Dy fjalë për librin “ Forca e Kelmendit” e Autorit Ing. Zef Naçaj/
Libri “Forca e Kelmendit” dhe historia e përvuajtur e vetë Nikollë Mërnaçajt, të cilit autori i jep zë, është një akuzë e hapur ndaj atij regjimi antinjerëzor gati gjysmë-shekullor që mbizotëroi në Shqipëri dhe krejt Evropën Lindore. Kjo është shumë e rëndësishme sepse në Shqipëri si në asnjë vend tjetër Komunist të bllokut lindor, nuk është bërë ende një kërkesë e hapur llogarie nga viktimat ndaj abuzuezve të tyre apo një pendesë e kërkesë falje publike nga xhelatët komunistë që çuan në vdekje qindra viktima të pafajshme, siç ishte Nikollë Mërnaçaj. Asnjë prej tyre nuk është dënuar publikisht ashtu siç janë dënuar e vazhdojnë të dënohen edhe sot ushtarakë e oficerë naziste të Gestapos Gjermane për masakrat e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore./
Nga Dr. Azeta KOLA*/
Historia e Shqipërise i ka rrënjët e thella në lashtësi, dhe mbijetesa e kombit tonë është arritur nëpërmjet luftrash të vazhdueshme kundër pushtimeve të huaja, te cilat me dhunë janë munduar të na zhdukin kombësinë, gjuhën e flamurin. Por populli ynë u bëri ballë të gjithë armiqve me stoicizëm dhe arriti ta siguronte lirinë e tij, duke e paguar këtë liri me gjakun e bijve më të mirë të tij. Por askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend se atë që s’mundën ta bëjnë hordhitë e huaja me ushtri e me luftra, do ta bënte pushteti kriminel i Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij. Një ndër krahinat më të “pabindura” për regjimin komunist ishte Kelmendi me krahinat e tij Selca,Vukli, Nikci dhe Boga.
Figura e malësorit Katolik verior ka befasuar dhe frymëzuar historiane e shkrimtarë të huaj, më i fundit, Robert Elsie, që nuk përmendet në libër, ka shkruar Fiset Shqiptare përkthyer në Tribes of Albania, i cili duhet lexuar nga të gjithë. Shkrimtarët tanë, në veçanti, Ismail Kadare, në të gjithë krijimtarinë e tij, argumenton që kombi ynë i përket Europës dhe jo Azisë, dhe malësori shqiptar është një përfaqësues i denjë i kombit, besës, fesë, heroizmit, burrërisë e trimërisë, të gjitha këto bazuar në ligjet e maleve-Kanunin. Kur atdheu ka qenë në rrezik, malesori shqiptar ka lënë familjen dhe çdo problem që ka pasë e ka marrë pushkën dhe ka luftuar me vetmohim deri në vdekje për mbrojtjen e vendlindjes. Disa prej emrave të njohur të Kelmendasve heronj që përmenden në liber janë ato të Ujk Giles, Nik Lek Pepës e Prek Calit, ky i fundit, antisllav e antikomunist i shquar- është shpallur edhe Martir i Demokracisë dhe Nder i Kombit.
Në librin “Forca e Kelmendit” të autorit nga Vermoshi, ing. Zef Nacaj, kushtuar Nikollë Mërnaçit dhe heronjve të tjerë të Kelmendit, hapet para nesh një histori e pashembullt krimesh, vuajtjesh, terrori e torturash të kryera gjatë viteve të pushtetit Komunist, që janë të ngjajshme, siç thotë autori, me krimet e nazizmit në kampet e përqëndrimit gjatë luftës së dytë botërore. Lexuesit të sotëm mund t’i duket i çuditshëm krahasimi, por atyre që e kanë jetuar këtë kohë, jo aspak. Jo vetëm ata me “biografi të keqe,” por edhe pjesa tjetër e popullsisë kanë kaluar rreth 45 vite në vuajtje, mjerim, frikë, pa të drejtë për të folur e per t’u ankuar, pa të drejtë besimi fetar apo mendimi të lirë që ishte në kundërshtim me politikën vëllavrasëse të Enver Hoxhës. Me fjalë të tjera, Shqipëria ishte një burg i madh kolektiv ku shqiptarët që jetonin nën Komunizëm ishin të gjithë bashkëvuajtës në një mënyrë apo në një tjetër.
Ing. Zef Nacaj ka mbledhur me durim e këmbëngulje, cilësi që janë per t’u admiruar, historinë e heshtur të jetës së viktimave të komunizmit, duke u përqëndruar tek Nikollë Mernaçaj, djali i Ndue Ujk Mernaçajt e Mrikës dhe vëllai i Marashit, Pjetrit, Kolës, e Rrokut, si dhe Pashkes, Ages, e Prendës nga Pshtani i Kelmendit, fshat blegtoral mes bjeshkëve të larta në të cilin gjendet një nga Kishat më të vjetra Katolike në Ballkan. Jeta dhe vuajtjet e Nikollës përbëjnë linjën kryesore të librit, e cila ndërthuret natyrshëm me linja dytësore, ku protagonistë jane bashkëkohës e bashkëvuajtes me Nikollën, si psh. Gjok Marku, Pjetër Delia, Simon Mirakaj (nga Iballa e Pukës qe u bë edhe kryetar i Shoqates Anti-Komuniste të të Përndjekurve Politike), Lek Pervisi, e At Zef Pellumbi. “Forca e Kelmendit” është shkruar në një stil të rrjedhshëm tregimtar dhe është një histori gojore (oral history) për nga zhanri letrar e mbledhur prej dëshmitarëve të shumtë okularë të cilët i kanë parë dhe jetuar historitë që tregojnë. Historia është shkruar në dialektin Geg të veriut dhe është e mbushur me detaje plotësuese, të cilat autori i zgjedh dhe i vendos me kujdes për të krijuar efektin e duhur tek lexuesi, si dhe me shprehje popullore të Shqipërisë së Veriut të cilat janë perla gjuhësore e letrare. Libri ka 331 faqe te mbledhura me kopertinë të fortë, dhe është i ilustruar me piktura në vaj të vetë autorit, në mes të të cilave spikat portreti i Nikollë Mërnaçajt në hapjen e librit, si dhe vizatime e skica me dorë po të vetë autorit, dhe shumë fotografi të kontributoreve të historise në fjalë, si dhe pjesëtarëve të familjes Mërnaçaj, te cilët u arratisën në Mal të Zi në 1959, e prej andej emigruan në USA, ku edhe jetojnë sot si qytetarë Amerikanë dhe anëtarë të nderuar të Komunitet Shqiptar të New York-ut për te cilin kontribuojnë vazhdimisht. Ky zhanër dhe stil i të shkruarit e lejojnë autorin Zef Nacaj të tregojë një histori njerëzore prekëse, të një familje qe vuajti për shkak të absurditetit, marrëzisë, dhe dhunës së Komunizmit si ideologji në përgjithësi, veçanërisht Komunizmit shqiptar, në veçanti, me diktator Enver Hoxhën, arkitektin e luftës së klasave, që nuk ishte gjë tjetër veçse nxitje e ndarjes rajonale midis Veriut dhe Jugut te Shqipërisë, politikë e cila çoi në vëllavrasje, dmth. shqiptari u ngrit kundër shqiptarit e vëllai vrau e torturoi vëllanë me një urrejtje të ndezur verbërisht nga injoranca dhe indoktrinimi ideologjik i kohës. Kjo ilustrohet në libër me emrat e drejtorëve, kryetarëve, shefave, avokatëve apo torturuesve, ata që firmosën, vendosën për fatet e njeriut dhe ekzekutuan viktimat, të cilat janë, fatkeqësisht, në shumicën e rasteve, nga jugu i Shqipërisë.
Libri bën të qartë edhe faktin se politika e viteve komuniste në Shqipëri nisi me vëllazërinë me komunistat Jugosllavë, të cilët ushtronin autoritet absolut në vendimet e Partisë Komuniste Shqiptare. Ky lloj “vëllazërimi” ishte kontroll dhe imponim e zbatim i vijës pro-serbe e anti-shqiptare nga udhëheqja shqiptare Komuniste e Enver Hoxhës menjëhere pas ardhjes së tij në pushtet, e cila pasqyrohet qartë në libër me luftën e Tamarës, gjatë së cilës, malësorët e Kelmendit u sulmuan pabesisht nga forcat partizane. Malësoret kishin strehuar miq të tyre Kelmendas e Shaljanë shqiptarë nga territoret e Malit të Zi që ndiqeshin nga partizanët Jugosllavë. Ne këtë shembull del qartë politika e kordinuar dypalëshe komuniste e eliminimit të malësorëve Katolikë të Kelmendit në të dy anët e kufirit. Ne libër, Kol Gjon Bajraktari i Vuklit pohon në kuvendin e mbledhun tek manat e Urës së Tamarës në 1945 se “Partizanët [shqiptarë] janë ba aleat me armikun tonë shekullor – shkjaun” (72-73). Në këtë kuvend morën pjesë baba Ndue dhe Nikollë Mërnaçaj.Historikisht,sllavët, sidomos serbët kanë qenë armiq të betuar të shqiptarëve dhe sidomos Katoliçizmit shqiptar të cilin e kanë luftuar me të gjitha mënyrat e mundshme – ju mund të keni dëgjuar për veprën e historianit Croat Milan von Sufflai, i cili u vra në mënyre barbare nga shërbimi sekret serb në fillim të shekullit 20-të, sepse nxori në dritë dhe shkroi historinë e vjetër të shqiptarëve gjatë mesjetës në të cilën dalloheshin qartë lidhjet e vjetra të shqiptarëve me Katoliçizmin dhe kulturën perëndimore. Dy nga librat e tij të përkthyera në shqip janë, “Qytetet dhe Kështjellat e Shqipërisë Kryesisht në Mesjetë” dhe “Serbët dhe Shqiptarët.” Si rrjedhojë e adoptimit nga qeveria Komuniste e Enver Hoxhës të kësaj mendësie e politike pro-sllave, antishqiptare e antikatolike, lufta kundër katoliçizmit dhe nxitja e vëllavrasjes që synonte eliminimin e popullsisë katolike të veriut së bashku me të gjithë kundërshtarët politikë të regjimit ishte në plan të parë menjëherë pas mbarimit të luftës së dytë botërore. Aq i fortë ishte imponimi sllav në qeverinë e re shqiptare të pasluftës saqë edhe 29 Nëntori 1944, dita e çlirimit të Shqipërisë nga nazizmi u vendos e njëjtë me atë të çlirimit të ish-Jugosllavisë.
Libri “Forca e Kelmendit” dhe historia e përvuajtur e vetë Nikollë Mërnaçajt, të cilit autori i jep zë, është një akuzë e hapur ndaj atij regjimi antinjerëzor gati gjysmë-shekullor që mbizotëroi në Shqipëri dhe krejt Evropën Lindore. Kjo është shumë e rëndësishme sepse në Shqipëri si në asnjë vend tjetër Komunist të bllokut lindor, nuk është bërë ende një kërkesë e hapur llogarie nga viktimat ndaj abuzuezve të tyre apo një pendesë e kërkesë falje publike nga xhelatët komunistë që çuan në vdekje qindra viktima të pafajshme, siç ishte Nikollë Mërnaçaj. Asnjë prej tyre nuk është dënuar publikisht ashtu siç janë dënuar e vazhdojnë të dënohen edhe sot ushtarakë e oficerë naziste të Gestapos Gjermane për masakrat e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Po përse vuajti Nikollë Mërnaçaj — cili ishte “faji” i tij? Ai nuk pati faj tjetër përveç të qenit Kelmendas, malësor i besës e Kanunit të Maleve, si dhe Katolik i devotshëm. Ngase ishte Kelmendas, malësor e Katolik, ai vuajti dy arrestime. I pari në 1952 ku u akuzua se ndihmonte banda diversante, dhe në 1980 ku u akuzua për agjitacion e propagandë. Gjate arrestimit të dytë, atij ju shtua si akuzë fakti se kishte kryer shërbimin ushtarak në gardën Mbretërore Italiane në kohën kur Shqipëria ishte protektorat i Italisë dhe shkëmbente mesazhe me agjentë të huaj me anë të një radioje imagjinare të cilën e mbante në kokoren e bletëve pas rritjes së të cilave ishte i pasionuar. Kjo ishte një akuzë e krijuar nga një imagjinatë e sëmurë, absurde e driteshkurtër Komuniste e cila si një makinë e çmendur, trilluese dhe hakmarrëse synonte të mposhtte, të përulte, e të përçudnonte çdo gjë të mirë e të pastër në viktimat e saj. Për këto dy akuza të trilluara nga regjimi Komunist dhe të cilat Nikolla nuk i pranoi dhe për të cilat nuk firmosi, ai u dënua me nga 10 vjet burg për secilën. Pas arratisjes së familjes së tij në Mal të Zi në 1959, e më pas emigrimit të tyre në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, gjatë së cilës nëna e tij Mrikë mori shtetësinë Amerikane në moshën 110 vjeçare si një rast i veçantë, Nikolla bashkë me gruan e tij, Dranden, dhe Djellën, vajzën e madhe, u internuan në kampin e përqëndrimit në Savër të Lushnjës, ku edhe linden femijet e tjere, Maria dhe Marku. Aty ai vuajti edhe internim brenda internimit në Gradishtë, po në Lushnjë. Vuajtjet, persekutimi dhe padrejtësitë që ju bënë Nikollës nuk e mposhtën karakterin e tij burrëror e ai nuk pranoi të bëhej vegël e spiun i shërbimit sekret shqiptar. Gjok Mark Bujaj, bashkëvuajtës me Nikollën pranon se, “Nëse nji njeri i zakonshëm do të shpallej shenjtor, ky do të ishte pa dyshim Nikollë Mërnaçi” (14). Shenjtorët janë njerëz të zakonshëm që mirësia e shpirtit, dhe virtytet e tyre njerëzore, siç janë përultësia, heshtja, fisnikëria, durimi me dinjitet i vuajtjeve fizike e shpirtërore i bëjnë shenjtorë, dmth i ngrejnë mbi të tjerët sepse ata kanë arritur përsosmërinë në sytë e Zotit.
Një nga aspektet më të rëndësishme që sjell libri i autorit Zef Nacaj është edhe krahasimi i fuqishëm midis Kelmendit si territor malor me një bukuri mahnitëse natyrore dhe karakterit të pastër e të pathyeshëm të njerëzve të këtij vendi, shumë prej tyre të njohur historikisht, si p.sh., Papa Klementi XI apo Nora e Kelmendit. Duke përshkruar Fortesën, te cilën edhe e ilustron me nje skicë te qartë, atë kështjellë natyrore të ngritur mes maleve që gjendet në Vukël dhe e cila përmendet në dokumenta historike për herë të parë nga historiani zyrtar i Perandorisë Bizantine të shekullit të 6-shtë të erës sonë, Prokopi i Cesareas (500-554 AD) që ishte provincë Romake e Israelit gjatë kohës së Perandorit Justinian, autori Zef Naçaj shkruan:
“Ajo është nji fortesë natyrore e gdhendun në shkamb. Duket si nji Olimp shqiptar në mes të bjeshkëve të Kelmendit, që perënditë e kishin përgatitë për veten e tyne. Nga të gjitha anët shkambi thikë 50-100 m. Vetëm nji shteg i ngushtë për me arritë brenda kështjellës. Asnji mundësi tjetër. Veç shqipet e kreshtave mund të hynin lirshëm. E kanë thirrë “Forca e Kelmendit.” Jo vetëm për faktin se ajo mbeti nji kështjellë e pathyeshme në shekuj, por edhe pse ishte symbol i forcës, i karakterit dhe i qendresës së malësorëve Kelmendas përmes stuhive te historisë së vjetër e të re (7)
Njerzit si Nikollë Mërnaçaj e shumë burra të tjerë Kelmendas që dhanë jetën për liri përgjatë historisë sonë shekullore, apo që u dergjën e vdiqën burgjeve Komuniste të pafajshëm e të papërkulur në humanizmin, heroizmin e ndershmërinë e tyre janë forca e Kelmendit, janë karakteri, krenaria dhe bukuria mahnitëse e pamohueshme e asaj krahine të Shqipërisë së Veriut e cila vazhdon të qëndrojë sot e patundur në sajë të punës e veprës së bijve të saj, të cilët ne sot i kujtojmë me krenari.
Urime Zotit Zef Nacaj për këtë libër me vlerë.
Respekt e nderim Nikollë Mërnaçajt e pjestarëve të familjes së tij.
Ju faleminderit,
*Kumtesë e mbajtur nga Dr. Azeta Kola në promovimin e librit te Zef Nacaj” Forca e Kelmendit” organizuar ne Qendren”Nene Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare”Nënë Tereza” në New York, 18 Gusht, 2018