fischer, autor i disa librave për Shqipërinë dhe gazetarin e publicistin Ilir Ikonomi, autori i librave për Fan Nolin dhe Faik Konicën. Në ceremoni përshëndetën pedagogu Bashkim Qeli, kryebashkiaku i Tepelenës Gramoz Sako dhe presidenti I fondacionit “Kalo”, Përparim Kalo. Të pranishëm gjithashtu në këtë veprimtari, përveç të ftuarve nga Gjirokastra dhe Tirana, ishin edhe ish deputeti dhe ish Ministri i Financave Arben Malaj, ish kryebashkiaku i Tepenës dhe deputeti i këtij qyteti Tërmet Peçi.
3.
Fondacioni “Kalo” me drejtues dy bashkëshortët Djana dhe Përparim Kalo, disa vite më parë i kthyen sytë nga ky fshat shumë pranë Tepelenës që po rrënohej vit pas viti. Ishte një dramë që i ndodhte shumë fshatrave të Shqipërise që u shpërngulën ku të mundin, brenda dhe jashtë vendit. Diçka duhej bërë për ta përmbysur këtë realitet të zymtë. Ata pak banorë që ende jetonin në fshat përpiqeshin për t’i ruajtur dhe ribërë shtëpitë e tyre, ca me kursimet në punët e përditshme bujqësore e blegtorale dhe ca me ndihmën që u vinte nga djemtë dhe vajzat emigrantë. Filimisht mjeku i njohur Isuf Kalo, bashkë me autoritetet lokale ribënë rrugën automobilistike dhe pikërisht ky investim tërhoqi edhe mjaft luzatas të tjerë për t’u kthyer në shtëpitë e hershme, për t’i rindërtuar, madje duke bërë edhe vila.
Një qendër kulturore, disa veprimtari të njëpasnjëshme me piktorë, shkrimtarë, publicistë, me përfaqësues të trupit diplomatik.